Mbi 3 mijë shqiptarë u ekzekutuan nga Ushtria e Serbisë vetëm në Kumanovë, mijëra shqiptarë të tjerë i konvertuan me dhunë në Serbë-ortodoksë

0
477
Beograd - shqiptarët, 1912

Fotot: Pushtimi i Kumanovës nga forcat serbe më 22-24 tetor 1912.

Prof. Dr. Qazim Namani, Prishtinë

  • Luftërat ballkanike dhe pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 (5)

N’at dimen shumë t’kshten i lidhnë me konop për fyti, e i hidhshin me gjithë petka nder vija ujnash e i grehshin rrshqanë për konopit e i qitshin n’breg, kshtu ja u bashin shpeshë here. T’shumtëve ju duel shpirti mjes ati ujit t’ftoftë. I thoshin atyne t’kshtenëve a mu ba shkje e a me diftue armët e mshehne.

Rusia e mbështeste Serbinë me oficer, vullnetar, teknikë ushtarake dhe mallra. Qindra vagonë rus furnizonin ushtarët sllav në vijën e frontit. Në një rast një gazetar danez shkruante se së bashku me serbë në qytetin e Shkupit i kishin numëruar 150 vagonë rusë. Disa mijëra sllavë nga veriu, Çekia dhe Sllovakia janë paraqitur vullnetarisht të luftojnë krahas me serbët.

Ushtria e parë serbe, e përbërë nga 126.000 ushtarë sulmoi prej Vrajës në drejtim të Preshevës dhe Kumanovës. Beteja më e madhe ishte ajo e Kumanovës 22-24 tetor. Ushtria osmane në këtë front i kishte mobilizuar 50.000 luftëtarë. Midis tyre kishte edhe disa mijëra ushtarë shqiptarë. Më 24 tetor, ushtria osmane u thye përfundimisht në Kumanovë.

Serbët i shikonin shqiptarët si njerëz të dëmshëm që duhet të shfaroseshin. Ushtria serbe në rrethinën e Vrajës, Kumanovës, Prishtinës dhe qyteteve tjera vrau një numër të madh të shqiptarëve të pafajshëm. Në qytetin e Kumanovës raportohej për 3.000 shqiptarë të vrarë, në fshatrat midis Kumanovës dhe Shkupit. Fshatrat ‘arnaute’ rrethoheshin dhe më pas ju vihej zjarri. Banorët që dilnin nga shtëpitë qëlloheshin për vdekje si minj. Kjo gjueti njerëzish tregohet me gëzim nga ushtria serbe.

Në këtë betejë, për ta përcjell gjendjen nga afër në vijën e frontit kishte ardhur edhe mbreti i Serbisë Petar Karagjorgjeviqi.

Foto 17 dhe 18. Pushtimi i Kumanovës nga forcat serbe më 22-24 tetor 1912.

Dy ditë më vonë me 26 tetor, forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin.

Foto 19. Shqiptarët e arrestuar nga ushtria turke në vitin 1912. Foto 20. Shqiptarët e arrestuar në vitin 1912 nga serbët në qytetin e Shkupit e të cilët u dërguan në Beograd

Petar Karagjorgjeviqi raportonte para gazetarëve të huaj se shumica e të vrarëve dhe arrestuarve në Vrajë dhe qytete tjera janë shqiptarë. Në Vrajë pranë gazetarëve të huaj qëndronte princi Alexis Karagjorgjeviq, i cili ishte djali i axhës së mbretit Petar Karagjorgjeviq. Para gazetarëve të huaj Petar Karagjorgjeviq deklaronte se kjo luftë do ti sjell Ballkanit përparim kulturorë. Në qytetin e Vrajës festohej për fitoret e ushtrisë serbe në betejat e frontit. Pas rënies së Kumanovës dhe Shkupit u organizuan festime me këngë dhe valle. Përveç këngëve dhe valleve këndoheshin edhe himnet kombëtare serbe, greke, malazeze, franceze dhe ruse. Vallja bëhej gjithnjë e më e vrullshme, ndërsa në rrugët e Shkupit festonin me muzikë dhe brohoritje, Rroftë Mbreti Petar Karagjorgjeviq! Rroftë Unioni Ballkanik! Vdekje Parazitëve Osman! Për të festuar në qytetin e Shkupit me mbretin Petar Karagjorgjeviq kishin ardhur edhe princi Aleksandër, princi Georg Karagjorgjeviqi dhe Nikolla Pashiqi me origjinë familjare nga një fshat në rrethin e Tetovës, pra të gjithë këta ishin me origjinë shqiptaro-vllahe.

Foto 21. Bartja e shqiptarëve prej Shkupit e deri në Beograd me vagona rus. Siç e cekëm deri në Shkup për ta furnizuar me armë dhe ushqime kishin ardhur 150 vagonë rus

Dhuna e ushtarëve serbë, vazhdoi edhe gjatë gjithë vitit 1913. Shqiptarët gjatë këtij viti përjetuan dhimbjet më të rënda edhe në qytetin e Prishtinës. Kjo dhunë dëshmohet edhe me shumë fotografi të kohës.

Foto 22 dhe 23. Ushtarët serbë duke i torturuar shqiptarët në Prishtinë gjatë vitit 1913

 Pasi që Kosova pas Luftës së Parë Ballkanike mbeti nën pushtimin e Serbisë, filloi kolonizimi me popullatë serbe, dëbimi me dhunë i shqiptarëve dhe i komuniteteve të tjera jo serbe, u bë krishterimi i myslimanëve me dhunë, dhe konfiskimi i pasurisë së tyre.

Foto 24 dhe 25. Ushtarët serbë në Prishtinë në vitin 1913

Legjislacioni serb dhe malazez mbi kolonizimin nuk doli menjëherë pas aneksimit të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare, por u vonua disa muaj. Në fillim u nxorën disa dispozita ligjore për çështjen agrare, që përgatitem terrenin. Grabitja e tokës së fshatarësisë shqiptare në Kosovë filloi qysh në muajt e fundit të vitit 1912, me rastin e arritjes së kolonëve të parë. Në vitin 1913 numri i kolonëve të ardhur filloi të shtohet, dhe krahas shtimit të tyre shtohej edhe dhuna ndaj shqiptarëve për tu shpërngulur nga tokat e tyre. Në fillim të vitit 1914, Serbia dhe Mali i Zi me dekretligje për rregullimin e rajoneve të porsaçliruar e bënë zyrtar ligjin e kolonizimit. Me 20 shkurt të vitit 1914 Serbia me anën e dekretligjit u angazhua zyrtarisht në kolonizimin e organizuar të trevave shqiptare.

Shpërngulja dhe krishterimi i popullatës shqiptare të besimit mysliman filloi në tërë terrorin e Kosovës. Për gjendjen e vështirë që u krijua, Imzot Lazër Mjeda më 9 janar 1913, i dërgoi një letër ministrit të punëve të jashtme të Austro-Hungarisë, ku e njoftoi për dhunën serbe ndaj popullatës civile shqiptare. Mjeda dërgoi edhe disa raporte tjera në Romë dhe vende tjera perëndimore.

Gjatë luftërave Ballkanike ushtria serbe bëri shume vrasje të popullatës së pafajshme. Këtë e dëshmuan gazetarët ndërkombëtarë që i vëzhguan nga afër këto ngjarje.

Në librin e tij Leo Freundlich shkruan se fshati Shashare pranë Leshnicës, kur ra në duar të serbëve, i morën të gjithë burrat e fshatit dhe i lidhën, pastaj filluan plaçkitjen e shtëpive dhe përdhunimin e vajzave dhe grave në mënyrën më të neveritshme.

Në vitin 1913 në Janjevë  ushtria serbe bëri presione me forcë kundër kishës katolike të Janjevës me qëllim që besimtarët të detyroheshin që të heqin dorë nga feja e tyre. Në këtë peshkopatë që numëronte rreth 800 katolikë të ashtuquajtur “Laraman” u bënë presione që këta banorë ose të deklarohen mysliman ose ortodoks, por jo katolikë.

Në fillim të vitit 1913, në qytetin e Pejës u formua shoqëria “Idea Serbe”, qëllimi i së cilës ishte krishterimi i myslimanëve. Deri më 21 mars të vitit 1913, sipas dokumenteve zyrtare, në qytetin e Pejës u konvertuan 5.000 myslimanë. Në Pejë aksionin për krishterimin e dhunshëm e udhëhiqnin komandanti i policisë, Sava Llazareviq, dhe kapedani Tomo Jaksimoviq. Sava në fshatin Novosellë i pushkatoi 17 myslimanë, po ashtu filloi të pushkatojë edhe në fshatrat tjera me qëllim që t’i frikësojë fshatarët që t’i dorëzojnë armët dhe të konvertohen sa ma shumë.

Procesi i serbizimit lidhet me faktin se shumë shqiptarë katolik u burgosën dhe përjetuan një dhunë të paparë për tu bërë ortodoks gjatë viteve 1912-13. Në vazhdim po paraqesim faktet që e vërtetojnë një gjë të tillë, e të cilat i kishte shkruar Zef Mark Harapi, si përjetues i ngjarjeve të vitit 1912-13.

Ja se si e përshkruan ai gjendjen e popullatës shqiptare katolike në rrethinë e Pejës: Si bite nata i lidhshin për njën krah me nji gardh e me nji cung i bishin turive e parzmit e nder brryla, i mbusheshin mandej nji teneqe vojit gurit me uj e ja u shprazeshin mi krye, e uji i derdhej t’tanë shtatin e tyne. N’at dimen shumë t’kshten i lidhnë me konop për fyti, e i hidhshin me gjithë petka nder vija ujnash e i grehshin rrshqanë për konopit e i qitshin n’breg, kshtu ja u bashin shpeshë here. T’shumtëve ju duel shpirti mjes ati ujit t’ftoftë. I thoshin atyne t’kshtenëve a mu ba shkje e a me diftue armët e mshehne.

Zef Mark Harapi në kujtimet e tij si përjetues i kësaj dhune njofton: Ankesat e t’kshtenëve t’Novosellës, t’krushevës, t’Papiqit, t’Përlepit e tjera katundeve erdhen tue shumue për ditë e ma tepër para At Luigj Paliq, i cili pa u tremë prejë atyne bishve prej Gllogjanit, vendi ku rrinte frati me famulli, n’Gjurakoc me u përpjekë me kapitanin e kti katundi e i ka thane “Zotni t’kshtenët e nahijes s’Pejës janë kah hjekun keq veç e për t’shpifuna t’disaa shkjeve.

Burgjet e Pejës përmendet që ishin mbushur me njerëz të pafajshëm gjatë vitit 1912-1913, ndërsa Ati Sava shkonte te dera e burgut e u thoshte; “Kush bahet shkja pshton, tjerët bahen batare”.

Në fund të muajit mars 1913, argjipeshkvi Mjeda ankohej se më shumë se 1200 pjesëtarë të besimtarëve të tij ishin konvertuar me dhunë në ortodoksë. Në maj të vitit 1913, komandanti i zonës së Prishtinës e informonte me mburrje Beogradin se 195 shqiptarë myslimanë ishin konvertuar në Prishtinë dhe se ndaj katolikëve të Janjevës po bëhej një presion i fuqishëm që të konvertoheshin në ortodoksë.

Në fillim të vitit 1913, u bë regjistrimi i popullatës, kështu që në Prishtinë nuk u regjistrua asnjë shqiptar. Në vitin 1915, një gazetar rus kishte raportuar se gjysma e popullatës ishte shqiptare. Në vitin 1916, sipas regjistrimit bullgar, në Prishtinë u regjistruan 11.486 shqiptarë.

Në rrethana të tilla popullata shqiptare katolike dhe ortodokse që i kishte përballuar dhunës gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, nga dhuna serbe u detyrua të pranoi asimilimin në masë të madhe.

Qeveria serbe e Pashiqit në arenën ndërkombëtare e shfrytëzonte si argument myslimanizmin e shqiptarëve andaj si është shkruar edhe në shumë burime se pretendimet ndaj tokave shqiptare kishin të bënin me kishat, manastiret dhe shkollat serbe që Perandoria Osmane brenda territorit të saj, në tokat shqiptare ia lejoi Serbisë ti ndërtoj pas gjysmës së dytë të shekullit XIX. Përveç kësaj Serbia mbështetej në përkrahjen ndërkombëtare dhe e mbështetur nga Rusia edhe me forcën e armëve. (Vijon)