Memorandumi i opozitës dhe nevoja e një vettingu për partitë

0
792
Mentor Kikia

Nga Mentor KIKIA

Memorandumi i nënshkruar nga 23 parti opozitare mund të duket si parathënia e një përpjekjeje për të radikalizuar qëndrimin deri në bojkotim të mundëshëm të zgjedhjeve. Edhe pse, referuar deklaratës, pesë kushtet e këtij grupimi nuk janë sanksionuar si kushte për pjesëmarrjen ose jo në zgjedhje, identifikimi biometrik i zgjedhësve dhe votimi elektronik është konsideruar si thelbësor për të garantuar zgjedhje të lira.

Disa prej kushteve kanë qenë edhe më parë në menunë e diskutimeve mes palëve dhe nuk kanë gjetur konsensus, ndaj dhe ka pak shanse që ato pesë kërkesa të çojnë në reformimin e sistemit zgjedhor, të paktën për zgjedhjet e Qershorit. Se si do të evoluojë qëndrimi i opozitës në muajt e ardhëshëm, me afrimin e zgjedhjeve, kjo pritet për tu mësuar, por ajo që mund të diskutohet tashmë është vetë përmbajtja e kushteve.

Do të doja të ndaleshim në dy prej tyre, që përbëjnë edhe burimin e përhershëm të problemeve me manipulimin e zgjedhjeve, deformimin e votës dhe vetë parimeve të demokracisë.

Votimi elektronik (pra mënyra e votimit dhe numërimit) dhe transparenca financiare.

Me votimin elektronik, opozita pretendon të shmangë trafikun e votuesve, regjistrimin dhe votimin disa herë të një personi, apo edhe më tej, votimin kolektiv apo grumbullimin e kartave të identitetit kundrejt pagesës. A është e mundur kjo në aspektin teknik? Opozita thotë po, ndërsa ata që e kundërshtojnë, që nuk është vetëm mazhoranca qeverisëse, mendojnë se shqiptarët nuk janë të përgatitur për të përdorur ende këtë lloj teknologjie.

Gjithësesi, nëse ky operacion do të ishte i mundur, atëherë do të vihej dorë mbi një plagë të madhe të zgjedhjeve, përfshi edhe nxjerrjen e rezultatit, ku numërimi i votave shndërrohet në një makth publik, me numërues të përgjumur që, për ditë të tëra, numërojnë vota Live para kamerave në tavolina të mbushura me kuti picash. Duke llogaritur edhe koston e krizave politike që prodhohen si pasojë e kontestimeve, çdo kosto financiare e këtij operacioni do ia vlente për të futur në rrugën e zgjidhjes një herë e mirë një proces, përherë të dyshimtë dhe përherë të papranuar nga ata që humbasin.

Një tjetër kusht është ai i transparencës financiare dhe trajtimit të shitblerjes së votës si krim i rëndë. Plotësimi i këtij kushti nuk kërkon as zotërimin e aftësive teknologjike, as investime. Ky kërkon vetëm vullnet politik për tu bërë, dhe është zhvillim pozitiv që të paktën njëra palë kërkon ti mbyllë derën parasë informale dhe të inkriminuar që ushqen makinerinë e politikës, pasi prej 25 vjetësh, partitë kanë qenë të gjitha të një mendjeve për të mos e prekur këtë temë.

Në vendin më të varfër të Europës, fushatat elektorale zhvillohen mes luksit dhe mitingjet shpesh ngjasojnë me ceremonitë e festivaleve ndërkombëtare të filmave apo koncertet e yjeve të muzikës botërore. Duke ofruar më shumë shfaqje se alternativa qeverisëse, fushatat janë bërë mekanizma ku qarkullohen dhjetra e qindra miliona Euro, burimi i të cilave asnjëherë nuk deklarohet. Por padyshim që dihet se ato janë para biznesi që paguhen dhe më pas rimerren përmes tenderave e koncesioneve nga paratë publike, apo edhe me keq, para të ardhura nga kanale kriminale.

Etja e politikës për para nxiti futjen gjithnjë e më shumë të sipërmarrësve në parlament, njerëz që nuk kanë propozuar e as kanë diksutuar ndonjëherë për ndonjë projektligj. Dekriminalizimi i politikës, që ka nisur me përjashtimin e atyre që kanë patur probleme me ligjin, duhet të nisë në fakt pikërisht këtu, tek burimet financiare. Eshtë paraja që dikton listën e kandidatëve, është paraja që dikton votën, edhe përmes blerjes së drejtëpërdrejtë. Eshtë pikërisht mungesa e kontrollit mbi financat e politikës që solli në parlament edhe sipërmarrës që fillesat e biznesit i kishin patur si skafistë klandestinësh apo tutorë prostitutash.

Reforma në drejtësi është në fillimet e zbatimit. Por ajo nuk do të ketë sukses nëse nuk reformohet sistemi politik, i cili është në fakt edhe prodhuesi i sistemit të drejtësisë. Por reformimi i politikës nuk nis nga mosha e njerëzve që kandidohen, por nga reformimi i sistemit zgjedhor, nga çlirimi i votës prej kthetrave të parasë së korrupsionit dhe krimit. Paralelisht me vettingun e drejtësisë, duhet të bëhet edhe vettingu i politikës.