MENAXHIM I KUALIFIKUAR I MINISTRAVE VV-LDK

0
420
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

IDRIZ ZEQIRAJ

“Cezarit jepi atë që i takon”,- thoshte bashkëkohësi i tij. Kjo mund të thuhet për menaxhimin e shkëlqyer, që vazhdojnë ta bëjnë ministrat e zgjuar dhe skajshëm të përkushtuar, të koalicionit më të qëlluar dhe më të natyrshëm, që nga çlirimi i Kosovës. Në të gjitha koalicionet tjera, janë bashkuar e pastra me të ndoturën, paqësorja me krimin.

Koalicioni VV-LDK, ishte rast ideal, për të mësuar nga njëra-tjetra. LDK-ja duhet ta kuptojë se shtresimi i krimit dhe hajnisë zyrtare, kërkon djegie etapash, ritme të shpejta, efikase. Përndryshe, me ecjen breshkore të LDK-së, reformave, ndryshimit në Kosovë, nuk do t`i mjaftonte ky shekull!

Po sjell të vetmin fakt ilustrues:

Nga 189 milion euro, dhe kjo është vetëm maja e “ajsbergut”, të faktuara si vjedhje, grabitje zyrtare korruptive, hajnore, deri tani janë sekuestruar vetëm 17 mijë euro! Janë në proces gjyqësor edhe shumë mijëra euro, por, stivosja, shtresimi i dosjeve, pret kohën e parashkrimit, skadencës të afatit gjykues, dështimit!

Nga ana tjetër, Vetëvendosje, me ministrat e koalicionit VV-LDK filloi mbarë. Në rrugëtimin e saj energjik qeverisës, do të mësonte nga maturia, mendimi i peshuar, sidomos në raportet ndërkombëtare të partnerit LDK-e. Profesori i njohur i Analizës, Nexhmedin Spahiu, këshillon: “Kurti mund të jetë më i mençuri në botë, por, nuk duhet harruar se jemi vendi më i lodhur në botë. Duhet me ia dijtë hallin vetës!” Ata që projektuan dhe realizuan prishjen e koalicionit VV-LDK, kanë probleme me krimet dhe hajnitë zyrtare, në vite e dekada.

Senca parlamentare e së martës, ishte një maskaradë e organizuar nga PDK-ja me PAN-istët e saj. Kërkesat ishin absurde, sepse donin shtimin e milionave, për kompesim në kohë Pandemie, ishin enorme, të papërballueshme për buxhetin e Kosovës. Thjeshtë, “ishin llogari pa hanxhinë!”

Profanizëm ishte edhe kërkesa paushalle e AAK-së, për të ndarë nga 100 euro, për anëtarë të familjes! Si të parët, edhe të dytët, na kujtojnë “zemërgjerësinë” e Titos, kur qytetarët e Federatës Jugosllave shpenzonin më shumë se sa prodhonin, fitonin. Por, këta nuk kanë aftësitë mashtruese e zhvatëse, që vilte Titua nga vendet arabe dhe bota tjetër. Ta shpërndashë paranë publike, pa asnjë kriter, do të ishte vijimësi abuzuese, si në rastin e pagesës të paligjshme të mijëra veteranëve të rremë, nëpërmjet të shitjes të “Dëshmisë të Veteranit”. Qëllimi i dytë ishte shumëzimi dhe sigurimi i klientelës afatgjatë elektorale.

Populli i Kosovës nuk është i barabartë në varfëri apo në pasuri. Ka familje, prindër që kanë edhe 5 (pesë) djemë, të punësuar në Evropë dhe tej Oqeanit. Djemtë e tyre, në shumësi, kanë nipër e mbesa të punësuar. Ilustrojmë me deklarimin e një akademiku: “Në pallat jemi 14 familje. Me përjashtim të njërës, që kanë edhe fëmijë, të gjithë jemi vetëm dyshe, çift”. Mesatarja e të punësuarëve për familje, në Mërgatë, janë nga dy persona për familje. Atëherë, pse u dashka me vu vijë barazimi me të varfërit, që kanë ngelur pa punë dhe nuk kanë as anëtarë të punësuar jashtë shtetit?!

Edhe ngritja nga 170 në 300 euro në muaj, nuk është reale. Nëse familjet e varfëra jetojnë me 170 euro në muaj, pse nuk mjaftohen me kaq edhe humbësit e përkohëshëm të punës?!

Shumë zhurmë po bëhet edhe për pajisjen me leje qarkullimi të deputetëve. Si në kor bretkocash, jo vetëm opozita, por edhe LDK-ja, brenda dhe jashtë Kuvendit, akuzuan Vetëvendosjen, përkatësisht, Ministrin e Shëndetësisë, i bërë, tashmë, simbol i përkushtimit profesional e njerëzor, Dr. Arben Vitia, se ka shkelur Kushtetutën; “kësaj i vjen era diktaturë” dhe bruçkulla tjera të marrëzishme! Arsyetimi i VV-së ishte bindës: “Leja shkrimore ishte favorizuese për deputetët, që të mos pengohen nga policia në lëvizjet e trye”. Fundja, para se të jenë deputetë, ata janë qytetarë të Republikës dhe rregulli i vënë, nuk përjashton askënd, qoftë edhe deputetët.

Përgjatë gjithë seancës parlamentare, deputetët akuzonin VV-në, “për shkelje të të drejtave të njeriut”! Realisht, kufizimet e kësaj natyre, janë aksion i përbotshëm, natyrisht, me nuanca dalluese. Dhe, më të zëshmit ishin deputetët nga subjektet politike, që bandat e tyre kanë eliminuar kësaj bote njerëz të pafajshëm, ushtarakë luftëbërës dhe kuadro të devotshëm, duke shtuar numrin e jetimërve të Kosovës, edhe pas dëbimit të vrastarëve serbo-sllavë, nga NATO-pakti?!?

Sjellim një prononcim publik të ish-ministrit nga AAK-ja, Jonuz Salihu: “Në AAK, ka njerëz në funksione, që nuk e kanë vendin as në rrugë”, që nënkupton se duhet të jenë në burg. Jo me kot, Parlamenti i Kosovës në opinionin evropian dhe botëror, konsiderohet si më i kriminalizuari, me akuza të vrasjes, të hajnisë zyrtare, haraçit të përgjakur, tenderime korruptive, privatizime grabitëse dhe i gjithë katalogu i poshtërësive tjera.