IDRIZ ZEQIRAJ
Pavarësisht zotimit betues se “kurrë më koalicion me PDK-në”, strukturat dhe anëtarësia si dhe populli, asnjëherë nuk i kanë marrë seriozisht betimet dhe deklarimet boshe, mashtruese të kryetarit Isa Mustafa dhe klanit të tij, uzurpues të partisë, dikur krenare, e Presidentit Rugova.
“Vijat e kuqe për PDK-në”, të deklaruara më “bujë e pompë”, ishin një mashtrim i elektoratit të LDK-së. Kjo u pa kur ditën bisedohej me LVV, për aleancën qeverisëse, ndërsa natën flirtohej e bisedohej me partitë PAN-iste. Ka dëshmi faktike që klanorët potencialë të kryetarit Mustafa, flisnin, herë në surdinë dhe herë-herë zëshëm, për jetë-shkurtësinë e qeverisjes me LVV.
Dhe, vërtet, nuk zgjati shumë dhe hileja u zbulua, sepse lidhjet me partinë-bandë PDK-në, datojnë gjatë luftës, me dhënien e miliona markave, “komandantëve” të saj, nga Fondi i 3 %-it, pa fije mbulese.
Realisht, disa nga anëtarët e klanit Mustafa, nuk kanë pasur kurrë – vija të kuqe – për PDK-në. Pavarësisht poshtërimit që banda udhëheqëse e partisë në fjalë, i ka bërë LDK-së, klanorët kapërdinë turpërimin dhe sërishmi bëhen bisht i PDK-së, PAN-it.
Karrierizmi i kryetarit Mustafa, tashmë, është bërë proverbial. Babëzitja e tij është e pafrenueshme. Gjysmë-shekulli nuk e ngopi me poste, nuk i mfaftoi. Më 2016, kur PDK-ja vendosi ta rrëzojë qeverinë Mustafa, ndërseu lakejtë e tij, krerët e OVL të UÇK-së, njësoj si në mars – prillin 2004, që solli në tavolinë “Zajednicën”, kundër qeverisë. “Ose paratë e “veteranëve”, ose të fshijmë me gjithë qeverinë”,- u kërcënuan horrakët “veteranë”, të cilët, pacipërisht e kriminalisht, vazhdojnë ta shantazhojnë dhe kërcënojnë popullin e Kosovës, përgjatë tej dy dekadave radhazi!
Isa Mustafa, për ta mbajtur, me çdo kusht, postin e kryeministrit, i kërkon kryetarit të Komisionit të Verifikimit të Listave të Veteranëve”, gjeneral Agim Çekut, për një javë t`i dorëzojë listat e veteranëve. Dhe, ashtu u bë. Në gjyq Çeku ka fajësuar kryeministrin Mustafa, “pse nuk na dha kohën e duhur, për t`i verifikuar listat e veteranëve. Pritëm që kryeministri ta bëj verifikimin, t`i kthej prapa emrat listorë të “veteranëve” të rrejshëm. Por, ai filloi pagesën për 46.300 “veteranë”, prej tyre 33.600 të rrejshëm!” Nga përllogaritjet e bëra, para disa muajve, rezulton të jenë shpenzuar, abuzuar 89 milionë euro për “veteranët” të rremë! Kush duhet të përgjigjet për këtë makro krim ekonomik?!
Komandanti i SHP të UÇK-së, me qendër në Likoc të Skënderait dhe komandantët e Drenicës, e pranojnë shiftën enormë të veteranëve” të rremë në Kosovë. Megjithatë, shefat e OVL të UÇK-së, kanë bllokuar pastrimin e listave të rrejshme të “veteranëve!” Një shtet ku sistemi i drejtësisë ka dështuar tërësisht. Ligjin e bëjnë bandat mafioze, të dirigjuara dhe të kontrolluara nga “komandantët” banditër!
Përndryshe, nuk do të lejohej abuzimi i miliona eurove dhe “komandantët” kriminelë, zhvatës e rrugaçë, do të zinxhiroseshin qysh pas luftës, kur pushtonin, me protesta, rrugë e bulevarde, me sllogane mashtruese “lironi çlirimtarët”, në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve!
Klani Mustafa shkeli porosinë-amanet të Presidentit Rugova, që “Hashim Thaçi të mos lejohet të ngritet në pozitat drejtuese, sepse është i rrezikshëm për Kosovën”. Megjithatë, ishte i sëmuri për karrierë Isa Mustafa, me rrethin e tij vicioz, që e bëri Hashimin president! Duke e heshtur zgjedhjen e presidentit nga populli, vazhdojnë pazaret e pista banditeske për presidentin e ardhshëm. Mjaftojnë dy banditë, në krye të dy partive politike, për ta bërë president një bandit të tretë!
Shkelja e premtimit të dhënë, për vënien e “vijave të kuqe”, për PDK-në dhe heqja e këtyre vijave nga kryetari Mustafa, duke shpërfillur LDK-në, është një provokim i rëndë, njëherësh, guxim i tepëruar i tij. Njëjtë ka provokuar shqiptarët ish-kryeministri Mustafa me Demarkacionin, që si kundërshti kanë pasuar protesta e sulme të papërmbajtshme nga Lëvizja Vetëvendosje.
Arsyetimi i kreut të LDK-së se “heçim vijat e kuqe, përshkak të Gjykatës Speciale, mundësisë të konfirmimit të akuzës të krime lufte të presidentit dhe të kreut të PDK-së”, është bajat, i rremë. Sepse PDK-ja ka dhjetra kandidatë meritorë për kryetar partie, ashtu siç ka edhe për president. Por, assesi krerët aktual të partive politike, të cilët janë me kartelë krimi dhe korrupsioni, kandidatë potencialë për pranga.
Rrethanat aktuale politike nuk janë kurrëfarë befasie, siç duan t`i paraqesin tellallët dallkaukë e hipokritë të pushtetit. Përkundrazi, kanë qenë të pritshme. Fundja, siç pohon edhe kryeministri Hoti, “drejtësia është e ndarë dhe e pavarur nga qeverisja”.
Qëllimet e klanit Mustafa janë ndjellakeqe, ogurëzeza. Në vend që ta vazhdojë qeverisjen me koalicionin aktual, deri në pranverën e ardhshme, tenton ta zgjërojë koalicionin me PDK-në, me synimin hileqarë, për ta shepenë mandatin, e pamandatuar nga populli, deri në vitin 2023! Ky është një provokim i rëndë, që, si kundër- përgjigje, mund ta përgjakë Kosovën.
Andaj, strukturat e LDK-së, duhet ta frenojnë, deri në stopim, kryetarin me klanin e tij. Përndryshe, provokimet, në vijimësi, mund ta fundojnë durimin e fituesit faktik të zgjedhjeve, në rastin konkret, të Lëvizjes Vetëvendosje. Dhe, rrjedhojat do t`i bartin edhe heshtakët e LDK-së, për indiferentizmin hiç fisnik të tyre, për pazaret e pista të kryetarit, me klanin e tij. Kujdes, LDK-ja të mos këtë lakmi partitë-banda, sepse rrezikon të bëhet pjesë e tyre.
“Miku i mirë, në ditë të vështia”, – thotë urtësia. Isa me pak shokë, i lidhur fort, jo vetëm me miqësi, por, edhe me tregti me PDK-në e tij, don t`i lehtësojë miqtë e lënduar. Edhe pse PDK-ja, herëpashere, si bukëshkale që është, godet, madje, vrazhdësisht, sejmenët e saj, ajo ka armën pajtuese. Me dosjet shantazhuese, është unike në detyrimin për shërbime, qofshin edhe turpëruese, me fund, siç po ndodhë me LDK-në tonë, të rënë në hall të madh nga bijtë e saj bastardë.