MASAKRA E TIVARIT DHE RISHKRIMI I HISTORISË

0
613
Pjesemarrës në përkujtimin e masakrës së Tivarit

Pjesëmarrësit e Konferencës shkencore, te Monopoli i Duhanit në Tivar (31.03.2013)

(Me rastin e 75-vjetorit 1945-2020)

Ndër ngjarjet tragjike të popullit shqiptar, që ka të bëjë me Luftën e Dytë Botërore, është Masakra e Tivarit, e cila ka ndodhur me 1 prill 1945. Në këtë masakër të realizuar nga njësitë ushtarake të Jugosllavisë, aty janë likuiduar një numër i madh shqiptarësh nga Kosova, me përmasat e gjenocidit, të cilët ishin mobilizuar për të ndjekur okupatorët gjermanë në pjesën perëndimore të ish-Jugosllavisë. Mobilizimi i tyre në Kosovë ka pasur një prapavijë të caktuar politike, sepse si qëllim kishte spastrimin e Kosovës nga shqiptarët, për të realizuar në praktikë pushtetin ushtarak, i cili ishte vendosur nga data 8 shkurt 1945, duke bërë riokupimin e Kosovës, pa përfillur parimet e Kartës së Atlantikut, me pasoja për shqiptarët, që është dëshmuar në vitet vijuese.

Dr. Nail Draga Dr. Nail Draga

Me 1 prill u bënë 75-vite (1945-2020) nga Masakra e Tivarit, ku u likuiduan në mënyrën më mizore shqiptarët nga Kosova. Sipas të dhënave del se ky numër shkon minimalisht nga 1560 shqiptarë, ndërsa sipas disa përllogaritjeve arrinë deri në 3764 persona. Fjala është për shqiptarët, të cilët ishin të mobilizuar si rekrutë, në aradhat partizane për të ndjekur armikun përfundimisht nga territori i ish-Jugosllavisë. Por, edhe pas shtëdhjetë e pesë vjetëve, kjo tragjedi ende nuk është ndriçuar nga studiuesit e ndryshëm nga vetë fakti se gjatë periudhës së sistemit komunist, marrja me një ngjarje të tillë ishte e pa preferueshme dhe me pasoja për autorët.

Edhe pse në popull dihej për këtë tragjedi dhe përshpëritej për numrin e të vrarëve, saktësisht pak kush dinte të dhëna të sakta, sepse arkivat për shqiptarët ishin nën embargo, madje dokumentët gjegjëse ka mundësi që janë zhdukur, nga ato të cilët kanë realizuar ketë masakër.

Dëshmi autentike e atyre që përjetuan masakrën

Por, vetëm pas dështimit të sistemit monist dhe vendosjes së pluralizmit nga viti 1990, opinioni i gjërë filloi të njihej më në detaje për ketë masakër, e atë duke iu falenderuar dëshmitarëve autentikë, të cilët kishin shpëtuar nga kjo kasaphane tipike naziste, e bërë nga pjesëtarët e aradhave partizane jugosllave gjoja “nacional-çlirimtare”. Dhe janë këto individë, të cilët e përjetuan personalisht ketë masakër të cilët kanë dhënë kujtimet e tyre për ketë kalvar të shqiptarëve nga mobilizimi i tyre në Kosovë dhe rrugëtimi ne relacionin Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar.

Ndër ta bën pjesë edhe Azem Hajdini-Xani, i cili opinionit i ka dhuruar librin “Tragjedia e Tivarit”, botuar në Shtutgard në Gjermani në vitin 1990, dhe më pas ribotuar në Prishtinë në vitin 1998. Po ashtu ky autor ka botuar edhe një botim tjetër me titull ”Masakra e Tivarit” – Memoare, Prishtinë 1998, duke prezentuar dëshmi autentike të personave, të cilët kanë mbetur gjallë. Edhe pse në ndërkohë janë botuar edhe disa studime nga autorë të tjerë për këtë masakër (M.Pirraku. U.Butka etj.), botimi i këtyre materialeve nga autori, i cili e ka përjetuar drejtëpëdrejt ketë masakër, për momentin shërben si lëndë bazë dhe e domosdoshme për të trajtuar ketë tragjedi të bërë nga komunistet në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sepse arkivat ende janë të mbyllura për hulumtuesit shqiptarë.

Nisja nga Prizreni për në Tivar

Për të bërë plotësimin e Armatës IV të Jugosllavisë, për në Frontin VP të bregdetit të Adriatikut, në sajë të të dhënave të publikuara, del se në mars dhe prill të vitit 1945, u deportuan 22.017 luftëtarë shqiptarë nga Kosova. Ata janë deportuar në formacione ushtarake, të cilat quhen eshalone, që gjatë muajve mars-prill 1945 nga Prizreni për në Tivar gjithsejt ishin gjashtë eshalone të tilla. Kështu në mars janë deportuar tre eshalone; eshaloni i parë, me 3.700 luftëtarë, niset nga Prizreni më 24.03.1945 dhe arrin në Tivar më 29.03.1945; eshaloni i dytë, më 4.700 luftëtarë, niset nga Prizreni më 26.03.1945 dhe arrinë në Tivar më 31.03.1945 dhe eshaloni i tretë me 2.700 luftëtarë shqiptarë, niset nga Prizreni me 27.3.1945 dhe arrin në Tivar më 1 prill 1945.

Ndërsa gjatë muajit prill janë deportuar edhe tre eshalone të tjera: eshaloni i parë me 1.506 luftëtarë niset nga Prizreni më 19 prill 1945, eshaloni i dytë me 2.601 luftëtarë niset nga Prizreni më 20 prill 1945 dhe eshaloni i tretë me 1.216 luftëtarë, niset nga Prizreni më 24 prill 1945. Ndërsa më pas nga Prizreni niset një eshalon i veçantë me 5.323 luftëtarë shqiptarë, nga Maqedonia në ditët e para të prillit të vitit 1945.

Pse po largoheshin luftëtarët nga Kosova

Duke marrë parasysh se operacionet luftarake kundër nazistave gjermanë ne Luftën e Dytë Botërore kishin marrë fund nga fundi i viti 1944 me të drejtë bëhët pyetja se pse i deportuan luftëtarët shqiptarë nga Kosova. Përgjigja ishte e qartë sepse planifikohej një hakmarrje ndaj shqiptarëve të Kosovës për humbjen që kishin përjetuar formacionet ushtarake të partizanëve jugosllavë, në luftën ndaj luftëtarëve të Shaban Polluzhës. Ndërsa nga ana tjetër si qëllim ishte largimi nga Kosova i atyre luftëtarëve, të cilët mund të bëjnë rezistencë për vendosjen e pushtetit ushtarak serb, gjegjësisht ripushtimin serb të Kosovës, ne sajë të vendimeve të mëvonshme.

Të mobilizuarit iu ngjanin robërve

Edhe pse të gjithë të tubuarit nga anë të ndryshme të Kosovës kishin premtime se do të deportoheshin me statusin e luftëtarëve për të ndjekur armikun ne vijen e frontit në veriperëndim të Adriaktikut (Istër-Slloveni), nga momenti i parë në Prizren u vërejt se do të jetë tërësisht ndryshe. Nëse deri aty ata ishin të armatosur dhe të përcjellur me oficerë shqiptarë, me t’u nisur nga Prizreni përcjelljen e morën oficerët serbo-malazezë, ndërsa po ashtu u detyruan për të dorëzuar armët, me pretekst se rruga është e gjatë dhe do të lodheni pa nevojë, pra, ata u nisën nga Prizreni të paarmatosur, të pa ushqyer, të lodhur, të paveshur, dhe në kushte higjenike të papërshtatshme. Ishte ky eshaloni i dytë që është nisur nga Prizreni më 26 mars, ku pjesëtarët e tij do të përjetojnë gjenocid të paparë në qytetin e Tivarit të Ri.

Gjatë rrugës, atyre iu ndalohej dalja nga kolona qoftë për të pirë ujë apo kryer nevoja fiziologjike. Kush kishte guxim të vepronte ndryshe e pësonte me jetën, sepse pushkatohej në vend. Nga një sjellje e tillë e oficerëve përcjelles, të cilët vrisnin kur kishin dëshirë e thonin fyerjet më vulgare ndaj shqiptarëve tash të gjithë e kishin të qartë se nuk janë më luftëtarë, por iu ngjanin robërve të luftës. Dhe nga një situatë e tillë dramatike gjatë rrugës deri ne Shkodër, numri i të vrarëve kishte arritur deri në 800 luftëtarë, të cilët janë gjuajtur në lumin Dri, Bunë etj.

Pamjet e Tivarit paralajmëronin masakrën

Me të arritur në Tivarin e Ri është vërejtur një moblizim i madh i popullatës vendore, ku me ta ishin së bashku edhe njësitë ushtarake të Brigadës së Dhjetë Malazeze, të armatosur në çdo aspekt, athua se janë duke pritur njësitë e armikut. U pa qartë komploti dhe gracka e pregatitur, por ata prisnin vetëm shkasin. Në qendër të Tivarit të Ri, pasi i kanë udhëruar për të pushuar në afërsi të tyre ishte një krua, ku shqiptarët shprehen kërkesën për të pirë ujë, por oficeret reaguan ashpër, duke mos iu mundësuar dhe fyer ata në aspektin nacional, duke vrarë tre shqiptarë, ndërsa nga plumbat e tyre kishin vrarë “gjoja” një ushtarë malazias. Ky ishte një tjetër pretekst për të vrarë shqiptarë, andaj për ketë “vepër“, e cila nuk ishte bërë nga shqiptarët, ata pushkatuan 100 ushtarë shqiptarë, sikurse nazistatët gjermanë kohë më parë. Nga kjo e papritur shqiptarët ishin të vetëdijshëm se një tragjedi e tillë nuk do të përfundojë më kaq, sepse ishin të rrethuar nga të gjitha anët.

Ndërtesa e Monopolit të Duhanit – ferri i shqiptarëve

Ata më pas, në kolonë (si delet) i detyruan të ecin dhe i vendosën në objektin e Monopolit të Duhanit, në afërsi të portit. Ishte kjo një ndërtesë tre katëshe, ku i detyruan të hyjnë brenda ndërsa të tjerët u vendosen në oborr, pra të gjithë grumbull e jo në kolonë, sepse kështu mundësia për t’i shfarosur ishte më e madhe. Dhe nuk ka vonuar shumë, në të gjithë shqiptarët si brenda në ndërtesë, e në oborr është qitur me të gjitha mjetet luftarake, rreth dy orë dhe në oborr dhe shesh ku ishin rreth 3000 veta nuk mbeti njëri i gjallë në këmbë, sepse u bë kasaphanë e vërtetë dhe kudo u bë lumë gjaku. E tërë kjo masakër ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, duke filluar në ora 14 të datës 1 prill 1945.

Patën fat të shpëtojnë vetëm ata, që ishin në katin e lartë të ndërtesës, dhe disa nga eshaloni i parë, të cilët për momentin ishin në Tivarin e Vjetër. Por, tragjedia ndërpritet, duke iu falenderuar një automobili, i cili brenda kishte disa vëzhgues amerikanë, të cilët me gjasë kishin dëgjuar të shtënat e armëve dhe kishin ardhur për të parë vendin e ngjarjes. Por, kriminelet iu dolën përpara dhe i binden të largoheshin dhe të vazhdojnë rrugën për në Ulqin. Pra, nga frika se do të zbulohet krimi, ata u detyruan ta ndërpresin plojën. Ishte kjo një rastësi, që të shpëtojnë disa luftëtarë kosovarë, të cilët do të jenë dëshmitarë të kësaj masakre, edhe pse qëllimi i forcave shfarosëse të partizanëve jugosllavë, ishte për t’i vrarë të gjithë, për të mos pasur dëshmitarë.

Mungojnë varret e të masakruarve

Me pas u mobilizuan të gjithë qytetarët si pleq, gra, të rinj, punëtorë e ushtarë për të pastruar oborrin, për të humbur gjurmët e kësaj vepre mizore. Me kamion kanë ngarkuar të vrarët dhe të plagosurit, për t’i deportuar në varreza të ndryshme kolektive. Madje në këtë transport kanë angazhuar edhe ata shqiptarë, të cilët kanë mbetur gjallë. Ende nuk dihet se ku janë bartur kufomat dhe varrosur ata. Bëhet fjalë për disa vende, si në Tivarin e Vjetër, Tugjemil, Zalef dhe në një shpellë në malin e Vollujicës pranë detit. Por, nuk ka dilemë se pjesën më të madhe të tyre e kanë gjuajtur në det.

Bëhët pyetja sa janë vrarë në këtë masakër, e sa kanë mbetur gjallë. Pasi nuk ka të dhëna arkivore, andaj i vetmi burim është A. Hajdini – Xani, i cili thotë se të gjallë kemi mbetur 810 individë, ndërsa nga Kosova janë nisur 4700 luftëtarë, nga del se gjatë rrugës dhe ne ketë masakër janë vrarë e zhdukur 3.890 shqiptarë të Eshalonit të dytë dhe 420 të Eshalonit të parë, pra gjithsej 4310 individ kanë humbur jetën, çështje që mbesin për hulumtime…

Ne këtë regji shfarosëse ka pasur raste, që individë të ndryshëm të shpëtojnë dhe të ikin në drejtime të ndryshme, por edhe aty, nëse janë zbuluar, janë likuidur, sepse të gjithë shqiptarët janë cilësuar si armiq, nga pushteti ushtarak. Ka raste të veçanta që kosovarët janë strehuar e mbajtur nga familje shqiptare, duke iu shpetuar jetën, si në Tivar, Anë të Malit dhe Krajë, ku për raste të tilla egzistojnë dëshmi autentike.

Objekti i Monopolit të Duhanit në Tivar – vendi i masakrës të 1 prillit 1945!

Tragjedia, e cila u hesht për vite të tëra…

Me të përfunduar lufta dhe kthimi i luftëtarëve kosovarë në shtëpitë e tyre, kjo ngjarje mori dhenë, por ishte me pasoja, nëse kërkohej e vërteta pse ndodhi ajo. Madje ata të cilët e përjetuan ishin të kërcënuar, nëse debatojnë në lidhje mbi ketë ngjarje e jo më të kërkojnë që ajo të ndriçohet në tërësi.

Dhe si për ironi të fatit pas kësaj masakre ajo u hesht nga ato të cilët është dashur të flasin dhe ta informojnë opinionin e gjërë për ketë gjenocid të bërë nga partizanët jugosllavë, duke kërkuar përgjegjësi nga ana e tyre.

Por, ndodhi që për këtë masakër të mos flasin kaudrat shqiptarë, qoftë nga Kosova apo nga Shqipëria, por për të parën herë të deklarohet A. Rankoviqi në Kongresin Themelues të PKS më 8-12 maj 1945, i cili ne mes tjerash ka thënë se ”udhëheqesit e eshalonit e nxitën revoltën midis shqiptarëve”, duke planifikuar të vrisnin “40 shqiptarë, për një luftëtar të vrarë”, duke vazhduar se “udhëheqësit tanë hapën zjarr dhe i vranë 300 shqiptarë”. Një e dhënë e tillë edhe pse e minimizuar shumë herë dëshmon, se një masakër e tillë ka egzistuar dhe është realizuar nga forcat partizane jugosllave, që ishin të Brigadës së Dhjetë Malazeze, duke mbetur informata e vetme zyrtare për këtë masakër.

Por edhe pse një nismë të tillë, në rrugë institucionale për të prezantuar dhe hulumtuar të vertetën është bërë nga Azem Hajdini, si pjesëmarrës i kësaj masakre nga viti 1966 e më pas, çdo gjë mbeti vetëm në nismë, sepse pushtetit jugosllav të kohës nuk i ka interesuar e vërteta për ketë tragjedi, sepse ishin vetë serbo-malazezët, të cilët ishin skenaristët dhe regjisorët e kësaj maskare, e cila ishte më e madhja në përfundim të Luftës së Dytë Botërore ne Evropën Juglindore.

Përgjegjësia e udhëheqjes së Shqipërisë

Edhe pse kanë kaluar 75 vite nga masakra e Tivarit, deri më tash nuk kemi pasur rast të lexojmë diçka konkrete, në lidhje mbi këtë tragjedi nga strukturat qeveritare të Shqipërisë. Madje kjo tragjedi nga ana e tyre është heshtur, duke mos u shënuar as në kalendarin e ngjarjeve historike, sepse ata janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbajnë. Sepse si te lejohet që të kalojnë nepër territorin e Shqipërisë eshalone të tëra qytetarësh kosovarë të përcjellur nga ushtarakët serbo-malazez gjoja për të marrë pjesë në ndjekjen përfundimtare të armikut në Istër e Slloveni, kur Lufta e Dytë Botërore kishte marrur fund.

Nuk ka dilemë se ishte ky një veprim monstruoz dhe antikombëtar i udhëheqjes së Shqipërisë së kohës, e cila ka përgjegjësi për masakrën e Tivarit. Por, nëse analizojmë rrethanat e kohës, që më vonë është njoftuar opinioni i gjërë, as që është pritur diçka konkrete nga udhëheqja e Shqipërisë, ose me konkretisht nga ajo e PKSH, sepse këta ishin si filialë e komunistëve jugosllavë, dhe ishin të indoktrinuar nga ideologjia komuniste, si rrallë kush ne Evropën Juglindore. Sepse nga ajo kohë e deri në vitin 1948 me jugosllavët kanë punuar së bashku, për të eliminuar armiqtë ideologjikë, ku egzistojnë dëshmi të pakontestueshme, sepse individë të ndryshëm shqiptarë janë arrestuar në Shqipëri dhe iu janë dorëzuar jugosllavëve, të cilët kanë përfunduar më pasoja tragjike.

Tivari 1945, sikurse Srebrenica 1995

Nuk ka dilemë se Masakra e Tivarit e vitit 1945 është pothuaj identike me masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, e bërë nga forcat ushtarake serbe ndaj rreth 8000 boshnjakëve. Por, këtu egziton vetëm një dallim, sepse krimi në Tivar është bërë pa praninë e forcave ndërkombëtare ndërsa në Srebrenicë është bërë në prani të tyre, të cilët ishin gjoja me mision për të mbrojtur këtë popullatë. Një rast i tillë analogjik ka edhe të veçantën tjetër sepse viktimat e Tivarit, edhe sot janë pa varre të identifikuara, ndërsa ata të Srebrenicës janë identifikuar, sepse janë gjetur në varrezat kolektive, më ç’rast është bërë rivarrimi i tyre.

Pllaka përkujtimore e cila mungon

Ka ardhur koha, që në lidhje mbi masakrën e Tivarit të formohet një komision i veçantë pranë Qeverisë së Kosovës, për të zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Qeverisë së Malit të Zi. Nuk ka dilemë se ngjarja tragjike e vitit 1945 nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi pushtetin aktual në Mal të Zi, por angazhimi në drejtim të ndriçimit të kësaj masakre do të ishte ne favor te pushtetit aktual, në rrethana të reja shoqërore e politike.

Edhe pse kanë kaluar 75 vjet nga kjo masakër, ende nuk ka të dhëna në lidhje mbi varret e të masakruarve, andaj është obligim moral dhe civilizues, që në vendin ku është bërë masakra, të ngrihet një memorial apo të vendoset një pllakë përkujtimore, në tre gjuhë për të njohtuar opinionin e gjërë mbi këtë ngjarje tragjike në vitin 1945, që ka ndodhur në qytetin e Tivarit.

Përfundim

Ndonëse kanë kaluar 75-vite nga data e 1 prilit 1945, kur u masakruan shqiptarët nga Kosova, nga ana e strukturave ushtarake jugosllave të kohës, realizuar sipas një skenari me qëllime shfarosëse ndaj shqiptarëve nga Kosova, ajo masakër ia kalon “Natës së Shën Bartolomeut” të Parisit të vitit 1573, që është sinonim për vrasjet masive të kundërshtarëve ideologjikë.

Për këtë tragjedi në kohën e monizmit, nuk është guxuar të flitet as të shkruhet, se pasojat ishin të mëdha. Çdo informatë ishte në heshtje, sepse politika komuniste e kohës, si mision kishte eliminimin e krimeve, duke mos i publikuar ato, por e vërteta nuk ka mundur të heshtet.

Vetëm pas rënies së monizmit, të mbijetuarit por edhe disa studiues kanë filluar të shkruajnë artikuj e botime të veçanta, e po ashtu janë përgatitur edhe emisione televizive. Eshtë fatkeqësi që për këtë masakër nuk ka asnjë shënim në librat e shkollave fillore, të mesme e universitare, sidomos nga lënda e historisë, dukuri e cila nuk mund të arsyetohët më asgjë…

Në lidhje me këtë ngjarje tragjike Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në Ulqin, më 30-31 mars të vitit 2013, ka organizuar Konferencën shkencore ”Masakra e Tivarit-1945”, me pjesëmarrje të studiuesve nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi. Pas prezantimit të kumtesave për këtë ngjarje (të cilat ende nuk janë botuar), pjesëmarrësit më pas kanë shkuar e vizituar vendin e krimit të Monopoli i Duhanit (31 mars). Ishte ky takimi i parë nga përfaqësuesit e një subjekti të shqiptarëve, ku kanë marrë pjesë edhe ish të mbijetuar e kësaj masakre nga Kosova, duke dëshmuar në mënyrë autentike përjetimet e kësaj tragjedie.

Pasi në lidhje me këtë masakër, nuk ka asnjë të dhënë në vendin e ngjarjës, duhet bërë çmos, që në ketë vend të ngrihet një memorial i shkruar në tre gjuhë kushtuar kësaj ngjarje tragjike. Një memorial i tillë duhet të jetë monument i kujtesës, për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, për të njoftuar opinionin e gjërë mbi këtë masakër, që ka ndodhur në qytetin e Tivarit. Në rrethana të reja, kur tash Kosova është shtet i pavarur, i takon qeverisë së saj, të inicojë një çështje të tillë me pushtetin në Malin e Zi.

Andaj ka adhur koha që historia të rishkruhet dhe të thuhet e vërteta për këtë tragjedi, duke eliminuar qasjen ideologjike e pranishme edhe në ditët tona. Në këtë aspekt është obligim profesional të hulumtohen arkivat sekrete të UDB-së jugosllave, për të hequr hipotekat nga e kaluara ideologjike, që do të jetë në favor të faktografisë shkencore si kudo në botën demokratike.

(Prill 2020)