Mbrojtja e lirisë së fjalës nuk është fakultative

0
578
Dr. Fatmir Terziu

Dr. Fatmir Terziu

Mediat online gjithnjë kanë qenë në ballë të Lirisë së Shprehjes, në ballë të Fjalës së Lirë. Kështu me sa duket si të tilla janë vënë tashmë në ballë të sulmeve të arsyeshme e të paarsyeshme të Qeverisë Shqiptare, duke pretenduar ligjin. Për këtë Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar publikoi në faqen zyrtare një listë me 44 emra portalesh të paregjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Në këtë komunikatë të shpërndarë për mediat AKEP në mënyrë ultimative u kërkon këtyre mediave online që të regjistrohen në QKR dhe brenda 72 orësh te deklarojnë niptin përkatës në seksionin Kontakt të faqes së tyre online ose në të kundërtën do të mbyllen.

Kjo ndodh pikërisht në një kohë kur “shpifja”, si fjalë e ripërsëritur e Kryeministrit shqiptar kërkon të bëhet paketë anti-shpifje më nismën e tij, si një ligj mjaft i debatueshëm. Kjo ndodh në të njëjtën kohë kur muajin e kaluar, dy gazetarë në Myanmar u burgosën për të raportuar për një masakër të Muslimanëve në Rohingya. Kjo ndodh kur vetëm dy javë më parë, autori turk Ahmet Altan u dënua me burgim të përjetshëm pse guxoi për të kritikuar qeverinë e tij. Ndodh në të njëjtën kohë dhe me atë që ndodhi javën e kaluar kur gazetari saudit Jamal Khashoggi u vra në konsullatën arabe në Stamboll, dhe po në të njëjtën kohë kur gazetarja Victoria Marinova u përdhunua dhe u vra në Bullgari. Dhe në Shqipëri u dëgjuan plasjet e dinamitit në një shtëpi me lidhje të një gazetarej të kronikës së zezë.

Pak ditë më parë “Pen Anglia” nëpërmjet të kësaj organizate theksoi se “ne dhamë “Pinter Writer of Courage Award” për Waleed Abulkhair, i cili po shërben 15 vjet në Arabinë Saudite për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.” E pyetur nga mediat ajo tha se mirëpriste deklaratën e shqetësimit të Sekretarit të Jashtëm lidhur me vrasjen e dyshuar të z. Khashoggi, por përgjigja e qeverisë britanike ndaj rritjes së abuzimeve të të drejtave të njeriut në mbarë botën duket më reaktive sesa strategjike. Mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk mund të jetë një shtesë fakultative në politikën e jashtme. Shtetet që garantojnë lirinë e shprehjes janë më të sigurtë dhe më të begatë dhe bëhen partnerë më të besueshëm tregtar për Mbretërinë e Bashkuar.”

Sipas drejtoreshës së “Pen-Anglia”, Antonia Byatt, nënkuptohet qartë se liria e shprehjes së lirë ndihmon në ecjen përpara, aq më shumë kur media të tilla të vëna në shigjetën dhe sulmin qeveritar kërkojnë më shumë vëmendje ndërkombëtare. Ne, si drejtues së medias së lirë dhe të shkruar për komunitetin shqiptar në BM, nëpërmjet një emaili dhe një letre ia bëmë të qartë këtë shqetësim dhe presim një përgjigje zyrtare nga Drejtoresha e PEN.

“Pen-Anglia”, mbron të drejtën e lirisë së shprehjes në Mbretërinë e Bashkuar dhe në shkallë ndërkombëtare. “Pen-Anglia”, mbron literaturën më të re emocionuese në përkthim dhe u jep të rinjve dhe refugjatëve mundësinë për të zbuluar aftësitë e tyre kreative. “Pen-Anglia”, është anëtari themelues i një rrjeti në mbarë botën prej 140 qendrave PEN dhe po synon më tej.

Lexo ketu: http://www.fjalaelire.com/tema/35537.html