Međugorje, mesazhi i 2 nëntorit 2018 dhënë Mirjana Soldo˗s

0
641

“Të dashur bij! Zemra ime amënore vuan ndërsa shoh bijtë e mi që nuk e duan të vërtetën, që e fshehin; ndërsa shoh bijtë e mi që nuk luten me ndjenjat dhe me veprat. Jam e brengosur ndërsa i them Birit tim se shumë bij të mi nuk kanë më fe, se nuk njohin atë, Birin tim.

Prandaj ju ftoj juve, apostuj të dashurisë sime: ju përpiquni të shikoni deri në fund në zemrat e njerëzve dhe atje sigurisht do të gjeni të fshehur një thesar të vogël! Të shikohet në këtë mënyrë është mëshira e Atit Qiellor.

Të kërkoni të mirën edhe atje ku është e keqja më e madhe, të përpiqeni të kuptoheni njëri me tjetrin dhe të mos gjykoni: kjo është ajo që Biri im e do nga ju. Dhe unë, si Nënë, ju ftoj ta dëgjoni!

Bijtë e mi! Shpirti është më i fuqishëm se mishi dhe, i mbajtur nga dashuria dhe nga veprat, kapërcen të gjitha pengesat. Mos harroni: Biri im ju ka dashur dhe ju do! Dashuria e Tij është me ju dhe në ju, kur jeni një gjë e vetme me Të. Ai është drita e botës, dhe askush dhe asgjë nuk mund ta ndalojnë në lavdinë përfundimtare.

Prandaj, apostuj të dashurisë sime, nuk duhet të keni frikë të dëshmoni të vërtetën! Dëshmojeni me entuziazëm, me vepra, me dashuri, me flijimin tuaj, por mbi të gjitha me përvujtëri! Dëshmojuni të vërtetën të gjithë atyre që nuk kanë njohur Birin tim!

Unë do t’ju rri pranë, unë do t’ju jap zemër. Dëshmoni dashurinë që nuk mbaron kurrë, sepse vjen nga Ati Qiellor që është i amshuar dhe u dhuron amshimin të gjithë bijve të mi! Shpirti i Birit tim do t’ju qëndrojë pranë.

Ju ftoj përsëri, bijtë e mi: Lutuni për barinjtë tuaj, lutuni që dashuria e Birit tim të mund t’i udhëheqë!

Ju falënderoj!”.

Si ta pranojmë MESAZHIN e Zojës?
(Siç bënte edhe Atë Slavko)

1. MERRENI që ditën në të cilin është dhuruar!
2. LEXOJENI një herë të parë në shpirt lutjeje!
3. PRANOJENI në fundin e zemrës suaj!
4. KONSIDEROJENI si një mesazh që Virgjëra jua jep personalisht dhe jini mirënjohës ndaj Saj!
5. KOPJOJENI mesazhin dhe vendoseni në mesharin tuaj, në frigorifer, në zyrë, në pasqyrën e banjos, në makinë dhe kudo, në mënyrë që ta kujtoni gjithmonë dhe që të bëhet shoqëruesi juaj gjatë gjithë muajit! Me lejen e Famullitarit tuaj afishojeni në famulli!
6. BASHKËNDAJENI mesazhin me të gjithë ata që i takoni: është një thesar nga Qielli! Veproni në mënyrë që gjithë bota të flasë, nxitni publikimin e tij!
7. LUTENI mesazhin çdo ditë të muajit! Veproni në mënyrë të tillë që mesazhi t’i japë tonin jetës suaj shpirtërore! Do t’ju bëjë të rriteni, do t’ju hapë ndaj pendesës, ndaj shërimit dhe shpresës.
8. KËRKONI në Ungjill rreshtat në të cilat Jezusi thotë gjëra të ngjashme me ato që thotë Zoja!

Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi