MASAKRA SERBE E 27 PRILLIT 1999, NË MEJË TË GJAKOVËS NUK KA DËSHMITARË

0
603
Varrezat e dëshmorëve, Mejë, Gjakove

Naxhije DoçiPrishtinë – 27 prill-2020

(Në 21 vjetorin e ngjarjes tragjike-27 prill 2020)

Meja është fshat në Komunën e Gjakovës, që shtrihet në një rrafshirë pjellore në mes të dy kodrave të larta e të gjelbëruara gati edhe në çdo stinë të vitit. Hapësira ku gjendet Meja quhet edhe “Zonë e kufirit”, me një shtrirje të gjerë gjeografike prej më se dyzet kilometrash. Më 27 prill 19999, në atë rrafshirë të gjerë të Mejës, popullata e zhvendosur shqiptare përjetoi dhe pësoi tmerret më të pakrahasuara nga forcat ushtarake serbe. Aty u ndanë nga kolona mbi 376 meshkuj shqiptarë dhe kurrë më nuk u ditë se çka ngjau me ta.

Rasti i Mejës është më i veçanti, e mund të thuhet se ndoshta edhe është rasti më unikat sa i përketë enigmës së ngjarjeve që i bënë forcat kriminele serbe mbi popullatën e zhvendosur shqiptare. Është kaptina më e dhembshme, se në rrëmbimet dhe në masakrat të tjera, që i bënte pushtuesi serb nëpër Kosovë, kishte arritur të paktën ndokush të shpëtonte. Kishte arritur të paktën një dëshmitar i gjallë ta alarmonte kulmin e egërsisë së pushtuesit serb mbi shqiptarët e Kosovës. Masakra e Mejës është dëshmia më e pashembulltë e logjikës dhe e ndërgjegjës së një pushtuesi barbar, me prijës patologjikë.

Meja është vend i dhembjes pa kufi, me plagë ende të pambyllura të luftës së egër serbe mbi civilët e paarmatosur dhe të pambrojtur shqiptarë. Deri kur do të jetë kështu o ndërgjegje e fjetur e botës?! Edhe sa kohë duhet të kalojë që të zbulohen të vërtetat e tmerreve serbe dhe gjurmët e krimeve të tyre mbi kolonën me shqiptarë të paarmatosur në Mejë?! Çfarë ngjau vallë me fatin e e burrave shqiptarë, që i ndanë nga kolona që dëbohej për Shqipëri dhe kah i quan ?! A mos gjenden ndokund të gjallë si robër të shekullit të ri, e nëse jo, atëherë ku i varrosën, që të dihen të paktën mbetjet mortore të tyre?!

Naxhije DoçiNaxhije Doçi

Për masakrën e Mejës nuk ka deshmitarë dhe nuk dihet çka iu bënë djemëve e burrave të ndarë shqiptarë pas largimit me dhunë të popullatës për Shqipëri. Nuk dihet fare si i trajtuan gjithë ata burra, që i ndalën. Kah i çuan dhe me çka i çuan?! Vallë, si nuk qëlloi të paktën një shqiptar i vetëm për ta vëzhguar atë trishtim dhe për ta parë atë ferr në Mejë?! Për ta parë krimin e organizuar të forcave serbe mbi shqiptarët e paarmatosur në Mejë?!

Duke u nisur nga ky fakt, unë autorja e këtij shkrimi, vendosa që mënjëherë pas përfundimit të luftës së vitit 1999 në Kosovë, ta hulumtoja rastin e Masakrës së Mejës dhe që të mbledh rrëfime se si i kanë përjetuar dhe mbijetuar në atë kohë tmerret e shkaktuara gratë dhe të afërmit të tjerë, kur barbarët serbë ua morën në prani të tyre më të dashurit e tyre. Konkretisht personazh i rrëfimit për barbarinë kriminele të forcave ushtarake serbe më 27 prill 1999 në Mejë, është Shemsije Hoxha nga Juniku. Shemsija ishte pjesë e atij kalvari të dhembshëm bashkë edhe me familjen e saj të ngushtë dhe me shumë familje të tjera të burrit të saj dhe të Junikut. Që të bisedoja me të është dashur të pyesja se ku gjendej e strehuar për banim Shemsija, se shtëpia e saj në Junik, ashtu si edhe shumë shtëpi të tjera të Junikut, ishte e djegur dhe e shkatërruar nga lufta. E kontaktova për të biseduar në periferi të Junikut, në një banesë të kompleksit të shtëpive, që pushteti serb në Kosovë i kishte ndërtuar gjatë dhjetëvjetëshit të gjendjes së luftës në Kosovë për serbët e sjellë nga Serbia dhe Knini i Kroacisë.

Rrëfimin e Shemsije Hoxhës për tmerrin e saj të përjetuar në Masakrën e Mejës e kam të botuar prej 30 faqësh në librin tim të dytë për krimet e forcave serbe në Kosovë, me titull: “Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”

SHEMSIJE HOXHA NGA JUNIKU THOTË: FORCAT KRIMINELE SERBE M’I MORËN NË MEJË DY DJEMTË DHE BURRIN

Quhem Shemsije Hoxha dhe jam e lindur më 1960 në Junik. Gjatë luftës serbe të vitit 1999 në Kosovë dhe konkretisht më 27 prill 1999, në Mejë të Gjakovës, në kolonën që dëbohej për Shqipëri, forcat kriminele serbe m’i morën dy djemtë dhe burrin. I trajtuan me barbari të pakrahasuar, sa me të luajtur edhe mendja e kresë! Para syve të mij i përplasën përtokë, duke u rënë me shkopij të gomës e me shqelma me tërë fuqinë që e kishin. Nuk më lanë kurrsesi as të shikoja, se kah po i çonin, se edhe mua më ranë me mjete të forta në kokë, duke më lënë pa vetëdije. Ma thanë zemrën e forcën ma prenë kur m’i shkëputën djemtë nga duart!

Mu duk se gur e kreshta u rrokullisën mbi mua. Mu bë sikur u zu dielli dhe u nxi i tërë qielli i Mejës kur m’i morën djemtë, Blendianin e Ardianin. Ishin shumë të rinj djemtë e mij kur i morën kriminelët ushtarakë serbë, Blendiani ende pa i mbushur të njëzetat, ndërsa Ardiani atë ditë i kishte mbushur të gjashtëmbëdhjetat. Ma morën edhe bashkëshortin, Bajramin 44 vjeç. Ishim krejt afër njëri-tjetrit në atë ditë të tmerrit serb mbi ne dhe ata i morën e mua më lanë me trup e shpirt të dërrmuar deri në pamundësitë e përballimit. Sa çel e mbyll sytë m’i morën krijesat e zemrës sime dhe unë mbeta me duar të shtrira nga ata. Me duar të shtrira kah qielli i mjegulluar mbi Mejën e mbuluar me krime dhe me barbari të paskaj serbe!

– Ndëshkoji kriminelët ushtarakë serbë, o Zot i Madh, ato egërsira të pashpirta që m’i morën djemtë dhe burrin pa kurrfarë faji! Ndëshkoji forcat e mallkuara serbe, që i ndanë fëmijët shqiptarë nga nënat e tyre, për t’i vrarë e zhdukur pa gjurmë dhe plangun e shtëpisë për ta lënë pa trashëgimtarë! O Zot i Madh, ndëshkoje pushtuesin gjakpirës serb, që bëri kaq shumë të këqia mbi shqiptarët e Kosovës, që jetojnë në trojet e veta prej mija vjetsh!

Atë ditë të 27 prillit në Mejë kriminelët serbë i ndanë nga kolona edhe gjashtë meshkuj të tjerë të familjes së ngushtë Hoxha të Junikut. Të gjithë ishin të rinj dhe burra të moshës së pjekur. Gjithsej nëntë i morën nga kjo familje! Ishim bashkudhëtarë të pa ndarë me ta në atë kohë të dhunës së pa parë serbe mbi ne shqiptart e Komunës së Deçanit dhe të krejt Kosovës – Thotë Shemsije Hoxha.

Gjithënjë sipas rrëfimit të Shemsije Hoxhës, forcat kriminele serbe, si gjatë gjithë historisë sonë të dhembshme, edhe atë ditë të 27 marsit 1999 kishin përgatitur skenare të tmerrshme në Mejë për torturimin dhe për shfarosjen tonë si popull shqiptar. Që të mos bien në sy nga aeroplanët e NATO-s, ishin përzier me kolonën e viktimizuar shqiptare dhe në shenjë mllefi e kishin rrahur e maltretuar popullatën në kolonë deri në tmerrim, si edhe e kishin vrarë cilindo shqiptar që kishin dashur për ta vrarë. Tanket dhe mjetet të tjera të blinduara i kishin renditur në kolonë, ashtu siç ishin të renditur edhe traktorët me të zhvendosurit! Renditja ishte bërë, një traktor të zhvendosurish mbushur me fëmijë, me gra e pleq dhe me të sëmurë e të molisur, dhe një tank apo autoblindë serbe, dhe kështu me radhë…! Ata kishin lëvizur me popullatën e pambrojtur dhe të paarmatosur, që ta kamuflonin praninë dhe krimin që e kryenin mbi ta.

Është tronditës rrëfimi i Shemsijes kur thotë: Nëpër të gjitha kapërthimet e fatkeqsive që u krijuan në Mejë unë përpiqesha që t’i mbrojë djemtë e mij. Iu rrija përherë pranë dhe mundohesha t’i mbuloj me trupin tim. Kur forcat serbe i kishim përpara, unë dilja para tyre, e në të kundërten, ata i qitja përpara e vetë rrija prapa. Shpresoja se kështu do të mund që t’i shpëtojë djemtë. Ashtu, më ishte krijuar një bindje e çuditshme shprese, se shpresat e nënës në mbrojtje filizash të zemrës nuk mund të shuhen kurrë. Nuk kishe tjetër çka të mendoje dhe si të veproje në ato momente të rënda të ferrit të paparë. Vetëm shpresat na kishin mbetur si opcion dhe ato para ideatorëve e realizuesve të inkuizicionizmit mbi ne. Nuk e di për sa kohë jam kacafytur me kriminelët serbë në atë ditë të 27 prillit tmerrue të vitit 1999, për mua dhe për shumë shqiptarë të tjerë, por e di se atë ditë Mejën e përgjakur e kishte mbuluar petku më i zi i trishtimit.

Forcat kriminele serbe para syve m’i morën djemtë dhe burrin dhe mua ma tjetërsuan krejtësisht kuptimin e jetës! M’i morën Lulet e Bukurisë së të jetës sime dhe tani nuk e di as vetë si jetoj! Jetoj vetëm në shpresa! Jetoj në shpresa pa kufi, se më të dashurit e mij një ditë do të kthehen në Kosovën e tyre, që aq shumë e deshën dhe që shumë dëshiruan që ta shihnin të lirë!

Burrat i ndanë nga kolona e gratë me fëmijë për Shqipëri

Më 27 mars 1999 në Mejë të Gjakovës forcat kriminele serbe kishin bërë krime të tmerrshme mbi burrat e paarmatosur shqiptarë! Kriminalitete të pakursyera kishin bërë edhe mbi tërë kolonën e pambarim me gra e fëmijë. Në kolonën e tmerruar, që dëbohej për Shqipëri, uniformistët barbarë serbë kishin marrë në vazhdimësi meshkuj shqiptarë! Që nga ora nëntë e mëngjesit të 27 prillit 1999, e deri kur kishte filluar të errësohej kishin ndarë pa ndërprerë meshkuj shqiptarë. Vetëm kishin ndarë! Në çdo hap i kishin maltretuar barbarisht meshkujt shqiptarë dhe kishin ndarë pa u ndalur. Pothuaj se krejt meshkujt i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë. Edhe deri në kufirin shqiptaro-shqiptar, ku dëbohej kolona nuk kishin pushuar së ndarit meshkuj nga kolona. Marshuta e dhembjes ishte detyruar që ta vazhdojë rrugën vetëm me gra e fëmijë.

Në rrëfim të ngjarjes trishtuese Shemsije Hoxhës thotë: – E tërë kolona me gra e fëmijë ecnim këmbë me britmë e vaje se ku na mbetën burrat. Traktorët dhe veturat, që i morëm më veti kur dolëm nëpër përflakje të shtëpive tona, na i morën dhe i dogjën kriminelët serbë. Shumë sish edhe mbetën rrugëve, se u shkatërruan nga granatimet, por edhe se mbeten pa karburante. Mbetën si relikte të kohëve.

Forcat serbe që na ndiqnin ne grave me fëmijë për Shqipëri ishin shumë. Një ushtri e tërë. Gjuanin sa mundnin në ne me pushkë e me topa, që të na mbysnin. Gjuanin edhe në ajër për të krijuar sa më shumë mjegullë dhe panik, që ne të mos kemi mundësi për ta kthyer kokën prapa dhe për të parë se çka po bëhej me tërë ata burra dhe djem të rinj, që i ndanë nga kolona. Unë, përkundër tmerreve që bënin mbi ne, përpiqesha më këmbëngulje që t’i shihja se ku më mbetën dy djemtë e mij dhe burri. Shpresoja pafundësisht se do kthehem sërish te ta, prandaj edhe përpiqesha.

Kot përpiqesha, si edhe kot shikoja kah ai vend i kobshëm në Mejë, se më të dashurit e mij nuk i pashë më! Si nëpër mjegull shihja vetëm, se si ushtarët kriminelë serbë bënin lëvizje të çoroditura përgjatë gjithë stomit të rrugës në Mejë, ku i kishin rënditur meshkujt shqiptarë. Ku i kishin renditur edhe tri krijesat e mija më të dashura, dy djemtë dhe burrin! Një gjë e tillë më shkaktonte shqetësime të tmerrshme shpirtërore dhe e mbaja gjoksin me duar, se më dukej që do të më dilte edhe zemra prej vendit. E si të jetohet pa Dy Dritat e syve të mij, o Zot i Madh?! Si të përtrihet plangu për përcjellje të trashëgimisë?! Si…!?

Ne, të përzënët nga dheu jetik, ecnim kah mundnim, një pjesë e kolonës rrugëve të asfaltuara, të prishura vende-vende nga pesha e tankeve serbe dhe nga granatimet që bëheshin vazhdimisht, ndërsa pjesa tjetër rrugë e pa rrugë fshatrave. Ngado që shkonim na maltretonin tmerrshëm. Kur mbërrimë në kufi me Shqipërinë ishim gati krejt të patrajtë dhe nuk e di se në çka përngjanim?! Tjetërsimi na kishte shformësuar gati krejt dhe kujtoj se më shumë përngjanim në hije njerëzish, se sa në njerëz të vërtetë.

Fragment i shkurtër nga libri: Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999” – Naxhije Doçi – Prishtinë – 2011