KRISTAQ TURTULLI
Afro gjysmë shekulli më parë munda të lexoj një shkrim te një gazetari gjerman, i cili kishte bërë vizitë në Japoni dhe ndër të tjera shkruante: Të mësojmë nga shkollat, traditën dhe metodologjinë Japoneze. Ndërsa disa javë më vonë lexova impresionet e një gazetari japonez, i cili i ktheu vizitën kolegut të vet në vendet gjermanike dhe, në gazetë e tij vuri si krye titull; Respekt, admirim për kulturën, artin dhe disiplinën gjermane.
Edhe pse kanë kaluar shumë vite qysh atëherë, replikat miqësore, plot vërtetësi më ngelën në mendje. Vite pas viti më mundonte dëshira e fshehtë, a do mundja të shihja së paku një nga këto shtete të lavdërueshme. Këto po mendoja kur avioni ulej ngadalë në aeroportin e madh të Vjenës.
E kishim zënë një dhomë disa javë më parë në hotel Kontinental dhe, kur hapa dritaren, u befasova, disa metra larg lartohej kisha e vjetër qindra vjeçare: ‘Mariahilfer’, (Virgjiëresha Mari e mrekullive).
Sigurisht që ndjeheshim të lodhur nga udhëtimi i gjatë me avion por, s’na rihej në hotel. Lamë valixhet dhe zbritëm me ngut jashtë në rrugën e mbudhur me njerëz.
Tashmë jemi ambientuar me pastërtinë, rregullsinë kanadeze, përsëri na bëri përshtypje mënyra e jetesës, rregullsia, harmonia dhe bukuria e kryeqytetit të vjetër austriak, Vjenës. Arkitektura, madhështia, njohur si qyteti i muzikës, i kështjellave shekullore, muzeve, galerive, e kanë kthyer këtë qytet qendër turizmi.
‘Vjena është qyteti më estetik në Evropë,’ më tha një miku im përpara se të nisesha. ‘E njohur për sharmin e vjetër. Të befason me ngrohtësinë, afërsinë, bukurinë që jep ky qytet në zemër të Evropës.’
Austria, vendlindja e kompozitorëve të famshëm mes tyre shkëlqen i mrekullueshmi Wolfgang Amadeus Mozart.
Austria gjithashtu shtëpia e poetëve, shkrimtarëve, dhe romancierëve si Franz Kafka etj. Austria e të famshmes Akademisë Filarmonike.
Në mëngjesin e ditës së parë të mbërritjes në Vjenë, u sheshova dhe piva kafe në një lokal klasik, pranë qendrës së bukur, ndoshta për të fashitur disi emocionet. Kafeja më la një shije të mrekullueshme. Siç më thanë, dy çanta me kafe të lëna në ikje e sipër nga ushtarët turq që u përpoqën ta pushtonin qytetin në shekullin e 17-të, i dhanë fillesë një tradite që në ditët e sotme është kaq speciale.
Historia e Vjenës fillon me Perandorinë Romake kur ngriti kampin ushtarak këtu ku lartohet qendra e Vjenës. Prej asaj kohe Vjena u rit, u bë kryeqendra e dinastisë Babenberg dhe e Austrisë së Habsburgëve, dhe një nga qendrat më të rëndësishme kulturale Evropiane. Gjatë shekullit të 19 Vjena u bë qendra e Perandorisë Austro-Hungareze dhe një nga qytetet më të mëdhenj të Evropës.
Përpara nesh, në qendër të Vjenës, u hap madhërisht Hofburgu ish-pallati kryesor perandorak i sundimtarëve të dinastisë Habsburgut, një nga më të mëdhatë në botë. U ndërtua në shekullin XIII dhe u zgjerua disa herë më pas. Shërbeu dhe si vendbanimi perandorak i dimrit, pasi Pallati Schönbrunn ishte vendbanimi veror. Grupet e mëdha e të bukura skulpturale, vendosur në çdo kënd të godinave dhe sheshe. Pallati Hofburg ndërtuar me shumë stile arkitekturale të ndryshme, nga stili Gotik, në Rilindje, nga stili Barok, Rokoko dhe klasicizëm. Pallati shtrihet mbi 24 hektarë, në një farë mënyrë quhet qytet brenda qytetit, me 18 godina, 19 kopshte njëra më e bukur se tjetra dhe me 2600 dhoma.
Sot ky pallat shërben si vendbanimi zyrtar dhe vendi i punës i Presidentit të Austrisë.
Arkitektura e godinave të qendrës së qytetit na la përshtypje të veçantë, secila ndërtesë kishte stil harmonik të veten, bile dhe çdo ballkon ishte krejt ndryshe nga ballkoni tjetër. Siç duket vjenezëve i lodh monotonia dhe, në çdo cep të rrugëve kishte çezma me ujë të ftohtë, për të shuar etjen vizitorët e shumtë.
Që larg dalloheshin kambanoret e Katedrales së St. Stephen’s, që ngrihej plot madhështi në sheshin qendror të qytetit. Nxituam hapat, në krah të saj bëhej koncert, populli i shoqëronte këngët, kërcenin, hanin salsiçe dhe pinin birrë. Disa vendëse me dashamirësi na hapën vend në stolat e gjatë. U ulëm, morëm dhe ne salsiçe dhe birrë. Nuk kish gjë më bukur. Kalimtarët kureshtarë dyndeshin për të hyrë dhe vizituar katedralen madhështore dhe hijerëndë. Hymë dhe ne. U shtangëm nga madhështia dhe bukuria, me kolona të larta, piktura të mëdha me temë biblike dhe harqe të gdhendura plot art dhe hijeshi. Kjo katedrale mbahet si simbol i Vjenës, konstruktuar më shekullin e 12. Një nga më të rëndësishmet të stilit Gotit.
Ndërtesat e pallatit historik Belvedere vendosur në një peizazh të parkut barok në rrethin e tretë të qytetit, gjendet në skajin jug-lindor të qendrës. Morën transitin për të shkuar aty. Premë biletat, kaluam rrethimin dhe hymë në oborrin e madh. Sakaq u hap përpara nesh një tjetër madhështi dhe bukuri e rrallë, e pakrahasueshme. Pallati historik Belvedere konsiston në dy Barok pallate (Lart dhe ulët belvedere) Portokalli dhe stallat e pallatit, strehojnë muzeun Belvedere. Bazat vendosen në një gradient të butë dhe përfshijnë burime dekorative dhe kaskada. Skulptura barok dhe porta madhështore prej hekuri të punuar. Mbi kodër ngrihej një kompleks madhështor skulpturor me temë nga antikiteti dhe një shatërvan i madh përhapte gjithandej freski.
Kompleksi i pallateve barok u ndërtua si një vendbanim veror për Princin Eugene të Savoy.
Austria u dominua nga familja e Habsburgëve prej vitit 1273 deri në vitin 1918, kur perandoria pësoi kolaps në fund të luftës së parë botërore.
Ditët e qëndrimit tonë në Vjenë kaluan shpejt. Donim të qëndronim më gjatë por koha e paska një limit. Të mbushur me përshtypje dhe emocione të pashlyeshme do vazhdonim udhëtimin tonë për në Mynih, një nga qytetet më të rëndësishme të Gjermanisë. Qysh fëmijë e kam adhuruar skuadrën e futbollit Bajern i Mynihut, me Franz Beckenbauerin e famshëm. Rruga nga Austria deri në Munih dredhon mes maleve të lartë dhe fushave me pamje piktoreske. Ndaj menduam që rrugën ta bënim me makinë, të shijonin më afër bukurinë fushave dhe freskinë e maleve.
Përshkruam male dhe fushat e mbjella harmonishëm, ngjanin si qilima të bukura. Fshatrat me shtëpitë karakteristike ndërtuar plot hijeshi, qëndronin krah njëra tjetrës. Nuk na zunë sytë ndonjë pëllëmbë tokë pa punuar dhe mbjellë.
Gjatë rrugës u befasuam kur pamë për së largu kupolat e hijshme të katedrales së portokalltë që lartohej në kodër si kështjellë, në hyrje të qytetit të Melkut. Kjo katedrale madhështore është nga më të mëdhatë dhe mrekullueshmet e stilit Barok në Evropë. Në fillesë kjo katedrale, shkollë e murgjve dhe murgeshave u ndërtua rreth vitit 1089 dhe, dalë ngadalë u rit, u zgjerua. Me salla të mëdha, kapitele dhe tavane të harmonizuar bukur, pikturuar nga mjeshtra të mëdhenj. Në të djathtë hapej Libraria me libra nga më të hershmet, krijuar në vitet 1297 dhe rindërtuar në vitet 1702-1736. Për nga pozicioni, arkitektura është nga më madhështoret në botë.
Qyteti Linz i Johannes Kepler, astronom, mathematicien, astrolog i shquar, na priti me shi të imët. Ndaluam pranë një lokali me arkitekturë interesante tipike gjermane dhe pimë nga një ekspres. Përballë lartohej statuja e Johannes Keplerit, figurë qendrore në revolucionin shkencor të shekullit të 17-të.
Në kryeqendrën e lindjes së Mozartit të madh, Salzburgu (Qyteti i Kripës) menduam të qëndronim disa ditë. A mund të shkoje indiferent pa mësuar më shumë për këtë qytet, muzikën, historinë.
Kur mbërritëm ishte mbrëmje e butë dhe binte një shi i imët. Salzburgu ngritur në gji të maleve, një magji, bukuri dhe madhështi më vete. Megjithëse fillim vere, majat e maleve i kishte të mbuluara me borë. Ndjehej era e freskët e malit. Hoteli ynë dyqind metra larg lumit të gjerë dhe rrëmbyeshëm Salzach që ndan qytetin në mes.
Gjatë natës shiu trokiti në xhama dhe sikur na u ftoh pakës entuziazmi. Por kur u ngritëm në mëngjes, koha ishte e ngrohtë, dielli na buzëqeshte me ngrohtësi dhe, na ftonte me zemërgjerësi të shihnim, të përjetonim të papriturat dhe bukuritë e rralla mbi dhe.
Emri Salzburg do të thotë “Qyteti e Kripës”. Emri rrjedh nga anijet e rrafshëta të cilat detyroheshin të paguanin tarifë kur transportonin kripën në lumin Salzach në shekullin e 8-të dhe më vonë. Vizita në Salzburg ishte një e papritur dhe kënaqësi e jashtëzakonshme.
Një libër i madh i hapur magjik, si një mijë e një netët. Nuk të dilte koha kë të shihje më parë. Pallatin madhështor Mirabell të veshur nga brenda me mermer, ar të pastër dhe punime arti. Në një anë të tij hapej befasisht kopshti i bukur me shatërvanë, statuja mermeri dhe trëndafila shumëngjyrësh. Të dehte aroma e mrekullueshme të trëndafilave.
Pallati Hellbrunn. Katedralja madhështore e Salzburgut. Në kodër mbi qytet ngrihej hijerëndë, dominuese fortesa e Hohensalzburgut, kështjella e vjetër ndërtuar në vitin 1077 nga Kryepeshkopi Gebhard e bëri atë rezidencën e tij. Për të vizituar e njohur nga afër kështjellën, simbolin e fuqishëm të mesjetës duheshin ore të tëra, sallat mëdha, mure të larta, korridore. Një nga dhomat më të mrekullueshme të kështjellës ishte dhoma e artë e Princit gdhendur në dru. Na mahniti organoja mekanike, instrument muzikal ndërtuar në kështjellë në vitin 1502, bie tre herë në ditë dhe, dëgjohet në gjithë qytetin.
Në 800 vite histori kjo kështjellë s’është atakuar ose mposhtur kurrë.
Po kështjellat tona, atakuar me dhjetra herë, rrafshuar, mos ndoshta ishte fati i tyre të binin dhe të shkatërroheshin nga pushtimi i zi Osman? Po dy qytetet e vendit tim; Voskopoja dhe Vithkuqi, ndër qytet më të mëdha e zhvilluara të perandorisë Otomane, me Akademi dhe shtypshkronjë? U dogjën tre herë, derisa mbetën shkrumb e gurë. Krisma në mesnatë. Ulërima. Klithma. Bura që vriteshin duke luftuar në këmbë. Vajza që këndonin vallen e vdekjes dhe binin nga shkëmbi dhe tymi që nxite qiellin. Kush shkaktoi të gjitha këto shkatërrime dhe rrënime? Kush i dogji? Sigurisht djegia ndodhi nga dashakeqësia, urrejtja, injoranca, zilia e fqinjëve, përreth qyteteve.
Rruga e grurit (Getreidegasse) na befasoi nga bukuria, harmonia e ndërtimeve, gjetjet arkitekturale, rrugina të ngushta që hapeshin nga të dy anët, ku kishte lokale dhe mjedise dhe shumta, të cilat shtriheshin brenda në mal. Rruga e grurit është një nga vendet më të lakmueshme dhe turistike të qytetit. Në njërën nga këto shtëpi, fasada lyer në ngjyrë të verdhë, si e veshur në ar lindi Mozarti i madh. Është rrugë e jashtëzakonshme, s’të bëhet të largohesh, shtëpi të ngjitura me njëra tjetrën secila me karakteristikat, stilin e vet, e zhurmshme dhe plot dyqane. Diku në të dalë, mes sheshit të madh lartohet përmendorja e Mozarit të madh, në krah në numrin 9 shtëpia ku u rit ky gjeni. Kjo rrugë dhe i gjithë qyteti asnjëherë s’u prek, s’u dogj, përkundrazi u rit, u ri konstruktua nga shekulli në shekull.
Më kujtua diçka nga pazari i qytetit tim, Korçës, i cili u dogj tre here. I ati i nënës së babait, Ananezi kontribuoi në ndërtimin e pazarit e të qytetit dhe kishte në pronësi pjesën e pazarit ku binte flaka. Eh, sa histori dhe dhembje! Përsëri afro 30 vjet demokraci, e sot e kësaj dite amulli dhe, akoma nuk ka shkuar haka te i zoti. U mundova të largova nga mendja tymtajën e mendimeve e të shijoja bukuritë dhe impresionet, por si i thonë fjalës, gjuha shkon aty ku dhemb dhembi.
Gjatë qëndrimit në Salzburg, natën shiu na freskonte, ditën dielli na ngrohte dhe qyteti na mbushte me mbresa të pashlyeshme.
Në mesditë të ditës së katërt të qëndrimit në Salcburg u nisëm me autobus drejt Mynihut, një nga qytetet më të rëndësishme të Gjermanisë. (vijon)
Qershor 2019