BalkanWeb, 26 shtator 2018
SHKUP-Këshilli i Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni, në një konferencë për mediat, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë të votojnë në referendumin e 30 shtatorit i cili do të hap rrugën për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
Përveç thirrjes, këshilli ka miratuar edhe një memorandum për rregullimin dhe garantimin me kushtetutë të statusit juridik-kushtetues dhe politik të popullit shqiptar në Maqedoni, përmes të cilit kërkon që populli dhe gjuha shqipe të përfshihen në kushtetutë si element shtetformues.
Siç thuhet në memorandumin e miratuar të Këshillit të Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni, të cilin e prezantoi në një konferencë për mediat, pas një referendumi të suksesshëm pritet të fillojnë edhe ndryshimet kushtetuese, për çka intelektualët kërkojnë që në këto ndryshime të përfshihet edhe çështjet e hapura për të drejtat kolektive të shqiptarëve, të kontestuara që nga pavarësimi i Maqedonisë e deri më sot, me çka në kushtetutë do të bëhen ndryshimet e kërkuara.
“Republika e Maqedonisë është shtet nacional i popullit maqedonas, shtet i popullit shqiptar, si dhe bashkësive etnike turke, rome, vllehe, bullgare, serbe, boshnjake dhe të tjerë që jetojnë në këtë shtet”, tha Adil Mustafa, pjesë e këshillit.
Ai kërkoi që edhe çështja e gjuhëve zyrtare në Republikën e Maqedonisë të rregullohet dhe garantohet me nenin 7, dhe atë siç vijon: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjuhë zyrtare të jenë gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik dhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj”, tha më tej Mustafa.
Ai sqaroi se memorandumi që në vete ngërthen një sërë çështjesh që lidhen me statusin e shqiptarëve në vend, do t’i dërgohet kryeministrit të vendit, Kuvendit të Maqedonisë dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare për të sensibilizuar këtë çështje.
(BalkanWeb)