Mbrëmje e mërzitshme

0
1569

Dionis Xhafa

Po sot jam i mërzitur fort. E unë që duhanin nuk e pi, mërzitem shumëfish. E jam mbyllur në këtë dhomën time, herë e rregullt dhe herë e ç’rregullt. Ka qetësi jashtë. Dynjaja është duke fjetur e ndonjë zhurmë e lumit të llumtë të Tiranës mundesh ta dëgjosh në veshët e mpirë prej zhurmës të ditës. Pranë meje, e kam vendosur mu në gjoks librin e Andriç “Ura mbi Drin”.

Po mërzitem thellë e se nga kjo mërzi sikur thith atë kënaqësi të çuditshme që ta fal skëterra. Ashtu si papritur, në tru mu kujtua një poezi e Poradecit që dëgjonte kërcitje të lopatave në pyll të thatë kur unë dëgjoj përtej dritares një zhurmë të madhe si makinerie gjigande. Dëgjohet këtej nga lumi. E në këtë mërzi, sikur thith gëzueshëm “burgosjen” në dhomën me drita të vobegëta e hera-herës jeta më ngjan me personazhe të Kamysë e të Kafkës, herë i huaj e viktimë sistemi mundet e herë sikur çohem në mëngjes dhe së bashku me rrobat e mia të përditshme vesh edhe një rrobë të metaltë si roboti, me të cilën sa duket shtyj ditët, orët, vitet.

Po është mbrëmje e mërzitshme, e çuditshme në të njëjtën kohë. Shpirti herë më ndizet e herë më fiket prej ajrisë që ndjen. Anash meje qëndron Andriç, dëshmitar i një kohe të vjetër, që si sot e në çdo kohë të njerëzimit kishte rreziket e veta, mallkimet dhe damkat e shumta. Pranë meje një libër që është vlerësuar me çmimin “Nobel” në vitin 1961.

E ndoshta do të doja të vdisja mbi këtë shtrat, mbi këtë libër në këtë dhomë me “Nobelin” në dorë, në përpjekjen time modeste për me dalë jashtë llucës të realitetit shqiptar e jashtë lojërave të ndyra me levë arkimedi që ndeshet këtu, ku njeriu kapet e hidhet në rrugë, e siç thoshte Fishta i madh, i rrahur e për me qajt nuk mundesh dot. E ushqej çuditërisht dashuri për natën, errësirën për të mos duruar më dhimbje e mallkim të njerëzve në qytetin e madh, ku ata që nuk duroj dot si fytyra, janë ata që kanë qelb poshtë lëkurës.

E kështu do të desha të vdes, ta humb shpirtin të bardhë, trupin e shpërlarë, derisa ujët e lumit të mos e dëgjoj më. Kështu ndoshta ndjej e gjej qetësi të përjetshme. Por nuk mundem. S’kam guxim e gjumi më merr, si zombie, si fantazmë që shkon e futet fill e në varrin e vet.

28 prill 2017