Mashtrimi i Madh nga Bardhyl Mahmuti

0
867

Shkarko në PDF librin me 588 faqe “Mashtrimi i Madh” të Bardhyl Mahmutit

PARATHËNIE

Botimi i librit autobiografik të Carla Del Ponte-s, të titulluar «Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës» tri javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës pati efektin e një bombe mediatike.

Nga libri i saj mediat veçuan thënien se gjoja Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një “ndërmarrje kriminale që kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u kishin hequr organet vitale për t’i shitur në klinika jashtë shtetit”!

Publikimi i kësaj teme në librin e Prokurores së Përgjithshme të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish–Jugosllavinë mobilizoi të gjitha qarqet që kishin qenë të përfshira në denoncimin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër Serbisë.

Në librin tim do të përqendrohem në ndriçimin e kontekstit historik kur u sajua çështja e tregtisë me organe njerëzish, nga kush dhe për cilat qëllime u krijua kjo gënjeshtër.

Hedhja dritë mbi këto aspekte do të na mundësojë të shohim motivet e vërteta të aktualizimit të kësaj çështjeje. Do të shohim pse këto motive nuk janë të ndara nga qëndrimet politike dhe ideologjike të atyre që ndërhyrjen ushtarake për ndërprerjen e politikës së gjenocidit në Kosovë e shohin si “pretekst të amerika-nëve për të sunduar Evropën”! Përkundrazi, «antiamerikanizmi» si verbërim ideologjik bëri që një numër i konsiderueshëm komunistësh, socialistësh, social-demokratësh, të së djathtës të vjetër e të re, neonazistë dhe neofashistë, historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, të orientimit të djathtë e të majtë të mobilizohen në “mbrojtje të Evropës nga imperializmi amerikan.”

Zhvendosja e vëmendjes nga realiteti tragjik me të cilin ishin ballafaquar shqiptarët e Kosovës në rrafshin e krimit të organizuar ishte e pandashme nga strategjia e fshehjes së gjurmëve të krimit të gjenocidit. Për të demaskuar manipulimin që përdorin mohuesit e gjenocidit në Kosovë më është dashur të sjell për lexuesin kon-ventat ndërkombëtare që përbëjnë bazën juridike të së Drejtës Penale Ndërkombëtare. Vetëm në këtë mënyrë sqarohet pse spastrimi etnik, dhuna seksuale dhe vrasjet që kishin për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm, fizik ose biologjik të shqiptarëve të Kosovës, si të tillë, përbëjnë gjenocid. Kjo na mundëson të shohim pse fshehja e gjurmëve të krimeve dhe mohimi i qëllimit të pushtetit për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës është pjesë e pandashme e sistemit që synon shkatërrimin e të vërtetës për gjenocidin.

I vetëdijshëm se vrasja e civilëve të pafajshëm gjatë kon-flikteve të armatosura mobilizon institucionet ndërkombëtare, ato regjionale si dhe mijëra organizata joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, regjimi i Milošević-it aplikoi një strategji të “re” në luftën e Kosovës!

Vrasjen e civilëve, të cilën nuk e mohonte askush, ua veshi shqiptarëve. Në funksion të kësaj strategjie Sigurimi Shtetëror i Serbisë përgatiti materialin e titulluar «Libri i Bardhë: Terrorizmi i separatistëve shqiptarë në Kosovë dhe në Metohi», të cilin e botuan të përkthyer në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge, në shtator të vitit 1998. Këtë material propagandistik Ministria e Punëve të Jashtme ua shpërndau falas institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, mediave ndërkombëtare, bibliotekave univer-sitare dhe personaliteteve me peshë në fusha të ndryshme intelektuale.

Versioni i këtij «Libri të Bardhë» u ribotua nga regjimi i Milošević-it në vitin 1999 dhe në vitin 2000, ndërsa në vitin 2001 dhe 2003, në përputhje me ndryshimin e konteksteve politike ndërkombëtare, u publikua i plotësuar dhe i modifikuar nga regjimi i “ri” i Beogradit.

Si rezultat i kësaj strategjie lindën divergjenca të mëdha rreth temës se cilët ishin civilët e vrarë dhe kush i vriste ata.
Për këtë arsye, tri kapitujt e parë të Pjesës së Parë të librit tim që trajton çështjen e gjenocidit në Kosovë, i kushtohen tri rasteve me të mediatizuara të vrasjes së civilëve: «Rasti i Kleçkës», «Rasti në kafenenë Panda» dhe «Rasti i Reçakut».

Ndriçimi i këtyre tri rasteve dhe vrasjet gjatë operacionit «Patkoi» mundësojnë të shihen të gjitha pasojat e luftës në Kosovës si rezultat i politikës së gjenocidit që zbatoi shteti serb ndaj shqiptarëve.

Pjesa e Parë e librit tim ndriçon kontekstin shoqëror dhe historik që ndikoi në angazhimin e një numri intelektualësh të ndikuar nga këndvështrimi ideologjik i «antiamerikanizmit» që të hyjnë në procesin e shpërndarjes së «produkteve» të sajuara nga shërbimet sekrete serbe.

Në Pjesën e Dytë të librit tim, që i kushtohet «kumbarisë» si formë e marketingut në shpërndarjen e propagandës serbe, një vend i rëndësishëm i kushtohet zhveshjes së tendencave për ta paraqitur shoqërinë shqiptare si shoqëri që funksionon sipas modelit feudal (klaneve). Përmes kësaj mënyre regjimi i Milošević-it përcaktonte modelin e interpretimit të asaj që ndodhte në Kosovë. Ngushtësisht e lidhur me cilësimin e shoqërisë shqiptare si «shoqëri klanore» u sajua nocioni «mafia shqiptare» si ndërlidhje e aspiratave politike me krimin e organizuar.

Fatkeqësisht, kjo formë e stigmatizimit të UÇK-së si organizatë “mafioze” pati ndikimin e vet në qarqet e lartpërmendura intelektuale. Siç do të shohim, nga libri i Xavier Raufer-it «Mafia shqiptare: kërcënim për Evropën» i botuar në vitin 2000 e deri te libri i Pierre Péan-it i titulluar «Kosova: një luftë e “drejtë” për një shtet mafioz» i botuar në vitin 2013, miliona shkrime stigmatizojnë luftën e popullit shqiptar të Kosovës si të ishte “luftë për të kontrolluar rrugët e tregtisë së drogës, prostitucionit, veturave të vjedhura … ndërsa serbët jepen si viktima të agresionit imperialist amerikan.”

Ndikimi i «librave të bardhë» ishte i pakontestueshëm. Mjafton t’i hedhim një sy internetit dhe të shohim se vetëm në gjuhën frënge mbi dhjetë milionë rezultate shfaqen ku Kosova paraqitet si “parajsë e mafies”!

Përmasat e kësaj propagande kanë shkuar deri në atë shkallë sa regjisori i njohur me origjinë serbo-muslimane Emir Kusturica, në një ligjëratë para studentëve të Fakultetit Filozofik të Nishit, deklaroi se kohët e fundit “ishin xhiruar shumë filma për Serbinë dhe për serbët” dhe se “këta filma të këqij, të mbështetur mbi ngjarje të trilluara, kanë ndikuar që bota të ketë një imazh të keq për serbët, si popull gjenocidar. Kjo është propagandë e tmerrshme!”1

Nga të gjithë filmat për këtë temë, Kusturica veçoi pjesë-marrjen e aktorëve të mëdhenj të Holliwood-it: Richard Gere-in, Penelope Cruz-in dhe Angelina Jolie. “Edhe pse janë yje shumë të mëdhenj të kinematografisë, filmat janë shumë të këqij, kata-strofikë e të mos flas për filmin e Angelina Jolie-së «Në vendin e mjaltit dhe të gjakut». Janë filma të dështuar, sepse nuk bëhet vepër e madhe mbi bazën e materialeve të rrejshme!”2

Ky regjisor me famë botërore, laurat i dyfishtë i Festivalit të Filmit në Cannes, theksoi se Kosova është temë e denjë për letërsi e filma dhe se deri tani nuk ishte bërë asgjë. Ai paralajmëroi se do të xhirojë “një film për tregtinë me organet e njerëzve në Kosovë, si njërën nga temat më të mëdha të këtij shekulli, aktin më brutal dhe treguesin e fuqishëm të kthimit në periudhën pagane.”3

Kam bindjen e plotë se në fund të këtij libri lexuesi do të jetë në gjendje të shohë nëse janë të trilluara ngjarjet e filmave që Kosturica i apostrofon si “tepër të këqij” apo realiteti është shumë më tragjik se pasqyrimi në filmat e deritashëm.

Përshkrimi i ngjarjeve trishtuese dhe fotot e tmerrshme nuk janë sjellë për të ilustruar se sa të këqij ishin ata që aplikuan gjenocidin në Kosovë. Këto ngjarje janë përmendur në kontekstin e polemikave ndaj «negacionistëve» që mohojnë vërtetësinë e këtij gjenocidi. Emir Kusturica ka plotësisht të drejtë kur thotë se Kosova është një temë e denjë për letërsi e filma. Të gjithë të interesuarit për këtë çështje do të gjejnë në librin tim shtegun e materialeve për të shkruar vepra me vlerë. Nëse Kusturica lexon këtë libër, do të bindet se me tema të trilluara dhe materiale të rrejshme për tregtinë me organe njerëzish nuk bëhet vepër e madhe. Përkundrazi, me sajime të tilla përpiqet të mbajnë gjallë MASHTRIMIN E MADH me opinionin publik.

Çdokush që do ta lexojë këtë libër do të kuptojë se kush e sajoi gënjeshtrën për “trajtimin çnjerëzor të personave dhe trafikimin kundërligjor me organe njerëzish në Kosovë”; do ta kuptojë se kush qëndron prapa vrasjes së civilëve në Kosovë dhe se çka përmbajnë listat e krimeve që i vishen UÇK-së…

Gjatë tërë librit, në argumentimet e mia u shmangem në maksimum referencave të burimeve shqiptare. Jo se këto burime janë më pak të besueshme në raport me burimet tjera, por për të shmangur mundësinë që kjo analizë të shihet si konfrontim i dy vizioneve: vizionit shqiptar për atë që ndodhi në Kosovë, përballë vizionit serb. Kam bindjen e plotë se lexuesi do të shohë zbulimin e së vërtetës duke zhveshur “të vërtetën serbe” për këtë rast. Për këtë arsye, një vend shumë i madh do t’u lihet interpretimeve serbe dhe konfrontimit të këtyre interpretimeve me dëshmitë dhe rezultatet e publikuara nga organizata joqeveritare serbe dhe nga intelektualë serbë që nuk u pajtuan me politikën e gjenocidit serb në Kosovë.

Autori

Referencë:
1. Vesti, «Kusturica planira film o trgovini organima na Kosovu» (Kosturica pla-nifikon një film për tregtinë me organe në Kosovë), 2 prill 2013 http://www.balkaninsight.com/rs/article/kusturica-planira-film-o-trgovini-organima-na-kosovu
2. Po aty
3. Alo.rs, «Kusturica: Narednih godina snimaću film o trgovinu organima!», 31 mars 2013
http://www.alo.rs/vesti/aktuelno/kusturica-narednih-godina-snimacu-film-o-trgovinu-organima/14724