Mbreti që “trondiste” botën

0
2395

Dionis Xhafa

Ekzistonte një mbret, në shtetin më të përparuar të Lindjes së Mesme, që për shkak të despotizmit të tij, edhe republikën veç e rrokulliste në regres. Por mbreti ynë, duke qenë se kishte vendosur diktatin, fitonte absolutisht shumicën e votave në vendin e tij. Disa vota i fitonte prej frikës së hakmarrjes, disa prej besimtarëve që e besonin verbërisht, disa prej besimtarëve që përdornin besimin për pushtet, e disa vota sepse Mbreti në mitingjet e tij tunddte librin e shenjtë të fesë dhe kështu tërbonte tërë miletin. Pas këtij gjesti të Mbretit, sheshi i mbushur përplot me njerëz, ziente.

Flamujt e kombit valëvisnin së bashku me ata partiakë e lideri kishte thënë: “Partia, atdheu, kombi janë një. Kush del kundër, është një krimb e një tradhtar”. Kësisoj, kush nuk besonte propagandën e mbretit, vritej, qëllohej, burgosej, internohej, largohej me forcë nga vendi, pasi i ngjiteshin akuza politike. E mbreti vetëm e vazhdonte propagandën e vet duke mos lejuar askënd ta shante sepse ndryshe e fuste në burg. Kur propagandën e vet donte ta zhvendoste në shtete të Perëndimit, në Holandë u ngritën udhëheqësit politikë. Duhet pranuar se edhe në Holandë ka shumë racistë, por përgjigja e holandezëve ishte sidoqoftë e mirë: “Nuk ka propagandë në Amsterdam, në sheshet e lirisë njerëzore, në sheshet e Europës”.

Mbreti u xhindos dhe akuzoi: “Ju jeni fashistë, nazistë, keni strehuar kriminelë”. E kriminelë iu thoshte atyre që kishte larguar nga vendi i vet, vetëm pse nuk i bindeshin lartmadhërisë së tij, pasi ata njerëz kënd nuk kishin vrarë e krime nuk kishin bërë. E mbreti mendonte se kështu ishte duke u bërë hero i njohur, e se po njihej si shpëtimtar jo vetëm i popullit të tij, jo vetëm i besimtarëve të fesë së tij, por se kishte influencë të mirë e të padiskutueshme kudo në rruzullin tokësor. Ndërsa mendonte se veç ai ishte madhor, mbreti ndër sytë e europianëve ishte qesharak, shumë qesharak.