Masakra e ushtrisë serbe e vitit 1913 në familjet Kalaj dhe Manreca në Nashec të Prizrenit

0
297
Masakra e Nashecit, 1913

Nue Oroshi

Marsi i vitit 1913, për fshatrat e Komunës së Prizrenit ishte një muaj vdekjeprurës, ku forcat kriminale serbe kryen dy masakra të tmerrëshme në komunën e Prizrenit. Masakra e parë u krye në Kabash ku u vranë dhe u masakruan 112 shqiptarë të Kabashit. Për këtë masakër se bashku me publicistin Enver Sulaj, në fillimin e viteve të nëntëdhjeta, kemi botuar shkrimin e parë në revistën “Qellimi” me titull “Boria ra të pritet Kabashi” më pas, pas vitit 1999 kanë shkruar edhe disa studiues të tjerë. Por për masakrën e Nashecit të vitit 1913 ende nuk është botuar asnjë shkrim. Kjo masakër ishte kryer nga ushtria serbe ku ishin masakruar 19 burra të dy familjeve shqiptare.

Për familjen Kalaj nga Nasheci, e cila humbi 15 djem për një ditë dhe për familjen Manreca po ashtu nga ky fshat, humbi katër djem në po këtë masakër, marsi i vitit 1913 ishte një muaj i tmerrëshem. Kjo Masakër është kryer në Kodër të Nashecit, e cila ishte e njohur më herët si Kodra e familjes Kalaj. Kjo ishte një Masakër, e cila i mbështjelli në zi dy familje por nuk mundi që t’i shfarosë. Të dy këto familje pas kësaj masakre mbijetuan me sakrifica të mëdha, ku edhe sot e asaj dite pasardhësit e tyre jetojnë në fshatrat Nashec, Grazhdanik dhe Atmaxhë, por të shpërndarë në Evropë dhe Amerikë.

Sa herë që shkruaj për masakrat serbe mbi popullin shqiptar dhe para se t’i shënoj emrat e të vrarëve e të masakruarve, në mendje me rri gjithmonë vaji i nënave shqiptare kur e kanë marrë lajmin për vrasjen e burrave dhe djemve të tyre. Më rri në mendje vaji i motrave për vëllezërit e tyre, që i menduan t’ia çojnë përpara dhe t’ia rrisin votrën por ja që kriminelët serbë nuk njohin ligje të luftës, kur janë në pyetje shqiptarët por gjatë tërë historisë, kanë masakruar popullin shqiptar në të gjitha mënyrat e mundëshme.

Në marsin e vitit 1913, nga familja Kalaj, u maskaruan 15 meshkuj, kurse nga familjes Manreca 4, po i japim emrat e tyre:

Familja Kalaj:

1. GJOKË Dodë Kalaj
2. LAZËR Dodë Kalaj
3. MARK Gjokë Kalaj
4. GJOKË Mark Kalaj
5. DEDË Gjokë Kalaj
6. BIBË Gjokë Kalaj
7. LLESH Prekë Kalaj
8. SIMON Llesh Kalaj
9. NIKË Llesh Kalaj
10. PJETËR Prek Kalaj
11. FRROK Pjetër Kalaj
12. NUE Prekë Kalaj
13. GJON Nue Kalaj
14. MARK Nikollë Kalaj
15. ZEF Tunë Kalaj

Familja Manrecaj:

16. PREN Manrecaj Spaqi
17. PJETËR Manrecaj Spaqi
18. GJON Manrecaj Spaqi
19. MARK Manrecaj Spaqi

Këto familje edhe më vonë kontribuan kombëtarisht, ku vlen të veçohet kontributi kombëtar i Luigj Nikolla Kalaj, i cili ishte udhëheqës i Grupit të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare në rrethin e Prizrenit. Ky grup pas veprimtarisë atdhetare në mes të 20 majit e deri në 26 maj 1959 u arrestuan. Grupi i Luigj Nikolla Kalaj, qe i takonte LNDSH (Levizjës Nacional Demokratike Shqiptare) pas nëntë muajsh hetime u dënuan siç vijon: Luigj Nikolla-Kalaj 9 vjet burg te rëndë, Destan Bajraktari 4.5 vjet, Vehbi Ukimeri 5 vjet, Vahid Kabashi 4 vjet dhe Jashar Bajraktari 3.5 vjet.

Luigj Nikolla Kalaj pas përfundimit të burgut, për t’iu larguar represioneve komuniste vazhdon jetën në Shkup, ku pas vdekjes e lë amanet që të varroset në varrezat e familjes Kalaj në Nashec, ku edhe i pushojnë eshtrat këtij atdhetari të Shqiperisë Etnike.

Një qëndresë heroike në këtë familje e tregon edhe Frrok Kalaj. Frroku gjatë shërbimit në armatë mundohet dhe maltretohet psiqikisht nga një oficer serb, i cili e kishte në plan që ta vriste Frrokun. Me siguri do të ketë pasur njohuri ai oficer për atdhetarizmin e familjes Kalaj. Në një mbrëmje gjatë rojës, Frrokut i vjen në kontroll ai oficer dhe pas tri ndalesave që i thotë ti bëjë ai nuk ndalet dhe Frroku e vret oficerin serb dhe dënohet me disa vite burgim. Pas kryerjes se burgimit shkon në Francë për të punuar, ku pas pensionimit kthehët për të jetuar serish në Kosovë deri në vdekje. Nuk duhet harruar edhe faktin se në familjen Kalaj për një kohë të shkurtër ka gjetur strehim edhe nacionalisti atdhetar dhe luftëtari i Shqiperisë Etnike, Ndue Përlleshi.

Një veprimtar i shquar në këtë familje ishte edhe i ndjeri Nikë (Boqaj) Kalaj veprimtar i viteve të nëntëdhjeta ku e dha edhe një kontribut humanitar, politik e kombëtar edhe pas përfundimit të Luftës së Kosovës 1999. Vdiq në moshë relativisht të re. Duke mos perjashtuar edhe shumë të tjerë nga kjo familje që dhanë kontribute të ndryshme kombëtare nëpër periudha historike siç është rasti i të riut Gjon Zef (Boqaj) Kalaj, i cili plagoset rëndë pas një bastisje që e bën policia serbe në familjen Kalaj në Grazhdanik.

Pasi që gjaku dhe kujtesa e të rënëve për mbrojtjen e trojeve shqiptare nuk harrohen do të ishte e udhes që këtyre 19 atdhetarëve shqiptarë t’iu ngritët një memorial përkujtimor si shenjë respekti dhe kujtimi për këta burra atdhetarë. Një borxh të tillë në dokumentimin e fakteve e kanë edhe institucionet shkencore e politike në Kosovë, për t’iu treguar pushtuesve serbë, se asnjëherë nuk do ta harrojmë gjenocidin e kryer mbi familjet shqiptare, siç ishte rasti me familjen Kalaj dhe Manreca nga Nasheci, ku Pjetër Manrecaj-Spaqit një muaj pasi që masakrohet, i lind djali Augustini, i cili do të rritet pa e parë babain e tij kurrë, por që do ta ngritë nga hiri i djegur dhe do ta rrisë e zgjeroj trungun familjar.

Të dyja këto familje Kalaj dhe Manrecaj, pas disa kohësh u përtërinë me djem të rinj dhe si shenjë kujtimi të posalindurit i pagëzonin me emrat e familjarve të tyre të vrarë në masakrën e vitit 1913 nga ushtria pushtuse serbe. Mirëpo kujtimi nuk duhet t’iu lihet vetëm familjarve, duhet të kemi kujtesë institucionale dhe shteterore për të gjitha vrasjet dhe masakrat, që i ka kryer Serbia në trojet shqiptare prej vitit 1912 e deri në vitin 1999.