MBI ROMANIN SI TRASHEGIMTAR I FRONIT NE LETRAT SHQIPE

0
1342
Stefan Çapaliku - Secili çmendet simbas mënyrës së vet

…dhe currat moderne të romanit autobiografik
Secili çmendet simbas mënyrës së vet
Stefan Çapalikut.

ESSE

1.

Në fushën e shahut të letrave, Poezia asht mbretnesha, Drama janë kuajt e saj, Publicistika janë oficierët, Tregimet janë ushtarët, ndërsa Romani asht pa asnji dyshim mbreti i letërsisë.

Nji roman njashtu si 6 ditet e krijimit te botës duhet me pasë patjetër mrenda nji histori dashunijet, njashtu si ka brumi tharmin kur kërkon me u ba bukë. Kjo asht ajo dashunija e gruas dhe burrit, të njenit që hjek njenen bri dhe e len tjetrin me hi mrenda në zemër.
Nji roman asht nji dashuni e madhe e krisun e zhdeshun e lidhun e shperthiqun e shpartadhueme, porse ama e plotë e pjekun mirë, nji dashuni me plot kuptimin e fjalës. Kjo dashuni asht rrjeta e padukshme, që e mban gjallë ngrehinën.

Ne vitin 1993 unë kam intervistue At Konra Gjolaj, nxanës i Fishtës, vetë romancier autobiografik dhe pyetja jeme, që me ka bre tash nji jetë ishte: A ka shkrue At Fishta romane?

At Konradi me njat shikimin e tij depertues me kqyri njihere prej krese deri te kambt dhe me tha: „E kam pvete edhe une Pader Gjergjin dhe ai me asht pergjigje se Shqipnia asht romanza e tij“.

Qe ne fillimet e tija e deri ne hymjen e realsocializmit, romani asht quejte ROMANZE dhe nji romanze asht ne vedi nji histori dashunijet.

Asnji roman i realizmit socialist shqiptar nuk e ka në vedi nji histori të tille, të madhe, të zjarrtë, të krisun dashunijet, megjithë shpenzimet teorike dhe monetare për përhapjen e tij, guxoj unë me thanë dhe jam i lumtun kush ma provon të kundërtën.
Në Shqipni botohen përdite romane, porse shumë pak prej tyne kanë lidhje me fjalën romanzë dhe mbretin e letrave, romanin.

Ne boten gjermanofolese ka mbi nji milion romane qe ruhen ne syrtarin ose Laptopin e autorëve anonim dhe nuk e shohin kurre rrugen e botimit, per aresyen madhore se në ket botë askush nuk asht i krisun si në Shqipni, me botue me shpenzimet e veta romanin e vet.
Dy romane të thjeshte, me famë botnore që kam unë ma për zemër ne Austri janë „Schlafes Bruder“; te Robert S. dhe „die Klavierspielerin“ e Elfriede J. Te dy autorët flasin për nji dashuni të madhe, të krisun, instiktive, tragjiko-sociale. Të dy janë ba të famshëm dhe të pasun me këto dy romane, madje njeni prej tyne, Jelinek, mori edhe çmimin Nobel.

Po, po, çmimin nobel per nji roman dashunijet, kët çmim që asht ba nji neurozë e re ne demokracine shqiptare, a thue se ka pak neuroza të ngjashme megallomane dhe ju dashka edhe kjo.

Nuk ka gja ma të bukur në botën e artit se me lexue romane të mira, romane që kanë magjinë me derdhë shpirtin e autorit në shpirtin tand. Me hapë nji brij në ty dhe me derdhë vedin. Prandaj unë kur gjej kohë te lirë, gjaja ma e mirë asht me lexue romane në gjermanisht, zakonisht autor gjermanoshkrues apo të përkthyem nga anglishtja.

Bash për hirë te ksaj dashunije bjen fjala, unë preferoj dashuninë romantike të Nicholas Sparks ma fort se lajmërimet ezoterike te Paulo Coelho.

Nji autor shqiptar, ka përkthye nga spanjishtja me titullin absurd e gjysmak, ne urdhnoren „Jeto per ta treguar“, romanin e Gabriel Garcia Marquez „Vivir para contarla“ „Te jetosh për me kallxue“ a thue se Marques urdhnon botën me ket roman, porse ne fakt ai i flet asaj tanë dashuni. Përkthyesi ka gjetë madje botues shqiptar, në nji kohe qe ne boten gjrmanofolëse asht e paligjshme të botosh nji libër të djalit të Goebelsit, nëse djali i Mehmet Shehut, kriminelit fanatik komunist, mund të paralelizohet në figuracionin historik te fashistit fanatik dhe kriminel.

Në Shqipni mafja e „botim-përkthimeve“ sot, ja kalon për nga orientalizmi edhe kanaleve të Ali Pashë Tepelenës.
Përkthimet e romaneve janë të tmerrshme, në nji standart të copëtuem denigrojnë emnat në nji përkthim monstruoz. Kështu Michael, bahet Majkelli apo Tylenol shkermoqet ne Tajlenolli, sikur ky të jetë prej Tales së Bregut te Matës.

Po kthehem shkurt te autori Bashkim Shehu, miku i „shkrimtarit me famë botërore“, i cili në mungesë të infinitivit, vendos urdhnorin tuj ja ndryshue komplet kuptimin romanit te Marquezit.

Problemi që kam unë me romanin shqiptar të postdikatures pra asht STANDARTI.
Unë nuk kam me ba kurrë kompromis me të keqen e madhe të kulturës shqiptare: me standartin, i cili i ka shkule krahët shqiponjës së gjuhës shqipe tuj ja hjeke paskajoren. Prandaj edhe shumë romane shqiptare që kam marre në dorë, autorët të cilëve përdorin urdhnorin në vend te paskajores, i kam dorëzue në kapitujt e parë.

(Me të vetmin që kam ba „kompromis“ asht 183 kafazët e Rezart Palluqit, sepse ai flet për dy karaktere tipike të postdikaturës, të lidhun këto në nji dashuni të krisun, të semurë, të jashtzakonshme, dashuninë e djalit të nji të persekutuemi me vajzen e nji persekutorit. Nji hibrid i tillë perfundon shpesh në tragjedi, siç ka përfundue edhe „pajtimi kombtar shqiptar“, ku persekutorët kanë marrë në dorë pushtetin ekonomik dhe politik, ndërsa të persekutuemit po „ngrohen në diell“.)

Përgjithsisht nga Shqipnia, lexoj romanet biografike, sepse ata ecin simbas parimit tim të shejte: Jeta i shkruen romanet ma të mira. Kështu mbas bestsellerit “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumbit, kam lexue edhe Çinaret e At Konrrad Gjolaj, i cili qindron në të njajtën naltësi, e po kerkoj me „Zotshnjon“ romanin autobiografik të dom Simon Jubanit. Romani i Leon Lekes „Nji artist nën pentagrame të kryqëzueme“ monografi per kompozitorin e talentuem Zef Leka asht nji majë tjetër e nalte e letrave autobigrafike.

Në kompleksin e këtyne romaneve biografike lexoj veprat e Marcel Hilës, të cilat jane nji lloj realizmi cullak, ku gegnishtja e folun përziehet me standartin e shkruem. Këto janë romane-biografish, të cilat i ka shkrue jeta dhe janë të mbushuna plot me tragjizëm nen diktaturë. Marceli asht pa asnji dyshim, themeluesi i nji rryme te re letrare në letrat shqipe: „biografia e çasteve te fotografueme me fjalë“.

Në dy tre autorë shqiptarë, që po „bestsellerohen“ nga postdikatura e shiten mrenda 24 orësh me librat e tyne në Tiranë, unë kam ndeshë „pershtypje leximesh shkelë e shko, mrenda stilit që perdorin”. Kjo me kallxon mjerimin ku dergjet romani shqiptar në kryeqytet. Nji roman pa nji dashuni mrendë, asht nji lule që kalbet në rranjë.
Mbi 60% e autorëve që botojnë ne Shqipni sot, jane nji stil surrogato i „shkrimtarit shqiptar me famë botërore“.

Njohja jeme me faktin tragjik se personazhi i Aqif Kashahut ne romanin ma te realizuem te realsocializmit, „kronike ne gure“ I. Kadare, Tirane 1978, ndryshe nga se denigrohet në roman, ishte nji nga njerezit ma perëndimore, atdhetarë, të kamun e të ndershëm të Gjinokastrës, me ka mbush me zhgënjim total. Uroj që autori, „shkrimtari shqiptar me famë botërore“, të ketë forcën morale me i kerkue falje publike pasardhësve.

Unë mendoj gjithashtu se ndërtimi i shpisë muze „te shkrimtarit me famë botërore“, në stilin osman me arabeskat orientale, nuk i ban nder atij, dhe ministria e gjinokastrites Kumbaro ma mirë te investojë në pallatin e tij ne Tiranë, ku ai ka përcjellë edhe jeten e tij. Ironia qindron këtu ne faktin se kjo ministri investon me kreditë perëndimore, që nji dite femija e shqiptarëve kanë me i pague.

Unë kam me mbajtë tanë jetën postulatin: Gjuha shqipe pa gegnishten asht si gjuha shqipe pa toskërishten. Gjuha shqipe ka dy kolona, që e mbajnë në kambë dhe nëse prish njenën ajo përdhoset e shembet.

Romanet që unë kam botue në gjermanisht, italisht dhe në shqipen gege letrare kallxojnë mbi dashuni të mëdha apasionale dhe janë pritë mirë nga kritika miqësore e miqëve që kanë pasë dëshirën me i lexue.

Botimi i librave ne Shqipni bahet nga botues joseriozë. Ndryshe nga se bahet në tanë botën, ti duhet me pague për me botue veprën tande në nji kohë qi në Vjenë shumë autorë jetojnë me botimet e romaneve të tyne nga shpitë botuese serioze. Unë nuk njoh ala nji autor shqiptar që jeton e gëzon nga honoraret e romaneve të tija.

Prandaj jam gezue tash që mora romanin „Secili çmendet simbas mënyrës së vet“, autobiografine e autorit për qytetlindjen teme, si përpunim i traumave të diktaturës dhe mbi të gjitha sepse e di mirë se autori nuk paguan për librat e vet. Gjithashtu besoj se shpia botuese „Gjergj Fishta“ e Frano Kullit asht nga te paktat shpi serioze botimit, që nuk boton për pagesën e Autorit, porse për cilesinë e veprës.

Me Stefan Çapalikun, jam ribashkthemelues i shtypit ma të vjetër shqiptar, shtypit 500 vjeçar të At Gjon Buzukut, shtypit të ndërpremë për 50 vjet e të ringjallun në Shkodrën e vitit 1992, shtypin katolik shqiptar.

Unë vazhdoj të ndjekem nga etja, me lexue romane dashunijet të madhe, të përshkrueme me art, prandaj ju lutem, kur të gjeni të tille, më bani za se kam me ju kenë mirnjohës tanë jetën.

Mbi romanin autobiografik të Stefan Çapalikut.
Secili cmendet simbas mënyrës së vet” asht romani i nostalgjisë për të bukurën e nji qyteti që mbijetoi si nji mrekulli në heshtjen e ngrimë të diktaturës.

Stefan Çapaliku asht lindë e rritë 50 metra lerg Kuvendit, ku u mbrujt në trysninë e pushtimit osman, shpirti i kombit shqiptar. Shkolla ku ai vetë mori frymën e parë ishte në oborrin e kuvendit tashma te mbyllun franceskan e që prej aty ndiheshin ala jehonat e kumbonave të ndalueme.

Une besoj se këto jehona e kanë ndjeke Autorin edhe në Tiranë, për me e grishë me shkrue romanin që sapo ë kam marre në dorë. Sikur te ishte në Shkodër ai ndoshta nuk do kishte ndi kurrë kët tingull që koha e kishte ruejtë nëpër muret e shkollës, që çmendunisht mbante emnin e nji „killeri“ komunist te komunitetit sllav në hymje të Shkodrës: Vasil Sh.

Ky pra asht mbi të tana, nji roman për shkodranët, që janë në Tiranë dhe në botë, nji roman nostalgjiet, i shkruem me nji fryme njashtu siç hapet dera e kujtimeve dhe njeriu e mbyll me po njat shpejtesi. Viti i purgatorit 1997 i përndoqi nga qyteti edhe ato pak artistë të mirëfilltë që sapo kishin nisë me krijue nji fizionomi origjinale, tuj i shpërnda në perëndim dhe në Tiranë. Porse Shkodra me anë të “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” na kallxon se ajo edhe në tmerret sociale si ai i vitit 97 ka aftsine me nxjerre të mirën e saj.

Asht pikërisht kjo disancë që ka rritë në nji shkrimtar nektarin frymëzues dhe ka distilue sytë e kohës. Vena e mallit asht ma e fuqishmja ne Aorten e nji krijuesit poetik. Romani asht nji kandveshtrim realist mbi kulturen qytetare shkodrane, që mbijetoi njashtu në mënyren e vetme të mundshme, pa u modifikue krejtësisht, prej së keqes komuniste.

Artistet shkodrane, qe i kane mbijetue diktatures jane transformue, tuj marre nji mbulesë mbrojtëse, si xixillojat që e mshehin dritën mrenda krahëve kaf“, mund të tham unë si dëshmitar i asaj kohe.

Romani nisë dhe mbaron me personazhet e qytetit, e zemrës së tij siç asht lagja e G´juhadolit dhe rruga e famshme që mbante emnin e Francit të madh të Habsburgëve. Ma shumë se nji roman autobiografik, ky roman asht nji ekspozitë. As lufta dhe Paqa e Tolstoit nuk ka ma shume personazhe se “Secili çmendet simbas mënyrës së vet“.

Realizmin e tij besnik, Autori nuk e trathton as kur flet per Mamane e tij ortodokse nga jugu ne Shkodren katolike te Babes, tuj ruejte nji ekuiliber shumë simpatik ne rrefim, megjithse Jugu asht komunist dhe Veriu asht reaksionar.

2.

Ky roman asht dhe nji hymn ndaj televizionit. Unë mendoj se televizioni ishte padyshim mrekullia e tëtë e mbijetesës së shpirtit shqiptar. Sikur te mos ishte tv, shumë prej nesh nuk kishin me kenë kurrë këto që janë sot. Diktaturën në ’90 e ka rrëzue pikërisht Tv i ndaluem i perëndimit.

Tashma “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” asht nji pasuni historike për Shkodrën, të shkrueme më mallin e largësisë, nji zjerm ky qe ka frymëzue prorë poetët e mëdhej të qytetit. Njashtu si italianet e RAI UNO-s kane Raccontami-n e vet, edhe Shqipnia e ka ket „Kallzimin“ e saj, ne shembullin e Shkodres. Une uroj qe nji dite te hapet nji Kinostudio ne Shkoder dhe ky roman-skenar te filmohet, sepse aty asht regjistrue me besnikeri, Shkodra qe i ishte pershtate per mbijetese, diktatures së viteve ’70.

Autori jep me nji sinqeritet intelektual par excellence „aristokracine proletare“ shkodrane nen diktaturen komuniste. Ai nuk e ka për ndrojë me prezantue në ambjentin e shpisë së vet, spiunin komunist, te plotfuqishmin e lagjes që hin e del aty si në shpine e vet. Njiheresh ai jep po aq realisht dhe besueshëm edhe ambjentin filoitalian të familjes, që falë tv-së ka marrë nji lulezim të menjihershem. Figura e simbolit të rezistencës qytetare të Shkodrës në personin e Patër Meshkallës, nji mik i Çapalikëve, kallxon edhe nji herë se Parajsa dhe Ferri ishin krejt afër njeni tjetrit në familjen shkodrane.

Autori ka edhe guximin qytetar me prekë elementin fetar me realizem në nji epoke ateiste, ku dy besimet monoteiste, të kshtenet dhe muhamedanet, në vend që të largoheshin, afroheshin përherë ma shumë në qendër të qytetit, tuj kallëxu se, nën diktaturën komuniste ndjesia kombëtare ishte ma e fortë se ajo fetare e mjerisht sot në demokraci po ndodhë e kundërta.

Megjithse diktatura hoxhiste me anë të sekretarëve të partisë dallkaukë e turkoshakë, e kishte vu Shkodrën përfundi, ajo nuk pushonte në gjeninë e saj me dhanë shkendia dritet në terrin e madh, siç asht edhe rasti i grupit të parë muzikor simbas stilit perëndimor me Klaudia Shllakun e grupin e saj.

Une jam linde e ba 7 vjeç në oborrin e katedrales, kam kalue fmininë dhe adoleshencën në shpinë e pionierit dhe klubin e rinisë, pra për mue që ruej kujtimet ma të bukura nga G´juhadoli, ky roman asht si nji melodi, ku çdo derë e çdo gurë më flet me nji tingull të veçantë.

Personazhi i Marildes asht edhe me i gjetuni dhe në adolshencën tonë edhe ma i përfoluni, e askush nuk e tha asnjiherë se ajo krijesë e bukur dhe e mjerë njerzor vuente nga „neuroza seksuale“ dhe kishte nevoje per terapi psiqike ma fort se për raporte të pafundme seksuale.

Megjithate nji lexuesi te kujdesshëm nuk i pshtojne mungesa e disa elemente tipike te qytetit te atyne viteve, siç jane dy lulet e shejta të Shkodrës; Lulebora dhe Lulja e majit, te cilat autori i ka anashkalue, megjithse këndoheshin në çdo dasëm shkodrane dhe të dyja ishin shkrue vetëm 20 metra lerg derës së Çapalikëve. Mungesa e nji dashunie të madhe në roman asht elementi i padukshem, i cili mund te dilte në dritë, se kush asht bashkmoshatar i Autorit e di se ai vete ka nji dashuni të madhe, mbi çerek shekullit, per krah dhe Shkodra dhe rrugët e saja kanë pasë mjaft të tilla.

Gjithashtu mos përmendja e „kushërinit te famshëm“ nga Tirana të Autorit, i cili vinte shpesh në Shkodër, herë me Dinamon e herë me pikturën, veç kishte me i dhanë peshën e duhun dhe nji kandvështrim ma pikant, romanit.

Pse Autori nuk ka preferue GEGNISHTEN në shkrimin e romanit, në nji kohë që gegnishtja e G´juhadolit asht zemra e gegnishtes shqiptare, kjo asht nji pyetje, për të cilën besoj se ka me dhanë vetë Stefan Çapaliku, përgjigje. Uroj që autori të vendosë nji ditë pro përdorimin te kësaj gjuhe origjinale ne realizimin filmik te romanit.

Ky roman asht nji hymn per Shkodren dhe megjithë „inkoherencën vende vende“, ai asht njiherësh nji realizëm fotografik i ngjarjeve, personazheve reale të nji kohe dhe ambjenti që nuk e gjejmë kurrë as në dramat e Fadil K., as në romanet e Skender D. e as në regjitë e Serafin F., tre artistë shkodrane të përkëdhelun të diktaturës së viteve, për të cilat ban fjalë romani, e të cilët me të drejtë anashkalohen nga Autori. Pra, Stefan Çapaliku me ane te „return of the past“ i kthen qytetit nji periudhe historike, që nuk u pershkrue asnjiherë prej shkrimtareve realsocialiste, „per aristokracinë proletare“ të qytetit.

Ky roman lexohet për nji gjyse ditet, porse asht nji ditë e plotë e lumtun për letrat shqipe.

Gjergj Jozef Kola
Vjenë 2017.