”Me Berishën u prisha në momentin kur s’e duroja dot më. PD u bë neveria e shqiptarëve prej tij.”

0
898

Pamfleti, 14 qershor 2016

Besnik Mustafaj rrëfen arsyet që e çuan nga dorëheqja si ministër i Jashtëm dhe shkëputja nga Partia Demokratike.

Ai flet edhe për marrëdhënien me Sali Berishën, me të cilin aktualisht Besnik Mustafaj nuk ka një komunikim të rregullt, por thjesht okazional.

Ata nuk janë “armiq” me njëri-tjetrin. Thjesht i ndan koncepti i ndryshëm që kanë për politikën.

Një nga arsyet themelore, që e ndau rrugën politike me Berishën ishte pikërisht metoda e të bërit politikë.

Kur arriti pikën që unë nuk e duroja dot më, u prishëm dhe kaq. Ne nuk u prishëm për ndonjë pazar me njëri- tjetrin, por ne të dy ndamë rrugën politike”, – tregon ai në një rrëfim për revistën Mapo.

Mustafaj kujton se marrëdhëniet me liderin historik të PD-së kanë qenë të qarta në kuadrin e bashkëpunimit epror-vartës.

Thotë se, asnjëherë nuk e kanë përzier miqësinë me vartësinë në politikë. Mustafaj është njeri hierarkik dhe shumë institucional në marrëdhëniet e punës dhe këtë parim e ka ndjekur edhe me Berishën.

Kur kam qenë vartës i tij apo edhe këshilltar, gjërat ia kam thënë pa rrena. Unë kam qenë ndoshta nga të vetmit gjatë gjithë jetës së tij politike, që ia kam thënë gjërat edhe kur nuk i pëlqenin. Në pjesën e raportimit unë e kam pasur parim të mos e gënjeja. Ai ishte burrë shteti dhe duhet t’i dinte gjërat siç i merrja vesh unë. Nuk kam pasur kurrë këmbënguljen, që unë mbizotëroj të vërtetën. Ai duhej ta verifikonte atë se kishte 100 hapësira për ta bërë një gjë të tillë”, – rrëfen Mustafaj.

Por marrëdhënia institucionale mes tyre, pavarësisht miqësisë, nuk mbizotëroi bindjen e Mustafajt se politika duhej bërë ndryshe. Është nga ata që mendon se politika duhet bërë e qetë, pa vulgaritet dhe pa provokime. Kjo pasi në këndvështrimin e tij, politika është sa serioze aq edhe njerëzore dhe shumë qytetare.

Dhe kur dëgjoj Berishën, të cilin në 35 vjet miqësi nuk e kam dëgjuar kurrë në tavolinë të përdorë një fjalë banale, dhe e dëgjoj ta përdorë atë në aulën e Kuvendit, ky për mua është një Berishë tjetër. Nuk është ai që unë njoh dhe çmoj”, – thotë ai.

Mustafaj është i mendimit se Berisha bie shumë lehtë në kurthin e Edi Ramës, të cilin ai e cilëson një provokator.

Madje, Berisha në bindjen e Mustafajt, i shkon më lart provokimit duke tërhequr pas shumë njerëz të tjerë të politikës. Sepse fuqia e Berishës, për Mustafajn, është shumë herë më e fortë, “qoftë në të mirë e qoftë në të keqe, duke krijuar një lokomotivë që tërheq edhe Ramën me vete, e për pasojë ndot krejt skenën politike”.

Por, pavarësisht njohjes deri në detaj, thotë se nuk e ka përdorur në librat e tij Berishën si personazh. Eksperiencën e tij me të po, por jo Berishën. Dhe kjo të çon tek pikëpyetja tjetër: A ndihet ai i zhgënjyer nga Berisha?

Nuk mendoj se Berisha më ka zhgënjyer mua. Unë besoj se Berisha ka zhgënjyer shqiptarët dhe kjo për mua është e dhimbshme. Sepse Sali Berisha, me gabimet shumë të mëdha që bëri në mandatin e tij të dytë qeverisës, krijoi të gjitha mundësitë, që në krye të Shqipërisë të vinte Edi Rama. Dhe ky është një dëm shumë i madh, që Berisha u ka bërë shqiptarëve. Po të qeveriste ndryshe Berisha, as PD-ja nuk do të katandisej aty ku u katandis. PD-ja u bë neveria e shqiptarëve dhe ky është krejtësisht faji i Sali Berishës”, analizon Mustafaj.

Për mazhorancën aktuale thotë se është thjesht si partiturë pa kodin e saj harmonik. Protagonizmi i Edi Ramës, për Mustafajn, është ekzibicionizëm që nuk prodhon aksion politik.

E sheh kryeministrin e vendit thjesht si një njeri, që kërkon të jetë në qendër të vëmendjes, duke u ngritur mbi rëndësinë e rezultatit. Edhe opozitën e sheh të pastrukturuar dhe të paqartë në reagim. Sepse një opozitë, në këndvështrimin e tij, duhet t’u drejtohet shqiptarëve dhe jo qeverisë.

Ajo duhet të ndërtojë opinionin publik. Ai që pret është opinioni publik. Nuk është qeveria. Nuk e kam parë akoma qeverinë që të mërzitet nga sjellja e opozitës, sepse Edi (Rama) di ta lexojë këtë gjë”, – shton ai.

Sa për të djathtën, ai e sheh krejt të dekurajuar.

Është një e djathtë që ende po vuan pasojat e shpërndarjes pa kriter të pushtetit kur ishte në qeverisje. Nuk ka se çfarë kërkon Kastriot Islami me të djathtën shqiptare, apo Asllan Dogjani, bie fjala, apo disa figura të tjera, që janë totalisht të afishuara si pjesë e të majtës shqiptare…”, – mendon Mustafaj.

/TemA