Maskarada e shtrembaluckëve shaj Enverin e vidh, lavdëro Kadarenë e sajo dosje disidence për “shkrimtarin e madh”…

0
865

Intervistë me shkrimtarin Sali LEKA

Pyetje: Që nga viti 2011 keni shkruar për Çmimin e madh Nobel për Kadarenë, që nuk e meriton, por nuk keni shkruar për çmimet letrare që Kadareja ka marrë në Shqipëri dhe në vendet e tjera.
Përgjigje: -Unë kam shkruar dhe kam kritikuar Kadarenë edhe përpara vitit 1991, kur Shqipërinë e sundonte Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, por kritikat e mia të drejta nuk i kanë botuar.

Mbas vitit 1991, kam shkruar: “Tani në epokën e demokracisë, shkrimtari Ismail Kadare nuk meriton çmime letrare”, por kritikat e mia të thella, të drejta e të dobishme, përsëri nuk i kanë botuar. Dhe janë po ata spekulantë, manipulatorë, sharlatanë dinakë e hileqarë që dje më kanë mbyllur e damkosur shkrimet dhe librat, si dekadente mikroborgjeze reaksionare antirevolucionare. Këta matrapazë trillues, këtë epokë të demokracisë e quajnë “koha e tejzgjatur e tranzicionit postkomunist”.

Kurse për mua dhe për ata që si unë kanë kontribuar, kjo është epoka e demokracisë, por fatkeqësisht, kjo epokë e mrekullueshme demokratike, gjatë këtyre njëzet e pesë viteve, është përballur me batërditë kaotiste anarshiste të zuzarëve narcizistë, të gënjeshtarëve dhe batakçinjve, që kanë rrëmbyer stafetën e letërisisë dhe gazetarisë së shkruar dhe asaj televizive, forumeve publike, që bëjnë emisione krejt me gënjeshtra, manipulime e falsifikime të llahtarshme.

Kadaresë i kanë akorduar çmime letrare edhe ato vende borgjeze kapitaliste që kanë grupime komuniste dhe parti marksiste opozitare. Këto grupime komuniste langare dhe parti markiste zuzare në këto vende kapitaliste nuk janë në pushtet, se nuk i voton populli, por dhe në opozitë janë negative, destruktive, regresive, antihumaniste, ashtu si janë dhe librat e Kadaresë që i kanë ushqim kryesor për oreksin e egër të këtyre grupimeve komuniste dhe partive markiste, të angazhuara edhe sot për mënxyrë e katrahurë dhe jo për natyrë e kulturë. Edhe natyrën monumentale mijëra shekullore duan ta shtrembërojnë, ta deformojnë, ashtu si kanë deformuar etikën dhe kulturën njerëzore.

Kur në Shqipëri sundonte partia marksiste enveriste ramiziste redaksitë e gazetave ishin të angazhuara për të botuar referate, pamflete, pllakata të thata, me ofendime dhe poshtërime për të tërë, për borgjezinë, për kapitalizimin, për Zotin, për Krishtin, për Muhametin, Shën Marinë, për kishën, teqenë, xhaminë.

Unë e kam kritikuar këtë letërsi dhe gazetari antinjerëzore, që vetëm botonte lavdërime për EnverHoxhën dhe komunizmin, kur populli vuante në skëterrën e kuqe të trumbetuar si parajsa socialiste shqiptare!

Por kritikat e mia të drejta dhe të dobishme nuk i botuan dhe mua më burgosën e persekutuan! Më burgosën me ligësi të tmerrshme se nuk kam shkruar lavdërime pompozike për Enverin e komunizmin, as për Ismail Kadarenë! Por, pas vitit 1991, redaksitë e gazetave e kthyen fletën dhe filluan të botojnë ofendime e sharje banale për EnverHoxhën dhe lavdërime langare bombastike për ismail Kadarenë, duke e quajtur “antienverist”, “antikomunist” dhe “antirevolucionar” të pamposhtur.

25 vjet rresht përul Enverin pas vdekjes dhe duke ngritur lart “gjenialitetin antikomunist” të Ismail Kadaresë!
Unë e kam kritikuar përsëri këtë metodë kaotike, katastrofike, edhe pas vitit 1991 në gazetari e letërsi dhe kam faktuar me ngjarje të vërteta se Ismail Kadareja as ishte dhe as ka për t’u bërë antikomunist, antienverist, antirevolucionar. Kurrë jo!
Por edhe gazetat e sotme nuk duan fakte konkrete, as ngjarje të vërteta, por sajojnë gënjeshtra dhe gëlbocka mediatike, për të ngritur lart e më lart Ismail Kadrenë dhe për të poshtëruar Enverin e vdekur!

Pyetje: Nëse Kadareja do ta marrë Çmimin Nobël, a do të shkruani kundër këtij çmimi?
Përgjigje: Nëse Akademia e Nobelit i akordon çmimin e lartë Ismail Kadaresë, unë do t’i propozojë që t’i akordojë Çmim Nobel edhe Nexhmije Hoxhës, edhe Ilir Hoxhës, djalit të Enverit, edhe Liljana Hoxhës, nuses së djalit të Enverit, se edhe këta kanë shkruar libra. Libër ka shkruar dhe roja vigjilente e Enverit Sulo Gërdeci, me lavdërime për Enverin dhe për veten.

Në Shqipëri 25 vjet ka ndodhur një metamorfozë fantazmagorike: 400 persona kanë shkruar nga dy libra dhe janë bërë shkrimtarë, por asgjë të dobishme nuk i kanë dhënë popullit shqiptar, se shumica e këtyre librave janë me gënjeshtra dhe shtrembërime të fakteve. Nga dy libra me gënjeshtra e sajime të tëra kanë botuar Kastriot Dervishi e Dashnor Kaloçi. Asnjë libër të këtyre personave nuk ka shkruar për vjedhjen, për korrupsionin, padrejtësinë, spekulimet, mashtrimet, krimet dhe persekutimet që janë bërë në kohën kur Shqipëria u quante Socialiste! Sepse të tëra këta batërdi që kanë vazhduar, nuk kanë filluar tani mbas vitit 1991, siç pretendojnë gënjeshtarët dhe manipulatorët në librat e tyre, por kanë filluar pesë-shtatë dekada më parë!

Shkruajnë e flasin nëpër studio televizive për korrupsionin, duke mos treguar asnjë fakt konkret, por sajojnë korrupsion imagjinar dhe nuk shkruajnë për korrupsionin e vërtetë, real, shumë i dëmshëm, që është bërë në letërsi e gazetari dhe në sferën medaitike e telvizive. Libra të vërtetë e të dobishëm kam shkruar unë dhe të tjerë si unë, por as kishim as kemi fonde monetare të vjedhura, as kishim as kemi gënjeshtra langare dhe lakmi zuzare!

Kritikat e mia janë demaskime të drejta, të dobishme. Shkrimtarin Ismail Kadare e kam demaskuar që në vitin 1968, përpara kritikave që I ka bërë Bilal Xhaferi, por nuk i botuan dhe më privuan, nuk më pranuan anëtar I Lidhjes së Shkrimtarëve. Këto ngjarje janë fakte, janë përndjekje dhe persekutime kundër meje, kundër shokëve të mi, kundër 125 shkrimtarëve të burgosur , të persekutuar që Kastriot Dervishi dhe Dashnor Kaloçi në librat e tyre me tituj bombastikë “Kadareja i denoncuar” dhe “Kadareja në 101 dokumentat e “Pallatit të ëndrrave”nuk i përfillin sikur të mos ekzistonin, por i thurin hosanara Kadaresë, duke sajuar dosje të stisura në favor të tij, të gjitha mashtrime dhe sajime të neveritshme.

Kurse unë në librin tim “Shkrimtarët në skëterrin e diskriminimit komunist” iu bëj homazh shokëve dhe shoqeve të mia të kalvarit; e kam titulluar kështu se nuk e kisha menduar që do të vazhdonte akoma diskriminimi pas daljes nga burgu komunist, por dhe mbas vitit1991. Në ato vite shkrimtarët caktoheshin e vlerësoheshin nga Partia e sundimtarëve Enver Hoxha e Ramiz Alia. Unë e kam demaskuar këtë metodë kaotike antiartistike, antikombëtare, por nuk e kisha menduar se tani, mbas vdekjes së këtyre dy sundimtarëve, shkrimtarët caktohen e vlerësohen nga pasuria e kusarëve, nga sasia dhe numri i gënjeshtrave dhe nga lakmia e zuzarëve.

Pyetje: Keni shkruar 85 libra dhe 2700 poezi e tregime antikomuniste. Të burgosën, po si nuk të pushkatuan ashtu si Havzi Nelën dhe poetë të tjerë?
Përgjigje: Aq sa jam i gëzuar për epokën e demokracisë që sapo ka filluar, por nuk ka triumfuar, aq jam dhe i betuar për të demaskuar spekulantët ramizistë, gënjeshtarët narcizistë, sharlantanët dhe mediokrit që letërsinë dhe gazetarinë e kanë kthyer në një paradë turpi, gënjeshtrash e falsifikimesh të neveritshme. E vërteta është: I vetmi poet, Trifon Xhagjika, i burgosur, i pushkatuar për letërsi antikomuniste dhe antienveriste dhe askush tjetër, por iu leverdis gënjeshtarëve shtrembalucë të sotëm të pajisin me statusin e të përndjekurit politik antikomunist të burgosurit ordinerë të kohës së komunizmit, të dënuar për vepra të pista vulgare dhe t’i stolisin dhe me vepra letrare artistike që as i kanë shkruar as i kanë lexuar, senuk ishin shkrimtarë por langarë.

Kurse unë kam shkruar letërsi artistike të mrekullueshme, të dobishme, lirike, erotike, moderniste, eposike, humaniste, demokratike,por mizorët dhe persekutorët e censurimit nuk i botuan, por i mbyllën në beterrin e skëterrimit, si vepra letare dekadente mikroborgjeze, reaksionare, antikomuniste, antirevolucionare

Kurse librat e Kadaresë dhe shkrimet nëpër gazeta ishin tipike komuniste dhe i botuan në Francën kapitaliste me fonde nga Banka Shqiptare e Shqipërisë Socialiste. Kurse tani i ribotojnë, i seleksionojnë, i manipulojnë, i falsifikojnë, i bojatisin, i sheqerosin si vepra letare antikomuniste dhe antienveriste. Kadarenë e paraqesin si i përndjekur nga Sigurimi komunist dhe vigan i pamposhtur antirevolucionar.

Deri në 1990, këta shtrembaluckë letrarë kanë shkruar: “Kadare, shkrimtari ynë i shquar, uragan revolucionar, komunist i devotshëm, marksist I frymëzuar sipas mësimeve të shokut Enver! Ndërsa tani shkruajnë: “Kadareja shkrimtar i madh, vigan i fortë antirevolucionar, ka përballuar persekutimet e sigurimit, komunizmit dhe sulmet e Enverit për ta burgosur , por nuk e burgosi nga frika e famës botërore që kishte Kadareja i Madh edhe në vendet kapitaliste”.

Me këto fjalë gëlbocka janë mbushur katër libra të Kastriot Dervishi dhe Dashnor Kaloçit.

Me këto lavdërime për ismail Kadarenë dhe poshtërimet për Enver Hoxhën janë mbushur faqet e gazetave nga Çerçiz Loloçi dhe funksionarë të tjerë komunistë , me fjalë të pista për Enverin “perderast”, “homoseksual”, dhe lavdërime pompoze deri në kult për Kadarenë.

Çerçiz Loloçi deri në vitin 1990, ish sekretar II i Komitetit të Rinisë në Tiranë, por donte të ngrihej lart në postin e sekretarit të Parë të KQ të Rinisë. Enver Hoxha e Ramiz Alia e lanë po aty dhe ngritën lart në këtë funksion Mehmet Elezin dhe Lysen Bashkurtin. Çerçiz Loloçi nuk e ka dashurEnver Hoxhën për motive personale, por jo kombëtare dhe tani hakmerret, pas vdekjes, duke shpifur dhe duke e përulur si frikacak, por nuk ishte frikacak e vandak, por ishte vandal e demonak i lindur. Në fakt, Loloçi ishte dhe është vetë serviluc shtrembaluck. Ashtu si Loloçi janë dhe komunistë të tjerë zyrtarë të vegjël që Enveri e Ramizi nuk i bënë zyrtarë të mëdhenj dhe kanë 25 vjet që shkruajnë sajime nga më të rëndomëtat e të pistat për Enver Hoxhën se nuk jeton më. Por kur të ngrihet Enverui nga varri, të tërë do të vdesin nga frika!

Edhe Kadareja nuk e donte as Enver Hoxhën, as Ramiz Alinë, por donte funksione të larta në Byronë Politike të KQ të PPSH. Por Enveri dhe Ramizi e ngritën deri në zv/kryetar të Frontit të Kulakzimeve dhe Internimeve të familjeve fisnike nacionaliste shqiptare, me kryetare Nexhmije Hoxhën, bashkëshorten e Enver Hoxhës. Shkrimtari Ismail Kadare e kishte për ulje dhe ofendim të ishte zëvëndëse e një femre si Nexhmije Hoxha, megjithëse kishte në dispoziciion një shofer dhe dy makina luksoze dhe dieta kolosale kur shkonte nëpër rrethe. Por tani falsifikatorët e të vërtetës i quajnë dënime këto kavalishenca të Ismail Kadaresë dhe shkrimet e tij të dikurshme, plot afsh revolucioni, I quajnë disidente!…

Unë nuk e kam urryer Enver Hoxhën për motive personale, pasi kurrë nuk kam kërkuar poste e detyra të larta në shtetin komunist, por vetëm lirinë e shkrimit dhe të botimit, që nuk ma dhanë dhe ma mohuan disa vemje që vegjetonin nëpër redaksitë e kohës së skëterrit falë shërbimeve jashtëestetike që bënin në analet e errëta të Sigurimit komunist eneverist-ramizizst.

Këta vitet e fundit ka ndodhur çudia munafikiste, stafetën e antienverizmt dhe antikomunizmit përpiqen ta ngrejnë në kupë të qiellit ish zyrtarët komunistë me poste dhe funksione të larta në komitetet e partisë të 26 rretheve të shqipërisë, në komitetet e rinisë dhe nëpër kryesitë e Frontit të Internimeve dhe Kulakzimeve të familjeve fisnike shqiptare.

Antienverista dhe antikomunista të shkathët janë bërë dhe disa të burgosur ordinerë për motive të pisëta dhe kanë botuar libra dhe shkrime nëpër gazeta me tregime të rëndomta neveritëse nën maskën e demaskimit të komunizmit.

Kurse Ministria e Kulturës deri tani nuk ka funksionuar për letërsinë dhe gazetarinë. Kam besimin se do të funksionojë tani e tutje. Unë isha dhe jam kundër censurës skurrike të veprave letrare artistike kombëtare historike. Të botohen libra sa më shumë edhe shkrime nëpër gazeta, por isha dhe jam edhe kundër katrahurës zuzare katastrofike të maskarenjve dhe hipokritëve spekulantë të gënjeshtarëve dhe të shtrembaluckëve të etikës dhe të kulturës shembullore. Nuk kam hezituar e as nuk hezitoj për demaskimin e tyre. Me kaq për sot për këtë intervistë, por do të shkruajë ditë tjetër, do të rreshtoj gëlbockat e dy të burgosurve ordinerë, që më kanë neveritur me zgerdheckat dhe mysibeckat e tyre te ndyra.

Po të jetonte Trifon Xhagjika, Hasan Petrela, Kujtim Spahivogli, Frederik Sokoli, Fadil Paçrami, Faik Ballanca, Piro Kuqi, Petro Marko, Frederik Sokoli, Jakov Xoxa, Xhemal Broja, Ibrahim Uruçi, me vepra letrare dhe dramatike të mrekullueshme, të dobishme, unë do të bisedoja me shumë gëzim dhe do të propozoja njërin prej tyre për Çmimin e lartë Nobel, shembull dhe model për letërsinë. Këta shkrimtarë, poetë dhe dramaturgë të talentuar, të kulturuar, me letërsi brilante, moderniste kombëtare historike por të mbyllur e censuruar nga klika mizoriste enveriste ramiziste, antihumaniste, antidemokratike.

Sot ata nuk jetojnë dhe nuk do ta gëzojnë epokën e demokracisë që do të triumfojë. Unë i kujtoj me shumë nderim këta letrarë me etikë dhe kulturë shembullore, por u burgosën, u persekutuan e u diskriminuan egërsisht nga ingranazhet mizore komuniste të shekullit XX, kur Shqipëria quhej proletare e socialiste.

Unë kam shkruar e do të shkruajë për burgosjen e tyre, përndjekjet e tmerrshme me vite e dekada deri më 2 korrik 1990, dita kur 250 intelektualë, shkrimtarë, artistë, bashkë me 2500 djem e burra, gra e vajza guximtare shpërthyen dyert e ambasadave të vendeve evropiane dhe morën frymë lirisht në botën e lirë.

Për këta martirë të përjetësuar me kontribut të çmuar për demokraci, kam shkruar me guxim vital deri më 2 korrik 1990, por nuk i kanë botuar shtrembaluckët, zgërdhecët e skremuar, që tani botojnë diktimet e Kadaresë, të mbushura me gënjeshtra skandaloze.
Këta zgërdhecë të lindur në shekullin XX janë bërë trima kundër Enverit pas vdekjes së tij dhe sot u trimërohen akademikëve suedezë; “Jepni Çmimin Nobel Ismail Kadaresë së madh, antieneveristit, antikomunistit dhe antirevolucionarit të pamposhtur!”…

Me shumë admirim
Shkrimtari
Sali Leka
Intervistoi:
Dukagjin HATA
Shtator 2017