Nga Prof. Dr. Aurela Anastasi – Opinion.al, 30/11/19
Tri gjendjet që diktojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, përcaktohen nga Kushtetuta: “gjendja e luftës”, “gjendja e jashtëzakonshme” dhe “gjendja e fatkeqësisë natyrore” (neni 170/1). Secila prej gjendjeve ka veçori të posaçme dhe masat e jashtëzakonshme që merren, janë të ndryshme. Ka ndryshime thelbësore në regjimin kushtetues për secilën prej tyre, prandaj ato nuk mund të ngatërrohen me njëra-tjetrën. “Gjendja e fatkeqësisë natyrore”është njëra prej situatave që kërkon marrjen e masave të jashtëzakonshme. Edhe pse gabimisht, ajo thirret shpesh si “gjendje e jashtëzakonshme”, duhet theksuar se ato janë situata krejt të ndryshme nga njëra-tjetra.
“Gjendja e fatkeqësisë natyrore” mund të vendoset nga Këshilli i Ministrave në rastet e një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, me qëllim që të parandalohen dhe mënjanohen pasojat e rënda. Kështu, kjo gjendje ndryshon nga “gjendja e jashtëzakonshme”, e cila vendoset me ligj të miratuar nga Kuvendi në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike e për më tepër, ndryshon nga “gjendja e luftës”, e cila vendoset në rast agresioni të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë. Kurse, “gjendja e emergjencës”, nuk është kategori kushtetuese, por një shkallë administrativo-ligjore e menaxhimit, në kuadër të mbrojtjes civile.
Gjendja e fatkeqësisë natyrore” mund të vendoset nga Këshilli i Ministrave për një periudhë 30-ditore dhe mund të zgjatet vetëm me pëlqimin e Kuvendit. Përpjesëtimisht me situatën fatkeqe, ajo mund të jetë me karakter lokal, rajonal ose kombëtar, në varësi të shtrirjes së fatkeqësisë në territorin e Republikës. Në rastin që po jetojmë, “gjendja e fatkeqësisë natyrore” e vendosur më 28 nëntor, mund të vazhdojë deri në 28 dhjetor, ndërkohë që Këshilli i Ministrave mund të paraqesë kërkesë përpara Kuvendit, për zgjatjen e kësaj periudhe. Në këtë rast, do të ishte e nevojshme që së bashku me propozimin për zgjatjen e kësaj gjendjeje në Kuvend, Qeveria të paraqesë edhe një raport justifikues se si do ta shfrytëzojë më tej kohën për kryerjen e detyrave në bazë të ligjit.
Kushtetuta përcakton organet përkatëse që propozojnë, miratojnë e shpallin gjendjet që kërkojnë masa të jashtëzakonshme, aktet që miratohen, si dhe kufizimet e të drejtave përgjatë ekzistencës së tyre. Ajo nënvizon se në çdo rast, masat e jashtëzakonshme duhet të ndërmerren sipas parimit të proporcionalitetit (në përpjesëtim me gjendjen që i ka diktuar ato), si dhe të parimit të aftësimit ripërtëritës, duke theksuar: “Aktet që ndërmerren si pasojë e marrjes së masave të jashtëzakonshme, duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen sa më të shpejtë të kushteve për funksionimin normal të shtetit” (neni 170/4). Gjithashtu, Kushtetuta parashikon shprehimisht kufizimet e posaçme të të drejtave dhe lirive kushtetuese që mund të vijnë nga këto gjendje.
Të drejtat dhe liritë kushtetuese, të cilat kufizohen në mënyrë të posaçme gjatë kësaj periudhe, janë vetëm ato që Kushtetuta vendos shprehimisht. Sipas saj, akti që shpall “gjendjen e fatkeqësisë natyrore” mund të kufizojë vetëm “…të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet: 37, 38, 41 paragrafi 4, 49, 51” (neni 175/2). Pra, të drejtat kushtetuese që mund të kufizohen posaçërisht janë: paprekshmëria e banesës (neni 37), liria e lëvizjes (neni 38), e drejta e një shpërblimi në rast shpronësimi (neni 41/4), e drejta për punë (neni 49) si dhe e drejta për grevë (neni 51). Ky sanksionim kushtetues duhet kuptuar se gjatë kësaj periudhe, vetëm për këto të drejta kushtetuese mund të parashikohen kufizime tej atyre të parashikuara në situata normale. Ndryshe veprohet në rastet kur me ligj të Kuvendit është shpallur “gjendja e jashtëzakonshme”. Në këtë të fundit, ligji mund të përcaktojë modalitete të tjera përveç atyre ekzistuese, për të kufizuar më tepër se 19 të drejta të tjera themelore të parashikuara shprehimisht në Kushtetutë, përfshirë edhe lirinë e shprehjes, si dhe të drejtën për informim.
Mënyra se si realizohen të drejtat dhe liritë themelore përgjatë “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, rregullohet më hollësisht nga ligji “Për mbrojtjen civile”. Kështu, p.sh., duke u fokusuar në të drejtën për informim, ky ligj, jo vetëm nuk e kufizon të drejtën për informim, por sanksionon në mënyrë të veçantë të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion nga institucionet zyrtare. Madje, ai e parashikon informimin jo vetëm si një të drejtë, por edhe si një parim, krahas parimit për mbrojtjen e jetës, i cili, padyshim, zë vendin e parë. “Institucionet qendrore dhe vendore detyrohen të njoftojnë komunitetin e një zone të caktuar, e cila ka rrezik të goditet nga fatkeqësitë natyrore apo fatkeqësitë e tjera” (neni 5 i ligjit)”.
