MASKARADË “HETIMI DHE DËNIMI”!

0
488

AV. XHABIR ZEJNUNI

Me datën 15 shkurt, pamë në TV shoun e radhës mediatik, politik dhe policor. Forcat Speciale të urdhëruara nga Gjykata e Krimeve të Rënda, bënë një kontroll të befasishëm(!) me akuzën për korrupsion aktiv(!) në shtëpinë e tre gjyqtarëve, të cilët me 8 shkurt në bazë të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale (të mëparshëm!) firmosën vendimin e dënimit me 25 vite burg (në favor!) të Dritan Dajtit. Duhet sqaruar se me 23 korrik 2014 Gjykata e Faktit të Krimeve të Rënda dënoi Dajtin me 4 burgime të përjetshme.

Sipas Policisë, “Njërit gjyqtar iu gjet municion në shtëpi dhe disa mijëra euro”. Në Polici, gjyqtari deklaroi se bëhet fjalë për një karikator të një pistolete Makarov të mbajtur me leje nga ai dhe të dorëzuar para tre muajsh. Por, për harresë karikatori nuk ishte dorëzuar. Ndërsa 20 mijë eurot ishin të djalit të tij, që është biznesmen. Gjyqtari, pas disa orësh u la i lirë dhe deklaroi se do bënte denoncim. Tani, 20 mijë euro mund t’i ketë edhe një pastuese shkolle në shtëpi si kursim i disa viteve punë.

Shtrohen disa probleme këtu.

Vettingu nxori jashtë sistemit të drejtësisë shumë prokurorë dhe gjyqtarë për KORRUPSION. Pra, korrupsioni ishte PROVA e përjashtimit të tyre nga sistemi i drejtësisë. Por, si për çudi kjo provë nuk u përdor nga Prokuroria për të bërë detyrën e saj që të ndërmerrte më pas një hetim penal ndaj të korruptuarve. Ndërsa tre gjyqtarët pa ju bërë vettingu, ju ushtruan një hetimi për korrupsion të supozuar. Po dy gjyqtarët e tjerë që ishin kundër vendimit, mos vallë janë të pakorruptuar?!

Nëse larg qoftë tre gjyqtarëve do ju ishin gjetur në shtëpi një arsenal me armë e me bomba dhe një shumë marramendëse parash, ata do ishin arrestuar menjëherë dhe nuk dihet se sa do vazhdonte hetimi. Kush do e përpilonte atëherë ARSYETIMIN e dënimit me 25 vite burg të Dritan Dajtit? Një trupë tjetër gjykuese? Jo. Do ribëhej edhe njëherë gjykimi në Apel? Jo. Mund të ankimohej ky gjykim në Gjykatë të Lartë brenda 30 ditësh, pa u zbardhur vendimi i dënimit? Jo. Nga ky fakt, rrjedh se bastisja e shtëpive të gjyqtarëve ishte maskarada e radhës e medias, politikës dhe drejtësisë. Dhe boomerangu (i radhës!) i (zh)drejtësisë ndaj drejtësisë.

Problemi kryesor lidhet me figurën dhe rolin e prokurorit në lidhje me GJYKIMIN e SHKURTUAR. Çfarë është gjykimi i shkurtuar? Gjykimi i shkurtuar, është një gjykim special, që bëhet me kërkesë të të hetuarit dhe me miratimin e gjykatësit. Në këtë rast, i hetuari nuk pranon fajësinë e tij, por minimumi merr 1/3 e dënimit më pak.

Ndërsa maksimumin ai mund të marrë edhe pafajësinë! Gjykimi i shkurtuar, bëhet për ekonominë proçesuale dhe në pajtim me parimin e drejtësisë efektive. Nga ky fakt, rrjedh se ky lloj gjykimi i shërben sistemit të drejtësisë dhe jo të hetuarit. Por, duke qenë se këtë gjykim e kërkon i hetuari, atëherë ai “shpërblehet” me 1/3 e dënimit më pak. Në rastin në fjalë, Dajtit nuk ju pranua me të drejtë gjykimi i shkurtuar, që në shkallën e parë të gjykimit, i cili zgjati gati 10 vite. Ndërsa kur u sabotua ekonomia proçesuale, Dajti kërkoi përsëri gjykim të shkurtuar, të cilin Gjykata e Apelit e miratoi. Si rrjedhojë, u mor edhe vendimi që tashmë e dimë të gjithë.

Kodi Penal tek neni 403 me titull “Kërkesa për gjykimin e shkurtuar” (i ndryshuar me Ligjin nr. 35/2017, datë 30.03.2017), tek par. 1, parashikon se “Kërkesa për gjykimin e shkurtuar paraqitet nga i pandehuri ose mbrojtësi i tij, me autorizim të posaçëm në seancën paraprake ose në seancë gjyqësore, kur procedohet sipas nenit 400 dhe paragrafit 3, të nenit 406/ç, të këtij Kodi, me pasojë mospranimi” dhe vazhdon tek par. 2 se “Nuk lejohet kërkesa për gjykim të shkurtuar për veprat penale për të cilat parashikohet dënim me burgim të përjetshëm”.

Neni 403, i referohet gjykimit të shkallës së parë dhe jo asaj të Apelit. Fakti që neni 403 nuk specifikon shkallën e gjykimit, është përdorur si justifikim nga gjyqtarët për të aplikuar gjykimin e shkurtuar edhe në Apel. Krimi është kryer në vitin 2009 dhe Kodi Penal i asaj kohe nuk parashikonte përjashtimin nga gjykimi i shkurtuar të personave për veprat penale, të të cilëve parashikohej dënimi i përjetshëm.

Por, Ligji Nr. 35 datë 30.03.2017, e ndryshoi nenin 403 par. 2, i cili disponon se “Nuk lejohet kërkesa për gjykim të shkurtuar për veprat penale për të cilat parashikohet dënim me burgim të përjetshëm”. Kjo normë ka mundësi që është konsideruar nga gjyqtarët si një normë retroaktive, e cila dëmtonte (in pejus) Dajtin!

Në gjykimin e Dajtit, gjyqtarët morën në konsideratë nenin 406 të Kodit Penal të mëparshëm me titull “Vendimi” (të ndryshuar pika “1” me Ligjin Nr. 8813, datë 13.6.2002), ku par. 1, disponon se “Kur jep vendim dënimi, gjykata e ul dënimin me burgim ose gjobë me një të tretën. Dënimi me burgim të përjetshëm zëvendësohet me njëzet e pesë vjet burgim”. Ata në zbardhjen e vendimit mund të justifikojnë vendimin e tyre duke thënë se ai i referohet vitit 2002 të hyrjes në fuqi, ose 7 vite para krimit. Por, gjyqtarët nuk duhet të harrojnë po ashtu se edhe norma në fjalë me anën e të cilës ata do arsyetojnë vendimin e tyre, i referohet shkallës së parë të gjykimit dhe jo Apelit. Ja vlen të krahasohet neni i mësipërm me nenin 439 me titull “Kërkesa për gjykim të shkurtuar” të Kodit të Procedurës Penale të Italisë, i cili disponon se ”Kërkesa depozitohet në Sekretari BASHKË me aktin e PRANIMIT të prokurorit të paktën 5 ditë para fillimit të seancës”.

Norma shqiptare, nuk e kushtëzon kërkesën për gjykim të shkurtuar me miratimin e prokurorit. Ndërsa norma italiane e kushtëzon kërkesën e gjykimit të shkurtuar me miratimin e prokurorit. Që do thotë se në Itali nëse nuk është dakord prokurori, gjykimi i shkurtuar nuk pranohet nga gjyqtari (GIP). Ndërsa në Shqipëri, gjyqtari nuk kushtëzohet nga prokurori për vazhdimin apo jo të gjykimit të shkurtuar, pasi ai vetë vendos dhe vetë firmos! Në fakt, duhet pohuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda ishte kundër gjykimit të shkurtuar në Apel të Dajtit. Në një intervistë që ju bë prokurorit Artan Bajramani, që kishte dosjen e Dritan Dajtit në Apelin e Krimeve të Rënda, pyetjes se “Nëse pas përfundimit të seancës do bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë” ai u shpreh “Po, patjetër”. Problemi është se në gjykimin e shkurtuar në Kodin e Procedurës Penale të Shqipërisë, figura e prokurorit anashkalohet. Krimi i Dajtit, duke qenë se parashikon dënimin me burgim të përjetshëm, e përjashton atë nga gjykimi i shkurtuar. Aq më shumë në Apel, kur ky gjykim i shkurtuar është përjashtuar, që në shkallën e parë të gjykimit të Dajtit.

Në një gjykim të sajin, Gjykata e Lartë thekson se “Duhet patur parasysh se pranimi i gjykimit të shkurtuar është atribut i gjykatës së shkallës së parë dhe jo i gjykatës së apelit. Përderisa çështja në shkallë të parë ështe gjykuar sipas gjykimit të zakonshëm, janë paraqitur debatuar e analizuar provat, nuk mund të pranohet gjykimi i shkurtuar, gjë që arsyetohet dhe në vendimin Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë”. (Vendimi Nr. 00-2010-1078 (398), datë 28.04.2010, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë).

Neni 406, par. 3 i Kodit të Procedurës Penale (i ndryshuar) disponon se “Kundër vendimit të gjykatës mund të bëjnë ankim prokurori dhe i pandehuri”. Në normën në fjalë, përdoret forma ndihmëse “mund” dhe jo “duhet”. Që do thotë se ankimimi nuk është i detyrueshëm.

Nëse tek neni 403 roli i prokurorit është episodik, në nenin 406 prokurori merr një rol më aktiv, duke i dhënë atij mundësi ankimimi. Është mbase një lloj “kompensimi”. Pasi nëse neni 403 do e kishte kushtëzuar gjykimin e shkurtuar me miratimin e prokurorit, do sillte që në rastin konkret ky gjykim i shkurtuar të mos bëhej. Duke evituar edhe ankimimin më pas në Gjykatën e Lartë dhe pasojat që rrjedhin! Por, nëse prokurori do kishte miratuar gjykimin e shkurtuar, atëherë do sillte që vendimi i dënimit nuk do mund të ankimohej nga ai në Gjykatën e Lartë.

Më garantist, në lidhje me gjykimin e shkurtuar, tregohet Kodi i Procedurës Penale të Italisë, i cili në nenin 443 me titull “Kufizimi i Apelit”, në par. 3 disponon se “Prokurori nuk mund të kërkojë apel kundër vendimit të dënimit, përveç rasteve kur vendimi modifikon titulli e krimit”. Kur norma thotë “apel”, i referohet gjykimit të shkallës së parë. Ndryshe do shtonte edhe “rekursin”. Me të drejtë norma italiane është më fiskale kur i ndalon prokurorit ankimimin në rastin e dënimit të shkurtuar, por ja lejon atij këtë ankimim kur “vendimi modifikon titulli e krimit”.

Shtrohet një problem tjetër. Mos vallë politika dhe drejtësia nuk e dinin se po shqyrtohej me gjykim të shkurtuar në Apel Dajti? Sigurisht që e dinin. Atëherë, pse ata nuk e penguan këtë gjykim të shkurtuar, duke i kërkuar llogari më parë gjyqtarëve për pranimin e gjykimit të shkurtuar, duke pasur parasysh pasojat që do sillte ky gjykim në vijim. E pra ajo politike dhe drejtësi i dinin më parë këto probleme. Por, ato heshtën (se ashtu ishin disa punë!) dhe kur plasi skandali, filluan klithmat, ulërimat dhe shqyerjet e maskave të shumta në fytyrat e tyre! (???!!!)

Dhe “koka e turkut” u gjet tek gjyqtarët!

Në vazhdim, do kemi këtë iter proçesual.
Prokurori do ankimojë vendimin e Apelit tek Gjykata e Lartë. Gjykata e Lartë, më pas mund të lërë në fuqi vendimin e Apelit. Por, në këtë rast, do plaste përsëri “skandali” mediatik, politik dhe juridik. Ose do i kalojë edhe njëherë çështjen shkallës së parë për gjykim të zakonshëm. Vendimin e Gjykatës së Lartë, do e ankimojë Dajti pranë Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se “gjykimi i zakonshëm i cënon atij të drejtat kushtetuese të sanksionuara në nenet 4, 17, 18, 42 dhe 43 të Kushtetutës”.

Pastaj, do jetë Gjykata Kushtetuese që do vendosë, duke pasur parasysh edhe ndonjë vendim të mëparshëm të sajin dhe të GJEDNJ-së!

Sidoqoftë, me këtë ritëm (dhe akorobaci!) gjykimi, do kalojnë edhe disa vite të tjera dhe Dajti do dalë nga burgu në bazë të vendimit të fundit të Apelit. Ai do shikojë akoma në media diskutimet pasionale(!) rreth tij. Mbase edhe në ndonjë plazh të largët, duke pirë lëng frutash dhe me një vajzë të këndshme pranë tij (…)!

Shënim: Dajtin e lë brenda Gjykata e Lartë me burgim të përjetshëm…