MARSHI I VDEKJES

0
542
Agron Tufa

Agron Tufa

Ky vend popullohet më shumë me të vdekur;
Me të vdekur të lashtë, me të vdekur të rinj:
Janë të vdekur qytetesh me brengë të thekur-
Dhe të vdekur fusharakë e të vdekur – barinj.

Një popull të vdekurish gëlon kësoane;
Të vdekur qyshkuri, të vdekur tani…
Çfarë i mban gjallë, çfarë kambane
I mbledh dhe i derdh nëpër rrugë mizëri?

Të vdekurit ngatërrohen pa prâ midis vedit…
Po kush këtë makth do mundë ta zgjidhë vallë?
Vdes ngapak dhe shpresa tek të vdekurit e shtetit –
Më shumë gjysmëvdekur, se sa gjysmëgjallë.

Të vdekurit e lashtë nuk gjejnë dot paqe
Nga të vdekurit mbi dhe, që ngrenë pallate
Mbi eshtra fëmijësh; mbi plazmën e ardhme;
Mbi truallin që zhytet përditë në mëkate.

Dhe ngrenë rebelimin të vdekurit e vjetër,
Braktisin qimitret, mallkojnë me tërbim
Të vdekurit e rinj, bastardë, kokëngjeshur,
Dhe kthehen qimitresh të pangushëllim.

Ky marrsh i të vdekurve nuk paska të sosur,
Me shenjat e tyre, me këngët, me shkrimet,
Që shuhen, rishkruhen dhe mbesin vulosur
Prej bëmave të tyre, gjithsej, vetëm krimet…

Të vdekurit tanë, s’e dinë që kanë vdekur
Dhe s’gjendet i gjallë vdeksinë t’u provojë;
Kësoane të gjallët kanë ngrirë të mekur
Nën grushtin e vdekjes që kthen në rrënojë –

Lotët, kujtimet, atë shpresë të pakët
Që gjallë mbet dëshirash në urna, saksi…
Të gjallët tash janë, ah, kurme të vakët
Kufomash të gjalla, nxjerrë në liri…