MËNJANIMI I DIALEKTIT NGA GJUHA STANDARDE

0
2628
Zymer Mehani, portret

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Rruga e gjatë dhe e mundimshme në të cilën ka kaluar gjuha shqipe në përgjithësi dhe ajo letrare në veçanti, të jep të drejtën legjitime që herë pas here të shohësh se si përdoret ajo, në ç’formë e ç’mënyra realizohet ajo, se ç’hapësirë ka në arsimin shqiptar.

Diskutimet për shqipen në përgjithësi dhe atë standarde në veçanti janë gjithmonë të frytshme; në mënyrë të veçantë kur ato realizohen nga njerëz me formim të lartë shkencor linguistik, njohin mirë rrymat, shkollat dhe korrentet linguistike në Europë e më gjerë. Ato janë me vlera të shënuara dhe ndihmojnë në zhvillimin e gjuhës standarde shqipe, e përpunojnë atë në të gjithë përbërësit e vet, sjellin prurje të reja në strukturën gramatikore, fonetike e leksikore, e pastrojnë atë nga fjalwte panevojshme dialektore, pastaj nga huazimet e panevojshme , pa kaluar në purizëm linguistik ekstrem, e pasurojnë atë me neologjizma, me kompozita, si edhe bëjnë të mundur analizën e thellë të standardit, se deri ku ai e ka kryer rolin dhe misionin e tij në shoqërinë e sotme shqiptare.

“Në gjithë veprimtarinë e shkollës është e domosdoshme që të përdoret një gjuhë standarde e përpiktë, e pastër dhe e kulluar, duke synuar që jo vetëm gjuha e teksteve të jetë plotësisht e normuar, e njësuar, por edhe që të folurit e mësuesit e të nxënesit të çlirohet nga të gjitha luhatjet e ndikimet dialektore, të vihet në përputhje të plotë me gjuhën e tekstit” (Grup autorësh, Gjuha letrare shqipe (Elemente të normës së sotme letrare), Prishtinë, 1984, f. 5).

Në këtë vështrim, pas një “beteje” 20-vjeçare, gjuhëtarë dhe jogjuhëtarë, disa prej të cilëve, nisen vetëm nga arsye periferike e të ngushta krahinore, disa edhe janë diletantë (edhe pse mund të mbajnë për momentin kohor poste politike apo konsulentësh), kanë njohuri të përcipta rreth dinamikës së shqipes standarde, rreth teorive që sot zhvillohen e përpunohen në universitete të ndryshme të Europës e më gjerë për gjuhët standarde, mbi bazamentin e krijuar nga Ferdinand de Sosyri, Noam Chomski e të pasuruar nga shumë të tjerë në rrymë të viteve, u bënë nismëtarë të një konference apo debati rreth standardit të shqipes standarde.

Në asnjë rezolutë apo konkluzion të Kongresit të Drejtshkrimit nuk ka përkufizim me qark të mbyllur, pra se tashmë shqipja është e standardizuar dhe nuk ka nevojë për pasurim të saj në prerje dhe në rrafshe të ndryshme, por shqipja u theksua se është me kahje të hapur për të thithur trajta dhe forma leksikore, fonetike, shprehje frazeologjike etj. nga të gjitha trevat e vendit. Në rezolutën e këtij tubimi shkencor u nënvizua se “…Rregullave të drejtshkrimit t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura”. ( Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, IAP, Prishtinë, faqe 7).

Prof. dr. Hasan Mujaj me të drejtë thotë se ‘’Shkolla është vendi më i autorizuar ku nxënësit, ndër të tjera duhet ta përvetësojnë përdorimin e drejtë të gjuhës standarde, si në formën e shkruar, ashtu edhe në formën e folur’’(Shih më
gjerësisht: Hasan Mujaj, Favorizimi i antivlerave, Prishtinë, 2005) duke bërë përpjekje që sa më tepër që të jetë e mundshme të mënjanohen dialektizmat e panevojshme.

Duhet kujtuar se shqipja standarde, zyrtare ka një detyrë, një mision më të madh se gjuha shqipe si një mjet komunikimi për një krahinë apo për një trevë të caktuar, apo për të ruajtur si monopol të folmen e ndonjë qyteti dhe atë ta shtrinte në të gjitha prerjet e gjuhës standarde shqipe. Ajo do t’u shërbejë të gjithëve dhe ashtu si edhe Mjeda e Migjeni në Shkodër, apo A.
Xhuvani në Elbasan, i kapërcyen me aftësi, me kulturë dhe me atdhetarizëm kufijtë e së folmes të qytetit të tyre. Duke qenë të tillë, të pajisur me një kulturë europiane filologjike, duke kuptuar labirintet në të cilat do të përvijonte shqipja standarde, duke njohur mirë e duke bërë edhe të tjerët të ishin të kuptueshëm për misionin e tyre që në fillim të viteve ‘30-të e në vijim dhanë orientimet, rrugët ku do të ecte në mënyrë të natyrshme e objektive shqipja drejt normës së saj.

Mendoj se gjedhja më e përsosur mund të merret krijimtaria e shkëlqyer letrare e Ismail Kadaresë, pasurimi që ai i bëri gjuhës standarde shqipe në të gjitha prerjet e saj dhe në mënyrë të veçantë në stilistikë, në neologjizma e tashmë ajo është afirmuar në dhjetëra gjuhë të huaja, ku shqipja standarde e përdorur prej tij është përkthyer.

Vetëm te ne shqiptarët ekziston për disa koncepti për të mohuar veprimtarinë dhe produktin shkencor të brezave të mëparshme, duke politizuar apo dhënë epitete fyese e aspak etike, pa le më shkencore. Pikë referimi merret vetëm prof. Çabej dhe “harrohet” që ai bashkëpunoi e nënshkroi vepra të rëndësishme shkencore për gjuhën shqipe, së bashku me plejadën e gjuhëtarëve e të studiuesve të kohës së vet. Vetë natyra e intelektualit të vërtetë shqiptar, asnjëherë nuk ka qenë aq servile dhe aq konformiste sa të pranojë në heshtje të plotë tipare e cilësi aq madhore sa është në këtë rast gjuha shqipe, simboli, për të cilin dashuria dhe sakrifica në shekuj kanë qenë të pamatë.

Mendoni se çfarë duhet të ndodhte sot në Itali me italishten letrare të Dante Aligerit, në Francë me të folmen e Parisit në themel të frëngjishtes letrare, në Angli me anglishten letrare të Shekspirit etj., sikur edhe atje, nga disa, aktualisht të kërkoheshin rrugë të tjera për standardizimin e këtyre gjuhëve, sepse këndvështrimet sociolinguistike kanë ndryshuar, në të kaluarën çdo gjë është realizuar gabim e nën trysninë e mbretërve e të feudalëve të fuqishëm?!… ‘’Gjuha standarde, kjo vlerë e lartë gjithkombëtare, në disa shtete me traditë të gjatë të arsimit, të kulturës e të shkencës, mbrohet me ligj nga shkarjet e ndryshme në përdorimin zyrtar të saj’’. ( Hasan Mujaj, Kërkime sociolinguistike, Prishtinë, 2012, f. 216).

Janë vetë nënshkruesit e shqipes standarde letrare që rrugën e kanë lënë të hapur drejt përmirësimit të saj, të zhvillimeve të saj në lidhje të ngushtë me zhvillimet e shoqërisë dhe në këtë hulli lind edhe nevoja për përmirësim, por për përmirësim dhe jo invers apo “padrejtësi” për një variant letrar dhe vlerësim për variantin tjetër.

Duke bërë këtë retrospektivë të sintetizuar, duam të nënvizojmë faktin se cili është aktualisht roli dhe misioni i sotëm i shkollës sonë, që është vatra kryesore ku teoritë zbatohen, përpunohen dhe përvetësohen në mënyrë sistematike e programatike, për një përvetësim aktiv dhe të qëndrueshëm të shqipes letrare?! Cilat janë detyrat e saj në zbatim të tubimeve të rëndësishme shkencore linguistike të kohëve të fundit?

Po të shikojmë gjendjen e sotme në shkolla nga aspekti i gjuhës standarde, pa dyshim se vërehet njëfarë shkujdesjeje tej mase ndaj disiplinës gjuhësore, Po të vështrojmë përdorimin e shqipes, qoftë në të shkruar dhe qoftë në ligjërimin e folur, hiq disa probleme që kanë të bëjnë me tipare të veçanta fonetike (mungesa e qiellzoreve q,gj; varietete të shqiptimit të ë-së së theksuar; elemente të hundorësisë tek e-ja e theksuar dhe e lëvizjeve tek shqiptimi i zanores a e ndonjë tjetër), po jo edhe tek përdorimi i grupit të zanoreve ua, i fjalëve me rotacizëm, i përdorimit të ë-së së theksuar në kushte të caktuara, – tipare këto të shqipes standarde, bazuar tek toskërishtja, në fushat e tjera – si në morfologji e në fjalëformim dhe në çështje kryesore të ndërtimit të fjalisë, – standardi i shqipes kryesisht është zotëruar në një shkallë të mirë nga gjeneratat e reja.

Shembuj të tjerë të gabimeve që bëjnë nxënësit mund të gjejmë në fushën e drejtshkrimit, të drejtshqiptimit, të fjalëformimit, të përshtatjes së gjymtyrëve në fjali, të paranyjëzimit, të shumësit të emrave, të përdorimit të trajtave të shkurtra të përemrave vetorë etj.p.sh: Arsimtari i tha nxënësve shumë gjëra. Këtu është bërë një gabim te përdorimi i trajtës së shkurtër: Në vend të përdorimit të trajtës së shkurtër të përëmrit vetor të vetës së tretë shumës të rasës dhanore – u, është përdorur pa të drejt dhe gabimisht trajta e shkurtër e përemrit vetor e vetës së tretë njëjës – i. Prandaj do të ishte drejt kjo formë: Arsimtari u tha nxënësve shumë gjëra.

Po ashtu në shkollë përdoren edhe trajta dialektore, qoftë nga arsimtarët, qoftë nga nxënësit, duke mos i kushtuar kujdes përdorimit të drejtë të gjuhës letrare. Kështu p.sh., gjatë procesit mësimor mund të dëgjohen apo edhe të shkruhen fjalë e shprehje të tilla dialektore, si p.sh.: ngoni (në vendtë dëgjoni, dhami (për dhëmbi), kena mësu (kemi mësuar), me lexu (të lexojmë ose për të lexuar), jena vonu (jemi vonuar), me bërë (të bëjmë ose për të bërë), reth (për rreth), mer (për mer), mësus (mësues), pytje (pyetje), kena thanë (kemi thënë), ën shkollë (në shkollë) etj., të cilat mund të përdoren në stilin e të folmeve popullore, por jo në rastet e përdorimit zyrtar të gjuhës standard, aq më pak në shkollë, prej nga duhet të burojë kultivimi I kulturës gjuhësore.

Nga këto që u thanë, përfundojmë me faktin se gjuha standard në shkollë, posaqërisht përdorimi i drejtë i saj, duhet të jetë detyrë parësore për mësimdhënësit në përgjithësi, ë veçanërisht për arsimtarët e gjuhës shqipe, në mënyrë që këta të jenë model i kultivimit të kulturës gjuhësore si në të shkruar, po ashtu edhe në të shprehur, në mënyrë që nxënësit ta kuptojnë rëndësinë që ka gjuha shqipe dhe gradualisht t’i përvetësojnë rregullat gramatikore të saj. Nga kjo pikëpamje, pa përjashtim, të gjithë mësuesve dhe arsimtarëve u vihet përpara obligimi që të flasin dhe të shkruajnë sa më mirë në gjuhën standarde, sepse shkolla është vendi më i përshtatshëm për ta kultivuar kulturën gjuhësore.

Vijimisht konferencat apo tubimet shkencore mbi shqipen standarde kanë shtruar një varg detyrash për shkollën shqipe dhe në këtë drejtim duhet të drejtohet tehu kryesor dhe jo në emër të diskutimit, të debatit shkencor për shqipen standarde, të tentohet të realizohen operacione të thella në prerje të ndryshme të sistemit të saj.

Ato mund të marrin jetë dhe trajtë vetëm atëherë kur zënë vend të plotë, me ngarkesë të veçantë në Arsimin e Mesëm dhe mbi të gjitha të praktikohet hyrja në Arsimin e Lartë, vetëm atëherë, kur nga kandidatët konkurrues, ajo jepet si një provim i nevojshëm dhe i domosdoshëm me vlera të shumëfishta. Përvoja e shumë vendeve të Europës, si Rumani, Bullgari, Francë etj. është një tregues shumë domethënës në këtë rrafsh.

Por si paraqitet gjendja e shqipes letrare në stilin e saj administrativ, publik e juridik? Nga vëzhgimet dhe anketimet e bëra në disa kategori punonjësish me origjinë sociale dhe arsimim të ndryshëm, bindesh se gjuha letrare (zyrtare) njihet shumë pak ose aspak.

Respektimi i normës letrare dhe ndërtimi logjik i mendimit, i arsyes, i mesazhit që kërkon të transmetosh, nuk përcaktohet nga niveli zyrtar, nga shkalla e hierarkisë, por ai është atribut i një formimi të kënaqshëm linguistik, i njohjes së detyrueshme të normës drejtshkrimore, i ndërtimit të saktë sintaksor të mendimit, të një relacioni motivues, informues apo shpjegues. Nuk mund të vijohet me tej në këtë mënyrë dhe, ashtu si në Francë etj., duhet të vendosen sanksione.

Nuk mund të tolerohen më njerëz të profesioneve të ndryshme që në emër të së “resë” moderne të përdorin pa asnjë kriter dialektizma e huazime të panevojshme, anglicizma dhe fjalë të tjera të huazuara nga gjuhë të tjera, kur në të gjithë Europën po kërkohet një filozofi e re për të “mbrojtur” gjuhët e kontinentit nga një vërshim dhe përdorim i pamotivuar, si pasojë e një trysnie ekomomike, politike e një snobizmi artificial.

Jam i mendimit se asgjë nuk do të arrihet pa rolin vendimtar të shkollës sonë në të gjitha nivelet, në mënyrë të veçantë në arsimin e lartë, ku është e nevojshme të përmirësohet kurrikula, të ketë një raport të drejtë midis lëndëve që realizohen në cikle të ndryshme studimi (bachelor, master dhe doktoraturë), pa zbatuar një programacion funksional në të mirë të përvetësimit aktiv dhe të qëndrueshëm të shqipes letrare, pa kërkuar zbatimin me rreptësi shkencore e atdhetare të normës së njësuar letrare shqipe, si një vlerë shënuese dhe kualifikuese, nga e gjithë shoqëria e sotme, media e shkruar dhe elektronike, administrata qendrore dhe vendore.

Mendoj se në këtë drejtim duhet të adresohet kryesisht e gjithë puna dhe vëmendja e linguistëve, mësuesve dhe e drejtuesve e natyrisht duke studiuar paralel të gjithë zhvillimin e saj, në të gjitha nënsistemet e shqipes letrare problematikën që lind, si edhe duke bërë vijimisht përmirësimet e nevojshme, të cilat janë praktikë dhe normë edhe për gjuhë të tjera rreth nesh.