Në rastin e “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” nuk ka kufizime të posaçme për mediat, pasi Kushtetuta nuk parashikon kufizimin e lirisë së shprehjes dhe asaj të së drejtës për informim. Megjithatë, në këto raste, mediat dhe organet e tjera të informimit publik kanë detyra të posaçme, të cilat nuk duhet të kuptohen si kufizime, por si një kod i procedurave që duhet të ndiqen në situatën e krijuar. P.sh., mediat janë të detyruara t’u referohen njoftimeve zyrtare në rastet si vijon: lidhur me numrin e viktimave, listën e emrave, parashikimet e mëtejshme për mundësinë e ndodhive të tjera. Media dhe institucionet e tjera të informimit publik mund të informojnë publikun për fatkeqësitë, edhe kur mbështeten në burime jozyrtare. Por, në këto raste ato janë të detyruara të citojnë burimin e informacionit. Ligji sanksionon këto procedura të detyrueshme, me qëllim që të shmangë krijimin e ndonjë paniku te publiku dhe transmetimin e informacioneve sensitive (neni 49/8/9 e ligjit). Në këtë rast, nuk kemi ndonjë kufizim të ri të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim, por vetëm një disiplinim të tyre, me qëllim që t’u përgjigjen përpjesëtimisht nevojave të masave të jashtëzakonshme.
Ligji “Për mbrojtjen civile” njeh edhe mbylljen e përkohshme të veprimtarive të subjekteve private, por përcakton edhe shkaqet për të cilat mund të mbyllen. Kjo mund të ndodhë me qëllim detyrimin për kryerjen e shërbimeve të ndryshme, në funksion të përballimit të fatkeqësive, detyrimin për prodhimin e artikujve të emergjencës (kundrejt kompensimit nga ana e Shtetit). Ato mund të vijnë edhe në rastet e lëvizjes ose zhvendosjes së detyrueshme, shpronësimit të detyruar (neni 42/3/c e ligjit). Për shkak të natyrës së punës së tyre, mediave mund t’u kërkohet ndërprerja e programeve vetëm me qëllim transmetimin e informacioneve dhe dhënien e mesazheve të nevojshme për publikun (neni 49/5 e ligjit).
Masat e jashtëzakonshme përgjatë “Gjendjes së fatkeqësisë natyrore”. Kur vendoset gjendja e fatkeqësisë natyrore, përparësitë dhe ekuilibrat e qeverisjes kalojnë në favor të ndërmarrjes të masave të jashtëzakonshme për menaxhimin e riskut dhe mënjanimin e pasojave të fatkeqësisë. Për këtë është e nevojshme të kuptohen mirë organizimi dhe funksionimi i institucioneve sipas ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, me qëllim që të kryhen detyrat e ngarkuara prej tij.
Masat e jashtëzakonshme që parashikohen nga ligji, duhet të përmbushen nga katër kategori subjektesh: institucionet publike, strukturat operacionale të mbrojtjes civile, subjektet private dhe shtetasit. Të katër kategoritë kanë detyrimin për bashkëpunim, por përgjegjësitë dhe detyrat më të mëdha bien mbi institucionet publike dhe strukturat operacionale të mbrojtjes civile. Një seri të drejtash dhe detyrimesh parashikohen edhe për subjektet private dhe organizatat e shoqërisë civile. Edhe këto subjekte përfshihen në detyra të veçanta. Por ka nevojë që këto subjekte të njihen dhe të përcaktojnë planin e tyre të menaxhimit dhe të masave pozitive që mund të ndërmarrin. Në këtë kuadër, ka nevojë për një Strategji Kombëtare dhe një plan veprimi të veçantë, në rastet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga tërmetet.
Duke u fokusuar te shtetasit, duhet thënë se ata janë subjekte të të drejtave dhe detyrimeve të posaçme në të gjitha fazat e menaxhimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Kështu, përmendim në mënyrë të veçantë, të drejtën për informim nga institucionet publike, të drejtat për mbrojtjen e jetës e të pronës së tyre, si dhe të drejtën për kompensim. Në të njëjtën kohë, ata kanë edhe detyra të posaçme si, të zbatojnë urdhrat, të informojnë lidhur me të dhënat institucionet publike për çdo fatkeqësi të identifikuar prej tyre, të respektojnë masat e jashtëzakonshme dhe t’u binden procedurave, të përfshihen në detyra të veçanta etj. (neni 42/4 i ligjit). Detyra të tjera parashikohen për shtetasit në të gjitha fazat e mbrojtjes civile, si ato për të marrë masa për mbrojtjen e vetes dhe të tjerëve pa rrezikuar jetën dhe shëndetin e vet, si dhe për të vendosur në dispozicion mjediset dhe mjetet private (neni 57 dhe 58 i ligjit).
Ka një fushë të gjerë veprimesh, të cilat në situatën që po jetojmë, duhet të kryhen më mirë në vijim, sipas sanksionimeve të këtij ligji. Kjo shtron detyra të menjëhershme veçanërisht për strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile. P.sh., konstatojmë se një organizim më i mirë nevojitet për informimin e qytetarëve të Durrësit në lidhje me të drejtat e tyre, në lidhje me ushqimin dhe ndihmat që shpërndahen dhe që përfitojnë në bazë të nevojave dhe frymëve, si dhe në lidhje me lëvizjen e tyre të detyruar për t’u zhvendosur nga zonat dhe banesat me rrezik të lartë. Për këtë është e nevojshme që Strategjia dhe plani i veprimit për menaxhimin e riskut të tërmeteve të parashikojnë masa përgatitore, struktura dhe burime njerëzore qysh më parë, në periudhën e zakonshme, me qëllim që të jenë të përgatitura dhe të vihen në lëvizje kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore.