Shkruan: Florim Zeqa, 09.02.2020
Në kohën kur gënjeshtra është bërë standard i jetës, i veprimeve të politikanëve, kur njerëzve u ka humbur dashuria në mes tyre, kur janë të hapura shumë kriza morale, kulturore e sociale të shoqërisë sonë, janë MEDIAT ato që duhet të thonë të vërtetën ashtu siq është për gjithçka dhe për çdo gjë.
Futja e shpirtit të një gazetari apo krijuesi nën grilat e pushtetarëve, apo hyrja nën kthetrat partiake është pak më tepër se vetëvrasje, është ngulfatje e shpirtit për së gjalli.
Gazetaria e pavarur, oponenca më e fuqishme ndaj çdo pushteti
Mbi të gjitha, gazetarët e mirëfilltë duhet kuptuar një gjë; se misioni i tyre është i shenjtë, ata janë avangardë e shoqërisë e jo e pushtetarëve. Asnjëherë nuk duhet humbur besimin për një gazetari të lirë dhe të pavarur dhe të pandikuar nga politikat ditore.
Rrethanat politike shpeshëherë prodhojnë presione, shantazhe, madje edhe kërcënime ndaj gazetarëve, gjëra të cilat për fat të keq kohëve të fundit janë në rritje e sipër në shoqërinë tonë!
Mjafton një kritikë e shëndoshë ndaj një subjekti politik apo lideri partiak, për t’u adresuar një varg sharjesh e fyerjesh nga më të rëndat deri në kërcënim me vdekje ndaj gazetarit.
Kur flasim për kërcënimet dhe shantazhet që vijnë nga politika, nuk guxon të vie në shprehje tërheqja e gazetarit nga misioni fisnik shkaku i një kërcënimi, përkundrazi duhet të ballafaqohet me kërcënuesin. Përveq bërjes publik të rastit për opinionin e gjerë, rastin duhet denoncuar edhe tek organet kompetente shtetërore.
Pavarësisht, kërcënimeve, shantazheve dhe sulmeve virtuale pas publikimit, nuk guxon të ndodhë tërheqja e shkrimit nga gazetari, përkundrazi duhet mbrojtur me fakte dhe argumente të fuqishme interpretimin (prezantimin) e së vërtetës sado sfiduese të jetë ajo.
Gazetarët, pa dallime pikëpamjesh ideologjike duhet të thonë të vërtetën lakuriqe për krijimin e një imazhi më pozitiv të gazetarisë bashkëkohore.
Para së gjithash dhe mbi të gjitha, gazetarët duhet të bëhen forcë kreativiteti dhe zë i fuqishëm i ndryshimeve të pëgjithshme shoqërore, e jo të mbetën zë vetëm i pushtetarëve, por të shndërrohen në zë plural i respektuar nga opinioni i gjërë.
Gazetaria është kontinuitet i shoqërisë civile, besnike ndaj së vërtetës, për të zbuluar lajmin, edhe atëherë kur nuk shihet apo tentohet të fshihet nga të tjerët, për ‘ia bërë gjithmonë të qartë lexuesit; kjo është e vërteta dhe ky është interpretimi im!
Përderisa politika vazhdon të jetë si profesion dhe mjet i pasurimit të shpejt dhe marramendës të politikanëve brenda natës, lufta për pushtet do të jetë gjithnjë e më e ashpër dhe e pakompromis mes rivalëve politik.
Gazetaria e pavarur, është oponenca më e fuqishme e çdo pushteti dhe zëri më kritik i një shoqërie të civilizuar dhe demokratike.
Thurja e lavdeve para kohe, reflekton mendjemadhësi tek lideri
Premtimet e politikanëve gjatë fushatave zgjedhore janë objekt i mashtrimit të qytetarëve për grabitjen e votës, të cilët në momentin e ngritjes në pushtet i harrojnë të gjitha premtimet.
Ndërsa thurja e lavdeve të parakohshme nga mediat servile për liderët shtetëror, mbjell iluzione tek qytetarët dhe shkakton mendjemadhësi tek politikanët e sapozgjedhur, akoma pa u akomoduar mirë në kolltuqet e tyre.
Mbajtja e premtimeve elektorale nga ana e një politikani është vlerë që ndikon në ngritjen e imazhit të tij personal dhe institucionit që drejton. Në të kundërtën, mosmbajtja e premtimeve të politikanit në pushtet, dëmton imazhin dhe i ulë vlerën edhe të institucionit që ai drejton.
Vlera e një politiani matet me mbajtjen e premtimeve dhe konsistencën e qëndrimeve politike e jo në bazë të prezencës në media.
Pikërisht në këtë aspekt, mediat e kanë rolin vendimtar në zbardhjen e të vërtetave të politikanëve, e jo të mbulimit të vërtetave të hidhura me makiazh mediatik, siq e kanë zakon të bëjnë mediat mercenare të pushteteve totalitare.
Mesazhi im drejtuar popullit të përvuajtur e ka një qëllim të vetëm, zgjimin akoma më të madh të ndërgjegjes së fjetur, dhënien e alarmit për vetëdijesim përballë rrezikut në të cilin ndodhet shteti dhe ardhmja e qytetarëve të këtij vendi nga politkanët me personalitete të dyfishta.
Jo të gjithë e njohin mirë të vërtetën e hidhur, ajo (e vërteta) duhet të thellohet në mendjen e popullit, për ta kuptuar me qartësi realitetin e krijuar pas zgjedhjve të fundit, kur qeveriterët e rinjë në pushtet flasin për “arritjet” të cilat nuk duken askund në horizont.
Përderisa në njërën anë ndodhë ç’kapja, në tjetrën anë vazhdohet me kapjen e re te shtetit, me emërimin dhe instalimin e militantëve partiak në të gjitha institucionet shtetërore.
Tri dekada nga shkëputja e sistemit totalitar, pushtues dhe antikombëtar nga Serbia, Kosova ndodhet në udhëkryqin më të madh nga përfundimi i luftës; në mes të qëndrimit përkrah miqëve perëndimor që ndihmuan në çlrimin e vendit tonë dhe rrëshqitjes në krahun e armiqëve shekullor që po e pengojnë rritën dhe zhvillimin e shtetit tonë, përkatësisht përkrah errësirës mesjetare aziatike dhe bolshevikëve sovjetik.
Çdo nxitje e përçarjes mbi baza fetare, është në funksion të përçarjes kombëtare dhe çdo përafrim me shtetet e lindjes na largon nga rruga e civilizimit evropian!
Shteti i Kosovës është në rrezik pas rrëshqitjeve drastike të klasës politike kosovare në bisedimet e Brukselit, ku pavarësia e shtetit e ka humbur çdo kuptim. Ndërkombëtarët shtetin e Kosovës nuk janë duke e trajtuar më si Republikë të pavarur, por vetëm si një territor multietnik, me sovranitet të dyfishtë, madje disa shtete (5 shtetet e BE-së dhe Rusia) janë duke na konsideruar ende si koloni të Serbisë.