Mbi 50 % të katolikëve janë shpërngulur nga Kosova

1
5393
Pjetër Coli

Pas lufte mbi 50% të popullatës së besimit katolik për shkaqe të ndryshme janë shpërngulur nga Kosova për në SHBA, Australi, Evropën perëndimore etj. Këtë shqetësim alarmues mori guximin këto ditë dhe e ngriti anëtari i KK-së në Klinë Z. Pjetër Coli.

Pjetër Coli, Shqiptari.eu

“Fjala është për një jo rregullsi në Komunën e Klinës, e cila daton që nga viti 1999 e deri në ditët e sotme. Bëhet një dallim i madh në investime, në punësime, në dhënien e tenderëve etj.

Këto tema janë tema të cilat fliten në çdo ndeje, edhe unë kam marrë guximin që t’i prezantoj në mënyrë transparente, që t’i dëgjoni edhe ju në këtë Asamble së bashku me argumentet. Jo, nuk ka tendencë, nuk ka ndonjë prapavijë, nuk ka ndonjë shkak tjetër çfarëdo qoftë ai, por është një realitet. Kush më njeh personalisht, kush e di biografinë time e dinë që nuk i takoj rrethit të njerëzve që flasin me tendenca, por u takoj njerëzve që kanë guximin për ta thënë të vërtetën.

Nëse fillojmë prej 1999, kur pushtetin komunal e ka pasur LDK-ja, në Lugun e Drinit përpos një participimi prej 7 mijë markave, apo eurove, këtu mund të gaboj, për një ujësjellës në fshatin Radulloc, edhe ndihmën e elektrifikimit në Krushevë të Madhe, pushteti i LDK-së asnjë investim kapital nga buxheti i Komunës nuk e ka bërë.

Edhe kjo dukuri vazhdon në kontinuitet me një ndryshim të vogël. E keni Radullocin të paasfaltuar, e keni Pataqanin të paasfaltuar, e keni Zllakuqanin të paasfaltuar, Berkovën, Ranocin pjesërisht, Stupa, krejtësisht, Budisalci, Krusheva e Madhe, Jagoda, Videja, pjesërisht, Deiqi, pjesërisht, Drenskiku. Domethënë është komplet kjo anë, e cila nuk është e asfaltuar.

Kurse jashtë Lugut të Drinit, në anën tjetër, përpos Grapcit, nuk është asnjë fshat që nuk është i asfaltuar. Investimet në infrastrukturën rrugore që janë bërë kohëve të fundit këtu në Lug të Drinit janë vetëm 7670 metra. Në Deiq janë 1700 metra, Polca 620 metra, Krusheva e Vogël 1850 metra, Leskoci, 2700 metra, Ranoci 800 metra. Edhe për këto 7.7 km asfalt janë dhënë participime 66 900 euro. Domethënë një participim i lartë që nuk e njohin fshatrat tjera.

Në kohën e LDK-së, është asfaltuar rruga e Ranocit, por Komuna asnjë cent nuk e ka dhënë. Është asfaltuar rruga e Jagodës, ku Komuna ka participuar me vetëm 50 mijë euro. Mjetet tjera për këtë projekt rrugor 7 km të gjatë janë dhënë, 440 mijë përafërsisht nga Ministria, 130 mijë nga komuniteti, 50 mijë nga UFORK-u, që ka qenë fond i trepërqindshit, i cili ka funksionuar pas lufte edhe në Kosovë

Për objektet shkollore, ju jeni dëshmitarë që 5 shkolla janë ndërtuar ose janë duke u ndërtuar në fshatrat e Komunës sonë dhe asnjë në Lugun e Drinit! Shkolla e Leskocit, është financuar nga UFORK-u, në kuadër të një financimi që e ka ndarë ai fond për 3 shkolla të atëhershme në Komunën e Klinës, me ato të holla 220 mijë marka është ndërtuar një shkollë në Poterq, një në Leskoc, edhe një në Sferkë. Sferka një herë nuk kanë dashur t’i marrin ato të holla, atëherë prapë i kanë marrë, por është ndërtuar edhe shkolla e Sferkës, pra ka qenë një participim i UFORK-ut edhe për këtë shkolle me 110 mijë euro.

Ky është një segment, kurse tjetri ka të bëjë me punësimet në komunën tonë: I kemi, aq sa kam mundur unë t’i numëroj, 14 institucione edhe ndërmarrje publike në Klinë dhe asnjë drejtor apo udhëheqës nuk është nga Lugut i Drinit, asnjë i vetëm! Në te gjitha këto institucione edhe ndërmarrje publike punojnë 735 veta, ndërsa nga Lugut i Drinit janë vetëm 135. Ne polici janë nga 84 vetëm 10; në postë nga 31 janë 7; në gjimnaz nga 60, janë vetëm 8; në shkollën profesionale nga 75, janë vetëm 10; në shkollën “Ismet Rraci” nga 66, janë 13; Qendra sociale nga 12, është vetëm 1, bile edhe ky përmes gjykatës ka arritur ta ruajë vendin e punës; në Shtëpinë e Shëndetit nga 137, janë 41; gjykata 34 me 3; te letërnjoftimet, 17 me 0; KEK-u 34 – 2; në Komunë 87 -16; Ambienti 23-3; Hidrodrini 22-4; “Motrat Qiriazi” 34 me 17.

Domethënë, totali është nga 715 vetëm 135! Nëse dikujt këta numra i duken të dyshimtë secili ka të drejtë t’i verifikon. Mua më janë dashur 6 vjet, prej se jam në Asamblenë Komunale për të ardhur deri të një konstatim të cilin po e foli shumë sinqerisht dhe vëllazërisht sot këtu.

Në anën tjetër, Komuna i ka ndare 81 banese për nevoja të njerëzve tanë. Kriteret qysh janë ndarë, sa janë ndarë, nuk po hy andej, nuk më interesojnë, por prej 81 banesave vetëm 4 banesa.

Edhe diçka te asfaltimet: Ka fshat jashtë Lugut Drinit, i cili ka më shumë kilometra të asfaltuara se sa të gjitha rrugët në Lug te Drinit në 6 vitet e fundit. Tenderët:

Unë nuk e di që dikush i Lugut të Drinit ndonjëherë në këtë Komunë e ka marrë një tender, nëse gabojë të më korrigjoni dhe do të kisha qenë i lumtur nëse është e kundërta. Tregomëni, nëse ka.

Të gjitha këto janë çështje ekzistenciale. Ky është një komunitet autokton i cili jeton këtu me shekuj, është pjesë e proceseve, pjesë e ndryshimeve, pjesë e reformave; ka dhënë kontributin e vet me siguri aq sa e kanë dhënë edhe të tjerët, edhe nuk është në rregull që ne si institucion të veprojmë në këtë mënyrë.

Njerëzit po shpërngulen, njerëzit po ikin dhe kjo gjendje po i detyron për të shkuar në Gjermani, Zvicër, Amerikë, apo gjetiu. Unë po apeloj që si Komunë atë buxhet që kemi ta ndajmë vëllazërisht, proporcionalisht në secilën anë barabar. Aq sa del le të del. Kur nuk del s’kemi çfarë të bëjmë. Edhe në familjet tona është buxheti i kufizuar.

Edhe njëherë për asfaltimin e rrugëve, po që se e marrim komplet rrugën e Jagodës edhe Zllakuqan – Ranoc, dua ta ceku se kam qenë kryetar i Fondit te 3%-shit në Gjermani i cili ka tubuar 270 milionë marka për Kosovën dhe pas lufte 2 vite kryetar i UFORK-ut ne Prishtine. Nga kjo pozite kam arritur t’i kanalizoj do mjete për komunën tonë. Sado absurde që ndokujt i duket, prej lufte deri me sot nga ky UFORK Komuna e Klinës i ka marrë 771 mijë euro ndihme. 3 shkolla dhe rrugë te asfaltuara. Dua ta ceku se për rrugën e Jagodës – 130 mijë i ka dhënë komuniteti, nuk ka tjetër kund që është pjesëmarrja aq e madhe për një projekt sa rruga e Jagodës.

Nëse ndokush mendon se unë e kam motiv fanatizmin, gabohet shumë. Unë nuk jam fanatik, nuk jam fetar dhe besoni që feja nuk është shkak për të dalë sot këtu, nuk më është dukur lehtë të flas para jush për këtë teme, njerëz te vendit, që e kam pasur mall gjithë jetën dhe që kam bërë përpjekje për ta ndihmuar gjithë jetën nga atje ku kam jetuar, pa kurrfarë interesi në personal.

Unë e njoh historinë e popullit tim, mjaft mirë, i di ndarjet fetare, raportet etj. Shikoni veprat, shikoni qëndrimet, shikoni sjelljet e mia në raport me rrethin deri me sot, atëherë mund të konstatoni se këto fjalë janë vetëm të vërteta. Ka ndodhur që në shtëpinë time të çohet bashkëshortja ime natën t’i përgatis syfyr mysafirit tim shqiptar i besimit islam. Ose të tillë njerëz që janë falur në shtëpinë time. Edhe nëse veprohet kështu, atëherë… desha ta përmendi fjalën tolerance, që fare nuk e pëlqej dhe ne vend të saj unë i them: respekt i ndërsjellë fetar, që është praktikuar nga unë dhe familja ime.

Pra, unë sot apeloj te ndërgjegjja juaj, që ta bëni një monolog me vetveten dhe të thoni se ky njeri ose qenka çmendur ose e tha një realitet të hidhur.

Ju faleminderit për vëmendjen!” – ka konstatuar në diskutimin e tij anëtari i Asamblesë komunale në Klinë Z. Pjetër Coli.

1 KOMENT

  1. O zotni katolik,

    Ti po bene ndarje shum te keqe, sepse ne Kosove perveç Muslimaneve qe jane me pak se 2% …jetojme edhe ne SHQIPTARËT qe nuk kemi fe, religjion dmth ne 95 % SHQIPTARË, ne cilen kategori hyjmë.

    Kur te flasish per statistike mos i be dy shenime te rrejshmëm, te cilat sipas teje edhe idiotave te BIK-ut …e perhapni te njejtën super dezinformate lidhur me ate se te SHQIPTART ka musliman dhe katolik… jooooooo… ka edhe SHQIPTARË, qe jane vetem SHQIPTARË… e ata jemi 95%.

    Ose je SHQIPTAR OSE MUSLIMAN…

Komentet janë mbyllur.