AV. XHABIR ZEJNUNI
Pak më parë, lexova një MEMORANDUM MIRËKUPTIMI(!), që Zoti Nebil Çika i ka dërguar Lulzim Bashës në cilësinë e Kryetarit të PD-së.
Në atë memorandum, përmendet “Besnikëria dhe mbështetja pa kushte”, – por jo deri në vdekje(!) – e të përndjekurve politikë dhënë PD-së. Në fakt, harrohet ka qenë pikërisht kjo “Besnikëri dhe mbështetje pa kushte”, e cila ka bërë që të përndjekurit politikë, të mbesin të tillë edhe pas vitit 1990.
Theksohet se “Ajo që ka mbajtur gjallë këtë marrëdhënie, perceptimi ynë, ndoshta i gabuar, ishte ideologjia, mendimi që PD ishte të paktën një parti antikomuniste”. Saktë, pasi ky perceptim i gabuar se PD-ja ishte parti antikomuniste, duke pasur brenda saj komunistë, spiunë dhe sigurimsa, ka sjellë që asgjë të mos ndryshonte në favorin e të përndjekurve politikë. Por, të kesh perceptim të gabuar, kur dihej se kush bënte dhe bën pjesë akoma në PD, i lejon kujtdo të mendojë se ky perceptim nuk është vetëm i gabuar. Por, i qëllimshëm dhe i dëmshëm. Dhe jo vetëm për të persekutuarit politikë. Arsyen, mbetet që ta shpjegojë vetëm perceptuesi i gabuar (ose i gabueshëm!).
Në memorandum, theksohen edhe “Pakënaqësitë e mëdha nga politikat, praktikat dhe veçanërisht qeverisja e PD-së” edhe pse “Gjithsesi e kemi mbështetur atë sidomos në ditët e vështira të saj”. Në fakt, PD-ja nuk i ka shkaktuar pakënaqësi të persekutuarve, por zhgënjime dhe poshtërimë. Nëse nxjorre jashtë me shqelma dhe me grushta të persekutuarit politikë nga greva e urisë, nëse nuk shfuqizove ligjin komunist Nr. 7501, i cili i interesonte edhe të përndjekurve politikë, nëse nuk nxjorre jashtë PD-së komunistët, spiunët dhe sigurimsat, nëse nuk hape dosjet, nëse nuk zhdëmtove të persekutuarit politikë, nëse nuk i punësove ata sipas meritave dhe vuajtjeve të tyre, etj., sigurisht që në këtë rast nuk ke shkaktuar vetëm pakënaqësi!
Bëhet fjalë për ato pretendime apo kërkesa, që PD-ja mund t’i realizonte pa asnjë problem kur ajo ishte në pushtet. Aq më shumë kur kjo PD kishte edhe shumicën e duhur parlamentare për t’i realizuar ato.
Theksohet po ashtu se “Kemi shpresuar që këtë hap djathtas ta bëni Ju, gjë që ua kemi shprehur edhe në mënyrë miqësore, zyrtare e publike edhe herë të tjera”. Wow. Tani është shumë vonë që të bëhet kthesa djathtas. Aq më shumë nëse këto kërkesa bëhen “miqësisht, zyrtarisht apo publikisht”.
Më tej, vlerësohet “Se ka një keqkuptim të madh midis nesh”. Vetëm një keqkuptim?! E pastaj. Kush do i zgjidhë këto keqkuptime? Ai që i ka krijuar këto keqkuptime, apo ai që i ka pësuar ato?
Më tej, i hiqet paksa veshi Bashës duke i thënë se “Në këto kushte bashkëpunimi ynë vihet në dilemë të madhe, por ne shpresojmë që gjerat mund të rregullohen, nëse Ju dhe struktura tuaja do të keni vullnetin e duhur politik”. Mos. Pse? Kur ka bashkëpunuar PD-ja me të persekutuarit politikë? Mos vallë duke vënë për disa kohë në kupolën e saj ndonjë të përndjekur politik?! Dhe vetëm kaq?! Kësaj i thuhet bashkëpunim? Pasi bashkëpunimi i anasjelltë nuk ka ndodhur kurrë. Përveç votës së të persekutuarve politikë për PD-në! Mos vallë pritet që këtë dilemë ta zgjidhë sot PD-ja?
Pastaj, parashtrohen dhe propozohen në “Këtë memorandum mirëkuptimi” dhe bëhen prezentë “Disa kërkesa bazë mendohen si kushte minimale të mbështetjes dhe basehkëpunimit reciprok”. Imagjino sikur kërkesat të ishin maksimale, se çfarë do ndodhte!
Ato kërkesa të parashtruara dhe të parealizuara kurrë, i dijnë tashmë përmendësh edhe fëmijët e klasës së parë. Dhe as që do realizohen edhe në vijim.
T’i bësh sot kërkesa të tilla (edhe pse minimale) atij krahu politik që nuk ka arsye që t’i realizojë ato, është sikur të tallesh me veten tënde dhe me atë klasë të përvuajtur që përfaqëson. Por, që nuk dihet nëse i përket akoma asaj.
Aq më shumë asaj partie, e cila nuk është në pushtet dhe nuk dihet se kur do vijë në pushtet.
Aq më shumë nëse merret në konsideratë edhe mënyra e përvuajtur dhe servile, me anën e të cilës është shkruar ky MEMORANDUM “Mirëkuptimi”!
Arsyen, mbetet që ta shpjegojë vetëm memorandum-shkruesi, i cili ka shumë mundësi që ta ketë shkruar këtë memorandum me titull personal dhe jo me titull kolektiv.
Amen.