Me rastin e botimit nga Koha e Prishtinës të romanit të Ibrahim Kadriut, “Vdekja e Anilës”

0
639
Ibrahim Kadriu - Vdekja e Anilës

Ibrahim Kadriu

ZJARRVËNËSI

(Fragment nga romani “Vdekja e Anilës”)

Rubikon - Ibrahim Kadriu
Rubikon – Ibrahim Kadriu

Të shtunën, më 23 prill 199… dëgjoi një lajm të trishtueshëm në valët e radios, të cilat valë, ato të vendlindjes, prejse kishte ardhur në Beograd i dëgjonte me ëndje: I qenka djegë shtëpia e familjes, në natën kur nuk kishte qenë askush brenda. Dauti me të shoqen paskan shkuar për vikend në Shqipëri, ashtu siç vepron edhe gjatë vikende të tjera: ose shkon në Shqipëri, Strugë, ose në bjeshkët e Rugovës. Kësaj radhe, siç kuptoi nga zëri i spikeres, pronari i shtëpisë kishte qenë në udhëtim vikendi. U tmerrua: “Si ka mundur të digjet shtëpia, kush e ka djegur?”

Spikerja e përfundon lajmin me, atë shprehjen e zakonshme, hetimet vazhdojnë dhe, si shtesë e lajmit ishte edhe informimi se zjarrfikësit kishin arritur me vonesë duke mos mundur të bëjnë asgjë. Lajm shumë i keq. Tërë ditën transistorin e mbante të lëshuar duke pritur lajm shtesë, atë që vjen pas hetimeve.

E thirri me telefon Nikolin, fqinjin. Ai asgjë nuk i tha tjetër, pos asaj që kishte dëgjuar në lajme, dhe për pamjen që e kishte parë në televizion në orët e mëngjesit kur ishte zgjuar dhe kishte dalë të shkonte në punë. Ai tha se ia kishte tërhequr vërejtjen tymi nga mbeturinat e shtëpisë që kishte rënë rrafsh me tokë. Ky shpjegim ishte i mjaftueshëm ta kishte parasysh djegien e tërësishme të shtëpisë. Nga keqardhja ndjeu ligështi. Këmbët i dridheshin. Duke shëtitur nëpër dhomë, sigurisht prej mërzisë, dhe duke vazhduar dëgjimin e lajmeve që s’thoshin asgjë, e pa veten në pasqyrën e korridorit; një pasqyre e gjatë ku mund ta shihja krejt rupin. Vërejti se i kishte pasur sytë me lot. U kthye në kuzhinë.

Përgatiti një kafe të rëndë, domethënë pa sheqer, që t’i ndihmonte largimit të trishtimit. Ishte në siklet të madh, as jepnin lajme tjera në radio, as mundej të thërras me telefon vëllain, Dautin, apo ndokënd të njohur tjetër: “ Unë, i vdekuri në kujtesën e tyre, më duhet të duroj dhembjen, por nuk mund të rri rehat.” I tha Nikolinit ta lajmëronte nëse dëgjonte ndonjë informatë të re për djegien e shtëpisë. Por ai nuk lajmërohej.

Kishin kaluar tri orë nga lajmi i parë, por të gjitha lajmet tjera, në çdo gjysmë ore, asgjë për shtëpinë e djegur. Po të ishte ndryshe, domethënë i pa transformuar në fytyrë, menjëherë do të gjente lidhje dhe do të shkonte, por kështu siç ishte i bërë tebdil, shkuarja e tij atje do të ishte e kotë, njësoj si shkuarje e çdo të panjohuri.

I telefonoi prapë Nikolit. I tha se e kishin lajmëruar Dautin dhe ai, siç i thotë, qenka rrugës duke u kthyer.
“E policia? – e pyet me zë të thekshëm. – Çka bën ajo? A kanë marrë ndonjë aksion për ta zbuluar vënësin e zjarrit?”
“Policia është duke e kryer punën e vet. Ende janë duke bërë hetime…”
“Po, po, – ia ktheu, – policisë nuk i ngutet. Edhe pas një viti do të thonë – hetimet vazhdojnë, dhe kurrë nuk zbulojnë…”

Këto fjalët e fundit si duket e nevrikosen Nikolin, sepse veç më tha: ditën e mirë, dhe e mbylli lidhjen telefonike.
Dikur, në orët e pasdites së vonë, i cingëroi telefoni. Prapë Nikolin i tha:
“Dikush nga fqinjët, në ora tre të mëngjesit të hershëm, e paska pa njërin duke kaluar andej me biçikletë të kuqe. Policia është në kërkim të asaj biçiklete. Të lajmëroj më vonë se çfarë po ndodh. Ditën e mirë”! – ia ndërpreu shpejt dhe as që provoi ta thërriste.

Vazhdoi t’i dëgjonte valët e radios në transistor.
Lajmëruan në radio se vëllai kishte arritur, kurse nga komuna ia kishin sjellë një tende dhe një shtrat e një shporet. Ia kishin vendosur në oborr, skaj dyerve.

Kur i dëgjoi këtë informim me vete tha: “Automati i paska shpëtuar, sepse atë e ka nën dërrasën nën dyer, kurse dyert nuk janë djegur. Ç’i duhet? Veç nëse vendos ta gjejë vënësin e zjarrit për ta vrarë.” Vëllai nuk është i tillë, pikërisht për këtë gjithmonë kishte qenë i habitur pse e ruante atë automat. “Mandej është e çuditshme, mendoi me vete, pse Nikolini nuk ia ka marrë?”

Nisi të dyshojë edhe në Nikolinin si mashtrues, por nuk kishte mundur t’ia thotë dhe as tash derisa priste ndonjë lajm prej tij nuk mund t’ia thoshte.
Në lajmet e orës 19.00 u bë e ditur se policia e kishte gjetur biçikletën e kuqe, por jo edhe shfrytëzuesin e asaj biçiklete. Gencit erdh çudi si nuk kanë mundur ta gjejnë shfrytëzuesin?

“Ose duan ta mbajnë në fshehtësi, mendonte, derisa të sigurojnë se ai vetëm ia ka vënë zjarrin shtëpisë. E arsyeja? Kush mund të jetë ai njeri i biçikletës? Sikur ta dija sigurisht se do ta gjeja edhe motivin. Çka mund të ketë bërë vëllai, çfarë telashe që ka nxitur nervozen aq te madhe të zjarrvënësi? Vëllai veç automatin e ka pa motiv, ndërkaq butësia e tij u është e njohur të gjithëve të cilët edhe thonë: nuk e shkelë as buburrecin! Si të tillë e njoh edhe unë, që jam shumë më i ri se ai. Kush e di? Ndoshta i ka borxhe ndokujt që nuk mundet t’i kthejë.

E di se një borxh e ka pasur për shkak meje. Më duheshin për aparat fotografik, sepse një aparat “Smena” që e kisha nuk vlente as për lodër. M’i pat gjete paratë dhe më pat pyetur se a do të mund fitoja nga ai aparat? As që kisha menduar për fitim, veç për pasion. Nuk i pata thënë as po, as jo. Mandej ai as që më pat pyetur më, dhe as që kërkonte t’ia ktheja paratë, sepse e dinte fort mirë se nuk kisha ku t’i merrja. Vërtetë viteve të mëvonshme kisha tjera kushte. Për çdo informatë paguhesha, por nuk i ofroja para, me qëllim që mos të kuptonte se ku i merrja. Por kurrë nuk e kam harruar atë borxh të tij dhe, në vete, isha betuar se në ndonjë rast të volitshëm do t’i ktheja. Tash edhe kthimin e borxhit e kam të pamundur, sepse nuk jam më Gani Shyt, kurse ai për Genc Plepin kurrë nuk ka dëgjuar…”

Të nesërmen në lajmet e mëngjesit bënë me dije se biçikleta kishte qenë e vjedhur, se i takonte një pensionisti i cili shumë rrallë e paska përdorur. Përherë e paska lënë në kopsht, te streha e shtëpisë, të lidhur me një zinxhir të hollë të cilën, hajni, pa vështirësi e kishte këputë. Nikolin i tha me telefon Gencit se, kur i kishin shkuar policia te dera, ai, me atë moshën e tij shtatëdhjetëvjeçare ishte habitë. E kishin pyet për biçikletën e kuqe se a ishte e tij ai i ishte afruar aty ku ishte nën strehë, paska sha: “-Aiii, nënën e nënës! – qenka shpreh ai. – Dikush ia paska këputë zinxhirin. E shihni? – ua afron policëve: – Qartë duket se është këputur, meqë dryni i ka mbetur në vend, – i tregoi Nikolin.

“Po përpiqem ta gjej shkakun e asaj djegie. Sipas reagimit të plakut me plot nervozë mund ta marr me mend se arsyeja e djegies nuk ka të bëjë me ndonjë borxh, sepse ai borxh duhej të ishte kthyer, sepse vëllai im Dauti nuk i linte punët në harresë. Borxhi ka mbetur te unë ndaj vëllait. Nuk kam çka bëjë. Kanë ndryshuar rrethanat, por tashti po më intereson vjedhësi i biçikletës i cili, me siguri, ishte ai piroman. Por, pse?”

Pas tri dite Nikolini e lajmëroi: “E kanë zënë zjarrvënësin, – i thotë. – Është i biri i Selmanit, Selman Tushit i lagjes së lumit. Ai ishte Luan Tushi…”

Nuk pat nevojë të shpjegonte më tepër. E mori vesh, sepse ky ishte në një klasë me te, si maturant, por në tjetrën paralele. I kujtohet fort mirë. Për çudi, ai ishte shumë i tërhequr. Të shumtën rrinte vetëm në korridor dhe oborr të shkollës. Njëherë e kishte parë duke biseduar me Anilën, kur tërë kohën rrinte me kokë të ulur. Ishte ajo kohë kur edhe Ganiu, tash Genci, kishte biseduar me këtë vajzë, por ky farë Luani, nuk ia kam ditë as emrin, nuk i dukej i rrezikshëm. I dukej si ata tipat kur flasin me vajzën mezi nxjerrin zërin dhe djersiten. Nuk e kishte ditë se në çfarë marrëdhënie kanë qenë. Kur e pat pyetur Anilën, ajo qe përgjigjur thjesht: – Një shok, si gjithë shokët. Nuk i pëlqeu kur tha si gjithë shokët, duke menduar se edhe atë e fuste në rrethin e të tjerëve, ndonëse me Anilën kishte më tepër afri duke i siguruar libra. Këtë Luan Tushin e kishte parë edhe në varrim të Anilës, pak si anësh e jo bashkë me të tjerët.

Distanca e tij nga të tjerët i pat lënë përshtypje, e sidomos qëndrimi, siç thuhet, me vajë në buzë. E dinte se raportet e tij me Anilën ishin si i të tjerëve, e bisedave korridorit të shkollës, apo ndonjëherë edhe në oborr të shkollës. Anila e kishte rrethin e gjerë të shokëve dhe shoqeve të asisoj, që u duk edhe gjatë varrimit kur, një pjesë e tyre, i vënë kurora mbi varr. Ganiu nuk kishte biseduar me të asnjëherë, sepse as që kisha arsye, ndonëse me një rast pat menduar t’i afrohesha se, vërtetë, edhe pse e dinte se nuk ishte i rrezikshëm, e pengonte. I kujtohet edhe në protesta. Ka qenë në rreshtin e parë, vetëm.

Pas fjalimit të Ganiut të gjithë duartrokitnin përveç tij dhe dy vajza të cilat, thënë sinqerisht, kur pat dashur t’iu afrohej, nuk ia varen. Nuk dinte pse po merrej me këtë punë, sikur të ishte farë hetuesi. Vërtetë çfarë ka mundur të jetë yshtja të angazhohet si zjarrvënës i shtëpisë? “Meqë e kanë zënë po pres hetimet e policisë, sigurisht do të merret vesh, dhe kjo nuk mund të zgjasë shumë”. – mendonte.

I ngarkuar me këto mendime këto ditë nuk po mundej të merrej me asgjë tjetër. I kishte refuzuar edhe takimet me Aleksandër Bujanin. E dinte se ai shpesh e shikon me dyshime, mund të mendojë se Genci kishte të fshehura nga ai. Kjo është e vërtetë, kishte mjaft të fshehura, po qe se Nikolin nuk i ka treguar. Megjithëkëtë, kishte bindjen se ai veç bëhet se nuk di gjë, sepse po të ishte e vërtetë kjo që po mendonte, ai nuk do ta përmendte helmin. Sidoqoftë, as nuk e kishte ndërmend të zgjasë muhabete me të. Edhe për rastin e shtëpisë së djegur nuk donte t’i tregonte. “Le të mbesin mes meje dhe Nikolinit të cilin po e pres të më telefonojë dhe të më tregojë a kanë mundur të nxjerrin nga ai arsyen e vënies së zjarrit, nëse e ka pranuar.” Thoshte.

Nikolini e thirri në orët e pasdites, domethënë pas orarit të punës së tij. I telefonoi nga shtëpia e vet e jo nga zyra. I tha kuptueshëm:
“Luan Tushi e ka pranuar se, me këtë veprim si zjarrvënës, ka dashur të hakmerret ndaj teje si vrasës i Anilës. Shkruesi i letrës anonime i paska treguar gjerësisht se si e ke privuar nga jeta të ndjerën. Ai drejtpërdrejti i kishte thënë hetuesit se të kishte kërkuar bukur gjatë të vriste. Kur ka marrë vesh se ishte varrosur kufoma me emrin tënd, atëherë duke mos u pajtuar që nuk ka mundur të të gjej, ia ka mësyrë shtëpisë dhe ia ka vënë zjarrin. Besoj se e ke të qartë. Vazhdo e kryej obligimet, sepse tash je Genc Plepi të cilin ai nuk e njeh. Përshëndetje.”

“I shkreti vëlla, -mendoi, – prej meje nuk të hiqen telashet”!
Nata i kaloi si është më së keqi: pa gjumë. E brente ndërgjegjja, sepse paska qenë shkaktari i djegies së shtëpisë.

“Mund t’i tregojnë edhe vëllait. Kush e di se si do ta pranojë këtë të vërtetë, sigurisht me trishtim, si zakonisht që është trishtuar nga trysnitë e mia. Të isha në situatë tjetër pa dyshim se barrën e kësaj djegie do ta merrja vetë. Kështu siç jam, as për veti nuk jam. Kam mbetur me lëmoshën që ma japin për punët që do t’i kryej sipas porosisë së tyre. Unë i gjori, i lënë krejtësisht në duar të huaja që pres të m’i tregojnë kahet kah duhet të shkoj. Sot prapë duhet të takohem me Aleksandërin. Se si harrova t’i them Nikolinit që, kur flet me të, të mos i tregojë për rastin e shtëpisë, sepse do të më lodhte mandej me pyetje. Do të gjendesha në situatë të pavolitshme. Prandaj mendoj se më së miri do të ishte që Aleksandëri të mos dinte asgjë rreth meje dhe familjes time.”

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar