MASKARADË (PARA)ZGJEDHORE! (MANITA E RADHËS)!

0
662

AV. XHABIR ZEJNUNI

Para disa vitesh, Meta me anë të një “MANITE” (të djathtë!) fitoi në Gjykatën e Lartë çështjen në ngarkim të tij, e cila kishte lidhje me një audio-video përgjim të manipuluar në dëmin e tij!

Ndërsa dje (24 qershor) me një “MANITA” (të majtë!) Kolegji Zgjedhor konsideroi NUL zhdekretimin e Presidentit Meta të datës 10 qershor, duke lënë kështu në fuqi vendimin e marrë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për të vazhduar proçesin zgjedhor, pavarësisht se zhdekretimi u botua edhe në Gazetën Zyrtare.

Si u arrit në këtë vendim “historik”?!
Me datën 10 qershor, Presidenti Meta zhdekretoi datën e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, por duke mos u marrë vesh më parë me aktorët politikë të interesuar dhe duke mos caktuar një datë të re zgjedhjesh! Hapu qiell. Dikush e përkrahu zhdekretimin, ndërsa dikush tjetër jo. Satrapi Rama, deklaroi se zgjedhjet nuk do të shtyhen. Në të njëjtën gjatësi vale me Ramën, u shpreh edhe KQZ-ja. Kryetari i KQZ-së Klemend Zguri, si një bir besnik i partisë mëmë (PD) u tërhoq nga KQZ-ja (por, nuk dha dorëheqjen!). Ndërsa katër anëtarët (e PS-së) e mbetur, vazhduan me vetmohim proçesin zgjedhor. Më pas, Klement Zguri u kthye përsëri në krye të KQZ-së, në respekt të vëzhguesve ndërkombëtarë!

Dolën në tregun politik dhe juridik dy teori të ndryshme në lidhje me zhdekretimin Meta.
1. Nuliteti i tij dhe si rrjedhim konsiderimi i tij si akt administrativ absolutisht i pavlefshëm dhe vazhdimi i proçesit zgjedhor;
2. Antikushtetutshmëria e tij dhe si rrjedhojë investimi i Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur “ngërçin çdekretor”!

Duke qenë se Gjykata Kushtetuese nuk ekziston dhe duke qenë se edhe nëse ajo do ekzistonte, investimi dhe vendimi i saj do kërkonin shumë kohë, u vendos të ndiqej rruga më e shkurtër, ose ajo e KQZ-së, e cila e konsideroi NUL çdekretin e Metës dhe vazhdoi proçesin zgjedhor.

Por, edhe pse socialistët u ngutën, ata e kuptuan se do duhej që të ishte investuar më parë Kolegji Zgjedhor, i cili të shprehej mbi zhdekretin e Metës dhe pas këtij vendimi të veprohej në respektim të tij. Si do zgjidhej ky problem? Fare thjeshtë. Zoti Idajet Beqiri si Kryetar i PUK-ut, duke e konsideruar NUL zhdekretimin e Metës, vendosi (ose ju sugjerua!) me datën 13 qershor të çregjistrojë Partinë e tij nga zgjedhjet lokale. Por, kërkesa e tij nuk u pranua, pasi në vendimin e tij ndër të tjera justifikimi i KQZ-së ishte se “Legjislatori nuk ka parashikuar përsa i përket mundësisë së tërheqjes së partive politike (e në përgjithësi të subjekteve zgjedhore) pas regjistrimit të tyre nga KQZ-ja dhe miratimit të listave shumemërore të kandidatëve”.

Vendimin prej 9 faqesh, KQZ-ja e dha në të njëjtën ditë (13.06.2019, ora 13.00) që ju paraqit ankimimi nga Zoti Idajet Beqiri (13.06.2019, ora 9.00)! Atëherë, ai menjëherë ankimoi pranë Kolegjit Zgjedhor vendimin e KQZ-së. Kolegji Zgjedhor, nga ana e tij e konsideroi NUL çdekretin e Metës dhe si rrjedhojë nuk e çregjistroi PUK-në nga zgjedhjet lokale. Kështu, Kolegji Zgjedhor me një gur “vrau” dy zogj: a) “legjitimoi” proçesin zgjedhor dhe b) “detyroi” PUK-në të marrë pjesë në zgjedhje! Kjo është një çudi tjetër shqiptare. Në gjithë botën ekzistojnë ligje se si të marrë pjesë një subjekt politik në zgjedhje. Por, askund në botë nuk ka ndonjë ligj që të mos lejojë çregjistrimin e një partie politikë nga zgjedhjet dhe si rrjedhojë detyrimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhje. (?!)

Arsyetimin, Kolegji Zgjedhor (të pa zbardhur akoma!) në vendimin e tij, e merr me shumë siguri edhe nga Vendimi Nr. 150, datë 16.06.2017 i Gjykatës Kushtetuese, në të cilin dekreti i Presidentit konsiderohet me karakter individual dhe si i tillë ai mund të ankimohet pranë Gjykatës Administrative dhe jo pranë Gjykatës Kushtetuese. Në fakt, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj thekson se “Në rastin konkret, Kolegji konstaton se akti ndaj të cilit është ushtruar ankim, dekreti i Presidentit të Republikës, i cili është një akt administrativ individual, pasi ka për objekt vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për këtë arsye, Kolegji çmon se ky akt nuk hyn në juridiksionin e kësaj Gjykate por në juridiksionin e gjykatave administrative dhe për këtë arsye, kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet kësaj Gjykate me objektin sipas kërkesës”.

Pa hyrë në detaje, duhet theksuar se togfjalëshi “rasti konkret” tregon se bëhet fjalë vetëm për dekretin e Presidentit – të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese – i cili në marrëveshje me partitë politike shtyu zgjedhjet politike nga data 18 qershor në datën 25 qershor 2017.

Gjykata Kushtetuese, i referohet këtij dekreti, i cili kishte një natyrë formale dhe si të tillë e konsideron individual atë. Dhe si rrjedhojë të ankimueshëm vetëm pranë Gjykatës Administrative dhe jo pranë Gjykatës Kushtetuese. Ndryshon kualifikimi i një dekreti presidencial si akt individual nga kualifikimi i të gjitha dekreteve presidenciale si akte individuale. Pasi jo vetëm Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, por as ndonjë Gjykatë Kushtetuese tjetër në botë, nuk mund të kualifikojë KURRË si akte individuale të gjitha dekretet e Presidentit. Në vendimin e mësipërm, Gjykata Kushtetuese i referohet aktit konkret dhe jo akteve në përgjithësi, ose dekretit konkret dhe jo dekreteve në përgjithësi të Presidentit.

Prandaj, që nuk është korrekte as nga ana politike dhe as nga ana juridike, abuzimi me një vendim të Gjykatës Kushtetuese për një rast të veçantë, duke kërkuar respektimin e tij edhe për raste të tjera aspak të ngjashme.

Vendimi i marrë nga Kolegji Zgjedhor, mund të krahasohet me rastin e një të pandehuri, i cili për një vepër penale dënohet pa gjyq me disa vite burg nga Prokuroria në pritje të Vendimit të Gjykatës, e cila nga ana e saj konfirmon dënimin e dhënë nga Prokuroria!
Komplimenti.