Mendime në një periudhë histerie

0
234
Lis Bukuroca

Lis Bukuroca

1. Mos e duaj aspak atdheun. Duaje shtetin!
Popujt që duan shtetin, kanë shtet dhe atdhe.
Të gjithë njerëzit kanë një atdhe, por jo të gjithë kanë shtet!
Ata që e duan vetëm atdheun, nesër nuk do të kenë atdhe.
Ata e rrënojnë ose e zvogëlojnë atdheun duke shkatërruar arsimin dhe duke vjedhur shtetin.
Atdheu është ndjenjë imagjinare.
Shteti është ngrehinë reale.
Shteti është materia konkrete, atdheu është ndjenja!

2. Ti je parti me orientim perëndimor? Cila parti në vendet perëndimore shtron darka për priftërinjtë dhe popët, si ti për imamët? Për partitë me orientim perëndimor shteti është laik, jo kuzhiniere dhe kameriere e klerikëve!

3. Disa shqiptarë e konsiderojnë patriotizëm urrejtjen e partive të majta: partitë e qendrës majtas vendosën për ta ndihmuar çlirimin e Kosovës, jo të djathtat konservative, që janë më fetare, më të krishtera dhe më pro-krishtere!

Bill Clinton, Partia Demokratike, nga republikanët quhet edhe parti socialiste
Tony Blair, Labour Party (Partia e Punës)
Gerhard Schröder SPD ( Partia Socialdemokrate)
Massimo D’Alema, ish- kryeministër italian gjatë bombardimit, 2003-2012 kryetari i Internacionales Socialiste
Edhe Biden miku i madh i jonë, konsiderohet socialist e komunist nga e djathta në SHBA!

4. Në zgjedhjet e fundit isha për LDK-në dhe VV-në. LDK nuk mbajti premtimet, madje e përjashtoi Vjosën. Partia që gënjen dhe mashtron, nuk meriton mbështetje dhe në demokraci, dënohet nga votuesi! U dënoftë sa më mirë! Kjo do ta shpëtojë LDK-në e Rugovës nga uzurpatorët! Ndonjëherë për të ndërtuar shtëpinë e re, duhet prishur të vjetrën: atë që pikon kudo dhe ku vrimat nuk mund më të mbyllen. Populli i vetëdijesuar, i ndriçuar, nuk voton hajdutët dhe dëmtuesit e vet dy herë! Mustafa, Thaçi, Haradinaj dhe Limaj, nga viti 2011 premtojnë heqjen e vizave dhe qindra mijëra vende të punës. Edhe sot i premtojnë! E vërteta? Po krijojnë rrethana për të zbrazur vendin!

5. Njëri firmos “Republikën Serbe” brenda Kosovës dhe shkel Kushtetutën 23 herë. Ky njeri konsiderohet lider i mirë, madje edhe rugovist, rugovist që ia plotësoi të gjitha dëshirat Thaçit! Tjetri pengon pikërisht atë “Republikë Serbe” brenda Kosovës dhe tani shpallet kriminel pse ka mbrojtura Kushtetutën. Kjo është Kosova e paradokseve, e mediokriteteve me pushtet, e punësimeve fisnore, pa profesionalizëm dhe e klaneve antishtet ku edhe Gjykata Kushtetuese, nuk është në gjendje të formulojë mendimet qartë dhe drejtë.

6. E vërteta të prodhon sot kundërshtarë, por nesër pason vlerësimi për ftyrën që pate gjatë një ndryshimi epokal! Interesi korrupton shpirtin e njeriut të dobët, prandaj ai lufton për ta përligjur krimin dhe korrupsionin, edhe atë, duke e quajtur moral të lartë politik! Moral i lartë politikë që nuk duhet të ndryshohet!

Ai e lufton me të gjitha mënyrat ndryshimin, d.m.th. ai e lufton interesin kolektiv për të mbrojtur disa oligarkë dhe përfitimin vet! Ai e lufton ndryshimin demokratik, ai e lufton ndryshimin e partive në pushtet, duke menduar se po e lufton ardhjen e komunizmit. Ai lufton diferencat, lirinë e votës, lirinë e mendimit dhe shpall armiq të vendit kundërshtarët. Në fakt mendimet e tij janë narracion i komunizmit, prandaj ai me diskurs komunist predikon demokracinë përjashtuese, ekstremiste dhe autoritare. Ai nuk ka harruar kurrë se Partia Komuniste ka të drejtë të shpallë qëndrimet ndryshe si „mendime armiqësore kundër atdheut: kundërrevolucion!“

7. Mos u shqetësoni shumë: janë vetëm zgjedhje ku disa fitojnë, disa jo, por pas zgjedhjeve, humbësit do të kuptojnë ekzistencën reale të popullit dhe të votës së tij! Ky mësim është kushti kryesor për mbijetesën e demokracisë! PDK-së dhe AAK-së mu para zgjedhjeve iu ra ndërmend se ekziston edhe Lugina! Pas zgjedhjeve do ta quajnë Serbi Jugore!

8. Humanizëm është të mos rreshtohesh në anën e kriminelëve të dëshmuar, që kanë gjunjëzua popullin dhe shtetin!

9. Albini po gjykohet për “krimet”, që do t‘i bëjë muajve dhe viteve të ardhshme, prandaj është më mirë të arrestohet tani!
Arrestojeni ose pengojeni, sepse shteti ligjor është tragjedi për kriminelët. Nuk është normale të burgosen hajnat, sepse ata nuk kanë vjedhur, ata vetëm kanë marrë!

10. Rugovizmi ka përfunduar me kryengritjen. Ishte një lëvizje pasive pacifiste, por aktive në kërkim dhe në krijim të aleatëve. Ai ka përfunduar misionin e vet. Nuk ka më nevojë për rugovistë, e as për uçëkëistë, por për parti që ndërtojnë shtet në liri. Rugovizmi dhe UÇK ishin lëvizje në kohë lufte. Ato kanë arritur qëllimin. Tash kemi ushtri dhe parti politike legale, edhe pse ushtrinë më të vogël se Armatën e Veteranëve dhe partitë më shumë klane sesa parti. Kur të gjallët janë inferiorë dhe nuk kanë ide për të ardhmen, mundohen të përfitojnë duke kopjuar të vdekurit.

Koha e re kërkon personazhe të reja, sepse janë rrethana tjera. Ardhmërisë nuk i duhen kopje të epokës së kaluar. Rugova nuk synonte të bëhej profet profet. Politika nuk është religjion, edhe nëse të thotë BESO! Kosovës sot nuk i duhet lëvizje pacifiste, e as kryengritje, por njerëz që gjakojnë shtetin ligjor. Parti bashkëkohore ku jepet përgjegjës, jo klane fisnore! Vetëm popujt me kulturë fisnore monumentalizojnë dhe instrumentalizojnë të vdekurit!

11. Njerëzit e qytetëruar dhe partitë me orientim perëndimor për personalitetet organizojnë akademi përkujtimore! Lexojnë referate. Mediokritetet u përkulen varreve! Ky është relikt i diktaturës komuniste me të cilin diktatori, trishtonte popullin me shpirtin e të vdekurit dhe vdekja duhej ruajtur si fantazmë mbi popull për ta disiplinuar!

Varri është pushimore e shenjtë ku duhet të shkojë familja për nevoja të veta shpirtërore dhe për mirëmbajtje (ndonjë personalitet i jashtëm) por jo partia, turma dhe shteti. Dje u udhëheqësit e klasës punëtore u fotografuan para varrit të Rugovës, pardje kryetari i tyre qe fotografuar para varrit të Titos! Kushtetuta ka ndryshuar, mentaliteti komunistët ka mbijetuar!

12. Çdo votë për PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, është mirënjohje, falënderim dhe shpërblim për gjendjen e tanishme.

13. Viteve të 90 aderonin në LDK, tani në VV! Zhvendosjet të atilla masovike heterogjene ndodhin kur popullit i grabitet ëndrra dhe shpresa.

14. Çdo ndryshim, çdo thyerje epokale ka pasur kundërshtarët dhe viktimat e veta. Madje Krishti qe gozhduar! Ata që janë pasuruar shumë në mënyrë të padrejtë, trishtohen nga ndryshimi i drejtë.

15. Nuk rren askush më shumë sesa mësiti, që nuk ka shpresa për sukses dhe politikani para zgjedhjeve, që ka dëmtuar vendin!