Në foto, Martin Camaj me gruan e dytë gjermane, Erikën.
Letër dërguar Gjon Sinishtës më 27 mars 1991
Nga Martin Camaj
München, 27 marc 1991
I dashtuni Gjon,
megjithse kjo letër ka me të mbërritë me vonesë t’uroj Pashkët me familje edhe në emën të Erika, që sot punon për nja disa orë. Mora thirrjen për kremtimet në rastin e ardhjes së Dom Simonit [= D. Simon Jubani – B.D.]: faleminderës fort! Në kushte tjera do të kishim ardhë edhe na. Takim i paharrueshëm për ju!
Me randësi nr. AMERIKA kushtue Shqipnisë. Nji nr. po e deponoj në bibliotekën universitare.
Mbasi do të kesh rastin me kuvendë me Dom Lazrin, ti ke me ia shpjegue përngêshëm gjendjen e rolin e secilit nesh gjatë kësaj kohe të mnershëm për klerin e popullatën katolike nën stalinizëm për nji gjysëm shekulli. Jam i sigurtë se askush prej nesh nuk ka me ia sqarue punën si ti, dhe nuk do t’isha zgjatë mâ tepër në këtë letër, po mos me u pasë dhanë ai mendim negativ për mue, se nuk paskam qenë shprehë në lidhje me vuejtjet e masakrimet e katolikëve në Shqipni, as me gojë, as me shkrim, si më shkruen ti në letër.
Sigurisht nuk do të kisha reague kundrejt këtij pohimi, megjithse dhemb i thanun prej kujdo. Po shfrytëzoj rastin e ardhjes së Dom Simonit te ju, në S[an] Francisco, në mënyrë që ta lexoni bashkë këtë letër. Ky pohim që shprehet kundër meje nuk asht aspak i vërtetë, sikur nuk ashtë i vërtetë se paskam pasë vdekë para nja 35 vjetësh si ka kujtue familja ime në Dukagjin.
Nuk ashtë e vërtetë se s’qenkam marrë me politikë gjatë kësaj kohe, po me çfarë politike?
Kur pata mbërritë në Romë në qershor të 1956, isha fare i demoralizuem e me kujtime të freskta të terrorit komunist; shqiptarët e emigruem mâ parë, si duhet, të ndamë e të përçamë. Mbas takimeve të shumta me Prof. Koliqin, Patër Valentinin e P[atër] Rozën, që atëherë luente rol të madh ideologjik social në Itali, u dha kjo analizë: kleri katolik me qendër në Shkodër tash qinda vjet u përqendrue apo zhvilloi aktivitetin e vet në tri drejtime:
a) mbajtja e propagimi i fesë për mes klerit me të gjitha organizatat e veta (klerikale e laike); b) mbajtja gjallë e traditës kulturore; c) përforcimi i aktivitetit politik ku përfshihej edhe shlirimi i vendit prej komunizmit po ashtu si gjatë okupacionit turk (kjo e fundit tezë e Valentinit).
P. Roza dhe unë mbroshim theksimin e aktivitetit kulturor. Unë thashë se e kam vendosë të ndjek nji karrjerë universitare, specializim “albanologji”. Shfaqa se isha i lidhun për letërsinë kreative e se dosha me mbetë shkrimtar shqiptar. Për t’i dalë qëllimit e kisha vendosë që mos të ndahem prej gjuhës shqipe, të cilën do ta bâsha objekt studimi: në atë kohë merresha intesivisht me gjurmimin e teksteve të vjetra gege (kisha punue dy vjet nën drejtimin e Prof. Henrik Barić në dizertacionin mbi “Mesharin” e Buzukut dhe me këtë temë doktorova ma vonë në Romë).
Koliqi ishte njeri me personalitet të theksuem e sidomos prej mâ të rijve si isha unë, në atë kohë (mâ vonë pat ndrrue sidomos mbas nisjes së botimit të “Shêjzat”), andaj donte që unë të vijosha karrjerën letrare e vetëm letrare, ashtu si letrarët rumunë në Francë, rusë në USA etj. etj.
Prof. Koliqi ka qenë gjithmonë i bindun se “vokacioni” im qenka vetëm letërsia.
Por mos me e çue gjatë, në Romë kam studiue edhe nji herë tjetër, 4 vjet ku kam edhe doktorue. Gjatë kësaj kohe mbas sa diskutimesh u themelue revista “Shêjzat”, meritë kryesore e Koliqit, që kishte eksperiencë të gjatë në këtë lamí. Si thonte P. Valentini vijim i “Lekës” (jo i “Hyllit të Dritës”), ndoshta për të na qitë në mend Koliqit e mue se ishim nxanës të shkollës së Jezuitëve…
Do vu në dukje se gjatë këtij bashkëpunimi ka pasë edhe pakënaqësi mes të dy palëve, Koliqi e Valentini në anën e unë në tjetrën: sidomos kur u transferova në Gjermani, merrsha çdo numër të revistës, tue mbajtë për nji minut në dorë para se me e hapë, me frigë se do të gjêsha ndonjë shkrim të papëlqyeshëm në tê. Profesor Koliqi ishte njeri politik me mish e me shpirt, shpirt facioz, sidomos në kontekstin partiak të emigracionit.
Merita e revistës “Shêjzat” kryesore ka qenë ajo e vijimit të traditës kulturore katolike të Shkodrës, kryekreje (në retrospektivë) vazhdimësia e gegenishtes si variantë letrare. Prej 1952 e kam ndjekë kambë për kambë zhvillimin apo imponimin e tosknishtes si gjuhë zyrtare.
Nuk kemi polemizue fort, por jemi përpjekë ta perfekcionojmë gegnishten, tue u mbështetë në tekstet e vjetra tona, tue i dhanë gegnishtes vendin që i përket në kurset universitare. Pa modestí e për hir të vërtetës shfaqi se kontinuitetin e përdorimit të gegnishtes letrare në poezi, prozë artistike dhe ekspozitive (në këtë të fundit s’do harrue kontributi i revistave të emigracionit dhe mbas 1972), mbas mbylljes së “Shêjzat” (1975) me plot vetëdije e çova përpara unë: vepra e fundit letrare në këtë variantë të shqipes ashtë Palimpsest (München, New York 1991).
Martin Camaj
S’po hy me lëvdue veten në gjurmimet gjuhësore, por po vê në dukje Albanian Grammar, që përdoret si tekst kryesor kudo në Prendim në mësimin e shqipes në universitete, bile dhe në Bashkimin Sovjetik.
Tue kthye prap në fillim: jam përqendrue në nji pikë, pikrisht në pikën b) (mbajtja gjallë e traditës sonë kulturore).
Pika a) (shërbimi apostolik në emigracion) mbështetet në ata pak priftën me në krye Mons. Oroshin dhe, besá, edhe fretënt. Uli kryet para këtyne meshtarëve për punën e tyne, që kishin e kanë të bâjnë me nji element shqiptar tepër të vështirë! Ndonjeni prej tyne humbi dhe jetën, si Dom Lazri, disa tjerë … nervat! Nëse ka pasë mosmarrveshje mes tyne, kjo nuk asht gjâ e re, shih dokumentat e Propagandës qysh prej 1600. Tue kthye te sotja, jam i bindun se edhe në vrasjen e Dom Lazrit ka gisht SIGURIMI! Po qes nji shembull fort sistematik:
Mbas ndalimit të fesë (1967) e përmes kushtetutës me 1976, fill mbas shpalljes, prof. Koliqi e Valentini organizuen nji protestë me shkrim që iu përcuell Vatikanit. Në emën të intelektualëve shqiptarë në emigrim, ky dokument u nënshkrue prej një numri të vogël, ndër ta dhe emni im. Mbas dy muejsh isha në Kalabri për gjurmime gjuhësore ndër arbreshë. Nji arbresh që vinte nga Tirana, më tha se unë kisha nënshkrue nji dokument të tillë se në Tiranë thuhej se do të ndëshkoheshin të gjithë nënshkruesit.
Nota bene! Ishte caktue që këtij dokumenti mos t’i jepej publikim, sepse ishte friga e përndjekjes së familjarëve në Shqipni. Si u dit kjo punë? Thuhej ndonji papas arbresh … kush dreqi e di! Unë s’due t’i shgarkohem askuj.
Ata që kanë vuejtë si Krishti në kryq në Shqipni për nji gjysë shekulli kanë të drejtë të ankohen. Shtypi e mergimit e ka vu në dukje këtë martirizim sidomos të klerit katolik, por jo në mënyrë të organizueme si polakët, ungarezët etj. Për këta të fundit Vatikani vetë angazhohej mâ tepër. Puna e organizueme në këtë drejtim i duhet njoftë nji personi që ashtë Gjon Sinishta!
Aktiviteti i secilit nesh u mëvar prej kushteve ku ishim të integruem në punën tonë. Gjoni gjeti në Kaliforni kushtet e përshtatuna, por binte me vete edhe vullnetin e fortë, që iu bâ obsesion dhe nji përvojë gazetareske apo publicistike. Krejt materiali i botuem në San Francisco, në anglisht u bâ mbështetje kryesore informimi mbi vuejtjet e klerit në Shqipni.
U zbuluen edhe arkivet sidomos ai optik, fotografí që flitshin vetë. Këtë landë e shpërndamë edhe ndër universitete dhe në korrespondencë me njerëz të gazetarisë, si asht Viktor Maier, korrespondent i Frankfurter Allgemeine, që në këto dit gjindet në Shqipni. Me Dr. Maier jam në kontakt tash 15 vjet. Si albanolog e antar i nji universiteti me kohë bâhesh qendër informimi për gjithçka i përket Shqipnisë: nuk asht nevoja të dalish me pllakata rrugash.
Kështu asht në Evropën Qendrore: stalinistat thoshin se çdo profesor universiteti, tue fillue prej atomistave deri te historianët apo filologët për gjuhë e kulturë të vendeve komuniste qenkan spiunë. Spiunë sigurisht, jo, por, eksperta, po. Krejt programin e ministerpresidentit të Bavarisë në lidhje me të dy vizitat në Shqipni kanë qenë të përgatituna prej zyrtarësh, që kanë studiue albanologji tek unë.
Para udhëtimit të dytë jam takue edhe unë me Straus (të lutem, Gjon, kjo imtësi t’i transmetohet edhe Dom Simonit!), ku i jam lutë me duer të ngjituna që të intervenojmë për klerin katolik shqiptar dhe të vêhej si kusht në traktatet për vumjen e marrëdhanjeve diplomatike.
Mâ parë isha shprehë kundër këtyne marrëdhanjeve, si këshilltar, natyrisht. Ndonji prej absolventave të mij në albanologji, Gjoni e di, se ka dhanë kontributit të dukshëm në këtë drejtim, Bernard Tönnes.
Nuk asht e vërtetë se nuk jam shprehë botnisht. Para 20 ditësh kam marrë pjesë në një talk-show (Club 2, ORF i Vjenës) mbi Shqipninë, ku merrshin pjesë ambasadori shqiptar, Engel Kolaneci, dhe dy përfaques të Opozitës (Genc Pollo e Dr. Ardian Klosi), si dhe gazetarë në zâ austriakë. Ndër të tjera, në nji shamatë me Kolanecin vuna në dukje edhe trajtimin kundrejt klerit katolik në Shqipni, tue thanë se edhe sot nga regjimi mbahen jo si qytetarë, po njerëz “të klasës pa të drejta civile, dmth të deklasuar”, gjâ që e pohoi dhe Klosi.
Aty ra fjala që libri i Sinishtës duhet të botohet sa mâ parë shqip, në Tiranë. Këtë talk-show e kanë ndigjue miljona …
Në kushtet e mija e kam krye detyrën time kundrejt klerit tonë që na ka edukue dhe bâ njerëz, të cilit i falenderoj dhe pozitën e dijen që kam sot! Po due me thanë, unë e kam krye detyrën time.
Si thashë, rrethanat në të cilat jetuem kanë përcaktue dhe rrugën tonë. Mbrenda këtyne kushteve, natyrisht, kam mbrojtë gjithnji individualitetin tim intelektual e sidomos si letrar. Si i tillë kam pasë të çame kreje prej intrigantave të Tiranës, por nga ana tjetër nuk kam qenë i përfillun as nga kosovarët, bile as prej shumicës emigracionit.
Ti Gjon, i di këto punë ndoshta mâ mirë se unë. Por kjo s’ka prishë punë në rrjedhën i krijimtarisë letrare time sepse zêja e letrarit asht gjâ individuale. Edhe Prof. Koliqi, qesh e njesh, më gucte tue u thanë tjerëve: Martini s’asht atdhetar në poezinë tij. Gjon Sinishta nji herë më tha: ti nuk e përmend emnin e Zotit në peozinë tande. Nuk të kam kundërshtue, por kam ra në mendim.
Kam pasë disa periudha krijimi; sidomos mbas 1967, kur nis periudha abstrakte apo ajo mâ e kapërthyemja: fund e maje vepra ime ka Provaninë e Perendisë mbrendë. Palimpsest, shkrue në dy vjetet e fundit, sos me tematikë mistike. Tash jam në fund të jetës e bâj plane vetëm mujore. Jam fare i qetë.
Për botën shqiptare fillon periudha e re. Për Dom Simon Jubanin e Gjon Sinishtën fillon gjithashtu nji jetë me përgjegjësi të madhe. Ato të tri komponente të traditës shpirtnore (a, b, c) duhen koordinue simbas kohës se re, nji ndër to ajo nën b) (lamia e veprimtarisë sime përmbi 40 vjet), duhet të bâhet pronë e gjithë kombit. Këtë dishron edhe gjenerata re intelektuale me të cilën kam konferue në kohët e fundit: qysh tash gëzohem për këtë gjâ!
Për shumë Mot Pashkët e bâfshit ditën e mirë atje ku janë!
Martin Camaj
Vëzhgim redaksional: Prezantuar nga studiuesi Bardhyl Demiraj. Në botim i kemi qëndruar besnikë riprodhimit të tekstit origjinal në dorëshkrim. Ndonjë sqarim si ndërhyrje e rrallë e natyrës redaksionale është parashikuar me kllapa katrore nga botuesi.