MBRETËRESHA E MBRETËR PELLAZGO–ILIRO-SHQIPTARË

0
4574

Prof. Dr. Rexhep DoçiPrishtinë

Për një numër të madh të mbretëreshave dhe mbretërve ilirë, që kanë sunduar Ilirinë, si dhe për shtrirjen e ilirëve dardanë dhe sundimin apo rolin e tyre në tri kontinente, edhe në kohën që quhet Perandoria Romake, sidomos në antikë, kujtoj se hedh dritë më së miri mendimi i Karl Patch-it, që flet për më së 16 perandorë apo mbretërë ilirë, prej të cilëve 6 ishin dardanë, të cilët sundonin përmes Romës një pjesë të botës, siç konfirmon autori: “Shumë Ilirë muarën perandorinë romake në dorë e u bënë madje edhe perandorë me peshë e me rëndësi të madhe. Ndër këta perandorë të mëdhenj, shpetimtarë të Romës, numrohen: Klaudi II, Aureliani, Probusi, Karusi, Diokleciani, Konstantius Klarusi, Konstantin Magnus (i Madhi), Justini I, Justiniani e Justini I, Klaudi II, Konstant Klori e i biri i tij Konstantini i Madh, Justini I, Justiniani e Justini II ishin të gjithë prej Dardanie.” Siç po shihet emrat e ilirëve janë përtërirë në dinasti me emra të njëjtë, p. sh. Klaudi II, Konstant Klori e Konstantini i Madh, Justini i I dhe i II dhe Justiniani etj.

Është shkruar shumë edhe sa u përket fiseve të ilirëve dardanë dhe fiseve thrakase për nga përcaktimi i përkatësisë së tyre etnike, dhe përcaktimit të kufirit ndërmjet tyre, për të cilat çështje ka mendime të ndryshme të autorëve të ndryshëm. Mendimi im është se kufi të prerë ndëretnik ndërmjet këtyre dy popujve antikë, ilirëve dhe thrakëve nuk ka pasur, aq më parë sepse ka pasur lëvizje etnosesh, si dhe se që të dy gjuhët e këtyre dy popujve, ilirishtja dhe thakishtja burojnë nga një gjuhë e madhe e përbashkët, që është indoevropianishtja, të cilat edhe kanë shumë cilësi të përbashkëta gjuhësore sidomos në leksik dhe fonetikë historike.

Mandej, dëshmohet se ka pasur lëvizje etnosesh, po edhe mbizotërime të ndërsjella luftarake, kulturore dhe ekonomike, duke krijuar shtresëzime gjuhësore, marrëdhënie apo ndikime që mund të ndriçohen më së miri me anë të fushës së sotme të onomastikës, që përbëhet nga antroponime, patronime, oikonime, oronime, hidronime, ekzonime, ktetikë etj., të dhëna këto që sot ekzistojnë në terren, dhe të cilat do t’i mbarshtrojmë përmes shqyrtimit të oikonimisë së Kosovës në diakroni dhe sinkroni. Kështu, nga këto dy gjuhë ilirishtja dhe thrakishtja lindi shqipja, në të cilën sidomos gjatë krishtërimit ndikuan gjuhë të tjera të mëvonshme, si gjuha romake apo latine, gjuha greke, gjuhët e sllavëve të jugut, e në kohën më të re pesqindvjeçare, gjatë islamizimit edhe gjuhët orientale, përmes turqishtes. Për t’i kuptuar shtresëzimet e këtyre gjuhëve, sidomos të ilirishtes dhe thrakishtes, po i citoj mendimet e disa studiuesve.

Sipas E. Gatti-t, mbretëria apo sundimi ilir ka zgjatur prej vitit 219 p. e. s. e deri në vitin 27 të e. s. Mirëpo, 16 mbretërve ilirë që i cek K. Patch-i po ua shtoj edhe 15 mbretërë ilirë, sipas studiuesit kroat Duje R. Mioçeviqit, të cilët shfaqen që nga shek. V p. e. s., siç na i ka ofruar në origjinal autori: “1. Sira (Sirhas) – Fundi i shek. V – fillimi i shek. IV p. e. s.; 2. Bardilis (Bardylis) – Ka vdekur në v. 359 p. e. s.; 3. Grabo (Grabos) – I njohur rreth v. 356 p. e. s. (Besohet se është i biri i Bardylit?); 4. Pleurat (Pleuratos). I njohur rreth v. 344-3 p. e. s. (Mbase edhe ky i biri i Bardylit, përkatësisht i vëllai i Grabit); 5. Klito (Klitos). Ky mbret ka sunduar në v. 335 p. e. s. (I biri i Bardylit).; 6. Glaukija (Glaukos). Sundon Ilirët në v. 317 – 303 p. e. s. . Në v. 335 përmendet si sundimtar i Taulantëve; 7. Bardilis (Bardylis) II. I njohur në v. 295 -290 p. e. s.; 8. Monuni (Monunios). I njohur në v. 280 p. e. s. (Besohet se ishte i ibiri i Bardylit të II ose i Grabosit); 9. Mitilije (Mitylios). I njohur në v. 270 p. e. s. (Besohet se është i biri i Monunit); 10. Pleurati (Pleuratos). Sundon rreth v. 260 (?) p. e. s. (Besohet se është i biri i Mitilit); 11. Agroni – Përmendet në v. 231 p. e. s. (I biri i Pleuratit); 12. Pinesi (Pinnes). Ka vdekur pas vitit 217 p. e. s. Ka sunduar me këshillat nga njerka e tij Teuta, po edhe nga axha Skerdialidi dhe Dimitrije Hvaranini. (Është i biri i Agronit); 13. Skerdilaidi.

Përmendet ndërmjet viteve 212 e 206 p. e. s. 14. Pleurati (Pleuratos) II. Ka sunduar i pavarur që nga v. 206 – 180 p. e. s.; 15. Genti (Genthios) – Ka sunduar nga viti 180 -168 p. e. s.”. Po t’i krahasojmë si antroponime emrat e perandorëve ilirë të ofruar nga K. Paçi me emrat më të moçëm, të para erës sonë të D. R. Mioçeviqit, shihet se shumë emra të mëhershëm përqasën më tepër me gjuhën shqipe, si p. sh.: Bardilis-Bardylis nga fjala (i, e) bardhë; Grabo-Grabos nga fjala grab, krap, krep, grep, shkrep,shkëmb i thepisur; Monunije-Monounios nga fjala mont-mant, mon-man “dru peme-mani, dudi”; Mitilije nga fjala mi-mitil (me kuptimin i vogël, vogëlsi, imtësi); Gencije-Gentios nga fjala (i, e) zezë, gen-zen-zent (për e zezë, si Genta-Zeta?) etj. Emrat e këtyre 31 mbretërve ilirë, si dhe edhe sa e sa mbretëreshave dhe mbretërve të tjerë pellasdo-iliro-shqiptarë, që do t’i mbarshtrojmë në vijim, kanë rëndësi të madhe, të jashtzakonshme për historinë e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe, gjuhë kjo që deri më sot është konstatuar se është shkruar relativisht vonë, në shek. XV-XVI (viti 1555).

Së pari, shihet se pellasdo-ilirët, që përbëheshin prej fiseve të shumta dhe i kishin sundimtarët e vet në provincat e veta, sipas të dhënave historike sundonin përafërsisht prej shek. V p. e. s. e deri në vitin 560 të erës sonë, pra prej më tepër se 10 shekujsh, që nga sundimtari ilir, sipas D. R. Mioçeviqit “1. Sira (Sirrhas) – Fundi i shek. V – fillimi i shek. IV p. e. s, e deri në vitin 560, kur e ka shkruar Prokopi i Cezaresë veprën e tij kapitale, ku bëhet fjalë gjerësisht për Justinianin Prima – Justiniani i Parë (535-549), si ceket “themeluesi i perandorisë botërore”, dhe Justiniana Sekunda (Justiniani i Dytë), viti 227.

Së dyti, 16 emrat e perandorëve ilirë gjatë periudhës së mëvonshme romake nuk përngjajnë pothuajse fare dhe gati asnjë me emrat paraprakë të para erës sonë, dhe siç shihet i përkasin një shtrese krejt tjetër të re gjuhësore. Ky ndryshim i antroponimeve ilire-shqiptare është edhe më i madh, pra, kur depërtojnë antroponimet hebraike të periudhës krishtere, me rastin e përhapjes së krishtërimit ndër pellasdo-iliro-shqiptarët, kohë kjo e bujshme gjatë së cilës pjesa më e madhe e të cilit etnos asimilohet apo konvertohet në popuj përkatës grekë (helenë), romakë (italianë), keltë (gjermanë), galë (francezë?), rumunë dhe në sllavë, veçmas në sllavë të jugut në Siujdhesës Ilire. Edhe më vonë, gjatë 500 vjetëve të sundimit osmano-turk u krijua shtresa antroponimike orientale, me rastin e përhapjes së islamizmit ndër një pjesë të etnosit iliro-shqiptar të Ballkanit apo të Evropës Juglindore dhe në Azinë e Vogël.

Po t’i krahasojmë emrat e këtyre dy grupeve të dy periudhave kohore, pra të 31 mbretërve ilirë, bie në sy çështja, se derisa tek autori K. Paç 16 emrat ilirë janë dhënë si antroponime të thjeshta, vetëm si emra ilirë, pa treguar kohën se sa vjet sunduan (po kanë rëndësi se 6 perandorë cilësohen si ilirë dardanë gjatë sundimit romak), te D. R. Mioçeviqi janë dhënë dëshmi më të plota dhe në detaje, duke treguar saktësisht kohën për sa vjet sunduan secili mbret, mandej tregon për nepotizmin apo dinastitë farefisnore ose të krushqive, duke trashëguar mbretërinë nga njëri-tjetri në farefisni, gruaja, i biri, vëllai, nipi etj. Ka përplot emra të tjerë të mbretërve ilirë me peshë gjuhësore dhe etnike, të cilët nuk përmenden në këto dy grupet e larttheksuara, prej 31 sish. Prandaj, këtyre perandorëve apo mbretërve ilirë po ua shtoj edhe disa mbretëresha e mbretër ilirë të tjerë, për të cilët po i themi disa të dhëna për t’i dëshmuar etnikisht dhe gjuhësisht pellasdo-iliro-shqiptarë në bazë të të dhënave historike dhe gjuhësore-onomastike.

1) ADMETI

Një mbret me emrin Admeti është me interes si për kohën kur shfaqet dhe ku shfaqet, ashtu edhe për nga pikëpamja etimologjike gjuhësore e kuptimore, sepse shfaqet në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, për të cilin është thënë: “Admeti, mbret molos i fillimit të shek. V para erës sonë. Diod XI 56, 1 e 2”. Në bazë të gjetjeve arkeologjike në Shqipëri, dëshmohen si antroponime ilire me bazën ad-, për shembull arkeologu Vangjel Toçi bën të ditur: “Adamatos asht me origjinë ilire, mbasi atë e lexojmë në një monedhë bronxi të Shkodrës, kryeqendër e shtetit ilir të Ardianëve, dhe nuk gjendet në viset greke…Adamatas m. në Durrahachium”. Një mbret ilir të ngjashëm me këta që i thekson V. Toçi me bazën ad-, por me tjetër trajtë, e përmend edhe D. R. Mioçeviqi, duke e cituar edhe Radosllav Katiçiqin, si Adrianta (‘Adpíáς) (po nuk dimë se a kemi të bëjmë me të njëjtin mbret), nga kuptojmë se sikur nga ky eponim ilir e ka marrë emrin edhe Deti Adriatik, sepse bën të ditur: “Njëherë ai shfaqet si i biri i Adriantit (‘Adϼíáς), që i njëjti është konsideruar mbret ilir dhe eponim i Detit Adriatik, ndërsa herën e dytë, si i biri i Dirahut (Dύϼϼýος), eponim i qytetit të Dirahut (Durrësit, shek. III p. e. s.”.

Kështu, në bazë të këtij mendimi të D. R. Mioçeviqit për mbretin ilir Adriant si eponim për Detin Adriatik, gjasët janë se hidronimi apo deti grandioz në tokat ilire, Adriatiku mund të jetë ruajtur me këtë trajtë Adriatik më së miri te shqiptarët dhe në shqipe, nga: Adriatik = Ad- “dhé” e –at “ati, babai (pra, ati i ujit, uji i dal prej dheut) dhe prapashtesa –ik (?), sepse e dimë se sllavët e përdorin Jadransko More. Sa i përket mbretit ilir Admet, po shtoj se edhe V. Zamarovskij flet për një “Admet (greq. Admetos, lat. Admetus) – i biri i Feretit…, mbret në Traki”, dhe se bën fjalë për bashkëpunimin e tij me mbretin ilir Herakli (Herkul, Herkules), që Herkuli kishte shkuar edhe në Trakë, siç shkruan V. Zamrovskij: “Admeti e priti Herakliun me nderime çfarë i takojnë birit të zotit suprem”, si dhe se Euripidi e cek në tragjedinë e tij (438. Para e. s.), dhe ruhet “në dy freska: Admeti dhe Alkestida nga bazilika në Herkulanum (rreth vitit 70 para e. s. – sot gjenden në Muzeun Kombëtar në Napoli)…”. Nuk dimë saktësisht se a kemi të bëjmë me të njëjtin mbret Admeti, si mbret ilir dhe trakas, kur dihet se para ilirëve gati i tërë Ballkani banohej nga thrakasit.

Sa i përket përdorimit të antroponimit Adam gjatë mesjetës te shqiptarët, në një artikull bëhet e ditur për një dokument të ri parabuzukjan të shqipes, të shek. XIV, ku përmendet edhe antroponimi i shqiptarëve me trajtën e hershme Adam. Në atë artikull flitet edhe për dy profesorë austriakë, Stefan Schumcer dhe Joachim Matzinger nga Akademia e Shkencave e Austrisë, të cilët në bazë të këtij dokumenti shqip, “kanë arritur në përfundimin se një pjesë e gjuhëve si latinisht, gjermanisht dhe thuajse pjesa më e madhe e gjuhëve të Ballkanit, kanë elemente të rëndësishëm të gjuhës shqipe”. Këto të dhëna pellasde, ilire dhe shqipe për njeriun e parë Adam, i krijuar sipas mitologjisë nga dheu, kanë rëndësi të madhe, se antroponimi Adam është përdorë tek ilirët antikë dhe të shqiptarët krishterë mesjetarë, para se të futej në përdorim në shqipe me trajtën Adem edhe përmes turqishtes te shqiptarët myslimanë, dhe se kemi arsye ta kërkojmë tek emri vetjak Adam – Adem rrënjorin –da- (-de-, -dhé-), me a-në protetike dhe me -m-në fundore.

Edhe dy orientalistë boshnjakë nga Sarajeva, Ismet Smajlloviqi dhe Abdullah Shkaliqi antroponimet e tipit Adam – Adem i shohin me prejardhje të lashtë nga fjala dhe-u, që sidomos –d-ja hedh dritë më së afërmi për etimologjinë prej shqipes dhѐ. Gjerësisht, në 11 pika si të parin e botës Adam e kanë trajtuar bashkautorët Jean Chevalier – Alain Gheerbrant në veprën voluminoze “Fjalori i simboleve”. Këta autorë e shqyrtojnë këtë antroponim vetëm me trajtën Adam, dhe të cilët ofrojnë të dhëna bindëse historike, si për prejardhjen kuptimore po ashtu edhe gjuhësore (dhe shtojnë se për të mund të shkruhen shumë libra), disa prej të cilave dëshmi po i mbarshtrojmë në vijim: “1. Adami simbolizon njeriun e parë dhe fotografinë e Zotit. Adami është i pari në natyrë, maja më e lartë e krijesës tokësore, qenja më e lartë e llojit njeri… 4) Mirëpo, shfaqet edhe Adami i dytë, Jezu Krishti (Isus Krist). Njeriu i parë është i krijuar prej dheut – tokësor; i dyti është njeriu që ka zbritur prej qiellit…6. Adam dmth. njeriu i dheut, të cilin Zoti e krijoi prej dheut (në hebraisht: adamah: toka e përpunuar; sipas hipotezës tjetër: dheu–toka e njerëzve. Duke treguar krijimin e Adamit para Evës (Eva ka lindur prej brinjve të Adamit)…”.

Kjo fjalë ad shfaqet me trajta dhe kuptime të ndryshme ndër popuj të ndryshëm, për të cilën, ndër të tjerë njofton edhe etimologu Petar Skoku, prej të cilit po e shkoqisim këtë mendim: “ad m, që gjendet në gjuhët e disa sllavëve orthodoksë (Bullgarëve e Rusëve) është sinonim për parajsë, që është huazim nga greq. vj. Ãdíς (Adis) (hadi, bota nëntoksore) > lat. Ades > ital. ade…”. Dijetari Dhimitër Pilika bën fjalë në punimin “5. Përputhje onomastike pellazgo-ilire dhe shqipe” për rëndësinë e onomastikës, dhe i përmend edhe tri trajta të njëjta apo të përafërta me emrin e këtij mbreti ilir në fjalë, siç gjykon: “Onomastika, si disciplinë shkencore e përpiktë, falë hulumtimeve të veta, vjen e përputhet plotësisht me mbarë konkluzionet e historiografisë, arkeologjisë, qeramikologjisë, gliptografisë, epigrafisë, folkloristikës etj. Kështu dokumentohet edhe një herë objektivisht, me praninë e trajtave pellazge në gojën e ilirëve dhe shqiptarëve, sikurse e pohon etimologjia, se këta janë të vetmit trashëgimtarë të pellazgëve, popullit më të vjetër ballkanas dhe evropian që njihet deri më sot…Fjalë pellazgo-ilire: ADMET, ADMAT, ADAMAT, (i njëjti antroponim: në Epirin pellazg e në Iliri”.

Në rrjedhën e njeriut të parë të krijuar prej dheut, apo, siç thotë studiuesi amerikan Zacharia Sitkins (në veprën “Planeti i 12-të”, 2006), për krijimin e botës nga njerëzit e parë jashttokësorë Nefilimet (mbase nga shqipja Në+fillim?), fjala ad si ot qendron edhe në emrin e krahinës Mesopotami, që autori në fjalë e sheh të krijuar “në tri rrjete kryesore lumenjsh dhe ultësirat e tyre: Nili, Indusi e Tigër-Eufrati”. Lidhur me burimin e kompozitës Mesopotami, po e shpreh mendimin apo një hipotezë jo pa rezervë, se mund të zbërthehet nga elementet gjuhësore të protoshqipes: Mes “midis, ndërmjet” + op “ujë” + ot “at, baba” + am “âmë, nënë-nanë”, që përputhet përafërsisht me mendimin e dijetarit Z. Sitchin, se nga Nefillimet (krijuesit e botës-njerëzimit): Krijimit në mes të ujërave të Rrafshinës se Mesopotamisë, sidomos ndërmjet lumenjve të mëdhenj Tigër dhe Eufrat, nga ati (ot) dhe e âma (ëma) linden Nëfillimet, krijuesit e dheut (ad>ot-aIt) = Mesopotami = mes ujit ati dhe ama(?). Unë këtu, për të treguar kultin ndaj dheut dhe ujit po e theksoj edhe një dukuri, që vetë e kam përjetuar. Më kujtohet se qoftë bujqit, argatët kur e mihshin misrin në arë, ose barinjtë (çobenjtë), kur hajshin bukë në kullosa si bari, në mungesë të ujit për t’i larë duart, i fërkonin duart me dhé e thoshin: Zoti e faltë e e shtoftë!

2) ALEKSANDRI I MADH

Aleksandri i Madh

Aleksandri i Maqedonisë njihet edhe si mbret i fisit ilir të Mollosve, që sundoi pjesërisht në tri kontinente (Evropë, Azi dhe Afrikë) gjatë pjesës së parë të shekullit të katër para erës sonë (356-323). Mësojmë edhe se historikisht, sipas librit “Ilirët dhe Iliria te atorët antikë”, dihen 4 mbretër ilirë të fisit ilir Maqedon me emrin Aleksandër: a) Aleksandri i Maqedonisë sundoi më 495-450; b) Aleksandri tjetër i Maqedonisë sundoi më 369-365; c) Aleksandër Mollosi sundoi më 362-326; ç) Aleksandri i Madh i Maqedonisë sundoi si mbret më 356-325. Për Aleksandrin dhe të atin e tij Filipin, për përkatësinë etnike të tyre si pellasdo-iliro-shqiptarë, si dhe për gjuhën e tyre, mendime të qëlluara kanë dhënë koautoërët Patrick Colquhoum dhe Pashko Vasa, siç shprehen: “Edhe në kohën e Aleksandrit, pellazgët ishin po aq luftarakë dhe pushtuan Azinë dhe Indinë, me gjithë numrin e madh të banorëve dhe fuqinë e sunduesve të tyre…Për më tepër, është e natyrshme me që një i dehur të shprehet në gjuhën e nënës, për këtë arsye është e qartë që gjuha amtare e Filipit dhe Aleksandrit nuk ishte tjetër gjuhë përveç shqipes…”.

Për prejardhjen e këtij antroponimi Aleksandër, sipas gjuhëtarëve, gjithashtu i kam shtruar dy teza: “1) nga gr. Aleksein (mbrojtës, i mbrojtur) + aner-andros (njeri, mbrojtës i njerëzimit), dhe nga protoshqipja: “2) Aleksandër = â le n’ândërr, për të cilën etimologji kam shkruar njëherë me të dhëna bindëse. Njëherit për Filipin dhe Aleksandrin bëhet e ditur, pos tjerash, që, “në Maqedoni vendin e Filipit e zuri i biri, Aleksandri”. Sa u përket mbretërve Filip dhe Aleksandër që quhen mbretër maqedonë (dhe se shqiptarët në Epir dhe në krejt Greqinë janë autoktonë) kanë shkruar shumë dijetarë, si: “Një pjesë e Ilirëve epirotasë e maqedonasë e kishin humbur gati krejt ndjenjën atdhetare nën ndikimin e helenizimit”,apo J. R. Fon Ksilandri: “Nga kërkimet e mësipërme ne kemi arritur në përfundimin se epirotët dhe maqedonasit që lidhen nga gjaku me njëri-tjetrin, duket se përbëjnë një degë të pavarur të trungut të madh të popullit ilir”.

Kur është fjala për ilirët maqedonë, përkatësisht mbretërit e tyre Filipin dhe Aleksandrin, babë e bir, pasardhës të drejtpërdrejtë të të cilëve janë sot shqiptarët (po edhe një pjesë e grekëve të asimiluar nga ilirë në grekë), po e citoj mendimin largpamës të të madhit, shkrimtarit arbëresh Jeronim de Radës: “Shqipëria del e fuqishme…U duk përsëri në të gjaku i shokëve të Lekës së Madh”. Pos tjerash, vijimësi e drejtëpërdrejtë që nga paraantika apo antika, përveç onomave të shumta të ngulitura në Greqi (ku mendohet se ka edhe sot më së 2 milionë shqiptarë, ose që e flasin edhe shqipen), është edhe oronimi krijim mijëvjeçar ilir Pindi në Epir, i formuar nga emri i zotit ilir të ujit Bind, emër ky që gjallëron me trajta të nduarnduarta edhe sot në shumë emra katundesh të Kosovës: Binxhë të Klinës (Dukagjin), Binçë i Vitisë, si dhe vetë emri Viti (Anamoravë), Vitak (Skënderaj-Drenicë),Videjë (Klinë-Dukagjin), Vidishiq e Vidimiriq (Mitrovicë) etj., të dhëna këto që i kam trajtuar bindëshëm në një punim.

3) ANNA PERANA

Annus, Annai, Anula. Një mbretëreshë ilire njihet me emrin Anna Perana (Perena), e cila sundoi në Siujdhesën Apenine, përkatësisht në Italinë e sotme. Për këtë mbretëreshë kanë shkruar disa dijetarë, p. sh. serbi Millan Budimiri, italiani Vittore Pizani dhe Vojtech Zamarovsky. Kështu, M. Budimiri e jep këtë mendim për këtë mbretëreshë: “Anna ilire ishte hyjneshë tipike e gjinisë femërore, që përmendet si Anna Peranna (më vonë Perenna)…”. Ndërkaq, V. Pizani kultin ndaj Anna Peranës te mesapët ilirë në jug të Italisë e sheh të periudhës paraindoevropiane, sepse cek: “Anna që i paravihet Perenna-s, mund të jetë fjala ndoshta për mbeturina kultesh që përpara arritjes së indoevropianëve në Itali”. Kurse V. Zamarovsky hyjneshën apo mbretëreshën ilire Anna Perana e cilëson gabimisht si romake, dhe për origjinën e saj shpreh dyshim, sepse gjykon: “Ana tjetër, me emrin e plotë Ana Perena, ishte hyjneshë e lashtë romake. Origjina dhe funksionet e saj nuk u kanë qenë të njohura as shkrimtarëve antikë”.

Mendimi im është se matronimi iliro-shqiptar apo pellasdo-iliro-shqiptar Ana buron prej fjalës shqipe anë “krah, faqe, brinjë, vend, skaj, fund”, apelativ konfiguracioni, dhe për këtë etimologji ma ka mbushur mendjen mendimi i Prof. E. Çabejt, kur flet për prejardhjen e kësaj fjale në gjuhën shqipe, që e krahason me ind. e vj. anta-h, gjerm. ende “fund, mbarim”, lat. anterior “i mëparm, i përparm”, dhe më në fund me bazën e lashtë të saj në shqipe, që “ka qenë një andã, kjo mbase nga një e lashtë *anta…, shkalla e zhvillimit fonetik duhet të ketë qenë nt:nd:nn:n. Kjo n nuk pësoi rotacizëm në toskërishten, i cili prek vetëm n intervokalike”. Po këtë etimologji e bën mbase të paluhatshme edhe mendimi i mësipërm i M. Budimirit për pjesën e dytë si patronim, se shton: “Anna ilire…, e njohur edhe si Anna Peranna (më vonë Perenna), me këtë emër është afër mendjes se ka të bëjë me shq. perendi dhe me Perunin tonë (e ka fjalën për Perun-in sllav – R. D.). Kështu në krahun e Adriatikut ndeshim mbeturina të matriarkatit ilir…”.

Pra, edhe patronimi Peranna-Perenna i kësaj mbretëreshe ilire kishte mbiemër pellasdo-iliro-shqiptar, nga fjala shqipe pereni-perendi, që vështirë që ka të bëjë me fj. lat. impera, por ndodh të jetë e kundërta, sepse gjasët janë se sundonte në Siujdhesën Apenine, si perëndi në perendim të Siujdhesës Ilire ose Adriatikut. Nuk do lënë pa i krahasuar edhe sa e sa antroponime, patronime (mbiemra), matronime, oikonime etj. që i thekson Louis Beonlew, për ne me fj. pell., il., shq. and-, anë: “4. – Emrat e formuar me Anda”, me formante të ndryshme të rrënjorëve and-, an- nëpër vise të ndryshme të Evropës: “Në Galinë e lashtë Andecavi apo Andegavi (sot Angers), prej nga është formuar mbiemri Andus, Andomatunum, midis Bretanjës dhe Galisë ka një ishull me emrin Andium; në Panoninë e poshtme ekzistonte një qytet me emnin Anamatia, i ngjashëm me emrin e qytetit gal të Andamatunum, si dhe një emër perëndeshe të lashtë të Bretonëve Andarta, qytet i Galisë belge…”.

E kam shënuar në jug të qytetit Arta (në Greqi) emrin e një fshati Anëza, dhe në Peloponez (More) një qytet quhet Anaino. Një hyjni ilire me këtë fjalë Andinus, sipas F. Papazoglut është hetuar në pjesët e Dardanisë antike, si në Kaçanik, Perzeren, Pejë, Kumanovë, Nish, e cila vijon: “Këta emra janë gjithsesi me prejardhje ilire lidhur me emrin Andes –ntis…”. Për shtrirjen e antroponimeve ilire me rrënjorin and-, ant- në Shqipëri kanë shkruar arkeologët shqiptarë, Vangjel Toçi e Skënder Anamali, kurse për praninë e këtij antroponimi në Dalmaci ka dëshmuar Duje R. Mioçeviq.Pra, dy mbretëresha në paraantikë, si më të njohurat, që mund t’i quajmë edhe mbretëresha pellasde-ilire-shqiptare, ishin Teuta dhe Anna Perana, që e para sundonte në Siujdhesën Ilire (Ballkanike), kurse e dyta në Siujdhesën Apenine.

4) BARDHYLI

Për mbretin ilir Bardhylin kemi të dhënat nga vepra “Historia e popullit shqiptar” (I), ku pos tjerash shkruan: “Në fillim të shek. IV para e. sonë federata e enkelejve, në krye të së cilës ishte Bardhyli, u bë një fuqi mjaft aktive”. S’ka dyshim se antroponimi Bardhyl përbëhet prej dy fjalësh shqipe (i, e) bardhë dhe yll (il, hyll), që kuptojmë kultin ndaj yll-it, i cilin njëmend duket i bardhë, që është përdorë dhe përdoret në shumë emërtime, sidomos në kontinuitet në onomastikën historike. Po për zotësinë e sundimit të Bardhylit në Iliri, si dhe për etimologjinë e këtij emri Bardhyl kuptojmë deri diku nga mendimi i Faik Konicës, sipas të cilit: “Shkodra ishte kryeqytet i Ilirisë dhe qytet në lulzim në shek. IV p. e. s. I tillë ishte në kohën e Bardhylit (ose Ilit të Bardhë), kur mbretëria kishte arritur kulmin e zgjerimit që nga Triestja në perëndim e deri në gjirin e Artës në Jug”. Format fonetike të tingullit –dh- në fjalën e moçme shipe bardh, p. sh. si –d-, -l-, -z- dhe –l-, i kam përimtuar në dy vepra të mia: “Onomastikë ilire-shqiptare në Ballkan”, dhe “Pellasdët (pellazgët) gjyshër të ilirëve dhe stërgjyshër të shqiptarëve” (f. 189-192).

5) BATONI

Ndër antroponimet më të shpeshta ilire, si dhe të emrave të mbretërve ilirë është emri Baton. Që në fillim po bëj me dije se në veprën “Historia e popullit shqiptar” mësojmë për dy mbretër ilirë: “Udhëheqës kryesorë të kryengritjes që ishin dy Batont, njëri nga fisi i desiatëve të Bosnjës Qendrore e tjetri nga fisi i breukëve”. Porse, një mbret të tretë, të fisit dardan Baton, si i biri i mbretit dardan Longarus, e thekson Fanulla Papazogllu. Edhe arkeologët shqiptarë, Vangjel Toçi e Skënder Anamali e theksojnë antroponimin Bat-Baton të para erë sonë në qytetet ilire të Shqipërisë. I pari i përmend antroponimet: Bat në Kalanë e Irmajt (Gramsh) dhe Batuna e Batina të shek. III-I p.e.s. në Durrahun (Durrësin) antik, kurse S. Anamali e cek një antroponim Baton në Apolloni. Për përdorimin e antroponimit Baton nga Dardanët apo Trojanët paraantikë të Luftës së Trojës në Azinë e Vogël bën të ditur Zaharije Majani, i cili thotë: “Dardanët i japin emrin Dardaneleve. Shumë Trojanë mbajnë emra ilirë: Baton, Paris, Buninos”. Gjithashtu edhe Prof. E. Çabej thekson se ishte i pranishëm antroponimi “Bato (në Dardani, Dalmaci, Panoni)”, dhe se e përmend si një ndër fiset kryesore të ilirëve fisin “Bathiatët në luginë të Matit”. Kjo trajtë e fisit ilir pikërisht në krahinën e Matit të Shqipërisë Bathiatët sikur e dëshmon prejardhjen e këtij fisi dhe të emërtimeve të shpeshta të antroponimeve, patronimeve e oikonimeve me bazën bat- (për bathë, pasul, groshë), që hasen edhe në paraantikë, antikë, mesjetë e sot, se kanë prejardhje prej fjalës me prejardhje pellasde-ilire-shqipe bathë-a “pasul, groshë, fasule”, që sot ka mbetur fjalë e fjalorit të pasivizuar të shqipes në përdorim në onomastikë. Kjo prejardhje bëhet edhe më bindëse, nëse kemi parasysh se ekziston edhe batha e egër apo pasuli i egër nëpër male, që binë vetë, e pakultivuar.

Kështu, të kësaj prejardhjeje ne i shohim patronimet e shqiptarëve: Batatina (Besianë – Llap), Batashi (dikur në Junik), Batku dhe Batha (në Shqipëri), si dhe emrat e fshatrave të Kosovës: Batusi (Fushë Kosovë), Batusha (Gjakovë) dhe Batahiri (Shalë e Bajgores), Batushica (në Sanxhakun e Nishit) etj. Sipas kësaj etimologjie, që s’është e pabazë, e kemi vështirë të pajtohemi me mendimin e Millan Budimirit për antroponimet ilire me rrënjorin bat-, i cili, duke cituar edhe studiues të tjerë, thotë: “Të njëjtin mendim si të Strabonit e ka edhe Novaku lidhur me përcaktimin e emrave të përkatësisë dardane. Edhe ai ka për bazë dokumentet gjuhësore dhe atë emrat Baton e Longarus, në bazë të cilëve edhe P. Kreçmeri dardanët i përcakton ilirë…nuk na ndihmojnë as 22 Batonat nëpër pjesë të ndryshme të bregdetit mediteran. As Oshtiri e as Novaku nuk dinë për domethënien e bazës Bat. Prandaj emrat tonë Brzak (Shpejtak – R. D.) ose Hitrac (Vrapues) janë të ngjashëm”. Etimologjia e këtyre mbretërve ilirë dhe të onomave të tjera nga fjala e protoshqipes bathë, që e kam shtruar edhe në më së 10 faqe të një libri, përforcohet edhe me mendimin e Prof. E. Çabej, se fjala bathë është e mbarë shqipes, si dhe me të dhënën e Petar Skokut, se kjo fjalë e shqipes është indoevropiane.

6) DARDANI

Është çështje e pakontestueshme se Dardani ishte mbreti i Dardanëve dhe i Dardanisë. Për Dardanin kanë shkruar shumë studiues, dhe ja si e paraqet J. G. Hahni: “Gojëdhëna e thotë se ai është djali i Zeusit edhe Elektrës. Straboni shkruan që dardanasit e vjetër banonin në Fushën e Kosovës, në Mezinë e sipërme, që i kishin marrëdhëniet nëpër tokë me dardanasit e Azisë së Vogël”. Sipas Prof. M. Domit, J. G. Hahni qe i pari, i cili afroi emrat ilirë “Dardania e Dardan me fjalën shqipe dardhë”. Në një mënyrë apo tjetër Dardani si mbret i dardanëve shfaqet edhe te Homeri, te “trojanët dardanë dhe portat dardane” të Trojës, që Homeri cek në “Iliadë”: “pas shtylle t’varrit që trojanët ia ndreqën atit të lashtë Il Dardanit”, dhe njofton më tej, që “Akil hyjnori qëlloi Laogonin tok me Dardanin”, si dhe na njofton për “kalanë mbretërore të Priam Dardanit” etj. Po shihet qartë se Homeri përdor emrin vetjak si antroponim Dardan dhe si patronim: Il Dardani (për Yll Dardani-R. D.) dhe Priam Dardani. Edhe toponimi i tashëm Dardanelet, ndërmjet kontinenteve të Azisë dhe Afrikës (10 km afër rrënojës së Trojës), ka të bëjë me Dardanin dhe Dardanët, për të cilin toponim të ngulitur dhe përdorur nëpër mijëvjeçarë Enzo Gatti bën të ditur: “Dardanët arrijnë në ngushticën e Dardaneleve”. Ngjashëm për Dardanelet e dardanëve shkruan edhe Zaharije Majani, që thamë edhe më sipër se: “Një fis tjetër ilir, Dardanët vendosen në lindje, në Samotrakë e Troadë, ku i jepin emrin e tyre Dardaneleve”.

Për Dardanin si mbret ilir sikur kuptojmë edhe nga mendimi i Arsim Spahiut që thotë: “M. G. L. Hammmond shkruan se Dardani është djali i madh i Ilirit. Në krye të herës dardanët zunë vend në afërsi të malit të Sharrit (Dardani)”. Për kohën se kur ka sunduar si mbret ilir Dardani, ose njëri prej mbretërve ilirë me emrin Dardan, na thonë bashkautorët Patrick Colquhoum dhe Pashko Vasa, pas të cilëve: “Dardani thuhet të ketë mbretëruar më 1568 para Krishtit”. Ndërkaq, për dardanët si bashkëfisasë të trojanëve, si dhe për praninë e hershme të onomave që nga koha mbase parahomerike me bazën *dard- > dardh- bën të ditur prof. E. Çabej, p. sh. në trevat në Dardani, në Apuli të Italisë, në Tesali, në ishullin Lesbos etj. Sot ka sa e sa patronime të shqiptarëve me fjalën dardhë, por po i theksojmë vetëm disa emra të fshatrave me këtë fjalë dhe me trajta të nduarnduarta të kësaj fjale, si p. sh.: katundi Dardhë i rrethit të Korçës, katundi Darzë i anës së Ulqinit, si dhe katundi Darda në Kroaci, si afër qytetit Osijek. Dhe s’do mend se katundi Darda në Kroaci ka bazë antroponimike, i formuar në zanafillë nga një antroponim i farës Dard – Dardan, me kohë patronim, dhe më në fund oikonim, sepse në Kroaci ka sot përplot patronime të kroatëve me fjalën dardhë, që i përdorin si relikte të gjuhës së dikurshme pellasde-ilire-shqipe, p. sh.: Darda, Dardai, Dardalić, Dardić, Dardelić, Dardić etj.

7) DIOKLECIANI

Derisa tre mbretër të mdhenj ilirë, Klaudin II, Aurelianin dhe Konstantinin e Madh, që sunduan gjatë kohës romake, i zë ngojë Karl Paçi, ai nuk e përmend mbretin ilir Dioklecianin. Në librin “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” bëhet e ditur: “Diokles, emri i Dioklecianit para se të bëhej perandor. Diokleciani (C.Aurelius Valerius Diocletianus), peraqndor v. 284-305) e. sonë”.

Diokleciani ishte një mbret ilir shumë i zoti, për të cilin mësojmë nga sa venerojmë në veprën “Historia e popullit shqiptar”: “Ishte nga Dioklea në provincën e Dalmacisë, prej së cilës kishte edhe emrin…Formoi dy prefektura të mëdha: të Lindjes dhe të Ilirikut. Qendër e kësaj të fundit ishte Sirmiuns (Mitrovica e Savës)”. Pra, sundoi krejt pjesën lindore të Detit Adriatik, duke përfshirë edhe viset ilire veriore të Siujdhesës Ilire, përkatësisht Panoninë, ku gjendej Sirmiumi (Mitrovica e sotme e Sremit në Vojvodinë-R. D.). Mbreti Dioklecian e shtrinte sundimin në lindje të Ilirikut deri te pjesët lindore, ku sundonte një mbret tjetër ilir, Galerije (shek. III – IV e. s.), për të cilët mbretër ilirë, sidomos për Dioklecianin, po i mbarshtroj disa dëshmi.

Për këta dy mbretër ilirë ka ofruar të dhëna të shumta D. Klaiq, sipas të cilit këta perandorë njihen: për miqësinë e tyre, sepse Galerij për grua të dytë mori vajzën e Dioklecianit (pra Diokleciani dhe Galerij sundonin gjatë shek. III-IV prej bregdetit Adriatik e deri në bregdetin e Detit të Zi); janë të njohura dy pallatet e këtyre dy mbretërve ilirë, si tempuj hyjnorë, pallati i Dioklecianit në Split (gjendet edhe sot gati si topogërmadhë), dhe pallati grandioz i Galeriut afër Nishit, në vendlindjen e tij, që sot njihet si rrënojë me emrin Gamzigrad dhe Romeliana (Romeliana ishte e ëma e Galeriut, një ndjekëse heretike kundër krishterëve dhe krishtërimit), dhe e cila kështjellë e antikës së vonë, kur ishte në këmbët e veta ia kalonte për nga madhështia Pallatit të Dioklecianit në Split, që Galerije për ndërtimin e pallatit të tij kishte sjellë mermer, perfir e granit nga Asuani i Luginës së Nilit; ishte vital dhe e krahasonin me Aleksandrin e Madh; “burimet antike të shkrimtarëve krishterë sikur heshtin dhe mjaftojnë të thonë se Galeriun dhe Dioklecianin i ka dënuar zoti”; dhe, “si duket, lufta e haptë e Dioklecianit dhe Galeriut kundër krishtërimit dhe agonija e tyre ndaj botës pagane, ka qenë e kot; Në vitin 311 Galerije vdes afër Sofjes, duke u kthyer në vendlindjen e tij Gamzigrad, nga bregdeti i Detit të Zi, ku e kishte fituar një luftë…”.

Kjo histori dhe lidhshmëri miqësore, po edhe aleanca luftarake, e dy mbretërve ilirë të dy fiseve më të mëdha ilire, të Dardanëve dhe Dalmatëve në fund të shek. III dhe në fillim të shek. IV e. sonë në Siujdhesën Ilire (Ballkanike), flet për ruajtjen e etnosit pellasd-ilir-shqiptar dhe të gjuhës së këtij populli si fosile të shtresëzuara. Lidhur me emrin e mbretit ilir Dioklecian, bashkë me emrin Diokle të mbretit të Luftës së Trojës (1250 p. e. s.), si dhe për sa e sa trajtat gjuhësore të fjalës diokle nëpër shekuj, kam shkruar se kanë prejardhje nga: *Diokle > Di-Dy (numror) + kle (rrjedhë uji, klumsht – kumsht – qumsht?). Për prejardhjen e fjalës pellasde-ilire-shqipe diokle, dhe për rolin e saj ndërshekullor në onomastikë shih gjerësisht në veprën time: “Rreth prejardhjes së patronimit Doçi”, prej së cilës fjalë buron edhe ky patronim.

8) DIONISI

Një ndër mbretërit apo heronjtë ilirë apo pellasdo-ilirë është Dionisi, i cili shquhet sidomos për ndërtimin e fortifikatave ilire në të dy anët e Adriatikut. Ai e ndërtoi edhe fortifikatën ose kështjellën e shquar në Lezhë. Gjurmët e kësaj kështjelle ruhen deri me sot si vazhdimësi paraantikë-sot në rrënojën krenare si mburojë dikur përmbi qytetin e sotëm të Lezhës, ku është mbajtur edhe Kuvendi i Mirënjohur i Lezhës së Skënderbeut, dhe ku prehet trupi i pajetë i Herojit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Studiuesi arbëresh apo shqiptar i Greqisë i ditëve tona, Niko Stylo, siç duket një njohës i mirë edhe i greqishtes, e shfaq mendimin e tij se emri Dionis “…përbëhet nga fjalët Dio=Dy dhe nisa=nisja e dialektit jonik, fjalë të cilën e përdor dendur Homeri…Nga Diodori shkëpusim një fragment: Mitografët na dhuruan edhe një lindje të tretë të Dionisit, sikur lindi nga Dia dhe Dhimitra (G.62, 6). Lindjen e Dionisit, Herodoti e cakton rreth vitit 2050 p. e. s., d.m. th. 1600 vjet para se ta shkruante librin Ιστορια datim që përkon edhe me të dhënat e Josipit”. Për Dionisin flet edhe Johan von Hahn-i, për të cilin thotë: “Diedori ka përshkruar të bëmat e Dionisit të parë dhe mitet e tjera dhe këto i shkruajti me shkronja pellazgjike. Po në këtë mënyrë, këto shkronja i kanë përdorur Orfeu dh Pronapidesi, mësuesit e Homerit…”. Janë me interes edhe disa të dhëna, që na i ka lënë Ludwig v. Thaloczy po për Dionisin (Deonis, Dionigi), p. sh.: “Tirani i Syrakusës (405-368), i quajtun Denysi Plak, për dallim nga i biri e pasardhës i tij Denis’ i ri…

Nuk vonoi shumë e u ba gjeneral e kryegjeneral (strateg) i Sirakusës. Themeloi në bregun linduer Lezhën. (Komentim mbase i përkthyesit M. Molika-Kruja). Prof. Karl Patsch-i jep me aq hollësi themelimin e këtij qyteti të Shqipnisë prej Denysit…Teksti ynë gjermanisht e ka Dyionisios, ngjeti po gjermanisht e gjejmë të shkruem Dionis. Frengjët e shkruajnë Denyse. Italianët e quejnë Dionigi. Emni në mitologjinë greke (Baku i latinëve) shkruhet ke teksti ynë Dionisius. Emnat janë, njani historik e tjetri mitologjik”. Edhe disa dëshmi të forta të J. v. Hahnit flasin për prejardhjen ilire farefisnore, gjuhësore dhe profesionale të Dionisit. Kështu, “Tregimi i Dionizit të Halikarnasit ka nji ngjyrë ma historike, na duket fare e mundshme që ata pellazgë të Tyrenit (po rikujtojmë se toponimi Tyren gjasët janë që ka të bëjë me fjalën e protoshqipes tur>thur për mur-R. D.), të cilët ndërtuan një pjesë të mureve të Akropolit të Atenës, kanë qenë nga Iliria. Prandaj nuk mund të besojmë që ky fis emnin e tij e ka marrë prej disa kolonëve të Sirakuzës nëpër ishujt e Ilirisë, ose prej faktit që Dionizi ndërtoi Lezhën, sepse asht zor që ndonjë fisnik grek të jetë vetëquajtur me këtë emër barbar”. Për prejardhjen e emrit Dionis, nga sa thamë edhe më sipër, ne mendojmë se ekzistojnë dy hypoteza, që të dya me prejardhje prej protoshqipes apo shqipes së sotme, porse unë do të shtroj edhe një tezë të tretë, që si për nga kuptimi ashtu edhe fonetika e morfologjia historike është kujtoj më bindëse.

1. N. Stilo e shtron tezën, pas së cilës: ”Emri Διας (Dia) shënon i dyti dhe Διoνιύσoς (Dionisos) shënon i dyti i fillimit të ri prej δuo = dy dhe νυσa = nisja (sipas dialektit jonik, fjalë të cilën e përdor dendur (Homeri)…Nga Diodori shkëpusim një fragment: Mitografët na dhuruan edhe një lindje të tretë të Dionisit…”. Këtu sikur kuptojmë se ekzistonin tre njerëz me emrin Dionis. Ndërsa sipas L. v. Thalloczy-t, ekzistonin dy Dionisa, Denysi Plak, për dallim nga i biri e pasardhës i tij Denys’ i ri, që i kuptojmë në gjenealogji dy Dionisa, dhe se, po sipas L. v. Talloczy-t, kur është fjala për emrat e këtyre dy Dionisave, “Emnat njani ishte historik e tjetri mitologjik”. Edhe J. von Hahni kur thotë, si thamë më sipër, se Diedori ka përshkruar të bëmat e Dionisit të parë, kuptojmë se bëhet fjalë për dy Dionisa, pra edhe për Dionisin e dytë.

2.Hipoteza e dytë për prejardhjen e antroponimit të moçëm Dionis është që, sipas Mojkom Zeqos, “Dionis Duaos, hy i ilirëve paionë. Dijetarëve ua ka tërhequr vemendjen cilësimi i tij, që është shpjeguar nga Jokli e Çabej me fjalën shqipe dej, me u de. Në të parakuptohen edhe ceremonitë e karakterit dioniziak, ku njerëzit pinin dhe deheshin”.

Për etimologjinë e mbretit apo zotit ilir Dionis, ngjashëm porsi M. Zeqo, e jep një mendim edhe Zaharie Majani, por e sheh Dionisin të pranishëm në Trakë, me emrin e të cilit thotë se ekzistonte edhe një qytet, ngase shton: “…ky qytet gjithashtu ishte një Dionisia, ashtu si Popullonia. Në Trakë Dionizin e njihnin në formën e tij më arkaike, në pamjen e një kafshe, demi dhe perëndi me brirë demi. Kreçmerit i dukej pak e besueshme prejardhja greke e këtij emri, ai vë në dukje variantin Deonysos dhe variantin e zanoreve i/e e shpjegon si diçka të zakonshme për dialekte trakase dhe maqedonase…Le të kthehemi përsëri te emri Deonysos, e ndofta Denys(os), dhe të krahasojmë me foljen shqipe dëni (dehem), koha e tashme e së cilës ka qenë dikur denio, siç thotë G. Majeri, që pranon edhe gotikën dauns (flurim) dhe fjalën dejun (i dehur)”.

3. Po e rrumbullaksojmë burimin e antroponimit ose perëndisë pellasde-ilire Dionis me tezën mbase më të përafërt në kontinuitet, si në pikëpamje të kuptimit të mirëfilltë gati krejt të humbur ashtu edhe të fonetikës historike. Trajtat krahasuese që i ka pasqyruar L Talloczy edhe në gjuhë të huaja: Deonis, Denys, Dyonisos, Diois, Donigi, Dionisius, Dionizius, ku shihen më tepër te pjesa e parë shembuj me Dy e Di se sa me De (ndonse u tha se alternimet apo shkëmbimet i/e janë të zakonshme në të folme), antroponimi apo antroponimet e dikurshme pellasde-ilire apo pellasde-thrakase të kësaj fare, edhe si antroponim i përtërirë në gjenealogji, gjasët janë se më parë mund të kenë prejardhje prej fjalëve shqipe, përkatësisht prej dy numrorëve: Dy + ni(s), se sa prej fjalës shqipe i, e dehur “i mpirë prej pijës alkolike”, ose numrorit Dy dhe foljes shqipe nisje. Si përforcim për prejardhjen e dy apo tre Dionisave mbretër ilirë, po e shfaq edhe mendimin që, njëherë kanë qenë dy Dionisa, ndoshta Dionisa bineq, para se të bëhen tre, të lind vëllai i tretë Dionis, apo më parë mund të supozojmë se kanë qenë Dionisa treneq si dinasti – mbretëri ilire, ngjashëm si emri i mbretëreshës ilire Triteuta. Edhe ana krahasuese e fonetikës historike shqipe e pjesës së dytë tek emri Dionis, pjesa e dytë e lashtë –nis, një –s arkaike më vonë ka dhënë në shqipe –sh, pra nis>nish (numrori njish-njësh).

Pra, antroponimin e moçëm Dionis mund ta krahasojmë me antroponimin e sotëm Binak dhe matronimin Binake. Dhe, ky numror një i formanteve të shumta të mundëshme gjatë historisë nak, nek, nik (me prapashtesën indoevropiane –k), njâ, një, i etj., mund të kërkohet te shumë patronime dhe te disa oikonime të sotme të Kosovës dhe më gjerë, prej të cilave po i cek oikonimet: Nagafc i Rahavecit, Nakell i Pejës, Nakaradë i Fushë Kosovës, Nashec i Perzerenit, Nec i Gjakovës, Nekofc i Drenasit, Neqafc, Nikaj e Nikofc të Kaçanikut, Nishefc i Prishtinës, Nishor i Therandës, Nishi në Serbi, etj. Për disa emërtime të tilla nga këta dy numrorë të shqipes një e dy kam bërë fjalë edhe më gjerësisht në veprën time: “Pellasdët (pellazgët) gjyshër të ilirëve dhe stërgjyshër të shqiptarëve”, por, do t’i përimtoj me të dhëna të reja dhe bindëse etimologjitë e tyre në projektin që e kam paraparë: “Prejardhja e emrave të katundeve të Kosovës”.

9) DHIMITËR FARI (DHEMETER HVARANINI)

Ky mbret ilir që njihet me dy emra dhe mbiemra të përafërtë në burime shkrimore, si Dhimitër Fari dhe Demeter Hvaranini, sundoi rreth viteve 220 – 219 p. e. s. Kështu, në veprën “Historia e popullit shqiptar”, sikur kuptohet se Dhimitri ishte mbreti i Ardianëve, sepse thuhet: “Pas vdekjes së Teutës Dhimitër Fari u martua me Triteutën, të ëmën e Pinesit të vogël. Më 220 Dhimitër Fari sulmoi parthinët, pushtoi qytetin e tyre, Dimalin…Dhimitri u tërhoq në ishullin e Farit, qendër e fundit e rezistencës së tij”. Porse, ujdhesa Far e paraantikës, mund të jetë ujdhesa e sotme Hvar në detin kroat, sepse si të hershme këtë ujdhesë bashkë me këtë mbret me një formant tjetër gjuhësor, që theksohet si Demetrije Hvaranin, si i biri i Agronit. E, në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” bëhet e ditur për tre mbretër ilirë me emrin Demetri: “1.Demetri Poliorketi (307 – 283 p. e. s.)”, “2. Demetri II (239 – 229) p. e. s.), mbret i Maqedonisë, i ati i Filipit V,” dhe “3) Demetri Fari”.

Përdorimi i antroponimeve të kësaj fare me formante të llojllojshme Dameter “Demeter” Dhimiter vërtetohet edhe gjatë mesjetës, që ishte Dhimitri (sundoi gjatë vitit 1190 – 1199), si trashëgimtar sundimtar i të atit të tij Progonit në Krujë. Mbase, po për këtë sundimtar shqiptar Dhimitër në Krujë flet edhe Aleksandër Sollovjevi, por që shton se sundoi rreth viteve 1208 – 1216 në Krujë, në bazë të një marrëveshjeje të bërë ndërmjet tij dhe Dubrovnikut, ku e përmend këtë emër me tri trajta: shq. Dhimitri, lat. Demetrio dhe serb. Dimitrije. Për zanafillën e antroponimit Dhimitër që nga paraantika kanë shkruar disa autorë, por këtu po i komentojmë shkurtimisht mendimet e dy albanologëve shqiptarë, Prof. Eqrem Çabejt dhe Spiro Kondës, të cilët i citojnë dijetarët e tjerë të mirënjohur. Për shembull, Prof. E. Çabej, ndër të tjera, thotë: “Johan Georg fon Hani, duke e kuptuar ilirishten si pellasgjishte me një vështrim më të gjerë, duke parë te pellazgët banorët e hershëm e parahelenë të Greqisë dhe te gjuha e tyre një fazë më të vjetër të shqipes; ai u përpoq të përforconte tezat e tij dhe me ndihmën e gjuhës me barazime fjalësh e emrash vehtjakë, nga të cilët ndonjë, si Dímítríς – Dimitris (“nënë dheu”) : shq. dhé/dheu-nënë, ka vlerë edhe sot”.

Për ndriçimin në detaje, në pikëpamje kuptimore dhe gjuhësore fonetike e morfologjike flet kujtoj më së miri Spiro Konda, me burim të njëjtë, pra dy gjinish, që po i shkëpusim disa dorëzani rrënjësore, siç shkruan në mënyrë të thuktë: “Damater (dorisht), Domatar (eolisht)… Dhe mëmë është vetëm një ndajshtim i fjalës Demeter. Dhe kuptohet, se, gjersa grekërit nuk e dinin kuptimin, (siç thotë edhe Herodoti), që grekët e muarën emrin Demetër nga pellasgët… Me këtë mënyrë nga një dhe e njëjta fjalë u formua edhe trajta mashkullore: de-u me kuptimin dheu në trajtë mashkullore, d. m. th. me kuptimin e dheut si at. Sikurse de-a (d.m. th dheu) është nënë e të gjithëve, ashtu edhe de-u është at i të gjithëve. Deu është si të thuhej në greqisht ho geos ose ho geus, duke u zëvendësuar d me g…”. Kështu, unë tek emri i qytetit Mitrovica shoh një vijimësi të emrit të hyjneshës *Dometer > Dameter > Demeter > Dhemeter > Shën Mitër > Shmitër > Mitër = Mitrovica. Antroponimi në fjalë është përdorur gjatë mesjetës, pos që ishte një mbret Dhimitri (Mitri), që u cek më sipër se sundoi në Krujë në fillim të shek. XIII, dhe që e zënë ngojë shumë dijetarë me trajta të nduarnduarta gjuhësore, siç thotë Pjetër Bogdani, se mbase po ky mbret Mitri sundoi atëherë që nga Shkodra e deri në Shkup (po edhe në anë të Mitrovicës): “Miter mbe krye m’Scodre, e Scup…”(Mitri në krye apo sundimtar në Shkodër e Shkup).

Gjatë mesjetës, më 1313 formimit të oikonimit Mitrovica i kanë paraprirë tri dëshmi, (pos asaj antike me emrin Budalia, ku ka lindur mbreti ilir Ttrajani), që shfaqen më 1313 në një burim kishtar sllav: emri i familjes Dimitraj, që mendoj se kanë qenë shqiptarë të konfesionit katolik ose orthodoks, si dhe dy kisha me bazën antroponimike Dimitrij (mbase prona të Dimitrajve): “Dimitrijevu Crkve te Sitnica”, dhe tjetra si “Dimitrovu Crkve”. Për praninë e shqiptarëve katolikë në Mitrovicë (ku ka edhe sot shqiptarë të besimit katolik) dhe rrethinë flet edhe Gaspër Gjini me të dhëna shkencore, p. sh.: “Vlen për të theksuar se, pos në Trepçë, katolikë ka pasur edhe në dy fshatra jashtë qytetit. Te Kryshefci (fjala është për Kryshefcin thellë në Serbi, si kalk nga fjala ilire-shqipe dardhë – R. D.) ata vizitorë kanë shkruar se ekzistojnë pesë fshatra fqinj të Kryshefcit më 1500 shqiptarë katolikë, ku kanë shërbyer tre klerikë.

Përveç këtyre të dhënave vizituesit bëjnë të ditur se ata katolikë e kanë një kishë të tyre të vjetër (“una chiesa antica”). Mbreti Millutin rreth vitit 1314 ia bashkangjet manastirit të Banjskës. Kisha katolike përmendet në të së pari më 1346, që fshati Kopiriq sot gjendet te Mitrovica”. Pra, ekzistonin, pos Dy kishave të Dimitrijve mbase shqiptare në rreth të Mitrovicës, edhe tri Kisha Katolike shqiptare, në rreth të Kryshefcit, në fshatin Kopiriq dhe Banjskë, të dhëna që e përforcojnë prejardhjen pellasde-ilire-shqipe nga hyjnesha apo mbretëresha ilire: *Dometer – Dameter – Demeter – Dimiter – Dhimiter – Miter – Shën Miter – Shmiter – Mitrovicë. Dhe, ekziston edhe një fakt, se Mitrovica përmendet edhe në defterin osmano-turk të vitit 1455 si “Katundi Dmitrovice (Dmitrovica)…”. Madje, edhe përdorimi në gjininë femërore i oikonimit Mitrovica flet deri diku për prejardhjen nga hyjnesha pellasde-ilire, siç kam shkruar edhe në punimin “Mitrovica me prejardhje nga matronimi pellazg-ilir-shqiptar *Domater-Damater-Demeter-Dimiter-Miter”.

10) FILIPI

Për Filipin është shkruar në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” edhe: “1) Njihen disa mbretër të fisit ilir të Maqedonasve me emrin Filip, që i njeh historia: a) një vdiq në vitin 598 p. e. s. b), i dyti sundoi gjatë viteve 360-335, dhe c) i treti sundoi gjatë viteve 220-176”. Për prejardhjen e antroponimit Filip nga protoshqipja apo pellasdo-iliro-shqipja, si kompozitë prej fjalëve shqipe Bil-Phil-Pil-Fil “bir, djalë” dhe folja hip-hyp “hipios-kalë, at”, çështje kjo që e kam vështruar në librin për pellasdët (pellazgët), edhe si emër i traditës popullore: Filip për meshkuj apo antroponim, dhe Filipe për femra ose matronim.

11) GALAUR

Për mbretin ilir Galaur i shek. VII p. e. s. tek ilirët Taulantë mësojmë nga arkeologu i mirënjohur Skënder Anamali, sipas të cilit: “Se Taulantët kanë pasë mbretën shumë herët e lexojmë edhe në një burim tjetër historik, në të cilin përmendet mbreti Galaur që udhëhoqi një luftë në fundin e shek. të VII-të para e. s. kundër Maqedonëve”. Fjala e lashtë pellasde-ilire-shqipe gal (i, e galem – galme) haset veçmas në funksione onomastike, si p. sh. në gjenealogjinë e ilirëve. Kështu, Paul Kreçmer e krahason emrin e fisit ilir Galabroi në Dardani me emrin e sotëm Kalabri të arbëreshve në Italinë jugore. Po kështu edhe Enzo Gatti e përmend më së tri herë fjalën gal në gjenealogjinë ilire të Sicilisë, nga u përhapën nëpër Evropë, p. sh. ëmën (nënën) Galate, të birin e saj Galin dhe fisin Galet, si kundron: “Polifemi dhe Galatea patën për fëmijë Keltin, Ilirin dhe Galin, nga të cilët u formuan Keltët, Ilirët dhe Galët”. Për fjalën ilire-shqipe gal do të flasim edhe më gjerësisht tek emri në vijim i mbretit ilir Galerije.

12) GALERIJE

Sa i përket mbretit ilir Galeri, që mendoj se ishte mbret i nënfisit Galabroi të Dardanëve, i cili sundoi kah fundi i shek. III dhe fillimi i shek. IV, kemi të dhëna nga një artikull në revistën e gazetës “Nin” të Beogradit. Në këtë revitë shkruan se vendbanimi i tij ishte vendlindja e tij, fortifikata madheshtore Romeliana apo Gamzigradi te Zajeçari përmbi Nish, ku i kishte filluar gërmimet arkeologjike gjermani Feliks Kanic, kurse më vonë i ka vijuar arkeologu serb Dragosllav Srejeviq, dhe se: “Në vitin 311 Galerije vdes afër Sofjes në rrugë për në vendlindjen e tij, Gamzigradin… Atë udhëheqës vital dhe sypatrembur e kanë krahasuar me Aleksandrin e Madh”. Për bazën apo fjalën gal-, që ne e shohim të protoshqipes apo pellasde-ilire-shqipe, e krahasuar pra me fjalën e sotme i galëm – e galme të shqipes, fjalë kjo pra që shfaqet që nga paraantika, antika e deri me sot në onomastikë dhe në jetën e përditshme, kam shkruar gjerësisht. Gojëdhënën për gjenealogjinë ilire e cek edhe Prof. E. Çabej: “Straboni me Apianin dardanët në pikëpamje etnike i përfshijnë me ilirët. Ky i dyti bile, Dardanin e sjell si të birin e Ilirit…Iliri, i biri i Kiklopit Polifem e i nimfës Galateia…”.

Kur jemi te Galerije, mbret ilir mbase i Galabrojve dardanë te Nishi, se kanë pasur lidhje të ndërsjella me Ilin apo Ilirin e parë të prindëve ciklopin Polifem dhe Galate në Sicilinë e jugut të Italisë, e thonë shumë studiues, e ndër ta po e përsërisim shkurtimisht mendimin e H. Hecquardit, që thotë: “Iliri, biri i ciklopit Polifem dhe Galatesë, të cilët e braktisën Sicilinë për t’u vendosur në brigjet e Adriatikut”.

Këtyre dëshmive të pamohuara dhe të panjohura për ne deri me sot për mbretërit ilirë Galaur e Galerije po ua bashkangjes edhe dy dëshmi për ilirët dardanë në Dardani apo Kosovë nga autori serb Emil Çershkov, siç vlerëson: “Si përmendore të njohura të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit na shfaqen këta shembuj emrash autoktonë ilirë: Nanea Galli – Uklar (Uglari i Lypianit-R. D.)…Në Soçanicë (katund në veri të Mitrovicës-R. D.) janë gjetur fragmente modelesh prehistorike e deri në shek. I-II. Qyteti merr fund në shek. IV. Titulli i kodrës Galiç mbi Soçanicë, është vetëm një koincidencë e rastit me emrin e fortifikatës…”. Dhe, të burimit shqip në kontinuitet në atë anë i shoh edhe oikonimet Trepçë, Zveçan, Mitrovicë etj. Si rezultat i përdorimit nëpër kohë të antroponimeve dhe patronimeve ilire-shqiptare me bazën gal- janë edhe emrat e fshatrave Galicë i Drenicës dhe Gallatë i Kurbinit (Shqipëri), që për fshatin Gallatë se i përkiste besimit katolik bën të ditur Kahriman Ulqini. Onomat me rrënjorin gal- mund t’i konsiderojmë edhe si pellasde-ilire-shqipe, sepse kjo fjalë shfaqet edhe te qindëra patronime të sotme kroate në Kroaci, p. sh. me fjalët gal, gall, galj, prej të cilave po i përmendim vetëm disa: Gal, Galan, Galac, Galak, Galambos, Galant, Galar, Galas, Galavič, Galec, Galek, Galer, Gallan, Galić, Galik, Galjar, Galjar etj.

13) HERKULI, HERAKLI, HERKULESI

Në mesin e disa mbretërve ilirë edhe të mësipërm, Karl Treimeri e zë ngojë edhe mbretin ilir me trajtën gjuhësore Herkuli, siç vlerëson: “Aftësitë e mëdha të fiseve të ilirëve na dalin edhe te perandorët ilirë: Maksimius Dais, Diokleciani, Herkuli, Galeri…”. Fytyrën emblematike të Herkulit (Herkulesit) pellasd-ilir-thrakas (të atit të Hyllit që e formoi mbretërinë e Heraklitëve) e gjejmë të përshkruar më së miri te bashkautorët Patrick Colquhoum (anglez) dhe Pashko Vasa (shqiptar, në v. 1894), për të cilin thonë: ”Herkuli duhet marrë si person mitik, thjesht një ideal i shkathtësisë dhe forcës – një Samson, hero semitik…Ai i përket një race që e rrethoi Trojën. Kjo mund të ketë qenë raca pellazge, sepse askund nuk thuhet se Herkuli të ketë qenë i races greke, por duhet të ketë qenë prej një fisi pellazg. Ai ishte biri i Jupitarit me Alkmenën. Duke qenë se të atin e kishte Perëndi, madje Perëndi pellazge, vetë Herkuli ishte pellazg.”

Tek A. Spahiu i gjejmë dy emra të mbretërve ilirë të kësaj fare, me dy trajta gjuhësore me interes, Heraklid dhe Herkul, mbase si emra të përtërirë në gjenealogjinë e tyre, për të cilët është thënë: “Heraklidi më i njohur është Hylli, Hylli është bir i Herkulit”. Me një akribi të rrallë dhe të gjithanshëm të njohurive gjuhësore diakronike dhe sinkronike krahasuese, sidomos sa u përket njohurive për historinë e gjuhës shqipe, gjasët janë që edhe këto trajta për të njëjtin antroponim mbase pellasd-ilir-shqip do të rrezatohen në të ardhmen me anë të gjuhës shqipe. Aq më parë kur dihet që antroponimi Herkul – Herkules, siç përdoret në mënyrë figurative apo krahasuese në traditën popullore shqiptare për njerëz të fortë dhe të fuqishëm, mund të zbërthehet si kompozitë antroponimike, e përbërë nga dy antroponime Her+Kul, që për matronimin apo hyjneshën Hera, që nga paraantika e deri në ditët tona kam bërë fjalë më parë.

Këtë mbret apo hero mitologjik dhe legjendar, si “zot i gjithdijshëm”, si Herakli dhe Herkul e ka pasqyruar në 11 faqe libri autori Vojtech Zamarovskij, nga i cili po i shkoqisim këto të dhëna: “Herakliu (greq. Herakles, lat. Herkules) – i biri i Zeusit, zotit suprem dhe Alkmenës, trimi më i madh i miteve greke”. Mandej, bëhet me dije nga V. Zamarovskij edhe se: “Me emrin Herakli e quajtën më vonë për arsye se përmes Herës e fitoi famën…”, dhe vijon që, Herkuli bëri vepra dhe punë të ndryshme duke shetitur në vendet Peloponez (More), Tebë, Hidër, Mikenë, “Herakliu udhëtoi me anije në Traki…, ndalet në Mezi, në perandorinë nëntoksore të Hadit, aty e pranoi hyjnesha Athena, Herakliut i është dashur që sërish të shkojë në Libi…, e çliroi Trojën nga përbindshi i detit, u bë babë i pesdhjetë fëmijëve të lemnanve, Zeusi e dërgoi Athenën te Herakliu. I tërë Olimpi e përshëndeti Herakliun”, etj.

Thuhet madje edhe që “Herakliu vërtet u bë i pavdekshëm, ka përplot tempuj, vepra antike, skulptura e piktura që nga viti 460 para e. s. e deri nga mesi i shek. IV të e. s., që gjenden të ruajtura nëpër arkiva të qendrave evropiane, si në Romë, Napoli, Leningrad, Pariz, Vjenë, Nju Jork etj.” Herakliu përmendet edhe si i biri i Aleksandrit të Madh, sepse për të është shkruar sa vijon: “Herakliu shfaqet edhe si i biri i Aleksandrit të Madh, i cili kishte caktuar gjysmë aziatikun Herakle si sundimtar trashëgimtar i perandorisë së madhe nga Maqedonia, Greqia deri në Persi, Egjipt dhe në pjesën e Indisë veriore, me rastin e vdekjes së tij (Aleksandrit-R. D.) në Babilon në v. 323 p. e. s.”.

Nga sa u tha më sipër, bie në sy veçmas dëshmia se sikur Hera e ka pagëzuar Herakliun, se ia ka dhënë famën, prandaj si te matronimi Hera ashtu edhe tek antroponimi Herakli qendron fjala protoshqipe dhe e sotme *herë > erë, si kult ndaj anës së horizontit erë (jug), për të cilën me trajta të nduarnduarta në funksione onomastike kam shkruar në dy vepra. Dhe, përkitazi me këtë mbret ilir, apo pellasdo-iliro-shqiptar, po them se edhe sot e kësaj dite gjallërojnë krahasime me fuqinë, madheshtinë dhe zotësinë e tij, që pak a shumë fshehet një vijimësi mistike, misterioze, që përdoren thëniet:Je bâ si Herkules!Po e qet gjyksin si t’ishe Herkules! etj. Nuk është pa vend mbase edhe që tek emrat e fshatrave të Kosovës Hereç i Gjakovës dhe Herticë i Besianës të kërkojmë bazën antroponimike her-.

14) ILIRI, ILI, YLLI, HYLLI

S’do mend se paraprijësi, themeluesi, mbreti apo mbizotëruesi më i zoti i ilirëve dhe Ilirisë është Ili (Hyllus), për të cilin u fol edhe më sipër, dhe kujtoj se është nga fjala pellasde-ilire-shqipe il-yll-hyll ”trup qiellor”. Së pari, e dhëna më e fortë për emrin mbase e të parit mbret të ilirëve dardanë, si emër i moçëm, i thjeshtë Il, pa pjesën tjetër shtesë –ir, është Il Dardani, që përmendet në vargjet e veprës së mirënjohur botërore “Iliada” të Homerit: “Pas shtylle t’varrit, që trojanët ia ndreqen atit të lashtë Il Dardanit; nën mure t’Ilit, veç për nder të Tetidës”. Nga Il Dardani, që u pa se e cek dy herë Homeri, mbase e mori emrin qyteti Ilion: “26. – Kalaja e Pergamit. Akropoli i kryequtetit të Trojës, Ilionit, që gjendej mbi një kodër”. Antroponimin Il e shohim edhe tek emërtimi Iliadë, vepra botërore e Homerit, e sajuar me fjalët e protoshqipes: Il “Yll” + ad “dhé, tokë”, pra, ylli i dheut, si mbret ilir në tokë, në krahasim me yjet e qiellit apo diellin në qiell si yll tek Ilioni në kodër, antroponimi Ili dhe prapashtesa –on. Jo vetëm onomat e Homerit, antroponimi Il Dardani, qyteti Ilion dhe vepra Iliadë, po me këtë bazë Il- në poemën “Iliadë” theksohen si të njëjtë rrënjorët antroponimik Il-Hil në mesin e disa qyteteve të hershme në Beoti, siç ceket: “Iles, Eritre, Aleo dhe Hilë.

Qytete të ndryshme të Beocisë në kohët e lashta”. Pos te Homeri, këtë eponim apo antroponim Yll-i me trajta të ndryshme nëpër mijëvjeçarë, e gjejmë të strukur nëpër mote edhe në bazën e emërtimeve Ilirët dhe Iliria, për të cilat kanë shkruar edhe shumë dijetarë. Po e hapi këtë çështje komplekse, po me peshë për të parët tanë të lashtë ilirët, me mendimin e H. Hecquard-it, që kujtoj se është i qëlluar: “Sipas autorëve të tjerë, si Palefati, Apoloni, Silaku, Ili (Hyllus), biri i Herakliut dhe i Melisës u vu në krye të vendit dhe të banorëve që u quajtën ilionas, prej nga rrjedh fjala Iliri…Farlati, duke e pranuar mendimin e Apolonit, e konsideron Ilin si mbretin e parë të Ilirisë”.

Për Ilirin, përkatësisht Hyllin, të birin e Herakliut apo Herkulesit, si dëgjohet ndër shqiptarë, e kemi mendimin largpamës dhe të hershëm (1894) të koautorëve Patrick Colqukoum dhe Pashko Vasës nga Londra, të cilët pothuajse na e përshkruajnë në një mënyrë ose tjetër për krijimin e zanafillës së fortë të Mbretërisë Ilire, pra, të pesë (5) mbretërve ilirë apo gjeneratave ilire, mbetër që për 120 vjet bënë pesë luftëra të vështira nën udhëheqjen e Hyllit, në të cilat luftëra ata ranë heroikisht një nga një për dhé në tokat e tyre, Spartë, Peloponez, Trakini, Athinë, Athinë, Iliri dhe Trojë, nëpër të cilat vende edhe sot e gjithë ditën jetojnë pjesërisht shqiptarët autoktonë.

Për të parin e ilirëve, Hyllin e vrarë, apo për një të parë të ilirëve në jug të Ilirisë në kohën para erës sonë, dhe për disa vende me rëndësi për vështrime gjuhësore me rrënjorin il-hil, që mund të përqasen ndoshta me protoshqipen dhe shqipen e sotme yll – hyll, e kemi mendimin e thuktë të studiuesit kroat, Duje R. Mioçviq: “Në bazë të Periplusit, të traktatit gjeografik nga shek. IV p. e. s., si dhe të të dhënave të shumta të mëvonshme, i biri i Hilit (‘Ýλος) eponim i etnosit të ngushtë ilir, Hila (Yllos) është vendosur në tokën ilire. Gjithashtu sipas traditës Hili që ka qenë eponim i Hilejve të Epirit, ka shkuar në Iliridë, që ta krijojë një koloni, por aty është vrarë në grindje me banorët e atij vendi”.

15) JUSTINI E JUSTINIANI

JUSTINIANI

Për sundimin e këtyre dy mbretërve ilirë Justin e Justinian, sidomos në Perandorinë Lindore mësojmë nga vepra “Historia e popullit shqiptar”, ku shkruan: “Të tillë qenë perandorët Justin (518 – 527) dhe Justiniani I (527 – 565). Historiani Prokopi nga Qezarea, duke folur për origjinën e perandorit Justin, ilir nga Dardania, na tregon se ky, së bashku me dy bashkëfshatarë e kishte lënë fshatin e lindjes, kishte arritur në këmbë në Konstanipojë, ku hyri në radhët e ushtrisë dhe mundi të arrinte deri në postet më të larta shtetërore”.

Mbretin ilir dardan Justinian e përshkruan gjerësisht Prokopi i Cezaresë në veprën “Mbi ndërtimet” të vitit 560, i cili mbret bëri ndërtime dhe fortifikime të shumta jo vetëm në Dardani, po në treva shumë të gjera ilire, për të cilin, ndër të tjera shkruan: “Diku tek dardanët europjanë, të cilët jetojnë përtej kufive të epidamnasve (durrësakëve-R. D.), pranë fortesës Bederiana, gjendet një fshat me emrin Tauris, ku ka lindur perandori Justinian, themeluesi i perandorisë botërore. Ai e rrethoi këtë në një kohë të shkurtër, me një mur në formë katrori dhe ngriti katër kulla në të katër qoshet…Ka pasur në Dardani, që prej kohëve të lashta, një qytet që quhej Ulpiana. Muret e këtij (që ishin duke rënë) ai i rindërtoi që të gjitha”. Justiniani bëri rindërtime dhe ndërtime të reja prej më së 360 fortifikatash nëpër tokat ilire, vëçmas si më afër vendlindjes së tij, si p. sh.: “Në Epirin (e Ri); Në Epirin e Vjetër; Në Maqedoni; Në Dardani; Në teritorin e qytetit Sardike; Në krahinën e Kabetzos; Në teritorin e qytetit Germene…; Në krahinën Skasetana; Në Krahinën e Remesianës; Në krahinën e qytetit Akue Timathohiom…”. Studiuesi maqedon Petar Hr. Ilievski emrin e sotëm të fshatit Taor në rrethin e Shkupit e identifikon me emrin e fshatit të sotëm Tauris, të vendlindjes së Justinianit të I-rë.

16) KONSTANTINI I MADH – KONSTANTIANI – KONSTANTI – KOSTANDINI

Me trajta gjuhësore të nduarnduarta hasen shumë emra të mbretërve ilirë të tipit Konstantin, përafërsisht prej vitit 293 – 340 të erës sonë, që përdoren edhe gabimisht si perandorë romakë, ose si komandantë e prefektë të Bizantit, si p. sh. në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”. Por, në veprën “Hisotoria e popullit shiptar” përmendet mbreti ilir Kostadin, në mesin e emrave të disa mbretërve të tjerë ilirë gjatë periudhës së sundimit të tij, që cilësohet sundim romak, siç theksohet: “Në shek. III dhe në fillim të shek. IV, për afro 100 vjet i mbajtën frerët e perandorisë romake perandorë me origjinë ilire (pra, mbretër ilirë – R. D.) si p. sh. Deci, Klaudi II, Aureliani, Diokleciani, Kostadini etj.”. Për jetëshkrimin e Konstantinit të Madh ka shkruar bukur në imtësi Sazan Guri, sidomos për vendlindjen dhe vendvdekjen e tij, si dhe për luftërat e tij në tokat pellasde – ilire – shqiptare: “Sipas studiuesit Agron Shaqiri, Konstandini i Madh lindi në Naissus (Nish) më 27 shkurt 272. Vdiq në Ancyra (Ankara) më 22 maj 337. Perandor nga viti 306 deri në vitin 337. Babai i Konstandinit të Madh ishte Perandori Konstanci I, e ëma Helena, e shpallur shejtore.

Ishte perandori i parë krishter dhe themeluesi i Konstandinopojës… Konstandini u angazhua në luftëra kundër uzurpatorit Achilens në Egjypt dhe Palestinë. Konstandini udhëhoqi një fushatë të suksesshme kundër gotëve në Danub. Edhe në vitin 334 Konstandini luftoi kundër sarmatëve, duke futurë në kontroll pjesën më të madhe të Dakisë… Para së të vdiste mori pagëzimin si i krishter. Trupi i Konstadinit i futur në arkivol të artë u varros në Konstantinopojë, sipas dëshirës së Tij, ku ishin përgatitur dymbëdhjetë varret simbolike të dymbëdhjetë apostujve…Konstandini mbrojti me vendosmeri prejardhjen dinastike prej Perandorit Ilir Klaudi II. Vetë u martua me vajzën e Perandorit Maksimian dhe motren Konstantia e martoi me Perandorin Licinus. Nën sundimin e Tij, Bizanti i vogël u bë Roma e Re (Qyteti i Konstandinit)”. Siç po shihet në familjen e Konstandinit, pos Konstandinit, edhe emri i të atit të tij është i ngjashëm – Konstanci I, si dhe i këtij tipi emërimi është edhe emri i motrës së tij Konstantia”.

Për historinë dhe sundimin e Konstantinit të Madh në Ilirik ka shkruar sidomos shkrimtari i vjetër Eutropi, i cili ofron edhe të dhëna të tjera me interes për mbretin ilir “Konstantini i I, i njohur si Konstantini i Madh, perandor që nga viti 305 e deri në vitin 337, dhe i cili mbret zaptoi province të shumta, gjithë Dardaninë, Myzinë, Maqedoninë…”.

Me emrin e Konstantinit të Madh, si duket janë krijuar edhe disa qytete, kështjella nëpër tokat ku ai ka sunduar, p. sh.: “Konstantina, kështjellë dhe qytet në Mesopotami (Azi – R. D.); Konstantiola, qytet në grykë të Moravës; Konstantinopoli, Constanipolis, qytet, Stambolli i sotëm”. Për themelimin e qytetit të Konstantinopolit gjuhëtari bullgar Ivan Duridanovi thotë se u krijua mbi themelet e qytetit thrakas ” Byzantion (Hdt., Thuk., Ptol. etj.), Byzatium (Liv., Amin. Marc. etj.) – qyteti Vizantion në Bosfor (më vonë është quajtur Konstantinopolis)”. Në kontinuitet, si perandor shfaqet edhe më vonë një “Konstandini i VIII (1025 – 1028)”. Për historinë e bujshme dhe lidhshmërinë e mundëshlme të Konstanit të Madh në periudha të mëvonshme, si dhe të përdorimit të antroponimit pellasdo-iliro-shqiptar Konstanti, mbase bëhet e ditur përmes kultit të rinjohjes së burrit me gruan pas disa vjetësh mergimi të burrit, që nga paraantika, antika, mesjeta e deri më sot. Kjo dukuri vërehet sidomos në epetë e Homerit dhe në epin hindus “Ramayana”, si dhe në këngët popullore shqiptare dhe të popujve të tjerë, të cilën çështje e shtron dhe vështron thukët Prof. E. Çabej në punimin “Konstandini i Vogëlith dhe kthimi i Odiseut”.

Sa për prejardhjen gjuhësore, për nga kuptimi për antroponimin Konstantin, kroati Bratolub Klaiqi i shpjegon fjalët me prejardhje latine konstanta, konstantan “i pandryshueshëm, ekzistues, qendrues”, kurse antroponimin e shpjegon sa vijon: “Konstάntin, -ina, lat. ekzistues, i pandryshueshëm”. Mbase emrat vetjakë Konstantin e Konstantine, në bazë të kësaj etimologjie, mund t’i krahasojmë me emrat e sotëm në përdorim nga shqiptarët Qendrim e Qendresë (Qendrime). Për nga të dhënat e fonetikës historike, gjasët janë se nuk janë edhe krejt të pamundëshme krahasimet fonetike, që një k- ballore shndërrohet në q-, zanorja –o- gjithashtu në disa raste ka dhënë –a-, po edhe –e- (mora>marr>merr), dhe –t-ja të jetë sonorizuar në –d- (*Konstantin > Qendrim?). Për përdorimin e fonemës ballore si k-, po edhe si q-, edhe sot përdoren që të dy trajtat te disa fjalë dialektore të sotme të shqipes në Kosovë, që deri diku dëshmojnë fjalët: kingj – qingj; kije-qe; kumsht-qumsht; kânë-qenë etj. Pra, krahasimi Konstantin = Qendrim(?), mbetet për t’u thelluar dhe ndriçuar në të ardhmen, sepse, ka përplot onoma që përdoren me trajta të ndryshme, si formante të përdorura në mënyrë pasive.

17) MANI, MONUNI, MONUNIOS, MONUNIJE

MONUNI – Mbret Ilir i fisit TAULANT

Sipas studiuesve janë dy mbretër ilirë me emrin Monun, njëri mbret i Dardanëve ilirë kurse tjetri i Taulantëve ilirë. Ka rëndësi posaçërisht e dhëna fonetike e rrënjorit mon-, që shfaqet më vonë me trajta man-, mant-, mat- etj. gjithnjë në funksione onomastike pellasde-ilire (thrakase)-shqipe. Dhe, ç’është me rëndësi, se antroponimet me fjalën mon-man shfaqen në një territor të gjerë ilirë, si në Dardani, Thraki, Azi të Vogël, Maqedoni, Shqipëri, Dalmaci etj., mendim që po e përforcojmë me të dhëna konkrete të dijetarëve.
Sipas Fanulla Papzogllut: “Nga fundi i shek. III p. e. s. ishte mbreti dardan Monunios, vajza e të cilit u martua me mbretin ilir Gencin (gjysma e parë e shek. II p. e. s.). Emrin Monunios e kishte në fillim të shek. III edhe një mbret tjetër ilir, i cili është dëshmuar edhe me anë të një mbishkrimi të varrit nga Apollonia. Ai emër gjithsesi ishte ilir…disa mendojnë se Monuni ka qenë mbreti i Taulantëve, i fisit ilir të jugut në gjirin e Dirahionit. Duke e konsideruar mbret të Dardanëve, Drojzen mendon përfundimisht se sundimi i Dardanëve në kohën e Monunit është zgjeruar në tërë Ilirinë Jugore, deri te Dirahia, ku kinse dardanët u kacafytën me mbretin epirot Aleksandrin, të birin e Pirros…”.

F. Papazogllu e përmend këtë emër edhe si matronim, mandej edhe si antroponim në Azi të Vogël dhe në Thraki: “Emër gruaje Mania, mandej Manton Zivosoin dardanis. Kjo përputhje ka rëndësi të veçantë, sepse dëshmon lidhjen gjenetike të Dardanëve të Azisë së Vogël dhe të Ballkanit, si dhe ruajtjen e elementeve të moçme dhe ruajtjen e traditës. Nga e njëjta rrënjë është edhe emri Manioi në Thraki.” Kjo e dhënë e F. Papazogllut për përdorimin e antroponimeve të tipit Man tek ilirët dhe te thrakasët përforcohet edhe me mendimin e Prof. E. Çabejt, që thotë: “Man bashkë me mal e karpë është një nga ato fjalë që shqipja i ka të përbashkëta me trakishten e ilirishten”. Edhe D. R. Mioçeviqi e cek mbretin ilir “8. Monunije-i njohur në vitin 280 p. e. s. (Besohet se ishte i biri i Bardhylit të II ose i Grabosit?)”. Mirëpo, edhe për R. Katiçiqin emri vetjak Monnunius është i ilirëve dardanë, kurse V.I. Georgievi një Monunis e konsideron të Maqedonisë antike dhe të Dalmacisë. Janë me interes gjuhësor trajtat e antroponimeve ilire që na i ofron A. Mayeri: Monition, Monetinoi, Monadi e Moentinoi. Sidomos ka rëndësi-o-ja e rrënjës që më pastaj ka dhënë-a-: mon>man.

18) ODISEU OSE ULIKSI

Një mbret që mund të merret si mbret ilir apo pellasdo-ilir i para erës sonë është në një mënyrë a tjetër Odiseu, mbreti i Itakës së Peloponezit (Moresë), pjesëmarrës në Luftën e Trojës, që e cek dendur shkrimtari botëror Homeri në veprat e tij, p. sh.:”Kapedan kish Odise mendtarin; Odise hyjnori; Odise divin; Dhe prijsi i tyre i urti Odise”. Kemi arsye të forta ta quajmë Odiseun mbret pellasdo-ilir, sepse Homeri përmend dy të bijt e pellazgut Letho Teutamidit, pra, jo vetëm që Leto apo Letho Teutamidi ishte pellasd, po edhe patronimi Tutamidi përmban rrënjorin Teut- (Tut-), që të gjithë studiuesit e derisotëm e konsiderojnë rrënjë ilire. Odiseun si mbret ilir e kuptojmë edhe nga mendimi i Shaban Demirajt, i cili i ofron këto të dhëna për të: “ 6. Me rëndësi se sa pikat e mësipërme ka ky fakt gjeografik: Lokalizimi i mitit të Odiseut në Itakë do të thotë se Odiseu është më tepër një hero i Greqisë Veriore, pra i një vendi që ka qenë në kontakt të përhershëm me fiset ilire-shqiptare.

Paul Kreçmeri është i mendimit se ata që shpunë emrin e Odiseut në Itali kanë qenë fiset ilire. Helmigu kërkoi burimin e mitit të Odiseut te fiset barbare ose gjysmë barbare të Greqisë perëndimore. Edhe Kreçmeri e pat peshuar një gjë të tillë. Ky dijetar thotë f. 281: Odiseu kishte një orakël te Eyrutanët që nuk ishin grekë: mbi lidhjet e tij të ngushta me thesprotët”. Tre rreshtat e parë të Sh. Demirajt, nën numrin rendor 6. Janë identik me mendimin e mësipërm të Prof. E. Çabejt, i shfaqur në vitin 1977, kurse te Sh. Demiraj ky mendim është dhënë në vitin 2006, pa e cituar E. Çabejn. Porse, edhe nga këta dy gjuhëtarë shqiptar vërtetohet bindëshëm se Odiseu ishte hero apo mbret pellasdo-iliro-shqiptar.

Studiuesit shqiptarë e shohin antroponimin Odise me prejardhje shqipe nga dhé-u. Kështu, bashkautorët Luftulla H. Peza e Liljana Peza e shpjegojnë: “Odhise = udhës, udhëtar…”. Po këtë etimologji për Odiseun e jep edhe arbëreshi nga Greqia Niko Stilo, duke e cituar këtë antroponim nga një mbishkrim mumije parantike. Kurse, sipas Vojtech Zamarovskijt, pas peripecive marramendëse, “Odiseu për herë të parë pas njëzet vjetësh e kaloi natën në shtëpinë e vet…”. Pra, pasiqë Odiseu ka udhëtuar edhe nëpër det, përkatësisht nëpër ujëra, dhe mbase është quajtur edhe Uliks, që mendoj se te ky antroponim mund të kërkohet një trajtë e lashtë e fjalës shqipe ul-ujë, dhe prapashtesa, sipas Joklit, indoevropiane e zvoglimit–k, që në shipe ka dhënë prapashtesat e zvoglimit –c, –ç dhe –th.

Disa studiues heroin apo mbretin Odise e cilësojnë më tepër si grek, kurse po këtë mbret me emrin Uliks e konsiderojnë si romak, prandaj edhe ky dualizëm sikur e qet qartë këtë mbret pellasdo-ilir. Kështu, B.Klaiqi shton se “Uliks – emër latin për Odiseun”, kurse për V. Zamarovskijn “Odiseja personazhi kryesor i së cilës është Odiseu…Nën emrin Uliks (Ulixes-Ulikses) u ringjall pastaj në veprat e poetëve romakë”. Po kështu V. Zamarovskij, duke folur në 11 faqe libri për Odiseun, pos tjerash, cek që mendohet se shumë herët shfaqet Odiseu në veprat: “e poetit më të madh të të gjitha kohërave dhe të të gjithë popujve…, se krijimi i Iliadës dhe i Odisesë vendoset në shek. XII-XI. p. e. s., ndërsa, gjenden elementet madje edhe të periudhës mikenase, gjegjësisht të shek. XVI-XIV p. e. s.”.

Porse, në bazë të të dhënave të sipërpërmendura kujtoj se mbreti Odise nuk mund të quhet kurrsesi etnikisht grek (në veprën e Homerit “Iliada” nuk përmenden grekët as si grekë e as si helenë), e as si romak, sepse edhe në poemën botërore të Homerit “Iliada” del si i fisit mbase pellasdo-ilir Ajaks, ngase në “Iliadë” shkruan: “Dhe dy Ajaksat, Odiseu, Diomedi…; N’pallat mbretëror unë dhe Odiseu tok ishim; Odiseu ishte mbret i ishullit të vogël të detit Jon, Itakë”. Prejardhjen e Odiseut nga protoshqipja od për udhë-udhëtar (d-de>dhé) e përforcojnë edhe të dhënat etnografike për mbretin pellasdo-ilir Odise dhe bashkëluftëtarët e tij. Kam shkruar për Odiseun ose Odhiseun si portret dhe si shtatore me plis në kokë, si dhe Hektori me tirq porsi shqiptarët sot.

Lidhur me vërtetimin e çështjes etnogtrafike e etnologjike të kontinuitetit të shqiptarëve nga pellasdo-ilirët përmes veshjes me plisa të bardhë, po shtoj edhe dëshmitë e ofruara nga autori Eqrem M. Zenelaj, i cili thotë: “Odiseu me plis të bardhë” dhe “Zotat vëllezër: Zeusi, Poseidoni dhe Hadi me plisa të bardhë”. Përfundojmë për Odiseun, apo Uliksin e Itakës në Peloponez, përkatësisht në Morenë Shqiptare, ku edhe sot ka arbërshë autoktonë, se dëshmohet si pellasdo-ilir jo vetëm i paraantikës, po prania e iliro-shqptarëve gjatë mesjetës në More përforcohet sidomos me të dhënat, se në këtë ujdhesë, sipas veprës së V. Panajotopullos-it, emrat e fshatrave dhe të banorëve janë edhe sot më së 70% të burimit shqip.

19) OLIMPIA

Siç mësojmë nga vepra “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, një mbretëreshë ilire njihet me emrin Olimpia, e cila sundoi përafërsisht rreth vitit 320 p. e. s., dhe ishte “e bija e Pirros ilir, mandej edhe e shoqja e mbretit ilir Filip, si dhe edhe më me rëndësi, ishte e ëma e mbretit të famshëm ilir Aleksandër Mollosit apo Aleksandrit të Maqedonisë. Si mbretëreshë ilire del edhe në bazë të gjykimit të dhënë në veprën “Historia e popullit shqiptar”, ku shkruan: “Pas vdekjes së Aleksanrit, në Epir e morën pushtetin dy mbretër: Olimpia, e cila e la Maqedoninë për të qeverisur Epirin, dhe Ajkidi. Ajo u mund në betejë të dytë nga Kasandri dhe u ekzekutua (viti 317 p. e. s.”. Sa i përket prejardhjes gjuhësore dhe kuptimore të matronimit Olimpia, sa kam mundur të hulumtoj, studiuesit nuk sqarojnë sa e si duhet, pos që e përmendin Olimpin apo Malin Olimp si tempull apo seli të zotërave apo të Zeusit, dhe atë jo vetëm në një mal në Greqi po edhe në Sicili, që konsiderohet, se është bukur bindës si vendbanim në kontinuitet pellasdo-iliro-shqiptar nëpër kohë e deri më sot. Për përdorimin e matronimit Olimpi në trashëgiminë shqiptare, ose ndër arbëreshët mesjetarë të Italisë sikur flet edhe personazhi i poems së Jeronim De Radës “Serafino Topia (1839-1843, me fragmente të këngëve të saj në shekullin XV”. Olimpia e De Radës paraqitet nëpër vendet e Olimpisë së moçme të viseve të Epirit, si në Janinë e Artë.

2O) MBRETËRESHA TEUTA

Mbretëresha e mirënjohur Teuta nuk përmendet posaçërisht as nga Karl Paçi e as nga Duje R. Mioçeviqi. Mirëpo, në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” përmenden dy mbretëresha ilire me emrin Teutë: “Teuta, mbretëreshë e ardianëve (sundoi rreth vitit 229 p. e. s.)”, dhe “Teutana, mbretëreshë liburne”. Rrënjori teut- përdorej dendur sidomos në paraantikë e antikë, po edhe gjatë mesjetës e deri me sot sidomos në onomastikën shqiptare, ndonse e kemi vështirë të dimë për kuptimin e këtij emërtimi. Në veprën në fjalë (“Ilirët dhe Iiliria te autorët antikë”, f. 581) janë shënuar edhe onomat e kësaj fare: “Teutamidi, nip i Pellazgut, Homer; Teutiborgu-Teutibarku-Teutiborgion, qytet me kështjellë në Panoninë e Ultë; Teutiku, legat i Gentit; Teutramsi, qytet në Azi të Vogël”. Dhe, është fakt, që te Homeri ceken ”bijtë e Pellazgut Leto Teutamidit”. Shfaqet si patronim mesjetar i vitit 1313 edhe në anën e Vranjës. Për kuptimet apo trajtat e nduarduarta dhe të përafërta Teutana, Teudaris, Titus, Titini, Turan, Turanos na bën me dije pellasdologu Millan Budimiri në punimin e thuktë “Grci i Pelasti”.

Për praninë e antroponimit Teuta në Itali flet gjithashtu M. Budimiri, pas të cilit: “Qyteti Piza (i cli ekziston edhe sot-R. D.) quhej më parë Teutana, e themeluan Pallazgët”. Si një fjalë e fjalorit pasiv të shqipes ne mendojmë, jo pa rezervë, se fjalën teut mund ta kërkojmë tek emrat e katundeve apo oikonimeve të Kosovës: Tushilë në Drenicë (nga Teutsh-Tush+Il-Yll, në fshat gjendet topogërmadha ilire); Shtuticë në Drenicë (nga parashtesa Sh+teut-tut +icë, fshati gjendet ngat fshatit Dubovë, ku gjendet rrënoja e kalasë që quhet Gjyteti); Shtitaricë, katund i Klinës (nga parashtesa Sh+ tit +ar +icë); Tugjeci, fshat i Dardanës – Gallap (nga Teut-Teutd-Teud-Tugj + -evc, -ec, në fshatin fqinj të Tugjecit, në Gmicë ndodhet rrënoja e fortifikatës ilire Mali Gjytetit); Tuçepi, katund i Podgurit – Istog (nga Teut>Teuti>Teutj>Tuç+ap, -ep “ujë”), etj. Gjasët janë se nëpër këto Kështjella Ilire sundonin sundimtarët, mbretërit pellasdë – ilirë me emrin Teutë-Teut gjatë qindëra apo mijëvjeçarëve dhe gjurmët e tyre të zbehura apo gati të humbura u ruajtën në gojën e pellasdo-iliro-shqiptarëve.

21) TRAJANI

Për Trajanin ilir bëhet fjalë në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, për të cilin shkruan: “(M. Ulpius Trajanus), perandor në vitet 98 – 117…”. Porse, në një vend gjejmë të dhëna me interes për vendlindjen e tij në Mitrovicën tonë (Dardani-Kosovë), dhe se ka lindur në vitin 101, për të cilin shkruan: “Trajan Decius. Lindi v. 101 në Budalia (Kos. Mitrovicë)”. Sipas këtij fakti, po del se Mitrovica deri në fillim të erës sonë është quajtur Budalia, oikonim me rëndësi, që mund të ndriçohet me anë të elementeve të gjuhës shqipe, por nuk po e analizojmë gjerësisht këtë herë. M. Grkoviqi mendon që “lat. Trajanus – emri i mbretit romak, ndërtuesit të urës së Danubit dhe pushtuesit të Dakisë”. Trajani e ka ndërtuar edhe urën përmbi Danub, për të pushtuar provinca të tjera në fillim të shek. të II-të. Mirëpo, fitohet bindja se qysh atëherë mbreti ilir Trajani e kishte filluar përdorimin e administratës romake, mbase për ndryshimin e emërvendeve, përkatësisht të oikonimeve, duke i përkthyer emrat e vendbanimeve nga gjuha pellasde-ilire në gjuhen romane apo latine, dukuri të cilën e konstatojmë me mendimin e Anton Mayer-it, i cili thotë se emrin e qytetit ilir në Dardani Ulkiana (nga pell. Ilir. shq. ulk>ujk>uk), e kalkoi dhe e bëri Ulpanium (“Ulcianum).

22) ULKIANI, ULKIANUM – ULPIANUM

Sot rrënojat e qyteti Ulkiana-Ulpiana afër Prishtinës, që mbase mbreti Trajan e ndërtoi ose më parë do të thoshim e rindërtoi, ku gjithashtu sundonte në fillim të erës sonë, gjallërojnë me emërtimin Ulpiana. Pra, shihet qartë se te një qytet Ulkianum, i mbretit ilir Trajanit, gjendej e strukur fjala pellasde-ililre-shqipe me trajtat *ulk > ujk > uk, që më vonë u përkthye edhe në emrat e vendbanimeve të tjera të Kosovës në lat. lupus (si fjalë e huaj me metatezë nga popullata ilire dha ulpus?), në gr. likos(?), në sll. vlk-vuk, për të cilën çështje onomastike kam shkruar gjerësisht edhe më parë, po po i themi edhe disa fjalë në vijim për Ulkianin.

Gjasët janë se Kështjella e madhe Dardane Ulkianum është formuar apo themeluar në zanafillë nga emri i mbretit iliro-dardan Ulkian pikërisht në zemër të Dardanisë paraantike, që sot gjendet në juglindje të Prishtinës. Rëndësia e madhe dhe e pakrahasuar e mbretit ilir Ulkian qendron në faktin se qysh në paraantikë shfaqet fjala ilire-shqipe me trajtën ulk, që më pastaj pësoi ndryshime fonetike, por edhe u ruajt aty-këtu forma arkaike ulk-ujk. Oikonimi iliro-dardan Ulkianum shfaqet me bazën antroponimike ulk-: Ulkian-Ulkianum. Ka qenë dukuri e zakonshme te mbretërit ilirë, që me emrat e tyre t’i emrojnë ose pagëzojnë qytetet e mëdha, që i kanë themeluar vetë, siç janë sa e sa shembuj. Shihet qartë se mbreti ilir Ulkiani e themeloi qytetin e tij madheshtor prej rreth 40 hektarësh.

Porse, më pastaj mbreti ilir nga Mitrovica Ulpius Trajani (v. 87-117) ia ndërroi emrin dhe e quajti me emrin e vet Ulpius, emër që mund të diskutohet si për nga kuptimi ashtu edhe fonetika historike, si dhe se, gjasët janë se më vonë u përkthye për emrimin e oikonimeve në lat. llupus; gr. likos, sll. vlk-vuk, fjalë këto që gjenden edhe në rrënjorët e disa fshatrave të Kosovës. Prandaj, nga fjala ilire-shqipe ulk>ujk>uk në shumës ujq (uq) mendoj se është krijuar edhe emri i fshatit të Istogut Uqë. Për lashtësinë e fjalës ilire-shqipe ulk në onomastikën ilireshqipe flet edhe emri i qytetit të Ulqinit, i cili përmendet si emërtim ilir në veprën “Ilirët dhe Iliria te atutorët antikë” me trajtat: “Ulkinion, Olcini, Ulcinium, Bicinian, Vicinium, qytet, Ulqini i sotëm”.

Vlen për të theksuar se, në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” e gjejmë vendbanimin ilir Ulkian me një emër të tretë (pos të emrave Ulkianum e Ulpianum), siç kuptojmë të një mbreti ilir më të ri: “Ulpiana, Veclanum, Justiniana e Dytë…”. Shihet se Justiniani ilir dardan njëmend e ka emëruar me emrin e vet si Justiniana e Dytë, sepse Justiniana e Parë ishte mbase vendlindja e tij, fshati Tauris (sot Taor) i rrethit të Shkupit, ngase Prokopi i Cezaresë e përshkruan kështu Justinianin si sundimtar i plotëfuqishëm: “Justiniani I (527-565)… Diku te dardanët europjanë gjendet një fshat me emrin Tauris, ku ka lindur perandori Justinian, themeluesi i perandorisë botërore. Ka pasur në Dardani një qytet që quhej Ulpiana. Muret e tij ai i rindërtoi”.

Porse, sot, fatkeqsisht rrënojat e Ulkianit nga disa studiues, sidomos arkeologë shqiptarë dhe serbë nuk e quajnë as me emrin më të vjetër iliro-shqiptar të qartë Ulkian – Ulkianum, e as me emrin më të ri Justiniana e Dytë, po i thonë me emërtimin e errtë kuptimisht dhe gjuhësisht Ulpiana. Këta arkeologë mandej, çka është edhe më keq dhe për habi, hezitojnë ta quajnë vendbanim me zanafillë ilire Ulkian apo Ulkaianum. Mirëpo, të dhënat e mësipërme bëjnë për të kuptuar se si Fortifikata e UlkIianit apo Ulkianës ashtu edhe përplot oikonime ilire-shqipe të tjera ballkanike e më gjerë, do t’iu vijë koha që të zbulohen dhe të dëshmohen bindëshëm si emërtime ilire-shqiptare, që si të tilla, prej 360 fortifikatave që i ndërtoi dhe rindërtoi Justiniani për mbrojtje nga hordhitë e veriut këndej Danubit në Ballkan, shumë prej tyre mund të përqasen me shqipen.

Këtyre 56 emrave të mbretërve ilirë të theksuar më lartë (16 të K. Paçit, 14 të D. R. Mioçeviqit dhe 19, që i kam gjurmuar nëpër vepra e burime shkrimore), prej të cilëve ka edhe mbretër që shfaqen me të njëjtin emër të përtërirë në lozën gjenealogjike po ua shtoj edhe 15 emra të mbretërve ilirë, që janë përmendur në një artikull impozant me titull “300 vjet në krye të Romës”, në gazetën “Rrënjët”, ku bëhet e ditur: “Për rreth 3 shekuj (251 – 565), Roma u mbizotërua nga perandorë ilirë… Trajan Decius. Lindi në v.201 në Budalia (Mitrovica e Kosovës); Hostiliani (230-251); Klaudi i II-të (268); Mbretërimi Quintillus; Aureliani, lindi në v. 175 në Sirmium (Mitrovica e Sremit, Shpëtimtari i Ilirisë); Probi; Diokleciani (v. 284-305); Maximianus Herculus (Maksimiani, 249-284); Galeri, perandori i fitoreve të bujshme. Galeri lindi në Iliri. Vdiq në Serdica (Sofie) në v. 311; Konstantini i Madh, perandori që ndryshoi Historinë. Lindi në v. 272 në Naissus të Dardanisë; Maximinus II (v. 270 – 313); Valentinian I (v. 321 – 375)”.

Sipas pasqyrës së mësipërme të këtyre mbretërve ilirë, janë krejtësisht më së 71 emra të mbetëreshave e mbretërve ilirë, pjesa më e madhe e të cilëve janë të lindur në Siujdhesën Ilire (Ballkanike), dhe kanë sunduar pjesërisht në tri kontinente, Evropë, Azi dhe në Afrikën Veriore. Mirëpo, dihet pothuajse saktësisht për shtatë (7) mbretër shumë të zotë ilirë, që kanë lindur në Dardaninë Antike (Kosovë), që njihet më tepër si periudha romake, dhe këta janë: Trajani (v. 98 – 117, i lindur në Budalia – Mitrovicë); Galeri (v. 292 – 305, i lindur në Romeliana apo Gamzigrad, përmbi Nish te Zajeçari); Konstantini i Madh (v. 293 – 337, i lindur në Nish); Monuni Dardan (gjysma e parë e shek. II p. e. s.); Batoni Dardan i para erës sonë, Ulkiani dardan i para erës sonë(?) dhe Justiniani (518 – 527, siç u tha më sipër), i lindur në Tauresion – Taoresion, që ubikohet me emrin e fshatit të sotëm Taor të rrethit të Shkupit.

Ekzistojnë edhe sa e sa mbretëresha e mbretër pellasdo-iliro-shqiptarë, p. sh.: Zeusi, Ntigon Dosoni dhe Antigon Gonata, Baku – Bahu, Dalmati, Deadamia, Dea Dardane, Deci, Kasandri, Malea, Molosi, Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu etj., të cilët janë gjithashtu me interes për studime etnike, etnololgjike, gjuhësore e kuptimore, por, për të cilët mbase do të flasim njëherë tjetër. Këto mbretëresha dhe mbretër ilirë ishin mburojë e çelnikët për krijimin dhe ruajtjen e etnosit të hershëm dhe deri të sotëm pellasdo-iliro-shqiptarë në tokat e tyre, dikur si një popull me shtrirje shumë të gjerë. Mirëpo, duke kaluar nëpër kohë të bujshme, sidomos gjatë kohës së krishtërimit dhe islamizimit, pjesa më e madhe e kësaj popullate u asimilua në etnose dhe popuj më të rij, si në romakë apo italianë, grekë (helenë), sllavë, turq etj., dhe si më besnikët mbetën pasardhësit e tyre autoktonë dhe të drejtpërdrejtë shqiptarët e tkurrur, të cunguar dhe të coptuar në pjesën e Evropës Juglindore, të shkapërderdhur sot në më së shtatë shtete ballkanike, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, Serbi, Bullgari, dhe më gjerë se në këto shtete.

Prishtinë, 31.10.2018

Dërgoi për publikim, Milazim Kadriu, gazetar