MBI VLERAT DHE TEMAT KRYESORE TË GAZETARIT FRANK GJETO SHKRELI

0
787

Nga Thanas L. Gjika

Në vitet kur Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, “Radio Zëri i Amerikës”, luajti rolin e ambasadës amerikane për të ndihmuar popullin shqiptar për informimin e popullit shqiptar mbi ngjarjet kryesore, duke ia treguar ato me vërtetësi, ashtu si kishin ndodhur. E në këtë mision kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar një sërë burrash e djemsh shqiptarë si, Jozef Paskali, Talat Karagjozi, Xhevat Kallajxhi, Ilia (Louis) Prifti, spikerja Lulu Vrioni (mbesë e Mit’hat Frashërit), Ruzhdi Daca, Gasper Kiçi, Bardhyl Pogoni, Dr. Elez Biberaj, Idriz Lamaj dhe Frank Gjeto Shkreli.

Krijimtaria publicistike e gazetarit Frank Shkreli e shpërndarë në shumë gazeta të diasporës, të Shqipërisë dhe Kosovës, bashkë me librin e tij të ri “Demokracia nuk pret” (BOTIMET MORAVA, Tiranë 2016, 476 f.), është një minierë e vërtetë me vlera politike, shkencore dhe kulturore. Ky autor ka si tipar kryesor shprehjen flakë për flakë të interpretimeve të tij për politikën shqiptare, për marrëdhëniet amerikano-shqiptare dhe për çështje rajonale të Ballkanit, të cilat drejtpërdrejt ose terthorazi kanë interes të veçantë për botën shqiptare. Vigjilent tregohet ky autor dhe ndaj politikës së jashtme të Rusisë dhe të Turqisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ndaj politikës së brendshme të shteteve fqinjë që vijojnë t’i shkelin të drejtat e shqiptarëve që jetojnë brenda tyre.

Shpresa do ta mundë dëshpërimin

Frank Shkreli, është një politolog që jep mendime kritike ndaj shkaqeve që e pengojnë ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por atij nuk i mungon orientimi optimist për të ardhmen. Duke u mbështetur dhe te gjeopolitika dashamirëse e SHBA-ve dhe e BE-së ndaj Shqipërisë, ai ka formuluar idenë pozitive “shpresa do ta mundë dëshpërimin” (“Demokracia nuk pret” f. 30). Optimizmin e vet objektiv, Shkreli e lidh dhe me ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në këto 27 vjet, si shkërmoqja e diktaturës komuniste në Europë dhe Shqipëri, çlirimi i Kosovës nga zgjedha sërbe dhe rritja e përpjekjeve të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Sërbi për të fituar më shumë të drejta politike dhe qytetare. Ai thekson: “Eshtë në dorë të shqiptarëve si asnjëherë më parë, që Shqipëria dhe shqiptarët ta ndjejnë sot veten mirë në mbarë trojet e tyre autoktone” (f. 144).

Ku shkelet e drejta e shtypit, do të shkelen dhe të drejtat e tjera

Frank Shkreli ecën në rrugën e Profesor Repishtit lidhur me luftën për zbatimin e të drejtave të njeriut. Mbështetur në artikullin 19 të “Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut”, ku përcaktohet e drejta për lirinë e shprehjes së opinionit, e marrjes dhe e dhënies së informacionit, Shkreli sulmon shkeljen e kësaj të drejte në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Shqipërisë.

Autori, pasi sqaron sesi organizmat ndërkombëtare e kritikuan qeverinë turke për gjendjen e rëndë të krijuar për gazetarët e atij vendi, në shkrimin “Shtypi nën presion në Turqi dhe në Shqipëri” (f. 16-21), kalon te rasti konkret i sulmit që z. Gjiknuri i bëri gazetës së pavarur “Telegraf” të Tiranës. Kjo gazetë kishte kritikuar një ditë më parë Ministrinë që ai drejtonte dhe ky Ministër të nesërmen e paditi këtë gazetë të përditshme te Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me akuzën se ka cënuar rëndë nderin dhe personalitetin e tij dhe ka përhapur në publik informacion të pavërtetë. Gjiknuri i kërkoi Gjykatës që ta detyrojë gazetën “Telegraf” t’i paguajë atij si dëmshpërblim shumën prej 10 milion lekësh ose 100 mijë dollarësh. Mirëpo një ditë më pas, Komisioni i Lartë i Shtetit (KLSH) njoftoi se kishte dorëzuar padinë e vet në Prokurori ndaj z. Gjiknuri për shpërdorim detyre. Për ta demaskuar më tej këtë Ministër dhe kolegë të tij që shkelin të drejtat e shtypit shqiptar, autori citon pjesë nga fjalimi që mbajti Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Ban Ki Moon, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ku ai theksoi nevojën e mbrojtjes së gazetarëve nga presionet e qeveritarëve. Si konkluzion autori konkludon se në Shqipëri sjellja e z. Gjiknuri paralajmëron edhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, sepse aty demokracia është e brishtë…

Vlerësimi i Kishës Katolike dhe i barinjve të saj

Frank Shkreli është bir i komunitetit të krishter katolik shqiptar mbi të cilin politika e regjimit komunist solli pasoja shkatërrimtare, prandaj ai e ndjen për detyrë shpirtërore të kujtojë herë pas here plagën e shkaktuar gjatë diktaturës komuniste në fushën e besimit fetar dhe pasojat e saj. Kështu ai vë re se edhe në Shqipërinë pasdiktatoriale ka një nënvlerësim ndaj kolosit At’ Gjergj Fishta. Poema “Lahuta e Malsisë”, sqaron autori, midis shqiptarëve të Jugosllavisë ka qenë kënduar në çdo vatër familjare gjatë gostive e festave familjare. Gjergj Fishta për mbarë shqiptarët gegë, pra për 4/3 e popullit shqiptar, ka luajtur rolin e “Poetit Kombëtar”, ashtu si Naim Frashëri për shqiptarët toskë. Prandaj lënia e shtëpisë së Gjergj Fishtës në gjendje të rënuar edhe pas 25 vjet tranzicioni dhe mospërgjigja e Ministrisë së Kulturës ndaj ofertës së zotit Sabri Maxhuni, biznesmenit nga Kosova, për të riparuar e kthyer në Muze shtëpinë e poetit me shpenzimet e veta, e revolton gazetarin Shkreli. Në fund, autori pasi i shpreh mirënjohje z. Sabri Maxhuni, e mbyll shkrimin duke e vlerësuar dhe uruar: “Kjo është atdhetari e vërtetë! Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!”, urim që nënkupton se Ministrisë së Kulturës i mbetet mungesa e atdhedashurisë dhe turpi.

Nostalgjia ndaj diktatorit Hoxha, një pengesë serioze për Shqipërinë

Një problem që e shqetëson shumë analistin Shkreli është mbajtja gjallë e nostalgjisë ndaj Enver Hoxhës gjatë viteve të tranzicionit. Këtë dukuri ai e konsideron si një paralele me mbajtjen gjallë të nostalgjisë së Josif Stalinit në Rusi.

Me rastin e festimit të Ditës së Dëshmorëve më 5 maj 2014, u panë tek vorrezat e dëshmorëve në Tiranë foto të diktatorit në prani të fëmijëve të shkollave që kishin shkuar atje. Këtë veprim autori e quan “të shëmtuar dhe të pafalshëm”, në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon të hyjë në Bashkimin Europian. Shqetësimi i autorit ka lidhje me faktin se në Shqipëri këto veprime u kryen në prani të personave që janë në pozita kyçe partiake dhe qeveritare, anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë. Të tillë njerëz që nderojnë fotografinë e diktatorit me grushtin lart, sqaron autori, dëshmojnë se: “Ata… jetojnë krejt jashtë realitetit shqiptar dhe ndërkombëtar… se janë të paaftë për t’i paraqitur popullit shqiptar ide të reja për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat ai përballet,.. se ata i thonë botës se gjithnjë janë krenarë që kanë qenë pjesë e një regjimi të një historie të humbur” (f. 459 – 460).

Si zgjidhje ai sjell fjalët e Presidentit amerikan Ronald Regan të vitit 1983: “Të keqen duhet ta kundërshtojmë me çdo mjet dhe me të gjitha fuqitë tona… Krenaria e Amerikës është aftësia e saj për të kapërcyer të këqiat morale të historisë së vet, duke u shkëputur prej tyre dhe duke u zotuar se nuk do të ndodhin kurrë më” (f. 458 – 459).

Ashpër e sulmon Ministren e Kulturës, zonjën Mirela Kumbaro, kur ajo sugjeroi që statujat e Leninit e të Stalinit të mos mbaheshin më në ambjente prapa Galerisë së Arteve, por të vendoseshin në ambjente të dukshme të Ministrisë së Kulturës. Shkreli kritikon jo vetëm këtë ministre, por dhe gjithë forcat politike të pozitës dhe opozitës, intelektualët dhe mbarë popullin, që heshtin kur dëgjojnë të tilla mendime në një kohë që në ambjentet e Ministrisë së Kulturës duhet të vendosen statujat e At’ Gjergj Fishtës dhe atdhetarëve që ndërtuan kulturën tonë e jo statujat e ideologëve të ideologjisë komuniste që kapitulloi me turp.

Të hapen Dosjet!

Disa institucione dhe fondacione gjermane ndihmuan për të hapur gjatë dhjetorit 2014 në Tiranë dhe më pas, gjatë prillit 2015 në Berat, një ekspozitë kushtuar historisë së Europës gjatë shekullit të XX-të për të nxjerrë mësime nga jeta që kaluan popujt e këtij kontinenti nën diktaturat dhe si po jetojnë tani në demokraci. Shëmblli që ndoqi populli gjerman me qëndrimin e tij pas daljes nga diktaturat naziste e komuniste nuk u ndoq prej popullit shqiptar. Në Gjermaninë Perëndimore pas 9 majit 1945 u dënuan krimet e nazizmit dhe kriminelët nazistë, kurse në pushtet erdhën njerëz të ndershëm që nuk kishin lidhje me nazizmin. Kurse pas bashkimit të dy Gjermanive mbas vitit 1990, populli i Gjermanisë Lindore nëpërmjet hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit duke u ballafaquar me të kaluarën e tmerrshme arriti të siguronte paqen shoqërore dhe sejcili të gjente vendin që i përkiste. Kështu Gjermania e bashkuar (Republika Gjermane) ndërtoi shpejt shtetin e përbashkët demokratik, i cili eci shumë përpara si fuqi botërore politike dhe ekonomike.

Kurse në Shqipëri pas ndërrimit të sistemit nuk u vendos asnjë masë që të mënjanonte ish-komunistët dhe ish-sigurimsat nga pjesëmarrja në pushtet. Partia Komuniste Shqiptare u quajt më 1948 Parti e Punës dhe pas shpalljes së pluralizmit më 1991 nuk u shpërbë, por ndërroi vetëm emrin në Parti Socialiste. Kjo parti me të njëjtët deputetë që trashëgoi prej Partisë së Punës vijoi të ishte parti parlamentare në sistemin pluralist dhe shumë shpejt rimori pushtetin politik e atë ekonomik. Eshtë e kuptueshme se në Shqipëri kuadrot ish-komunistë dhe ish-sigurimsa që vijojnë të sundojnë politikën e vendit, nuk janë të interesuar të hapet asnjë debat mbi krimet e kohës së diktaturës komuniste. Mirëpo pikërisht mosdënimi i krimeve të kohës së diktaturës përbën ngërçin e politikës shqiptare.

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë duke e kuptuar fatkeqësinë tonë, pasi vizitoi ekspozitën në Berat, dha një këshillë: “ka ardhur koha për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Mendoj që ky është një proces i dobishëm për të gjithë shqiptarët dhe shpresoj shumë që ky proces të përmbyllet në mënyrë të suksesshme” (f.148). Mirëpo autori i shkrimit, i cili e di se për 25 vjet është folur e përfolur për këtë problem, janë krijuar komisione, janë përpiluar edhe projektligje, shton se ky proces “nuk ka gjasë të përfundojë askund, ai do të mbetet në hava, as me sukses as pa sukses” (f. 148).

Ballkani Perëndimor, SHBA-të Rusia dhe Turqia

Shqipëria dhe gjithë Ballkani Perëndimor janë në qendër të vëmendjes si të SHBA-ve, të Rusisë dhe të Turqisë. SHBA-të përpiqen që popujt e këtyre vendeve të ndërgjegjësohen dhe të ecin në mënyrë të pavarur drejt demokracisë dhe të vendosin vetë se në cilat organizata do të hyjnë. Kurse Rusia dhe Turqia me rrugë të ndryshme janë përpjekur që të ndalin procesin e demokratizimit të këtyre vendeve dhe të ndalojnë hyrjen e tyre në organizatat ndërkombëtare si NATO dhe BE. Rusia dhe Turqia përpiqen që të shtrijnë influencën e tyre në këto vende duke ëndërruar rikrijimin e perandorive të vjetra në forma të reja si perandori ekonomike me pushtet autokratik.

Në fund të prillit 2015 u mbajt seanca e Nënkomisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan që merret me Europën dhe Azinë. Midis tjerëve atje ishte ftuar dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, z. Hoyt Yee (Huajt Ji) përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Gazetari Shkreli pasqyron mendimet kryesore që tha ky diplomat i lartë dhe i mbështet ato. Duke karakterizuar situatën gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor ai theksoi se misioni amerikan për krijimin e një Europe të tërë të lirë dhe në paqe, është kërcënuar më shumë se kurrë mbas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe terrorit që po ushtrojnë forcat e ISIS në Siri dhe Irak. Për këtë arsye, vijoi ai, puna jonë për krijimin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë, me tregëti të lirë dhe pa korrupsion, duhet forcuar “për të ndihmuar këto shtete që të marrin vetë vendimin e pavarur për të ardhmen e tyre Euro-Atlantike… e deri tek përpjekjet për të çrrënjosur kancerin e korrupsionit që është duke brejtur nga brenda këto shoqëri” (f. 135).

Ka kohë që qeveria turke punon për gjallërimin e një fryme filoturke midis popullit shqiptar në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, dukuri të cilën Shkreli e kritikon pa hezitim. Në prill të vitit 2015 bota po përkujtonte me keqardhje 100-vjetorin e genocidit turk ndaj popullsisë armene, kurse agjentura turke në Maqedoni arriti të nxiste shumë shqiptarë myslimanë dhe pakicën turke e atë bosnjake që të delnin në një demonstratë në Shkup para xhamisë së Murat Pashës për ta kundërshtuar të vërtetën historike, vrasjen e njëmilion armenëve që kërkuan bashkimin me shtetin amë. Shkreli revoltohet nga ky fakt dhe pasi e kritikon demonstratën, dënon dhe fakte të tjera si rishikimin dhe ndryshimin e historisë së popullit shqiptar që kërkojnë qeveritarët turq, grekë dhe sërbë, me synim që të ndryshohet dhe së fundi të zhduket identiteti shqiptar në trojet ku populli shqiptar ka qenë gjithnjë autokton. Autori i shkrimit ngul këmbë se fajtorë kryesorë në këtë problem janë qeveritarët shqiptarë që nuk kundërshtojnë hapur, por iu nënshtrohen këtyre kërkesave absurde antikombëtare. Kjo heshtje e shtyn Shkrelin të sjellë si kritikë një citat të Faik Konicës: “armiku më i madh i shqipërve kanë qenë dhe janë vetë shqipëtarët” (f.146).

Idetë demokratike nuk vdesin, ato ndriçojnë popullin drejt së ardhmes

Midis recensioneve të veprave shkencore rëndësi të veçantë ka dhe shkrimi kushtuar veprës së Ndiçim Kullës “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807 – 1957 vol. 1-3”. Kjo vepër e rëndësishme përfshin shkrime të 75 intelektualëve shqiptaë të atyre viteve. Mendimet e tyre i përkasin botëkuptimit të djathtë, të cilat Shkreli i vlerëson duke bërë pyetjen retorike: “Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e tyre properëndimore?” (f. 409). Ky studiues dhe sociolog optimist sqaron se idetë demokratike të intelektualëve të shquar, të cilët u mundën prej Partisë Komuniste, humbën një betejë por jo vlerat e ideologjisë së tyre.
Ai sjell mendimin e Ernest Koliqit të cilin e takoi në Romë më 1968 në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Mendimtari Koliqi i pati thënë djaloshit Frank se Shqipëria pas vdekjes së Heroit Kombëtar u pushtua prej osmanëve, por drita e veprës dhe e ideve të tij e ringjalli kombin tonë dhe e drejtoi drejt lirisë. Duke qenë se z. Shkreli beson në forcën e ideve përparimtare, është i një mendjeje me z. Ndriçim Kulla, autorin e kësaj enciklopedie, se edhe mendimet përparimtare të intelektualëve shqiptarë properëndimorë të shekullit të XX-të, të cilët e humbën luftën, do ta ndihmojnë popullin tonë të gjejë rrugën e vet të rigjenerimit dhe ky “do të ecë drejt krijimit të një Shqipërie tjetër… të dijes e të përparimit” (f. 410).

Grindjet kanë penguar susksesin

Frank Shkreli e njeh mirë historinë dhe karakterin e popullit shqiptar. Ai vlerëson tiparet pozitive të tij si bujaria, mikpritja, trimëria, besa, etj, por nuk nguron të vërë në dukje dhe karakterin grindavec të shqiptarit, tipar ky që ka penguar në ecurinë tonë si shoqëri dhe si komb. Jo rastësisht ai në recensionet e librit “Vetëvrasja e një kombi” të Kol Bib Mirakajt dhe të librit anglisht të Albert Lulushit “Operacion Valuable Fiend” (“Operacioni, kundërshtar i dobishëm”, pranon idenë e artikuluar së pari prej këtyre dy autorëve se forcat antikomuniste shqiptare (indipendentë, ballistë, zogistë dhe proqeveritarë) gjatë viteve 1941 – 1944 dhe pastaj edhe diversantët e dërguar me ndihmën e Cia-s amerikane prej po këtyre forcave të arratisura jashtë shtetit) gjatë viteve 1948 – 1953, e humbën luftën kundër Partisë Komuniste, sepse ato nuk kishin një program të përbashkët, por grindeshin midis tyre.

Diaspora – pasuri e madhe shkencore, letrare dhe kulturore

Si njohës i mirë i veprimtarisë atdhetare të diasporës shqiptare në Amerikë, ky autor vlerëson me artikuj përkujtimorë, ose me recensione veprash figura të shquara si Xhevat Kallajxhiun, të cilin e quan dekan i gazetarisë shqiptare demokratike, Profesor Arshi Pipën shkrimtar, studiues, kritik letrar dhe pedagog i Letërsisë Italiane në Universitetin e Minesotës; Profesor Sami Repishtin një nga krerët e intelektualëve shqiptarë të diasporës sonë në SHBA si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; Dr. Elez Biberajn shef i departamentit të Euro – Azisë në Radio Zëri i Amerikës dhe autor i disa librave mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar në vitet e tranzicionit; Idriz Lamajn gazetar në “Zëri i Amerikës” dhe autor i shumë studimeve dhe i veprës “Vatra dhe vatranët”, etj.

Guximi dhe qartësia e shprehjes së mendimeve si tipar dallues i këtij gazetari bie në sy në të gjitha shkrimet e tij edhe në ato që po vijon të shkruajë dhe sot. Ai ka kritikuar veprimet jo demokratike të shtetarëve të Ballkanit, por edhe të SHBA-ve. I tillë është rasti i këtyre javëve, kur ai u bashkua me ata senatorë e kongresmenë që kritikuan presidentin Donald Trump për urimin që i bëri me telefon Vladimir Putinit për zgjedhjen e tij shef i Kremlinit. Edhe Shkreli e kritikoi këtë veprim si një urim të panevojshëm për shkak se zgjedhja e Putinit ishte jo demokratike.