sipas dosjeve të diplomacisë zvicerane
Zef Ahmeti
I. Hyrje
Tashmë gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte kontakte të ngushta ndërmjet komunistëve jugosllavë dhe atyre shqiptarë. Qysh nga ajo kohë planifikohej që pas luftës Shqipërinë t`ia bashkojnë federatës jugosllave, për ta shmangur problemin me popullsinë shqiptare në Kosovë e Maqedoni.1 Më 28 prill 1945 Jugosllavia njohu qeverinë shqiptare-komuniste. Jugosllavia dhe Shqipëria, me komunistët në pushtet, në janar të vitit 1946 miratojnë kushtetutat e tyre komuniste.2 Si rezultat i kësaj “vëllazërie ideologjike” në vitin 1946 lidhet një traktat miqësie dhe bashkëpunimi, i cili parashikonte koordinimin e planeve ekonomike të dy vendeve, rregullimin e sistemit monetar, një bashkim doganor dhe një sistem të përbashkët çmimesh.
Me këtë traktat Shqipëria u bë një shtet satelitor jugosllav.3 Komunistët shqiptarë u konsideruan si pasues të jugosllavëve.4 Zvicra nuk donte të vendoste marrëdhënie diplomatike me qeverinë komuniste në Shqipëri. Nga njëra anë për shkak se kjo çështje për politikën e jashtme të Zvicrës ishte në fund të listës së prioriteteve dhe në anën tjetër, sepse paraqitet shqetësim për shkak të konfliktit mes Greqisë – me të cilën Zvicra donte t’i ruante edhe më tutje “marrëdhënie miqësore tradicionale” – dhe Shqipërisë. Tensionet midis Bashkimit Sovjetik dhe fuqive perëndimore kishin njashtu një rëndësi të caktuar si dhe për arsye të “kushteve të vështira” në vetë Shqipërinë që ende nuk ishin sqaruara mjaft.5
Qeveria zvicerane dyshonte në legjitimitetin e qeverisë shqiptare. Kjo mosnjohje megjithatë nuk do ta pengojë Zvicrën në rast nevoje herë pas herë të trajtoj çështje ekonomike me përfaqësuesit zyrtar të Shqipërisë.6 Në anën tjetër Zvicra njohu qeverinë e Titos me emërimin e një ambasadori të ri zviceran, më 4.5.1945, përpara tërheqjes së
Ushtrisë së Kuqe nga Jugosllavia dhe shpalljes së vendit Republikë Popullore.7 Në prill të vitit 1945 një mision tregtar jugosllav vizitoi Zvicrën për të blerë mallra të nevojshme për rindërtim. Megjithatë një marrëveshje tregtare dhe pagesash nuk pati deri në vitin 1946.8
Në janar të vitit 1948 në Moskë u diskutua çështja e Shqipërisë midis përfaqësuesve jugosllav dhe Stalinit. Stalini dha dritën e gjelbër që Jugosllavia ta “gëlltit” Shqipërinë, ndërsa pala jugosllave e quante “bashkim”.9 Në rrjedhën e këtyre bisedimeve lidhet një marrëveshje midis Titos dhe udhëheqësit të Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxha, sipas të cilës do duhet të dërgohen dy divizione jugosllave për ta mbrojtur Shqipërinë jugore nga një sulm i mundshëm “monarko-fashistët” grekë. Për Moskën kjo ishte e patolerueshme.
Ky projekt u konsiderua si një përpjekje për të mashtruar qeverinë sovjetike, ndonëse “zotëria i Kremlinit (Stalini) ishte më pak i shqetësuar për vetë çështjen por më tepër për përpjekjen e mashtrimit të atij si udhëheqës i rendit politik“.10 Moska do të kishte pranuar një federatë jugosllave-shqiptare nën kontrollin sovjetik.11 Për shkak të konfliktit të Kominform-it (1948)12 mes Moskës dhe Beogradit, ku Shqipëria mbështeti anën e Bashkimit Sovjetik, si dhe për arsye të planit të udhëheqjes jugosllave në Beograd, për të dërguar trupa jugosllave, çoi në një kthesë të politikës së Moskës ndaj Shqipërisë, edhe pse Beogradi ndaloi dërgimin e trupave jugosllave në Shqipëri.
Moska kësaj situate i përgjigjet në mars 1948 me dërgimin e njerëzve të besueshëm në Shqipëri. Me këtë udhëheqja pro-jugosllave u pastrua shpejt pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe krahu pro-sovjetikë mori pushtetin.13 Pas prishjes së marrëdhënieve me Moskën fillon përndjekja e stalinistëve në Jugosllavi14 e në anën tjetër përndjekja e “titistëve” në “demokracitë e popullore” si Shqipëria, por edhe në vende të tjera. Në vjeshtën e vitit 1949, Bashkimi Sovjetik anuloi paktin e miqësisë me Jugosllavinë dhe i kërkohet ambasadorit jugosllav të largohet nga vendi. 15
Në këtë kohë të “marrëdhënieve të ftohta” është interesante të shikohet se si janë parë marrëdhëniet jugosllave-shqiptare nga diplomacia zvicerane? Zvicra, si një shtet që përdor neutralitetin, si një parim udhëzues në politikën e jashtme, kishte marrë informacion interesante dhe të sakta duke i përfshirë edhe marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve. Këtu është bërë një përpjekje për të dhënë një pasqyrë të marrëdhënieve jugosllave-shqiptare sipas dosjeve të diplomatëve zviceranë dhe si janë vlerësuar këto marrëdhënie. Natyrisht jo të gjitha dosjet janë marrë parasysh këtu sepse shumë prej tyre janë të mbyllura deri në një kohë të pacaktuar.
Referenca:
1. Holm Sundhaussen, Jugoslawien und seine Nachfolgerstaaten 1943-2011, Eine ungewöhnliche Geschichte des Gewöhnlichen, Wien, Köln, Weimar 2012, fq. 86.
2. Ulf Brunnbauer, Politische Entwicklung Südosteuropas von 1945 bis 1989/91, në: Konrad Clewin, Oliver J. Schmitt (ed.), Geschichte Südosteuropas, Regensburg 2011, fq. 597-645, këtu fq. 606.
3. Holm Sundhaussen, Jugoslawien und seine Nachfolgerstaaten 1943-2011, fq. 87.
4. Ulf Brunnbauer, Politische Entwicklung Südosteuropas von 1945 bis 1989/91, fq. 610.
5. Zef Ahmeti, Der lange Weg zur Errichtung diplomatischer Beziehungen zwischen der Schweiz und Albanien, në: Albert Ramaj (Hg.), Poeta nascitur, historicus fit – Ad honorem Zef Mirdita, St. Gallen-Zagreb 2013, fq. 1169-1214, këtu fq. 1190, 1193.
6. Po aty fq. 1191.
7. Therese Steffen Gerber, Jugoslawien, in: http://www.hls-dhs-dsfq.ch/textes/d/D3360.php (05/05/2015).
8. Po aty.
9. Holm Sundhaussen, Jugoslawien und seine Nachfolgerstaaten 1943-2011, Eine ungewöhnliche Geschichte des Gewöhnlichen, Wien, Köln, Weimar 2012, fq. 87.
10. Holm Sundhaussen… fq. 87.
11. Po aty., fq. 87.
12. Ulf Brunnbauer, Politische Entwicklung Südosteuropas von 1945 bis 1989/91, fq. 628. Fjala kominform përdoret si shkurtesë për byronë informative komuniste dhe partisë së punës, një aleancë shtetesh.
13. Holm Sundhaussen, Jugoslawien und seine Nachfolgerstaaten 1943-2011, fq. 88.
14. Po aty, fq. 92.
15. Po aty, fq. 94.