“Në emër të ligjit”
Do të ndodhë patjetër mike è dashur
Një ditë kur të biesh nga “lartësia”
Do më thuash sa shumë ke hasur
Të drejtë martir nga “drejtësia”!!
Do t’më rrëfehesh sa shumë ke vuar
Se shumë në emër të ligjit ke vrarë
A ndoshta sa zemërgjerë je treguar
Dhe sa shumë si mua të janë qarë !!
Unë ndoshta do t’i besoj fjalët e tua
Por në trotuar nuk do t’i ndal më këmbët
Vështrimi yt padyshim më dhimbset mua
Edhe pse lotët do t’m’i mbajnë dhëmbët.
Unë fytyren nga qielli kam drejtuar
Dhe flokët në Jon lëshova si ujëvarë
Kur ta kujtosh një ditë sa më ke lënduar
Veç zotave ke për t’ju ankuar e qarë.
……………………………………………….
Kjo është Jeta që të zgjat jetën.
Do bjej dy mace
Një do ta quaj Linda
Tjetrën Jeta …
Më priti e më përcolli
Qetësinë në shpirt më mbolli.
Humori si ëmbëlsirë
Në gojën e saj ka mbirë.
Ka dhe një mike të vjetër
Lindita quhet patjetër
Mirësinë e kanë në gjen
Kush si njeh jo nuk e ndjen.
Vet Zoti i ka bekuar
Mirësi u ka dhuruar.
……………………………………………….
Ti !
Lajmëtar që ndez dritën e dashurisë
E shuan qirinjtë e mungesës Ti
Më rrëmbeve prej krahëve të vetmisë
Që të shoh brenda teje me hollësi.
U hapën porta e mburoja pa kufij
Mijëra dhimbje u nisën drejt meje
Nga ato kërkoj të mbrohem tani
E pambrojtur jam edhe përballë teje.
Mendimi im aty e ka vërshimin
Nën dritën e syve të Tu qiellor’
Nga drita jote ai merr shkëlqimin
E derdhet si lëngu magjik jetësor.
Galaktika jote.
Sonte i numërova te gjithë yjet,
Numrin e tyre nuk e mbaj mend.
Galaktika sonte ështe e tera imja,
Dhe nuk dua ta ndaj me a’skënd.
Sonte jam fati që të deshi shumë ty,
E thërras kaq fortë: – Ti ekziston.
Galaktika jote sonte jam vetëm unë
Dhe, “na ishte një herë” le të thonë.
……………………………………………….
Ja pse.
Ja pse i zhgarravis këto ditë bosh.
Të djeshmen, të sotmen, të nesërmen pa mend
Që brenda tyre shpirtin tënd më mirë të njohsh
Dhe jetën tinzare drejt amshimit Tim dhe Tend.
Ja pra brenga ime paskësh qenë ushqimi
I muzës sime si shiu vjeshtës pa pushim
Që s’ngopet nga vesa e nga trishtimi
Pastaj shuhet dalëngadalë në perëndim.
Po ti prapëseprapë mos u dëshpëro
Kur mos t’më shohësh më tek dera
Nga dallgët e fatit mua më mbro
Më struk nga dimrat të cel në pranvera.
Kur unë të jem larguar nga kjo botë
Ti mos më kerko në krah fluturash
As luledelet mos numëro është e kotë
Zeri im të dua t’thotë, në sqep kanarinash.
………………………………………………..
Shtegëtim.
Zbathur mbeta mbi tapetin e lumturisë.
Mbi këtë mbules të heshtur petalesh.
Aty ku shpirtrat pret lundra e dashurisë.
Aty kullon fjala të dua, e ringjallesh.
A mos është tepër von o jeta ime?
Për këtë shtegëtim tejet të bukur.
Edhe ënderra qofshin apo shënime.
Përjetim gjithsesi më është dukur.
Mik i dallgës
Kur të shoh që fluturon
Porsi shpendi fluturak
Mbi valët e detit Jon
Zemra më ndalet për pak.
Kur më nisesh Ti delfin
Dhe çan kaltërsitë e Jonit
Mirësi e shpirtit Tim
Unë i lutem Poseidonit.
Mik i dallgës kaltërsive
Mos beso kaq shumë në jet’
Kërko krahët e lirive
Por, bindju detit se është Mbret
( Enit . Djalit Tim të Pleqerise )
Fustani Im
Pak muzikë dhe kohën do ta fal
Sonte cigane do bëhem të kërcej
Pranë firzamonikës këmbët do ti ndal
Fustani im të pathënat t’i rrefej.
Ti kitarën merr në duart e tua
Unë ritmin ruaj, sandalet hedh tej
Fjalë dashurie cigane nis më thua
Fustani im të pathënat t’i rrëfej.
Një zjarr Ti ndeze në mbrëmje von’
Dhe Unë rreth tij sonte po defrej
Muzika që flakët e shpirtit shton
Fustani im të pathënat t’i rrefej.
Kjo serenatë që i shuan mëritë
Unë me dorën Time të rrëmbej
Aty i ndezëm zjarret me muzikë
Fustani im të pathënat t’i rrëfej
…………………………………………..
a@z 21-08-2017
Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar