Në kuadrin e 9-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës
GËZUAR, KOSOVË!
Një sallë e mbushur plot e përplot me njerëz, ku janë ulur mbi 500 vetë. Të tjerë që rrinë në këmbë e të tjerë jashtë sallës që presin një mundësi për të hyrë. Rreshtat e karrikeve që ishin vënë në sallë nuk mjaftojnë dhe aktivistët e palodhur të shoqatës “Iliria”, tri herë me radhë detyrohen të shtojnë rreshta të rinj karrikesh. Flamujtë kombëtarë shqiptarë dhe flamuri i Republikës së Kosovës jo vetëm janë ekspozuar në skenën e madhe, por edhe valëviten nëpër sallë.
Njerëz të gëzuar e të veshur si për festë, fëmijë të shumtë që kanë ardhur me familjet e tyre, tinguj muzike të këngëve e valleve shqiptare e kosovare, aktivistë të të gjitha shoqatave shqiptare në zonë, midis të të cilëve spikasin flokëbardhi i urtë e patriot Selim Musaj, Agim Mulosmani, Beqir Çikaçi, Mardena Kelmendi. Miradie Avdullahi, Sami Binakaj e shumë të tjera.
Madje kjo festë i ka shtrirë krahët edhe më tej, duke tërhequr autoritete te diplomacisë e politikës, aktivistë e simpatizantë edhe përtej kufirit shtetëror. Kanë ardhur edhe konsulli i republikës së Kosovës në Austri, Imer Lladrovci, deputejta e parë shqiptare e parlamentit të Kroacisë, Ermina Leka, Heset Ahmeti, kryetar i shoqatës “Iliria” në Koper të Sllovenisë etj.
E zonja e shtëpisë, kryetarja e shoqatës “Iliria” në Treviso, avokatja Ermira Zhuri, është në çdo çast në krye të situatës, u del përpara mysafirëve, i shoqëron në vendet e tyre dhe pastaj del në paraskenë e uron mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve, me urimin: “Gëzuar Pavarësinë e Kosovës”.
Fillon kësisoj koncerti i madh, që i ngjan më shumë një manifestimi festiv kulturor e artistik. Prezantuesja e programit, e mirënjohura Silvana Braçe, fytyra ikonë e TV shqiptar për dekada të tëra, ka ardhur që nga Brukseli, ku një ditë më parë ka prezantuar një koncert tjetër të shqiptarëve në këto ditë kur anembanë globit, ku ka shqiptarë, festohet 9-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Mbajnë përshëndetjet e rastit konsulli Lladrovci dhe deputetja Leka. Më ftojnë edhe mua për një përshëndetje në emër të Federatës FNAI. Me mua kanë ardhur në këtë festë edhe aktivistet e shoqatës “Shqiponja” në Reggio Emilia e të Federatës, Brunilda Diko e Liljana Selfo, si dhe poetja Lili Bimi. Publiku është entuziast dhe i pret përshëndetjet me duartrokitje të gjata. Pastaj fillon programi artistik. Është shumë simbolik inskenimi i protestës ndaj ndalimit të padrejtë të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, realizuar nga grupi artistik i shoqatës “Iliria” në Treviso. Një njeri i lidhur me zinxhirë dhe me zgjedhën e fiksuar rreth qafës japin qartë idenë e lirisë së dhunuar të ish liderit kosovar.
Kostumet kombëtare të zonave të ndryshme të Shqipërisë e Kosovës, vallet dinamike, si ajo e shpatave e Rugovës, vallja e Tropojës e shumë të tjera krijojnë një atmosferë kombëtare e patriotike shumë të ngrohtë. Grupi i valleve i ardhur që nga Sllovenia dhe i drejtuar nga Suela Hoxha, interpreton me mjeshtëri artistike Vallen e Shqipeve, në fund të së cilës një flamur i madh kombëtar mbush gjithë pamjen e skenës.
Koncertit i dhanë gjallëri e bukuri të veçantë edhe këngëtarët Arian Agushi me emrin artistik Gold Ag, Albina Jahjaga, Feim Graishta, Agron Tefta, Agim Morina etj., të cilët, me zërin dhe ritmet e tyre e ftonin publikun të vallëzonte në sallë. Nuk mungoi në koncert edhe zëri i poetëve e recituesve, që sollën poezi patriotike, që i kushtohen Kosovës, heronjve të saj në luftën për shpalljen e pavarësisë dhe përvjetorit që festohet në këto ditë. Ishin poetët Miradie Avdullahi dhe Mexhid Hoxhaj, si dhe recitueset e reja Shpresa dhe Altina Gashi.
Në një moment të caktuar, kur numurat e parashikuar në program përfundojnë, prezantuesja Silvana Braçe e fton publikun të qëndrojë akoma në sallë për të vallëzuar sëbashku nën tingujt e këngëve e valleve kombëtare. Dhe, siç kemi parë edhe në shumë raste të tjera, ku shqiptarët mblidhen të festojnë, kënga e vallja vazhdojnë deri vonë, ndonëse festa ka disa orë që ka filluar.
Në mbrëmje, zonja e nderuar Antoneta Kola nga rrethinat e Shkodrës, e cila ka vite që ka hapur një restorant në periferi të Trevisos, shtron një darkë në lokalin e saj. Sipas traditës shqiptare ajo del vetë tek dera e lokalit dhe i pret mysafirët sikur po i priste tek shtëpia e saj. Gatimet e saj janë specialitete shqiptare e iltaliane dhe përfundojnë me një tortë gjigande në të cilën është shkruar “Gëzuar Pavarësinë, Kosovë!”.
Kjo ishte ndër festat e para me të cilat hapet seria e festave të organizuara këto ditë nga shoqatat shqiptare. Do të pasojnë festa e shoqatës së vëllezërve kosovarë “Zëri i Atdheut” në Reggio Emilia, ajo e shoqatës “Skënderbeg” në Fermo etj. E në të gjitha shpaloset gëzimi e hareja dhe lajtmotivi i bukur: Gëzuar Kosovë!
Ndue Lazri
Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar
Ndue Lazri
9 VJET KOSOVË E LIRË
“Shqiptarin nuk e ka qitë lokja prej barkut, por huta prej çarkut”, ka thënë një malësor i urtë nga Kelmendi i Shkodrës. Në këtë frazë përmblidhet quintesenca e historisë shqiptare nëpër shekuj. Nga luftrat vijmë, në luftra shkojmë dhe tjetër fat s’kërkojmë ne, thotë një poeti ynë i madh pikërisht duke iu referuar qëndresës së shqiptarit nëpër shekuj.
Kosovës dhe vëllezërve shqiptarë të Kosovës iu desh që ta vulosnin me gjakun e tyre këtë thënie edhe në fillimin e shekullit të ri, që sapo ka filluar. Serbia ndezi zjarre lufte në Kosovë për të penguar me forcën e armëve dëshirën, aspiratën dhe të drejtën legjitime që Kosova të kishte lirinë e saj në tokën e vet, të kishte shtetin e saj dhe institucionet e saj. Por ai zjarr që u ndez në Kosovë, dogji vetë Serbinë. Dhe Kosova fitoi 9 vjet më parë pavarësinë e saj, të cilën shqiptarët e festojnë sot kudo që janë në të katër anët e globit. Çdo familje kosovare dha më shumë se një hero në këtë luftë për lirinë dhe pavarësinë e saj. E atyre heronjve u shkon sot nderimi më i thellë e homazhi më i madh nga gjithë kombi shqiptar.
Serbët po kërkojnë të ndezin zjarre të reja me provokacionet për Mitrovicën. Po edhe ky zjarr do të djegë zjarrvënësit. Procesi i Pavarësisë së Kosovës, i konsolidimit të saj si shtet dhe i uljes së saj në mënyrë dinjitoze përkrah të gjitha shteteve në institucionet ndërkombëtare është një proces i pakthyeshëm dhe do ecë vetëm përpara, drejt zgjidhjes përfundimtare të çështjes kombëtare.
Federata Nacionale e Shoqatave Shqiptare në Itali, njëzëri uron:
Gëzuar Pavarësinë, Kosovë!
Ndue Lazri
President i Federatës