nga Brunilda Ternova
Italia është ndër të paktat vende në botë ku kronika e zezë ngatërrohet e plekset me historinë dhe politikën, ku episodet, ngjarjet, faktet zvarriten për vite me radhë, pa pasur një zgjidhje e një mbyllje, dhe shpesh ngelen të mbuluara nga velloja e misterit dhe e fshehtësisë totale.
Data 2 gusht 1980 përfaqëson një nga ngjarjet më të dhimbshme të këtyre 30 viteve të fundit për qytetin e Bolonjës dhe për italianët në përgjithësi. Historia e kësaj date dhe e ngjarjes që përfaqëson nis me një masakër çnjerëzore në orët e para të mëngjesit, ku gjetën vdekjen 85 persona të pafajshëm dhe u plagosën apo gjymtuan më shumë se 200 të tjerë. Ngjarje të tilla nuk kanë thjesht të bëjnë me sjellje të izoluara individuale të personave të caktuar, edhe sepse ekziston një bazë kulturore, sociologjike, ideologjike, politike dhe ekonomike mbi të cilën kanë maturuar dhe janë zhvilluar gjatë kohës.
Thuhet se kjo është masakra më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në Itali në kohë paqeje.
Rindërtimi i ngjarjes
Njerëz të ndryshëm ndodhen në sallën e pritjes, të ulur në karrige e në dysheme, lexojnë, flenë, hyjnë, dalin, lëvizin brenda dhe jashtë pa pushim. Ora është 10:25 e mëngjesit, kur e gjithë salla e pritjes, zyrat lart në katin e dytë, bari, restoranti, një pjesë e stacionit të trenit të Bolonjës shemben me zhurmë. Copa metalesh, blloqe çimentoje dhe pluhuri i zi do të mbulojnë gjithë stacionin e do të përhapen dhunshëm, duke goditur trenin e linjës Chiasso-Ancona, bashkë me taksitë që ndodheshin në sheshin para stacionit. Njerëzit e grumbulluar rreth stacionit, të përbërë nga ushtarakë, civilë dhe kalimtarë, do të ofrojnë ndihmat e para duke u futur mes rrënojave për të nxjerrë ata që ishin akoma gjallë. Edhe taksitë dhe autobusët janë të zënë me transportimin e të plagosurve në spital.
Shpëtuesit e ndihmës së parë do të dëshmojnë se kanë parë viktima – midis tyre dhe fëmijë – me trupa të sakatuar dhe të gjymtuar, duke dhënë shpirt. Një ferr i vërtetë mbi tokë. Shumë njerëz, në shumë rajone italiane, përpiqen të shqetësuar të kontaktojnë me të dashurit apo të njohurit e tyre, me shpresën se nuk ndodhen në vendin e incidentit. Linjat telefonike janë të bllokuara nga telefonatat e shumta; morgu dhe spitalet e Bolonjës janë të mbushura plot me policë, njerëz të zakonshëm e të ndihmës së shpejtë, të njohurit dhe të afërmit e të plagosurve dhe viktimave.
Thashethemet e para kishin hedhur hipotezën se kishte shpërthyer një kaldajë në afërsi të restorantit. Gazetarët urdhërohen nga disa njerëz me peshë dhe të mirinformuar mbi çështjen që të evitonin fjalën ‘atentat’ në shkrimet e tyre. Por sipas dëshmive të atyre që dhanë ndihmën e parë, era e barutit ishte shumë e fortë dhe “kaldaja” – e cila nuk mund të krijonte një shkatërrim të atyre dimensioneve – nuk u gjet gjëkundi.
Më 3 gusht, Kryeministri Francesco Cossiga mban një konferencë për shtyp në sallën e Bashkisë së Bolonjës dhe flet për një ‘shpërthim të qëllimshëm’, ndërsa më vonë prokurori i Bolonjës do të hapë një dosje hetimore mbi ngjarjen, duke e quajtur: masakër. Ekspertiza e kryer nga dr. Marino dhe kolonel Spampinato do të vërtetojë se në një valixhe të braktisur mbi një tavolinë në sallën e pritjes kishte 20 kilogramë eksploziv, duke përfshirë nitroglicerinë, dinamit dhe T4. Përzierja e dinamitit me T4 quhet ndryshe ‘Compound B’ dhe është i njohur shumë mirë në ambientet ushtarake, sepse përdoret për plumba të veçantë. Më 22 gusht, DIGOS (Divizioni i Hetimeve të Përgjithshme dhe Operacioneve Speciale) depoziton në gjykatë një raport në të cilin identifikohen si organizatorë potencialë disa individë që u përkasin lëvizjeve neo-fashiste: Urdhri i Ri (ita. Ordine Nuovo), Shpërbërja e Sistemit (ita. Disintegrazione del Sistema), Lufta Revolucionare (ita. Guerra Rivoluzionaria). Aktiviteti i tyre i dhunshëm nuk ishte pa precedentë: masakra e sheshit “Fontana” (16 të vdekur dhe 88 të plagosur), masakra e Peteanos (3 të vdekur dhe 2 të plagosur), masakra në selinë e policisë së Milanos (4 të vdekur dhe 45 të plagosur), masakra e trenit Italicus (12 të vdekur dhe 44 të plagosur). Qarkullojnë shumë thashetheme, zëra, konfidenca dhe sekrete të rrëfyera në burg nga anëtarë të së djathtës ekstreme, që mblidhen nga policia. Ndërkohë vritet gjykatësi Mario Amato, pikërisht kur ishte duke u fokusuar gjatë hetimeve të tij mbi organizatat terroriste neo-fashiste në Itali.
Duke nisur nga 28 gushti, prokuroria nxjerr më shumë se 50 urdhër-arrestime për anëtarët e së djathtës fashiste, me akuzën e “krijimit të organizatave subversive, bandave të armatosura dhe përmbysjes së demokracisë”. Prokuroria nis hetimet e njëkohësisht nisin një seri e gjatë rrëfimesh, zbulimesh, shqyrtimesh dhe shtrembërimesh të fakteve, për ta ndryshuar herë pas here të vërtetën sipas këtij ose atij versioni. Përpjekjet për të larguar gjykatësit nga e vërteta janë të panumërta: shtrembërimi i parë vjen nëpërmjet një telefonate që ia cakton autorësinë e masakrës grupit neo-fashist NAR – Celula të Armatosura Revolucionare. Telefonata është e ngjashme me një tjetër të mëparshme, e cila kishte akuzuar për masakrën e Ustikës një neo-fashist italian të lidhur me shërbimet sekrete franceze. Do të zbulohet më vonë se të dyja telefonatat ishin bërë nga zyra e SISMI-t (Shërbimi Informativ dhe i Sigurisë Ushtarake të Firences). Shtrembërimet do të vazhdojnë nga disa individë të ekstremit të djathtë, të burgosur në burgjet italiane dhe franceze, që do i drejtojnë hetimet në nivel ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarë të grupeve të tjera neo-fashiste në botë, të cilët do të rezultojnë më pas të palidhur me ngjarjen.
Më 13 janar 1981, në 09:26 ndodh një ngjarje e veçantë, që pështjellon më tej hetimet. Në një vagon të klasit të dytë të trenit Express Taranto-Milano, policia gjen një valixhe të mbushur me armë automatike, një armë gjahu, maska, dorashka dhe tetë kuti me eksploziv ‘Compound B’, si ai që ishte përdorur në stacionin e Bolonjës. Policia po kontrollonte trenin, falë një raporti të dorëzuar nënkryetarit të SISMI-t, Pietro Musumeci, nga gjenerali Santovito dhe biznesmeni Francesco Pazienza. Pietro Musumeci ishte drejtor i qendrës së SISMI-t në Firence, e ndër të tjera kishte qenë dhe anëtar i NAR-it. Raporti i quajtur “Terrori në trena” zbulonte një seri sulmesh në linjat hekurudhore italiane të organizuara nga neo-fashistët italianë, në bashkëpunim me ata francezë dhe gjermanë. Në valixhe do të gjenden gazeta franceze dhe gjermane, dy bileta avioni në emër të terroristëve të dyshuar si të implikuar dhe të denoncuar nga vetë gjenerali Santovito. Disa vite më pas, në 1984, do të zbulohet se valixhen-bombë e kishte vendosur një nënoficer i Armës së Xhandarmërisë, i udhëzuar nga Musumeci. Tërhiqen akuzat kundër 50 të dyshuarve dhe më 15 shtator 1981, në Gjykatën e Bolonjës, diskutohet për mbylljen përfundimtare të hetimeve, edhe pse s’janë gjetur përgjegjësit dhe fajtorët. Shoqata e të afërmve të viktimave të masakrës në stacionin e Bolonjës reagon duke u kërkuar institucioneve të vazhdojnë e të intensifikojnë hetimet.
Më 14 qershor 1986, Licio Gelli, Francesco Pazienza, Pietro Musumeci dhe kolonel Giuseppe Belmonte akuzohen se kanë krijuar një organizatë subversive. Bëhet fjalë për lozhën masonike “Propaganda 2”. Sipas gjykatësve, këta individë ishin në krye të një organizate që kishte detyrën e subversimit të rendit demokratik, duke përdorur grupet neo-fashiste për kryerjen e atentateve. Hallka lidhëse midis shërbimeve italiane të devijuara dhe grupeve neo-fashiste ishin neofashistët Roberto Rinani, Paolo Signorelli, Fabio De Felice, Massimiliano Facchini, ky i fundit – ekspert eksplozivash – kishte përgatitur eksplozivin për masakrën e Bolonjës. Më pas hyjnë në skenë dy anëtarë të NAR-it, që janë përgjegjës për vrasjen e gjykatësit Amato: Valerio Fioravanti – i arrestuar në shkurt 1981 e që deri në atë moment kishte kryer 8 vrasje, plaçkitje e sulme të ndryshme – dhe shoqja e tij në jetë dhe në aktet kriminale, Francesca Mambro. Sipas gjykatësve, dy anëtarë të tjerë të NAR-it – njëfarë Ciavardini dhe Facchini – miq të Mambro-s dhe Fioravanti-t, kishin informuar me telefon të fejuarat të tyre që të qëndronin sa më larg nga trenat e Bolonjës në datën 2 gusht. Gjyqi për masakrën në stacionin e Bolonjës zyrtarisht fillon në janar 1987, por në fakt nis në mars, dhe sipas tezës gjyqësore, Fioravanti dhe Mambro ishin ekzekutuesit që kishin vepruar nën direktivat e ideologut Signorelli.
Në korrik 1988, Gjykata e Bolonjës për Krimet e Rënda Penale dënon me burgim të përjetshëm për masakrën: Valerio Fioravanti, Francesca Mambro, Sergio Picciafuoco e Massimiliano Facchini. Gjithashtu gjykata dënon me 10 vjet heqje lirie Liccio Gelli, Francesco Pazienza, gjeneralin Musumeci dhe kolonelin Belmonte, me akuzën për shpifje të rënda dhe shtrembërime të fakteve. Ndërsa me Louis Ciavardini-n, meqenëse ishte i mitur, do të merrej një proces tjetër.
Por në korrik 1990 gjërat do të pështjellohen sërish dhe Gjykata e Apelit anulon të gjitha dënimet e mëparshme për masakrën: anulon dënimin e Liccio Gelli-t dhe ul të gjitha dënimet për shtrembërime të fakteve. Gjykata e Kasacionit, dy vjet më pas, do e konsiderojë vendimin të palogjikshëm e të pabazë, sepse në disa pjesë të procesit gjykatësit kishin mbështetur teza të pamundura. Në maj të 1994-s, Gjykata e Apelit dënon sërish për masakrën Fioravanti-n, Mambro-n e Picciafuoco-n; liron Facchini-n dhe Rinani-n; dënon për shpifje të rënda me qëllim terrorizmi dhe shtrembërim të fakteve Liccio Gelli-n, Francesco Pazienza-n, gjeneralin Musumeci dhe kolonelin Belmonte. Një vit më pas, Gjykata e Kasacionit konfirmon të gjitha dënimet dhe lirimet. Ndërsa Picciafuoco do të lirohet përfundimisht në 1996-n nga të gjitha akuzat.
Konkluzion
Çdo hetim që dështonte nga shtrembërimet e të dhënave, sillte humbjen e besueshmërisë të fakteve të tjera. Dhe ishin pikërisht shërbimet sekrete italiane që e kishin udhëhequr gjithmonë aparatin gjyqësor përgjatë këtyre dështimeve. Norberto Bobbio – filozof, historian dhe politoglot italian – do të shprehej në librin “Masakra, akt-akuza e gjykatësve të Bolonjës”, faqe IX (ita.“La strage, l’atto d’accusa dei giudici di Bologna” – Roma, 1986): “Të krijohet përshtypja se deri tani nuk është kuptuar serioziteti, përhapja dhe frekuenca e tentativave të shpeshta për të përmbysur institucionet tona të lira, gjë që është shumë shqetësuese, pasi asnjë vend tjetër demokratik nuk ka pësuar dhe toleruar tentativa të këtilla, dhe ajo që është akoma më negative, nuk i ka mbrojtur me të njëjtën mënyrë për vite me radhë…”. Në fjalët e Bobbio del qartë në pah implikimi i elementëve dhe strukturave të caktuara shtetërore të cilat e kanë toleruar, mbuluar dhe mbrojtur terrorizmin sipas sezoneve të ndryshme politike.
Përkujtimi i 30-vjetorit të masakrës ditën e hënë, në datën 2 gusht, u bë për herë të parë në mungesë të prezencës së pushtetarëve. Kjo edhe për arsyen se në vitet e kaluara prezenca dhe fjalimet e qeveritarëve janë kundërshtuar fuqishëm nga shoqatat e familjarëve të viktimave, nga bolonjezët dhe nga qytetarët e thjeshtë italianë. Gjatë manifestimit, Paolo Bolognesi, president i Shoqatës së Viktimave, do të shprehej: “Nuk është urrejtja ajo që na bën të lëvizim, por dinjiteti, sepse pa pasur kujtesën dhe drejtësinë, nuk mund të ekzistojë asnjë lloj bashkëjetese që të ketë kuptim dhe vlerë”. Bolognesi do të vazhdojë duke kujtuar: “Në kërkimin e të drejtave tona, kemi shmangur ndjenjën e viktimizimit dhe jemi sjellë gjithmonë si qytetarë, duke kërkuar atë që na takon. Beteja jonë ishte dhe është një betejë kundër kohës që kalon, kundër heshtjes dhe gënjeshtrës, kundër përpjekjeve për diskreditim, kundër atyre që mbrojnë vrasësit dhe jo viktimat, kundër atyre që duan që të harrojmë, duke na ulur kokën”.
Çdo vit familjarët e viktimave trokasin më kot në dyert e institucioneve për të kërkuar të vërtetën dhe heqjen e sekretit shtetëror, të ndërgjegjshëm se sakrifica e të afërmve të tyre është përdorur për të ndërtuar një shoqëri barbare, të padrejtë, hipokrite dhe të dhunshme. Barbarizmi modern perceptohet në përdorimin e torturës nga ana e forcave të rendit, në klimën e frikës dhe pasigurisë që mbizotëron në vend, në ndërhyrjet e rënda dhe flagrante të eksponentëve fetarë në punët e brendshme të shtetit e të qytetarit, në politikanët që janë ekzemplarë autentikë Orwell-ianë, në ksenofobinë dhe racizmin shtetëror – që me të ashtuquajturën Paketë të Sigurisë kundër emigrantëve – ka ligjëruar ligjet e reja raciale të shekullit XXI. Njerëzit e zakonshëm e dinë që shteti nuk gjykon e nuk dënon vetveten dhe barbarizmat e tij!
Sot e kësaj dite ende mungojnë emrat e drejtuesve dhe strategëve të kësaj masakre, dhe akoma nuk janë sqaruar e zbuluar arsyet e këtij gjesti politik, si dhe qëllimet që fshihen pas tij.
Artikuli eshte botuar ne:
– Gazeten Shqip dhe
– Tirana Observer