PS ka shanse të mira të fitojë mbi 71 deputetë
Arben Çokaj, Shkodër, 27.05.2017
Lista e kandidatëve të PD-së për deputetë, e bërë publike pjesërisht në mesnatë, ngjalli jo pak diskutime mes demokratëve e më gjerë në shoqërinë tonë, ku u vunë re kryesisht tre gjëra:
1. Largimi i disa eksponentëve me reputacion në PD, që kanë bërë emër në atë parti, që me krijimin e saj ose më vonë.
2. Futja në listë e njerëzve pa përvojë politike, ose pa ndonjë kontribut politik e publik, dhe pa njohuritë e duhura në politikë.
3. Përfshirja e njerëzve në lista, të përmendur për korrupsion e abuzime, edhe pa qenë e nevojshme përfshirja e tyre, për shkak të votave që marrin ose jo.
Me pak fjalë, mund të thuhet se lista e PD-së me kandidatët për deputetë, lë shumë për të dëshiruar, dhe as që bëhet fjalë për fitore, e aq më tepër për Republikën e Re, që kaq shumë e artikuluan në ‘çadrën e lirisë’, kreu i PD-së Basha me demokratët e tjerë.
Lista e PD-së, është një listë e varfër, dhe pasqyron si duket edhe njohjen politike të varfër të kryetarit Basha dhe komplekset e tij të inferioritetit, për të larguar të gjithë konkurrentët në PD, që të mbesë vetëm ai, mes budallenjve dhe servilëve në PD, duke e dëmtuar rëndë edhe më tej këtë parti, demokracinë e saj, dhe duke e drejtuar atë vetëm drejt humbjes së sigurtë.
Pati kritika të shumta për listën si “me mungesa të mëdha, të papërligjura” nga Besnik Mustafaj. Ndërsa Jozefina Topalli – një nga të përjashtuarat e listës, u mor me urimin e Bajramit dhe në fund, e mbylli me fjalët: “Është koha për të forcuar besimin, dhembshurinë, drejtësinë e të vërtetat”. Me këtë ajo duket se donte të thoshte se “fundi mbahet mend!” Majlinda Bregu e prekur gjithashtu nga kjo listë, u zgjat më tepër në trajtesën e saj, duke treguar se “hynë në listë ata që ishin kundër hyrjes në zgjedhje të PD-së…”
Kur Rama thoshte se PS do të marrë 71 deputetë, më dukej parodi, derisa pashë listën e PD-së… Basha u nis me “çadrën e lirisë” drejt Republikës së Re, por si duket nuk është në gjendje të përfaqësohet më mirë se kaq. Ai me këtë listë, e tregon veten se nuk është në gjendje të nxjerrë produkt politik më shumë se kaq, pasi ai nuk i afron elektoratit demokrat dhe Shqipërisë më shumë se kaq, prandaj si duket është edhe i dënuar të qëndrojë në opozitë…
Benjamini i Jozefinës në listë, ajo jashtë…
Lorenc Luka mbahej dikur, pas zgjedhjeve të vitit 2005, si benjamin i Jozefinës. Ai kishte ngritur alibinë se është ‘krahu i Jozit’, dhe kur i kërkoje të kryente një punë, normalisht zyrtare e ligjore, dhe i përmendje PD-në e politikat premtuese të saj në atë kohë, ai ta kthente: “Kush është PD?”. Dmth. luaj gishtat… Nga mekanik, Lorenc Luka është pasuruar mirë nga pozicionet e tij drejtuese në Shkodër, si Kryetar i Këshillit të Rrethit e Kryetar Bashkie, dhe me ndihmën edhe të Jozefinës, ai ka arritur t’i bëjë disa investime në Shkodër. Por për korrupsion, është më i përfolur se Jozefina.
Atëherë përse Basha zgjodhi Lorencin në vend të Jozefinës? Sepse Lorenci nuk e konkurron… Lorenc Luka nuk i merr as 5 vota në Shkodër, po të mos votohej për PD-në. Ashtu si ky, edhe disa kandidatë të tjerë në listën e PD-së. Ndërsa Topalli do të kishte më shumë peshë, se secili nga këta në atë listë.
Nard Ndoka hijezon Ramiz Çobaj
Në listën e PD-së së Shkodrës, Nard Ndoka është vendosur si numri 5, ndërsa kryetari i PD-së për Shkodrën numri 8. Mendohet se PD në Shkodër mund të fitojë 5 ose 6 deputetë, nga 11 gjithsejt. Ramiz Çobaj ka qenë deputet në pothuajse dy mandate dhe pati fituar në vitin 2005 kundër deputetit Lekë Çukaj. Kam bindjen se Ramizi fiton kokë më kokë kundër secilit kandidat të PD-së në listën e Shkodrës, nëse do kishte zgjedhje të tilla, edhe kundër numrit 1 në listë, Romeo Gurakuqit.
Atëherë përse e injoron Basha kështu kryetarin e PD-së në Shkodër? Po kryetarin e PD-së në Malësi të Madhe, Anton Kokaj, të cilin e ka vendosur si numrin 7? Injorimi i dy kryetarëve të degëve, dhe mosvënia e përfaqësuesve të Malësisë së Madhe, apo të Pukës në listën e 6 emrave të parë në listë, ka mundësi se do i shkaktojë humbje të mëdha PD-së, në qarkun e Shkodrës. Votuesit e Malësisë së Madhe dhe Pukës kanë vota për të nxjerrë 3-4 deputetë, dhe injorimi i votave të tyre nga PD, do e favorizojë patjetër PS-në në këto zgjedhje, ku mund të parashikohet se rezultati në qark mund të dalë 5 me 5, dhe 1 mandat mund ta marrë LSI.
Lista e Bashës për zgjedhjet e 25 qershorit nuk mund të thuhet se është e pastër, pasi ka elementë të korruptuar e të inkriminuar në të, ndër ta edhe Lorenc Luka, me të cilin veniten ëndrrat për një Republikë të Re. Pasi nesër, kur të zgjidhet deputet, po t’i thuash atij, se kështu ka premtuar Basha për Republikën e Re, ai fare thjeshtë mund ta kthejë me snobizëm e mos-varje: “Kush është Republika e Re?” Njerëzit e korruptuar nuk mund të ndërtojnë një Republikë të Re, e as nuk mund të ngjallin shpresa për ndryshim! Duhen njerëz të aftë, të ditur e me energji pozitive, që e duan këtë vend për ta ndryshuar, e jo për t’u pasuruar.
Botuar në gazetën Dita, 29.05.2017