MBI ARSIMIN UNIVERSITAR NË GJUHËN SHQIPE NË MAQEDONINË VERIORE

0
488
Abdulla Mehmeti

Kur politika bën bajram me mendjen

Cila parti politike e shqiptarëve në Maqedoni, cili lider apo deputet nuk e ka miratuar dhe nënshkruar këtë diskriminim kushtetues dhe turp mbi popullin shqiptar, më 1990, 2001 dhe 2019?

Shqiptarëve edhe sot nuk u garantohet me kushtetutë e drejta e arsimit të lartë në gjuhën amtare. edhe 25 vjet pas themelimit, punës dhe ritës së Universitetit të Tetovës. Me këtë dëshmohet se politika nuk i ka kryer detyrimet e veta për sigurimin e të drejtës së shqiptarëve për arsimim të lartë në gjuhën amtare.

Se çfarë rëndësie ka rregullimi i kësaj çështje me kushtetutë dhe jo vetëm me ligj, është mirë të pyeten qytetarët e Gostivarit se si kanë kaluar në vitin 1997 me përdorimin e flamurit shqiptar, edhe pse një ligj për përdorimin e lirë të flamurit shqiptar ka qenë në fuqi që nga viti 1973.

Çfarë sikleti e halli kanë politikanët shqiptarë që krekosen kaq shumë duke hapur krahët sikur janë shqiponja nëpër manifestime, fushata parazgjedhore dhe nëpër medie, kurse para syve të qytetarëve dhe votuesve të tyre duken si pula të lagura, për mashtrimet ordinere në lidhje me gjendjen reale të popullit shqiptar, për të drejtat e kufizuara me kushtetutën e këtij shteti, si për statusin e pakicës kombëtare, për statusin e gjuhës shqipe, e cila trajtohet si gjuhë e qytetarëve prej 20% që e flasin këtë gjuhë, si dhe për të drejtën e kufizuar të shkollimit të tyre vetëm në nivel të arsimit fillor dhe të mesëm?!

Njerëzit e vegjël nuk duhet të merren me punë të mëdha përderisa pasojat nga veprimet e tyre i vuajnë të gjithë

Që nga viti 1991, me sjelljen e Kushtetutës së parë të Republikës së Maqedonisë, me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001, sipas Marrëveshjes kornizë të Ohrit, si dhe me ndryshimet e vitit 2019, sipas Marrëveshjes së Prespës, me Kushtetutën e këtij shteti shqiptarëve u kufizohet e drejta e arsimit në gjuhën amtare në nivel universitar dhe pasuniversitar.

Dispozita kushtetuese në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe realitetin e krijuar pas vitit 1994

Neni 48, alineja 4, i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë Veriore, këtë çështje e definon kështu:

“Pjesëtarët e kombësive kanë të drejtë për mësim në gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm, në mënyrën e përcaktuar me ligj. Në shkollat në të cilat arsimimi zhvillohet në gjuhën e kombësisë, mësohet edhe gjuha maqedonase.”

Megjithatë, për këtë çështje nuk preokupohet faktori politik shqiptar për tri dekada me radhë, përkundrazi, vazhdon të shesë mjegulla kinse për të “arriturat e mëdha” të popullit shqiptar në këtë shtet edhe në sferën e arsimit në gjuhën shqipe, sidomos në arsimin e lartë.

(18.XII.2019)