MENDIME NË RRETHIM

0
870
Adem Jashari - komandanti legjendar, UÇK

Iliriana Koleka

MENDIME NË RRETHIM

(Kushtuar dëshmorit hero Adem Jashari)

S’dimë sa çaste të tjera do i shkulim fatit
E sa do të na marrë armiku i pabesë
Luftojmë, që nesër shqip të flasim
Që liri e mëvetësi shqiptari të ketë
Familjen do ma qëllojnë, pesëdhjetedy vetë
Por jehona e shqipes do të na shoqërojë
Me të, do fluturojmë të gjithë krahëlehtë
Të sigurtë, që sypetrita të tjerë do pasojnë
Mbase forcat do na lënë, sepse do na vrasin
Municioni në rrethim, është duke mbaruar
Sytë do zvenitet dhe shënjestër s’do marrin
Po rrugën do gjejnë, si bletët në zgjua
Zgjoi ynë është Drenica, në Kosovën e lirë
Në Shqipërinë Etnike, në një komb të bashkuar
Mëmëdheu i dashur është diell e shkëlqim
Pavdekësi, për ne, që për të, kemi luftuar.
———————————————————-
(28 nëntor 1955 – 6 mars 1998)

(Biografi e shkurtër)

Adem Jashari, lindi më 28 nëntor 1955 në Prekaz, Drenicë, komuna e Skënderajt. Ishte djali i tretë i Shaban Jasharit dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skënderaj. I ati, Shabani, pas Luftës së Dytë Botërore kishte punuar mësues në fshatra të Drenicës dhe kishte rënë në sy të pushtuesve sërbë si patriot. Familja Jashari ishte dalluar për veprimtari patriotike prej disa brezash.

Adem Jashari morri pjesë aktivisht në demonstratat e vitit 1981. Rezistenca e bashkëfshatarëve të tij Tahir e Nebih Meha kundër forcave policore jugosllave, la mbresa të thella në shpirtin dhe vendosmërinë e Shaban, Hamëz e Adem Jasharit, të cilët morën pjesë në aktin e varrimit të dy dëshmorëve. Të tre Jasharët u betuan para trupit të rënëve, Tahir e Nebih Mehës: “Luftën që nise ju, do ta vazhdojmë ne, deri në pikën e fundit të gjakut.”

Adem Jashari që në fillim të viteve tetëdhjetë ishte anëtar i organizatave patrotike të kohës dhe shpërndante trakte, në të cilat bënte thirrje për çlirim. Të aktivizuar si ai në këto organizzata ishin Ilaz Kodra, Jakup Nura, Sahit Jashari, Hashim Thaçi, Sami Lushtaku, Fadil Kodra etj. Adem Jashari do të shquhet në protestat e fuqishme popullore që u bënë në Skënderaj më 1989, në kohën kur u shfuqizua kushtetuta e Kosovës e vitit 1974.
Në vitin 1989, u bë shkrirja e disa grupeve patriotike të ndryshme atdhetare brenda e jashtë Kosovës në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Veprimtarët e LPK-së do të prinin lëvizjen gjithpopullore dhe atë për pajtimin e gjaqeve.

Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një përmasë të re, nga LPK-ja, e cila ende nuk ishte konkretizuar. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’u stërvitur ushtarakisht për luftën e armatosur. Në këtë grup bënin pjesë Adem Jashari, i cili i printe grupit, Ilaz Kodra, Sahit Jashari, Fadil Kodra dhe Murat Jashari. Pas përfundimit të stërvitjes, ky grup kthehet në Drenicë më 7 dhjetor 1991, i pajisur me armatim. Ky grup kishte për detyrë që të zgjeronte radhët.
Shërbimet sekrete sërbe bien në gjurmë të grupit të armatosur dhe policia sërbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake sërbe ndërmori aksion për zënien e grupit, pa ditur deri në ç’masë grupi ishte i armatosur dhe i përgatitur ushtarakisht në Shqipëri. “Ne nuk jemi stërvitur për t’u dorëzuar”, do shprehej më vonë, Adem Jashari.

Adem Jashari, vëllai i tij që kishte qëlluar në pushime, Rifati, Hamëz Jashari, Fadil Kodra, Ilaz Kodra dhe Sahit Jashari, vendosin që të luftojnë dhe ta çajnë rrethimin me çdo kusht, megjithë numrin e madh të policëve dhe armatimeve, me teknikë të rëndë, autoblinda dhe helikopterë, të përdorur nga armiqtë sërbë. Kjo ngjarje bëri jehonë të madhe. Nga shumë anë të Drenicës, atë ditë dhe atë mbrëmje kishin lëvizur njerëz që ishin të gatshëm për t’iu bashkangjitur rezistencës së Prekazit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë sërbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalietet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

Adem Jashari ka kryer shumë aksione të armatosura mbi forcat policore sërbe. Në vitin 1990, kur nga policia e Kosovës u përjashtuan policët shqiptarë, Adem Jashari kryen një aksion të armatosur mbi stacionin e policisë në Skënderaj, në të cilin plagos një polic serb. Aksione të tjera me objekt sulmi si në patrullat sërbe dhe stacionet e policisë, ku merr pjesë vetë Adem Jashari me të tjerë, janë edhe ato në Mitrovicë, tek Ura e Gjakut, në Shipol, në Runik, në Drenas etj. Kurse me urdhrin e tij janë bërë aksione të armatosura në Shtime, Prizren, Klinë etj. Vija e veprimit të këtij formacioni të armatosur është mbajtur në relacionin Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, që nga vitet 1990. Për dallim nga disa grupe të tjera që kishin ushtruar po ashtu në poligonet ushtarake të Shqipërisë, i vetmi formacion (bërthama) i Adem Jasharit nuk ishte shpërbërë. Një grup veprimtarësh nga Deçani arrestohet, kurse grupet tjera nuk janë të zëshme.

Në muajin prill (5 prill) 1993, në shtëpinë e Adem Jasharit është mbajtur një takim i rëndësishëm. Përveç pjesëtarëve të formacionit të armatosur të Adem Jasharit, në këtë takim kishte edhe veprimtarë politikë. Në këtë takim vendoset që të zgjerohet formacioni ushtarak. Pikërisht në këtë takim Adem Jashari propozon që aksionet që kryheshin në Kosovë, të bëhen në emër të “Ushtrisë së Kosovës”. Në këtë takim vendoset që Komandant i Ushtrisë së Kosovës, të emërohet Adem Jashari. Sulmet mbi forcat policore sërbe tashmë kanë një koordinim. Nga koordinimi, zgjerimi dhe strukturimi i grupeve të armatosura krijohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (1993).

Nga gjykata e Qarkut e Prishtinës, në mungesë, më 1997 shqiptohet dënimi me burg njëzet vjet për Adem Jasharin, Ilaz Kodrën, Sahit Jasharin, Fadil Kodrën, Jakup Nurën, Zenun Kodrën dhe Rexhep Selimin, ndërsa me 10 vjet “dënohet” Hashim Thaçi.

Njësiti luftarak i Prekazit, identifikohet me emrin e Adem Jasharit, në sajë të cilësive të larta strategjike, luftarake, në saje të karakterit dhe tipareve të tij ushtarake. Të gjithë njerëzit e interesuar që të zgjidhin problemin e Kosovës përmes kryengritjes së armatosur, ishin të ftuar të binin personalisht në kontakt me Adem Jasharin, i cili tashmë, vite e vite qëndronte në Kosovë, në baza të shumta. Bërthama e tij luftarake, struktura e tij e armatosur ishte e gatshme për t’u rritur dhe për t’u zgjeruar.

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacione policore. Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave sërbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat sërbe, pra në beteja ushtarake, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë sërbe. Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave sërbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë sërbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani. Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

Më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci nga Llausha, i vrarë nga forcat sërbe që tërhiqeshin pas dështimit dy ditë më parë, UÇK-ja doli hapur në skenën politike dhe ushtarake të Kosovës. Dalja në skenë hapur e UÇK-së bëri që forcat sërbe të sigurisë të mos ndjenin siguri në zonën e Drenicës. Ato filluan barrikadimin në pika të caktuara me përforcime të veçanta. Por, aq sa fuqizohej dhe përhapej struktura e UÇK-së në terren, aq edhe përforcimet sërbe shtoheshin. Provokimet dhe tentim sulmet e policisë sërbe nuk pushonin.

Policia sërbe, me njësitet e saj të veçanta, organizoi një sulm mbi shtëpinë e Jasharëve më 22 janar 1998. Sulmi nisi në orët e hershme të mëngjesit, ishte i rrufeshëm, por hasi në rezistencën dhe gatishmërinë e madhe të familjes Jashari, e cila ishte e përgatitur dhe mbahej në gatishmëri ditë e natë. Njësia speciale e njësitit sërb tërhiqet pas gjysmë ore, sepse anëtarët e familjes Jashari që ishin brenda shtëpisë u kundërpërgjigjën me zjarr. Ishte ky sulmi i dytë i forcave serbe mbi shtëpinë e Adem Jasharit. Në këtë përleshje plagosen dy vajza të reja të Jasharëve.

Njësitet e UÇK-së fillojnë një fazë të re veprimi në territorin e Drenicës. Në Likoshan, më 28 mars 1998 ndodh një përleshje midis njësitit të UÇK-së dhe tri patrullave sërbe. Në këtë përleshje mbetin të vdekur katër policë serbë. Në shënjë hakmarrjeje policia speciale sërbe bëri më pas masakër në Likoshan dhe Çirez mbi civilët e pafajshëm.

Policia sërbe kishte vënë në shënjë që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë sërbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, afër fabrikës së municionit, në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerie. Përforcime u kishin ardhur forcave sërbe edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nisi rreth orës gjashtë të mëngjesit. Në shtëpi ndodheshin pothujase tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjat tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme. Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobël për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Po ne të keqen e kemi midis nesh, se Ibrahim Rugova, që i shkoi Millosheviçit me dhurata në Beograd, nuk denjoi t’i bënte homazhe Adem Jasharit tek varri si hero kombëtar, dëshmor dhe themelues i ushtrisë çlirimtare të Kosovës, megjithëse vdiq ne 2006, pra plot 7 vjet pas mbarimit të luftës. Mesa duket shtatë vjet s’i mjaftuan Rugovës për të kuptuar rëndësinë e këtij heroi kombëtar, të pavdekshëm në zëmrën e popullit të Kosovës e mbarë Shqipërisë.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar