Me poeten Zamira Agalliu

0
1019

Përqafimi im i ngrirë.
Përherë fati më merr për dore nga pas
Po unë i vihem kundra, ç’të bëj ?
Pastaj ai fiton e rrjedhën e tij ngas
Edhe mendimin tim Ai kërkon ta zhbëj
Kështu rob i tij jam e vuaj shpirt-këputur
Vorbullës mbytem e dal në breg të qaj
Ai ngadalë shpirtin tim rrebel ka zbutur
Pastaj e përqafoj pa i vënë vetes faj
Në breg mbeti përqafimi im i ngrirë
Si një palmë mbeta që dallga e mbulon
Nuk i thashë, as Të Dua as Lamtumirë
Se è di që fati ç’të jep, prapë ta rrënon !!
………………………………………….

Oshëtima !
Ti s’duhet ta dish një të fshehtën time
Që xhelozin tënde e lexoj dashuri
Mos fluturo për të qenë i mrekullueshëm
Kur, edhe mungesa jote më çel në gji.
Mos vall u dashurova me oshëtimën atje ?
E jo me detin e thellë blu
Mos vall u dashurova me mungesën ndër ne…
E nuk jam dashuruar ende me ty ?
:::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::

Vijës së diellit.
Shpirtin e shëndrrova në dru
Ai, m’u bë varkë
U end deteve kuturu
Dhe ditën me natë.
U nis me mua si shigjetë
Një pulëbardhë e dashuruar
Më ndoqi shikimi i saj i mprehtë
Vijës së diellit shkruar.
———————————

Parfumi në ajër.
Një pikë loti i kristaltë jam unë, në trishtimin tënd
Ti, psherëtimë e thellë, i ndez yjet e nuk flet
Unë, ajo gllënka e parë e verës, që të le pa mend
Ti, hënë e plotë që rojë më rri pas xhamit e zbehtë.
Ti, ai rrethi i unazës së florinjtë, që xhelozon e dhemb
Unë, një zog i hutuar, që hyri gabimisht në dhomë
Ti, rrufeja që bie prej qiellit e djeg një pemë
Unë, ai parfumi në ajrin tënd, që mungon.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar