MENÇURAKU I PËRBUZUR – GJERGJ KOMNINO

0
285
Gjergj Kommino

Gjergj Komnino (1919-1996)

Nga Sinan GASHI

Gjergj kombino është ndër krijuesit më fatkeq në letërsinë shqiptare dhe njëkohësisht krijuesi më idealist dhe i përcaktuar, që gjithnjë të jetë vetëm me fjalën e bukur, magjia e së cilës e kishte zënë që kur ishte nxënës dhe e shoqëroi vazhdimisht në ato pak ditët e mira dhe shumësinë e ditëve të rënda, që ndrydhin edhe qenien e çdo gjallese, e lëre më shpirtin e ndjeshëm poetik të një njeriu.

Diçka biografike

Është i lindure në Brezhdan të Këlcyrës (Dangëlli-Shqipëri) më 15 shkurt të vitit 1919. Pas shkollimit fillestar në Permet ku i ati merret me tregti, të mesëm në Gjirokastër e Normalen në Elbasan, kishte punuar mësues në Fier dhe Ballsh. I etur për dituri, ai më 1941 i kishte vazhduar studimet për letërsi në Universitetin e Firences, në Itali. Kur, më 1943 ishte në rrezik atdheu, kthehet të gjithë studentët në mbrojtjen e tij, veprim që e bëri edhe Komnino idealist. Ai u bashkohet pastaj aradhave partizane, në luftën antifashiste, në veçanti evidencohet pjesëmarrja më 17 nëntor 1944, në çlirimin e Tiranës.

Ne fakt ai fillimisht ishte partizan në Zagorie, Qarku i Gjirokastrës, madje e marrin pranë Shtabit të Përgjithshëm, ku shërbeu si përkthyes. Atje mbulonte sektorin e agjitpropit, duke përgatitur e shumëzuar trakte. Një trakt që ia sollën për shumëfishim ai e refuzoi, sepse bënte thirrje për luftë vëllavrasje, për çka arrestohet dhe e lidhin në një ahur, duke e bërë gati për pushkatim, kujton Agim Musta. Për fat vjen urdhri për transferim në Shtab në Labinot, ku kryen punën e përkthyesit.

Pas lirimit të vendit, ai i vazhdon studimet për filozofi në Universitetin e Zagrebit, duke u dëshmuar si studenti më shembullor. Tema e diplomës ishte “L’uomoe la societa di Luigi Pirandelo”. Ngase kishte profesorë të respektuarit të shkencës, Peter Skok dhe Henrik Bariç, atë e këshilluan që të rrinte aty, duke qenë profesor i gjuhë shqipe pranë këtij universiteti.

Ai, pas lëkundjeve politike, megjithatë kthehet në atdhe, duke bërë detyrën e profesorit në gjimnazin e Tiranës “Qemal Stafa” e pastaj në atë të Durrësit “16 shtatori”, ku edhe aty u shqua në detyrën e shenjtë të arsimimit të brezave. Aty kishin mbaruar nxënës që do bëhen pastaj emra të shquar të artit e shkencës, të cilët edhe e kujtojnë me respekt profesorin Komnino, si Bedri Dedja, po e zëmë. Duke u parë aftësia e tij profesionale, ai caktohej që të punonte në Institutin e Folklorit që ishte bërthama e Akademisë së Shkencave, së bashku me prof, Eqrem Çabejn, Aleks Budën, Selahudin Toton, Sabiha Kasimatin, Jonuz Tafilajn e ndonjë tjetër.

Ishin ato vitet e para kur gjendja ishte e mjerë në Shqipëri, si dhe dhuna ishte bërë e vetmja mënyrë e dëshmimit të pushtetit totalitar. Varfëria e madhe dhe dhuna e manifestuar, të cilën e sheh Gjergj Komnino në terren, bëri që ai atë ta përjetonte tepër rëndë atë gjendje.

Shumë vite më vonë, e bija Eminja, kujton: “Gjatë një ekspedite në malësinë e Tiranës në vitin 1956, kur babi kishte shkuar për mbledhjen e folklorit, në fshatin Shëngjergj ai pa me sytë e tij terrorin e forcave policore dhe atyre të Sigurimit të Shtetit, të cilët nën pretekstin për mbledhjen e armëve dhe taksave, kishin mbledhur popullin në xhaminë e fshatit, duke i rrahur ata në mënyrë masive. (Shqiptarja.com, 20 shkurt 2020).

Duke mos mund ta lërë në heshtje këtë gjendje makabre, ai i shkruan një letër në frëngjisht OKB – s, ku bën një ftesë për shpëtim nga regjimi enverist, për çka do të arrestohet nga sigurimi dhe, më 1957 do të dënohet fillimisht me vdekje e pastaj i zbritet dënimi në 25 vjet, prej të cilave i vuajti 15 sosh. Arrestimi në të njëjtën kohë i bëhet edhe bashkëshortes së tij Veronika Dafo, e cila ishte shtatzënë, së bashku me vajzën e vogël Eminen. Ajo lirohet pas disa muajsh, për shkak të shtatëzanisë, kur e lindi djalin Lirimin.

Profesor Gjergjin e sorollaten nga një burg në tjetrin, duke e përbuzur e fyer. Agim Musta, kujton: “Për atë s’kujdesej njeri për ta kuruar, por i kërkonin punë dhe realizimin e normës. Gardianët dhe oficerët talleshin me të, duke i ngjitur lloj-lloj epitetesh, dhe shpesh e lidhnin me litar nëpër shtylla në mes të nxehtit, duke bërë që t’i rëndohej gjendja e tij psikike. Me turbanin në kokë dhe strajcën e librave në qafë, ai fliste për orë të tëra vetmevete për Pironin, Platonin, Aristotelin, Konfucin, Kantin, Kroçen dhe filozof të tjerë. U lirua më 1972 më një koleksion sëmundjesh dhe me tronditje të thella psikike.” (Shih Agim Musta: “Dëshmoj për të vërtetën”, Tiranë 2004)

Edhe pas lirimit ai jeton në ferrin e dytë, duke pasë strehë një bodrum te Shallvaret, ku natën strehoheshin qentë endacakë. Atij as ndonjë punë nuk i jepej, duke e etiketuar tashti si i ‘deklasuar’. Për ekzistencë, natën mblidhte çfarë gjente në kazanët e plehrave.

Ai u angazhua pas fillesave të demokracisë, si në grevën e ish të burgosurve, në rrënimin e shtatores së diktatorit apo edhe në nxjerrjen e periodikut.

Pasi rehabilitohet paksa nga shëndeti, më 5 mars 1991, largohet për në Itali dhe vendoset në Romë, ku jetoi nën një kishë dhe me ndihmat e Caritasit, duke krijuar vazhdimisht, të cilat e ngrohnin shpirtërisht, deri sa dha frymën e fundit më 1996, me përcjelljen pë në varr nga disa murgesha si dhe të gruas Veronika dhe fëmijëve Eminja e Lirimi.

Shënime bibliografike

Se sa është një krijues i përkushtuar, shihet vetëm në fund të jetës së tij. Këso rastesh nuk janë të rralla në letërsinë shqiptare, të vjetrën e as të mëvonshmen. Naim Frashëri, po e zëmë, deri në fund të jetës mbante pranë penë e kartë, apo Migjeni delikat, deri sa i punoi dora shënoi vargje, madje i mbet vargu i përgjysmuar në përfundim të jetës “I fundmi Skanderbe”, shënuar me një kaligrafi të shtrembër të një fuqie trupore të këputur.

Gjergj Komnino herët si fëmijë dëshmoi talentin krijues, kur vetëm dhjetë vjeçar kishte botuar vjershën “Valo flamur”, që në vijimësi i materializon në vepra të plota dhe madje i boton në tokën e huaj, duke zgjuar interesim edhe atje, te lexuesit shqiptarë që ishin në numër të pakët, e më tepër te ndonjë studiues, i cili edhe kishte kritere për artin letrar.

Ai kishte talent të rrallë për poezinë lirike kryesisht, në të cilat fillimisht pasqyroheshin hallet e njerëzve të vuajtur, përkatësisht edhe të atyre që u është mohuar vendlindja, siç ishte rasti me çameriotët, të cilët u masakruan, u përzunë dhe mbetet rrugëve të botës. Gj. Komnino, i cili kishte publikuar vjersha në të përkohshmen e emigrantëve në Shqipëri, “Zëri i Çamërisë”, si: “Rruga e kthimit”, “Paramithi, Paramithi” si dhe vjershë për gruan trime çame Sanije Bollati, me të njëjtin titull.

Ja se si e pasqyron atë fat tragjik në poezinë “Paramithi, Paramithi!“, shkruar më 1945, për ta përkujtuar masakrën çnjerëzore të gjeneralit të zi Zerva mbi civilët çamë të pafajshëm, më 27-29 qershor 1944:

O pellg me gjak, o vënd fatzi,
Aty ku hyn fashisti grek,
Ku hapen varre me hendek,
Ku çdo hendek është një varr,
Për çdo Çam për çdo Shqiptar,
Ku një zervist, nazist-gjerman,
Një katil, një shpirt katran, po bën batërdi,
Ji s’është grek, as palikar për trimëri,
Po një kusar, një mercenar, një faqezi.
…………………………………..
………………………………….
Se ç’vepër të ndotë, se ç’farë torture
Askush s’mund ta thotë.
Shiko kufomat, si qiellin munxosin,
Shiko zervistat, si po na farosin
Në befasi!!
Ah! Hesht hipokrit, ç’bën sikur s’sheh
Kur klithma e jonë u ngjit gjer në re.

Komnino kishte shkruar vazhdimisht, edhe studime, siç ishte studimi në italisht “Il romanticism precoce nelle di De Rada”.

Gjergj Komnino: Naimi poeti-njeri, Firenze 1943

Më sa dihet, vepra e tij e parë që pa dritën e botimit, është “Naimi – poeti njeri”, e cila do dilte nga shtypshkronja “Marzocco” e Firences, më 1943. Ç’është e vërteta, sugjerimin për këtë shtypshkronja ia kishte dhënë studentit Gjergj Komnino studiuesi italian Angelo Leoti. Është e çuditshme se po kjo shtëpi botuese, në kopertinën e fundit të veprës së parë, reklamon edhe veprat e tjera po të këtij autori që do i botonte në vijim, si:

Vajet e kasolleve” – vëllim i parë i vjershave lirike,
Vajet e kasolleve”- vëllim i dytë i vjershave lirike,
Edlirës” po ashtu vjersha lirike,
Emirës” – vëllimin me vjersha elegjiake,
Ndëshkimi i tradhëtisë” – tragjedi në vargje, dhe
Heronjtë: Profetë” – tragjedi në vargje.

E tërë kjo krijimtari fillestare, prej shtatë veprash, është habi për një moshë të re krijuese dhe të pa dëgjuar deri atëherë. Po ai s’ndalon me kaq. Shkruan pandërprerë edhe kur nuk ka mundësi që t’i publikojë.

Kur punoi në sektorin e folklorit, në emër të atij Instituti ka botuar një vëllim me materiale folklorike, të mbledhura kryesisht në Shën Gjergj të Tiranës, ndërsa që vëllime të tëra të materialeve ruhen në arkivin e atij institucioni.

Shkrimet e tjera autoriale ai i kishte mbyllur në një sënduk në Durrës, të cilat kishte sugjeruar familjarëve me një letër nga Italia që të mos i hapin pa ardhur ai vetë. Por edhe më tej, siç shkruan një gazetë italiane, Gjergj Komnino ka vetëm një pasuri: çantën me letra e poezi, të cilat i krijon nën hijen e kishave dhe pallateve të Romës. Se sa është ruajtur talenti i tij i rrallë, dhe se sa ishte përcaktues për krijimtari letrare, dëshmon me një pjesëmarrje në një konkurs letrar më 1993, ku fiton çmimin e argjendtë nga Akademia Ndërkombëtare e Miçencienëve, me poezinë “Roma”, shkruar në italisht. Nga të njohurit e paktë të tij, mësijmë se ai kishte bërë gati një vepër të re, me titullin “Terrori është një fatkeqësi humane”. Po ashtu kishte paralajmëruar botimin e katër studimeve për etnografinë shqiptare.

Tragjedia në vargje, vepër që dëshmon talentin e rrallë

Mund të konstatohet nga të dhënat se Gjergj Komnino kryesisht ishte poet lirik. Lirizmi i tij, është shpirtëror edhe letrar i theksuar, dëshmohet jo vetëm kur krijon poezi, por edhe në gjininë e dramaturgjisë. Vepra në fjalë është shkruar me frymëzim të thellë ngase Naim Frashëri i madh nuk ishte vetëm i frymëzuar kur krijonte për motive e tema ndër më të ndryshmet, nga ato atdhetare e deri te ato fetare, nga ato filozofike deri te ato erotike e tjerë, por edhe ishte frymëzues për të tjerët.

Puna e shëmbëllesa e tij kishin frymëzuar të krijonin poezi Andon Zako Çajupi, Aleks Stavre Drenova – Asdreni, Lasgush Poradeci, madje disa sish krijuar lirika përkushtuese për ate, nga ata të traditës e deri te ata të ditëve të sotme. Po ashtu për Naimin janë shkruar me dhjetëra fjalë përkujtimore, vepra studimore, si nga N. Helenau, Safet Butka, Sevasti Doko, Terenc Toçi, Lulo Maksori, Zoi Xoxa, Krfist Lepeteni, Et’hem Haxhiademi, dr. Norbert Jokl, e dhjetëra të mëvonshëm.

Siç duket Gjergj Komninos më së shumti i kishte bërë përshtypje jetë-krijimtaria e rrallë e Naimit, i cili do t’ia kushtojë tërë një vepër, të cilën, siç shënon ai vetë në parathënie të veprës që e kishte shkruar në Berat, të cilën e mbaroi më 31 dhjetor 1941, kur ai ka ndjerë kënaqësi për kohën e krijimit pranë Tomorrit historik, kur dëshmon se “pësova mundime, dëshpërime të patreguara, por u shpërbleva dhe me dëfrime të paçmuara. Me një fjalë – Jetova!”

Ngjarja në vepër zhvillohet në një fshat rrëzë Tomorrit, Malit të Shenjtë, ku kishte ndaluar P O E T I (N. Frashëri), për të pushuar dhe që “t’i falej Zanës së tij”. Atje ishte një vendbanim me shtëpi e njerëz të tjerë dhe një sundonjës që e kishte vendi. Në fillim P o e t i e hap veprën dhe po ai P o e t e mbylli ngjarjen – jetën, si personazh kryesor që është. Përndryshe, gjatë tërë veprës enden, veprojnë, gëzohen, hidhërohen, sulmojnë e përgjërohen më se njëzetenëntë njerëz – personazhe moshash, klasash si dhe intelektesh të ndryshme, me në krye P o e t i n madhështor, i cili është i domosdoshëm me fjalën e tij ledhatuese e me praninë fizike, kur ngatërresat arrijnë kulmin, qoftë si përjetim tragjik i fakteve, qoftë edhe si vazhdimësi ngatërrestare e manifestuar përmes sulmeve.

Autori sikur qëllimisht i ka prezentuar në skenën e ngjarjes sundimtarë të vrazhdët, studentë të mençur e përfaqësues të së ardhmes, të rinj që janë përplot emocione dhe që kanë kërkesa për të jetuar kohën, pavarësisht nga përkatësia klasore, asish që janë vështrimtarë, që quhen popull, si dhe të arratisur. Po ashtu në vepër funksionin e vet e kryen edhe K o r i, i cili lehtësonte hyrje – daljet dhe prezentimin e ndodhisë në skenë. Mes gjithë këtyre tipareve që përfaqësojnë secili klasën e përkatësinë e tij, moshore e intelektuale, klasore e begatore, është figura e Naim Frashërit – P o e t i t, që më shumë është ide, mendime poetike, frymë qetësuese, hije shafitëse e ndjenjave të ndezura keq, se sa figurë fizike, që mund të kornizohet me pamje, gjeste e fizik përkufizues.

Kori e hap veprën, kur njëkohësisht paraqet shpirtin dhe idealin e poetit, me fjalë – këngë:

Siç venitet rrez’ e djellit
e përgjakur nëpër male
shkrihet zemr’ e tij e butë,
dalngadale, dalngadale!

……………………….
……………………….

Vjershëtori s’druan vdekjen,
për atë s’ka vlerë jeta;
veçse do që të fitojë:
Ideali, e Vërteta.

………………………
………………………

Lëngon, duke shkruar përherë Poeti,
s’i shtrohet tiranit q’e zuri në fyt,
i tha i patundur me besë Profeti:
“S’më shtyp shkelmi yt”.

Të gjitha të ngjarat në vepër nuk janë pa gjë: ato janë vënë me synim që ta portretizojnë më bukur dhe më bindshëm poetin e shquar, qëndrueshmërinë e tij, butësinë e shprehur në vargje dhe, për ta jetësuar konkretisht vlerën e veprës së tij të madhe, artistikisht dhe praktikisht funksionale. E lexojnë shumë veprën e Naim Frashërit rinia shqiptare e kohës, madje fshehurazi edhe nga sistemi, edhe prindërit dhe adhuruesit e tij. “Bagëti e bujqësia” dhe “Lulet e verës” në fragmente, shërbejnë edhe për ndërtimin e kësaj tragjedie në vargje, ato që mbahen fare pranë lexuesit dhe adhurohen deri në përjetësi, fjala e të cilave ka misionin shërues dhe mobilizues në raste.

Njeriu i dashuruar qetësohet shqiptarisht, njeriu ngatërrestar e pa vetëdije kombëtare e njerëzore, habitet dhe sikur shtanget para fjalës dhe veprës së Naimit. P o e t i këtu është strumbullari i veprës. Gjergj Komnino ka dashur që ta dëshmonte praktikisht vlerën e artit të vërtetë letrar, ta vendoste ngjarjen në truallin shqiptar, ku poeti kishte dëshirë jetike të jetonte, e të krijonte, e të vdiste.

Freski veprës i japin jo vetëm me moshën e tyre, por me veprimet dhe konceptet për jetën e shoqërinë Edlira, Bardhoshja, Mirashi, Bekimi, Fatosi, Agimi, Shpejti e të tjerë; ndërsa që tërë vazhdimësinë shpirtërore e vepruese, që pasqyrojnë krijesat njerëzore të urryera, e mbajnë në vete Sundonjësi, pastaj e shoqja, si kategori më vete, e po ashtu kategori të së përultes dhe urtësisë nga vendshikimi bëjnë edhe Rrapushi, Lushi dhe Nënoja – shërbëtorët e Sundonjësit, që e kapërthejnë ngjarjen në vepër.

Ndonëse me grimca vepruese dhe deklarative përmes fjalës – dialog, që duhet ta ketë gjinia e dramaturgjisë, e gjithë vepra hepon nga njerëzorja dhe e drejta, që i ngjet jetësores, dialektikës së ecjes përpara.

Fundi i veprës është njëkohësisht edhe fundi i jetës fizike të P o e t i t, por jo edhe i jetës reale të fjalës së tij magjepsëse. Së pakut kështu e thotë Kori në mbyllje:

Po! Kënga e jote do të jet’ e amshuar,
sa koh’ që Shqiptarkat do pjellin fëmijë,
sa koh’ që kjo tokë s’do jetë e shkretuar
dhe Drita do vijë!

(Poetin e mbulojnë me lule)

Sërish Komnino është preciz në ruajtjen e indit jetësor të poetit Frashëri. Ai vdes vetëm atëherë kur fashiten ngatërresat dhe kur rinia realizon synimin në jetë, që këtu përkufizohet me dashurinë mes dy të rinjve, që ishin penguar nga Sundonjësi (këtu e vjetra, e pajeta).

Vepra ruan sensin e masës, duke mos lënë asnjëherë hapësirë për monotoni veprimi në skenë, as për lodhje të shikuesit përkatësisht lexuesit, me pjesë a pamje që nuk zgjojnë interes.

Gjithçka është e lidhur harmonishëm, sikur vepra është shkruar me një frymë. Vepra pra është shkruar me një natyrshmëri veprimi e frymëzimi, kur edhe konfliktet ndërthurën bukur e natyrshëm, duke mos e lënë duke lexuesin që të presë se ç’po ndodhë, dhe madje që edhe ai të futet në dramën njerëzore, familjare e moshore. Mbi të gjitha këtu është shtrirja Atdhetare e indit të veprës, pa të cilën nuk realizohet asgjë e mbarë, dhe pa të cilën nuk realizohet asgjë e drejtë.

Gjergj Komnino, duke ‘folur’ shpesh në emër të Naimit apo si Naimi, njëjtësohet me idetë e krijimtarinë e tij, me portretin e tij prej njeriu e poeti, në mos ajo mbetet lakmi e çdo krijuesi për ngjasim me krijuesit e njerëzit e mëdhenj.

Vepra si tërësi është e arrirë dhe me shprehje e gjuhë të kulluar, që i përafrohet shumë letrarishtes së sotme, e cila e përafron lehtë me lexuesin e ditëve të sotme.

Mendojmë se e vlenë që të ribotohet.

Fjala përfudimtare

Kur dëgjon a mëson diçka, por që edhe nuk është pranë tërësorja e asaj që është informacion, mbetet mendimi i pjesshëm, përkatësisht jo i plotë as për veprën që është parësore, mbase as për autorin e saj. Madje, tragjikat jetësore e fatore sikur i ndjekin të gjithë artistët, ose ata skajohen deri në mosnjohje, ose veprat e tyre që mbajnë në vete ndjenjë, shqetësim, vështirësi, kënaqësi, bukuri – mbesin pa komunikuar për asnjëherë me të dedikuarin – lexuesin, gjeneratat.

Sido që të jetë, këtë radhë diçka më shumë është dhënë në spikamë, një trohë borxhi i është paguar diturakut, krijuesit e poetit të përkushtuar, Gjergj Komnino.

Arllat, janar 2011