MAT MBRETËRESHËS…

0
1191
Ndue Lazri

Fejsbuku na i kujton.
Po e risjell, meqenese flitet per ato gra qe nganjehere i stresojne burrat…

MAT MBRETËRESHËS…

E dashuruar, ti e thërrisje: Mbreti im,
i dashuruar, ai të ndiqte me lule në dorë,
mbretëreshë të quante gjithë ledhatim,
e lulet t’i vinte në kokë kurorë.

Por erdhi një ditë, ty lulet s’të mjaftonin,
dashurinë e vije në dyshim nganjëherë,
thellë vetvetes ti ëndërroje fronin
dhe nise lojën si mbretëresha në skakierë:

– Mbreti im, – i the një ditë në lëndinë,
dashurinë me vepra dua t’ma tregosh,
nëqoftëse më do, rrjeshtoje ushtrinë
e mbretërinë fqinje të ma dhurosh…

Pa e zgjatur mbreti alarmin e dha,
në formacion ushtria u mblodh menjëherë,
për të ndjekur betejën ti u ngjite në kala
e pranë i mbajte nja dy oficerë.

E rreptë nisi lufta me kurthe e poterë,
në ballë mbreti, pas vetes ushtrinë,
përballë rrezikut s’u praps asnjëherë,
që të ta dëshmonte më shumë dashurinë.

Një nga një ushtarët binin të vrarë,
mbreti luftonte e s’ndalej për të gjallë,
kur mbeti vetëm, ktheu kokën për të parë,
i thirre: – Mos ke ndërmend të tërhiqesh, vallë?

Kur e pa se vdekja ushtrinë ja rrëmbeu,
shpatën e vërtiti me trimëri të rrallë,
Çau si i çartur e më kokën s’e ktheu
dhe përfundoi në shtratin e mbretëreshës përballë…

Ndue Lazri

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar