Njoftim për mediat nga Grupi i Lobimit
Dr Gëzim Alpion BA (Cairo), PhD (Durham) – 26 dhjetor 2019
Në nëntor dhe dhjetor anëtarë të Grupit të Lobimit për Rrugën e Arbërit bënë vëzhgime në terren lidhur me ecurinë e punimeve nga Ura e Brarit deri te Tunelet e Murrizit, si dhe te Ura e Vashës në Klos. U konstatua me kënaqësi se ka një një ecuri të ndjeshme të punimeve. Megjithatë, tani për tani nuk mund të përcaktohet volumi i saktë punës së kryer.
Gjatë kësaj periudhe u zhvilluan takime konstruktive me Presidentin e Kompanisë që po ndërton veprën, z. Rrok Gjoka, dhe anëtarë të ekipit të tij. Në këta takime u diskutuan një numër çështjesh në lidhje me volumin, cilësinë, standardet e punimeve si dhe efikasitetin me të cilat Qeveria po përmbush detyrimet financiare.
Në takime u trajtua edhe çështja e ndërprerjes së punimeve në Tunelin e Murrizit. Në lidhje me këtë, Gjoka u shpreh se nga dalja e Tiranës janë hasur probleme përsa i përket strukturës gjeologjike të terrenit, por problemet janë të kapërcyeshme. Ai e siguroi Grupin e Lobimit se po punohet për eliminimin e pasojave dhe gjetjen e zgjidhjeve teknike. Gjithashtu, Gjoka u shpreh se punimet e tunelit nga ana e Xibrit vazhdojnë me një ecuri të kënaqshme.
Në këto takime u theksua rëndësia e informacionit të vazhdueshëm për ecurinë e punimeve, prolematikat që shfaqen, dhe një transparencë më të madhe në lidhje me financimin.
U konstatua se akoma nuk ekziston një grup koordinues me përfaqësues nga Kompania Gjoka, Ministria e Financeve, Ministria e Transporteve dhe Shoqëria Civile. Ngritja e një grupi të tillë bëhet edhe më i domosdoshëm pas raportimeve në media për punime të pakryera dhe shqetësimeve të pa adresuara deri tani, në lidhje me procesin se si bëhet kontrolli dhe certifikimi i cilësisë së punimeve. Ngritja e një grupi të tillë bëhet edhe me imperative, pasi kjo vepër është një investim publik dhe, pavarësisht burimeve fillestare të financimit, ai që paguan për rrugën është publiku.
Peticioni online për Rrugën e Arbërit tani ka mbi 19,000 përkrahës, nga të cilat 2,000 në formularë, dhe mund të nënshkruhet këtu: https://bit.ly/1OmeaCh