Mbi ta! Balladë për poetin dhe pushkëtarin Rilindas Risto Siliqi, nga poeti ynë i madh lirik Lasgush Poradeci

0
918

Nga Revista Drini6 Prill 2019

Këtë baladë e kam pas përshkruar në fletoren e shënimeve të mija si student i letërsisë, në vitin 1979, përderisa “me të njofshëm” bibliotekistja e fakultetit mi jipte t’i lexoja fshehtas, në një kënd të bibliotekës, Revistën Nëntori të Tiranës dhe literaturë tjetër “të ndaluar” nga Shqipëria , sic thuhej në atë kohë.

Baladën e Lasgush Poradecit Mbi Ta! që poetin ynë i madhe lirik ia kushtonte Risto Siliqit dhe trimave të Kryengritjes së Madhe të Malsisë e kam mbajtur “të fshehur” prej të tjerëve dhe ia kam dhënë ta lexonte vetëm ndonjë personi që e konsideroja të sigurtë në atë kohë, sipas mendimit tim. Por, gjithcka rrodhi ashtu siç rrodhi dhe këtë baladë e kisha humbur.

Para disa vitesh ia kërkova baladën asaj që mendoja se ma gjenë dhe që e gjeti e me dërgoj:Marie Lasgus Poradeci . Mirëpo meqenëse mbi 13 herë armiqët e fjalës së lirë e shkatërruan Revistën Drini dhe arkiven e saj, para një muaj ia kërkova sërish baladën Maries dhe ajo ma nisi sërish!

Falemnderit nga zemra, Marie Lasgush Poradeci!
Mirënjohje e respekt të pafund e respekt për ty …

Miqësisht e me respekt të thellë : Gjergj – Bajram Kabashi

* * *

Revista Drini e riboton edhe një herë baladën e Lasgush Poradecit kushtuar rilindasit Risto Siliqi dhe Kryengritjeve të Mëdha Shqiptare, Sot, më 6 prill 2019, në 108 vjetorin e ngritjes së flamurit të kombit në DEÇIÇ të Malësisë së Madhe.

6 PRILL 1911- 6 PRILL 2019,
108 VITE NGA KOHA KUR DED GJO LULI VALËVITI FLAMURIN SHQIPTAR NË DEÇIÇ

Lasgush Poradeci

M B I T A !
BALLADË PËR POETIN DHE PUSHKATARIN RILINDAS RISTO SILIQI

Poet Siliqi, nis-u shpejt
Ku shfren me kob e liga,
Ku ndeshet kombi i ngritur krejt
Me tri kuçedra shtriga.

Shpejt me mauzerin tënd zemrak
Dhe pendën e praruar,
Ku mposht halldupin turkoshak
Atdheu duke u dëshmuar.

Në Hot e Grudë e Trabojin
Puth Ded Gjo’ Lul viganin,
Mirditë e Shalë e Dukagjin
Puth Mehmet Shpend luanin.

Dhe puth Kuvëndin në Junik
Ku ngrihet kombi peshë,
Ku rend me vrap në Kaçanik
Kosova burrëreshë;

Kosova që bën sulm në zjar
Posi dragoj me fletë,
Siç bënte sulm ngadhërimtar
Gjergj Kastrioti vetë.

– (Flet Risto Siliqi;)

U sgjua Shkodra me tundim
Prej lajmit të papritur,
Se cak më cak lëshoj kushtrim
Kosov’ e kryengritur.

Lëshoi kushtrim shpagimtar
Kosov’ e burrëruar,
Se prapë qeni turk barbar
Për dhunë u pat lëshuar.

Dhe prapë djem e pleq e gra
Nga rendin t’ armatosur,
Të përshëndesim krah për krah
Vëllezrit e kanosur.

* * *

Kaluam katër shokë e miq
Prej Shkodrës malësitë,
Ku Ded Gjo’ Luli në Deçiq
I mpron atdheut kufitë.

Përshkuam Tuz e Grudë e Hot
E Shalë edhe Tropojë,
Ku Mehmet Shpendi i gjindet zot
Atdheut në pararojë.

Me Ded Gjo’ Lul e Mehmet Shpend
U bujtëm gjith një natë,
Na dha sikush me gas e shend
N’ agim nga një dhuratë:

Nga një djalosh për luftë e zjar
Nga kull’ e vet krenare,
Nga gjaku i zemrës gjak shqiptar
Për Motrën kosovare.

Ky Dedi që nuk njeh Sulltan
Na dha Kol Marash Vatën,
Ky Shpendi që s’njeh Turk-osman
Na dha Zef Lani Shpatën;

Po Gjon Pullumbi xhvat krenar
Prej gozhdës jataganë:
“Do vi dhe vetë vullnetar,
T’a skuqim tok mejdanë”.

Haj! Digjni plumb n’atë mauzer,
Me qitjen e pasharë,
Përftoni lavd, përftoni nder,
T’a ndjejë Evropa mbarë.

Tumirëmbeç, i shtrentë atdhe,
Dh’ u nismë shtatë vetë,
Dhe fluturonim plot hare,
Si t’ishim zogj me fletë.

Dhe krep më krep e zall më zall,
Me shpirt të paduruar,
Nga i madhi shkas, nga i madhi mall,
Plot duf për të luftuar,

Kaptuam shtatë male rresht
Dhe s’folmë shtatë fjalë,
Kaptuam shtatë male rresht
Kosovës për t’iu falë.

Dhe ja! të shtatë burrat tok
Në thelb të Metohisë,
Ku Drin’ i bardhë nën’ Istok
Merr fill mes Shqipërisë;

Mes Arbërit, me mall rinor,
E sbret kaletas drumi,
Ku Drini plak e përrallor
Mburon prej Shëndaumi.

Mirsetëgjejmë, atdhe bujar!
Kosovë e lavduruar!
Pranon ti, oh! pak gjak shqiptar,
Që vjen për t’u dëshmuar?

Për t’u mbuluar me lavdi
Në luft’ kundër armikut,
Të bëhet fli, ku bëhen fli
Heronjt’ e Kaçanikut.

S’qëndronim dot, s’duronim dot
Prej kobit të papritur,
Mirditë e Lumë e Shalë e Hot
Pa beft ish kryengritur,

Se kish dhën’ urdhër qeni turk
Të çarmatoset Vendi,
Të derdhet gjak Shqiptari çurk,
Të kapet Dedi e Shpendi.

* * *

Kur sbritëm në shtegtim jugor,
Nga Drin’ i zi matanë,
Këndonin me zë burrëror
Hotjanë dhe Shaljanë:

“Nuk lidhet Ded Gjo’ Luli i math,
Dragua fis prej fisi,
Të kap si berr, të fut në vath,
Të mvarr në degë lisi”.

“Nuk lidhet Shpendi lart në Theth,
Pret gjylet njëqind okë,
I pret mi sup e prap t’i heth,
Sulltan jezit, mi kokë”.

Duke shtegtuar gjithënjë,
Dëgjonim këngëtorë,
J-a theshin fort që ç’ke-me-të
Lumjanë e Mirditorë:

“S’hyn dot në Lumë, qen zuzar,
Nanov anadollaku,
Rrok pushkën plaku qindvjeçar,
Dhe shtatëvjeçar çunaku”.

“Nuk del, ti turk e turçeli,
Nga kullat mirditore,
Të pret në pritë e në frëngji
Mirdita pushkmizore”.

* * *

Këndonte Vendi në kushtrim
Përball me gjith Turqinë,
Që vjen me kob e përdhunim
Të çarti Shqipërinë;

Po turku avitet plot maras:
Marshon kuçedr’ e parë;
Marshon kuçedr’ e dytë pas
– Dy xhindrit pashallarë.

Shevqet pashaj, me pështjellim,
E britmë e zjarr e hekur,
Marshon për dhunë e çarmatim
Drejt Lumës së paprekur.

Bedri pashaj, me fe e din,
E me trumbetë e lodër,
Del në Mirditë e Dukagjin
E Shalë e Hot e Shkodër.

“Nuk duam fe, nuk duam din”,
Këndonin Malësija
– Ze turfullon e shkrefëtin,
E shfren e shfryn Bedrija.

Filloi në Lumë sulm’ i zi,
Do Lumën t’a shkretojë,
Pashaj finok, përpara ti,
Dërgon një pararojë:

Një kumandar i egr’ halldup,
Hypur serbes mbi kalë,
Takon me pushkën përmi sup
Aty përball një djalë.

Këndonte djaloshari i lum
Me delet n’ato shpate:
I çfryri turçeliu-dudum:
“He! Jep at’armën t’ate”.

Po shpejt bariu qëllon e shtje,
Përmbys përposh barbarin:
J-a çon Sulltanit për meze,
Kush çarmatos Shqiptarin.

* * *

Kështu pashanë e lyeu me gjak,
Nuk e pandeu tirani,
E lyeu në Lumë një çunak,
Një bisk i ri Lumjani.

Nga krism’ e rreptë atje mi shpat,
Sa shtiu djaloshi jonë,
U ngrit gjith Luma fshat më fshat,
Siç kish dh’e ka zakonë.

Dhe pa vonim e pa durim
Krahin’ e tërë ish gati:
Gëzoheshin që për luftim
Erth më në fund sahati.

Buçitnë pushkët n’ atë ças,
Mi gërxhe, mi livadhe,
Gjëmonin si për shend e gas,
Si t’ ishte dasmë e madhe.

U mbush me vrer pashaj allçak
Nga krismat prej çdo ane,
Ndaloj më prak, ngurroi në prak,
N’ato kufi lumjane.

Mi katër ushtërira zot,
Dhe dyzet mijë ushtarë,
Prej vrerit s’e përmbante dot
Marshimin sa më parë.

Prapo-u shpejt, bre derbedè,
Marsh! me gjithë ushtërirat.
Vjen Luma dhe t’i shtrin përdhè
Të majmen egërsirat.

S’ta le ty nderin Luma aspak
Që të sulmosh i pari:
M’i pari nëpër luftë e gjak
Sulmon gjithnjë Shqiptari.

* * *

Në front t’armikut në kufi
S’rektin as frymë as jetë:
Pashaj finok, me dredhëri,
Gatitet më të fshehtë.

Do nisi sulmin ndëshkimtar,
T’a bëjë Lumën trokë:
“Do ta shtroj popullin shqiptar,
Do t’i vë mënd në kokë”.

Ec hijerëndë e vuv e hesht:
Sa mirë i ka reshtuar
Të katër ushtërirat rresht,
Gati për të sulmuar.

Ndan njëzet mijë e pret, e pret,
Gjith pret për sulm përpjetë,
Krekohet plot salltanet,
Si t’ish Sulltani vetë.

Po befas Luma u derth tallas,
Shpërthen orti vigane,
Përball e anas e përpas
Sulmon ordhitë osmane.

Këtej, dymijë heronj mezi,
Andej, plot njëzet mijë,
Dymijë plumba breshëri
– rrëxojn’ armiq dymijë;

Dhe rish dymijë batarè
– Dymijë armiq të shtrirë,
Dhe rish, e rish, e rish – përdhe
Të gjithë shtrirë e grirë.

Dhe prapë sulm: “mbi ta! mbi ta!”,
Mbi mijërat e tjera,
I-u shtir për-mëndsh të ziut pasha
Sikur vërshoi skëterra.

Dh’ish një përleshje e mbytje e mort
E britëm e tmeruar,
U mpraps pashaj, i tundur fort,
Me ushtarët e gjysmuar.

Dhe të plagosurit e shkret,
Mes fushës së mejdanit,
I la plot plagë e gjak e et
Dhe sht kundër Sulltanit.

Kështu bën Luma sulm shqiptar,
Shkon vrakë e lumë gjaku:
Rrok pushkën plaku qindvjeçar,
Dhe shtatvjeçar çunaku.

Po kur u mpraps Shevqet pashaj
Me ushtarët e gjysmuar,
Një lajm i keq, për kujë e vaj,
Në zemr’ e pat pikur:

Në Qafë-t’-Agrit ku si horr,
Bedri pashaj vraponte,
E pret në ball një mirditor
Që shtiu e po këndonte:

“S’del dot, ti turk e turçeli,
Prej atmes mirditore,
Të shtrin në pritë e në frëngji
Mirdita plumbmizore”.

Kështu Mirdita kish adet,
Kur Turku vjen t’a ngasë,
Në pritë e në mejdan përvjet
Nga një pasha t’i vrasë.

Shko shpejt, mos hash dhe ti një plumb,
Shefqet Pasha, në kokë:
Do bënje Lumën trokë e shkrumb,
Të bëri shkrumb e trokë.

Drekën përjasht në karakoll,
Nis shpejt llandon, hamshorë,
Dhe darkën brenda në Stamboll,
Sa shpejt e bën një forë:

Dhe tash po fle ngadhërimtar
Përqark me turçelinë
Ti frymëzosh me shpirt shqiptar
Çunakët që do vinë.

“Me faj e turp, Sulltan-babá,
Po kthehem i ngarkuar,
Se Mehmet Shpendi ish katallá,
S’do mbret për t’a sunduar;

As Ded Gjo’ Luli s’do në Hot,
Mi krepat tmerrimtarë,
Ku as shqiponjat s’ngjiten dot,
Veç djajtë Shqipëtarë;

Dh’as Luma s’të le nder aspak,
Që t’a sulmosh i pari:
M’ i pari, thotë, ku rjedh gjak,
Sulmon vetëm Shqiptari;

Dhe thotë ajo bën sulm shqiptar,
Rrjedh vrakë e lumë gjaku:
Rrok pushkën plaku qindvjeçar
Dhe shtatvjeçar çunaku.”