Međugorje, mesazhi i 2 tetorit 2018 dhënë nëpërmjet Mirjana Soldo

0
827

“Të dashur bij! Ju ftoj të jeni të guximshëm dhe të mos tërhiqeni, sepse edhe e mira më e vogël, shenja më e vogël e dashurisë e mund të keqen që po bëhet gjithnjë më e dukshme. Bijtë e mi! Më dëgjoni në mënyrë që e mira të ketë epërsi, që të mund të njihni dashurinë e Birit Tim! Ajo është dashuria më e madhe: krahët e Birit Tim që përqafojnë. Ai që e do shpirtin, ai që është dhuruar për ju dhe gjithnjë përsëri jepet në Eukaristi, ai që ka fjalët e jetës së pasosur. Të njohësh dashurinë e tij, të ndjekësh gjurmët e tij do të thotë të kesh pasurinë e përshpirtërisë. Ajo është një pasuri që jep ndjenja të mira dhe sheh dashuri e mirësi kudo. Apostuj të dashurisë sime, bijtë e mi, ju jeni si rrezet e diellit që, me ngrohtësinë e dashurisë së Birit tim, ngrohin të gjithë përreth tyre.

Bijtë e mi! Botës i duhen apostuj dashurie, botës i duhen shumë lutje: por lutje të thëna me zemër e me shpirt, dhe jo vetëm të shqiptuara me buzë. Bijtë e mi! Priruni drejt shenjtërisë, porn ë përvujtëri! Në përvujtërinë që i lejon Birit tim të bëjë nëpërmjet jush atë që ai dëshiron. Bijtë e mi! Lutjet tuaja, fjalët tuaja, mendimet dhe veprat, e gjithë kjo ju hap ose ju mbyll dyert e Mbretërisë së Qiejve. Biri im ju ka treguar udhën dhe ju ka dhënë shpresën, dhe unë ju ngushëlloj dhe ju jap guxim. Sepse, bijtë e mi, unë e kam njohur dhimbjen, por kam pasur fe dhe shpresë. Tani kam shpërblimin e jetës në Mbretërinë e Birit tim. Prandaj më dëgjoni, kini guxim, mos u tërhiqni! Ju falënderoj!”.

Si ta pranojmë MESAZHIN e Zojës?
(Siç bënte edhe Atë Slavko)
1. MERRENI që ditën në të cilin është dhuruar!
2. LEXOJENI një herë të parë në shpirt lutjeje!
3. PRANOJENI në fundin e zemrës suaj!
4. KONSIDEROJENI si një mesazh që Virgjëra jua jep personalisht dhe jini mirënjohës ndaj Saj!
5. KOPJOJENI mesazhin dhe vendoseni në mesharin tuaj, në frigorifer, në zyrë, në pasqyrën e banjos, në makinë dhe kudo, në mënyrë që ta kujtoni gjithmonë dhe që të bëhet shoqëruesi juaj gjatë gjithë muajit! Me lejen e Famullitarit tuaj afishojeni në famulli!
6. BASHKËNDAJENI mesazhin me të gjithë ata që i takoni: është një thesar nga Qielli! Veproni në mënyrë që gjithë bota të flasë, nxitni publikimin e tij!
7. LUTENI mesazhin çdo ditë të muajit! Veproni në mënyrë të tillë që mesazhi t’i japë tonin jetës suaj shpirtërore! Do t’ju bëjë të rriteni, do t’ju hapë ndaj pendesës, ndaj shërimit dhe shpresës.
8. KËRKONI në Ungjill rreshtat në të cilat Jezusi thotë gjëra të ngjashme me ato që thotë Zoja!

Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi