Manastirin e Deçanit e mbrojnë shqiptarët, të vazhdojë ndërtimi i auto-rrugës drejt Plavës

0
311
Manastiri i Deçanit

Nga Idriz Zeqiraj, Drini.org

Ndërprerja e punimeve në Deçan – pjellë e shantazhimit

“Po ju shkruaj me shkas, lidhur me auto-rrugën Deçan-Plavë”. Kështu e pata filluar dhe një letër, nëntorin e shkuar, drejtuar kryetarit të komunës të Deçanit, Bashkim Ramosaj; gazetarit dhe kryetarit të Intelektualëve deçanas, Adem Lushaj; publicistit dhe redaktorit të RTK, Zekë Sinanaj, kur, me ndërhyrjen e kishtarëve të Deçanit, u ndërprenë punimet e auto-rrugës, në drejtim të Plavës.

Zemra mal na bëhej, kur shikonim çarjen e bjeshkëve, lidhjen me Plavë-Gucinë-Vuthaj e Qafë-Borit, Valbonë, për ta përshkuar Malësinë e Mbishkodrës, e deri në Adriatik dhe Ulqinin tonë bregdetar. Pra, një arterie rrugore, tejet domëthënëse.

Si qytetarë, jemi të shqetësuar. Dhe, ky shqetësim kalon kufinjtë e Deçanit, Dukagjinit dhe shtrihet përtej në Kosovë dhe më gjerë.

1) Krimi ka ndodhur kur është zgjeruar eksteritorialiteti i Manastirit dhe Kuvendi e Kushtetuta e Kosovës e kanë ratifikuar, aprovuar;

2) Më 2014 Hashim kryeministri i atëhershëm ka sugjëruar një rrugë – kodra pas bregut -, me ngritje e zbritje të kushtueshme dhe të mundimshme, siç e ka përvijuar e sqaruar bindshëm kryetari Ramosaj. Dhe, tani, asaj linje i referohen kryeprifti Janjiç dhe Beogradi zyrtar. Madje, presidenti serb Vuçiq, thotë prerazi se “devijimin e rrugës kryesore, në një rrugë dytësore, e ka sugjjëruar dhe aprovuar Hashim Thaçi!” Për ironi, edhe pas këtij skandali fatal për Kosovën, presidenti dhe kryetarja e Gjykatës, vegël e të parit, vazhdojnë të jenë në detyrë!!

Çfarë duhet bërë tani?

1. Mendoj se rruga duhet të vazhdojë në vijim – në thellësi të bjeshkëve, pavarësisht ndalesës të fillim rrugës ke Kisha, ku duhet stopuar, aktualisht, për ta shmangur konfrontimin me ndërkombëtarët. Ndërkohë, pushtetarët duhet të kenë kujdes në deklarimet paushalle, në favor të Janjiçit dhe Vuqiçit, siç bënë kryepartiakët e mi, Isa Mustafa e Avdullah Hoti, se “duhet respektuar vendimet e Kuvendit dhe të Kushtetutës”, për “pronësinë” imponuese dhunshëm, të Manastirit të Deçanit.

2. Ju, treshja publike e Deçanit, që jetoni me hallet e komunitetit deçanas me rrethinë, mendoj se duhet të koordinoheni në një nismë, për ta zgjidhur, të paktën, kontestin e rrugës, për të mos lejuar devijimin e saj të panatyrshëm, rrjedhimisht, të panevojshëm dhe alogjik. Mendoj se duhet të kontaktoni dhe të bisedoni me shefat e KFOR-it lokalë e qendrorë; me ambasadorë të Quintit, në veçanti, me atë amerikan.

Arsyetimi bazë duhet të jetë nevoja akute e shfrytëzimit të kësaj rruge, nga popullata zonale e Deçanit me rrethinë; lidhja e tri shteteve, përkatësisht, Kosovë-Mal të Zi,-Shqipëri-Bregdeti Adriatik.

Kur Manastiti i Deçanit ishte i shqiptarëve

3. Kryeprifti Janjiç, si arsye kryesore ka potencuar zhurmimin e përhershëm, që prodhon rruga buzë Manastirit. Dhe, mungesa e qetësisë së natyrshme, që duhet të këtë një objekt kulti.

Nga përvoja okulare, pamore, që kam hasur, përgjatë tri dekadave në shtetet e Perëndimit evropian, zhurmimi pretendues nga kryeprifti Janjiç, mund të zvogëlohet, madje, deri në përmasën minimale, deri në nulitet, shqetësuese të banorëve kishtarë dhe më gjerë. Ndërkohë, siguria e Manastirit është dëshmuar në dekada dhe shekuj. Dhe, ashtu do të vazhdojë përjetësisht, sepse shqiptarët, si popull me prejardhje burimore të krishterë, e konsiderojnë kishën e tyre shpirtërore e faktike.

Ekipi Juaj simpatik, pasi të jeni konsultuar edhe me ndërtuesin e rrugës, ose firmë speciale, përkatësisht, specialistë, ta zëmë, nga Gjermania, e cila praktikon në stil të gjerë zhurmë-mbytësit, shurdhuesit buzë vendbanimeve, të të gjitha përmasave të auto-rrugëve dhe të linjave hekurudhore.

Pllakat zhurmë-mbytëse, shurdhuese kanë kosto të përballueshme, zënë hapësirë të pakët shtrirëse dhe minimizojnë çfarëdo zhurmimi, deri në masën e papërfillshmërisë.

Këtë fakt e zotim duhet përdorur me të gjithë, bashkëbiseduesit relevantë ndërkombëtarë dhe palën ankuese serbe.

(Këtë çështje e kam trajtuar edhe në shkrimin, të cilin po ju dërgoj ngjitur letrës.)

Ju drejtohem Ju, zotërinj Sinanaj dhe Lushi, që ju konsideroj miq të denjë dhe zotëri Ramosaj, në cilësinë e kryetarit të komunës të Deçanit, i cili në të gjitha paraqitjet e tij publike, përgjatë krizës, deri në stopim të ndërtimit të rrugës, ka shkëlqyer me argumentimet e tij.

Shkrimit ia bashkangjes edhe fotografitë e tri llojeve të mbytës-zhurmave nga Gjermania.

1) Plan-skema e përmasës të zvogëlimit të zhurmave dhe të dhënave të tjera sqaruese;

2) Tri mënyrat, llojet e materialeve, për mbytjen, shurdhimin e zhurmave, për mosshqetësimin e banorëve, të cilët jetojnë në shtëpitë buzë auto-rrugave dhe linjave hekurudhore.

ImageNdërprerja e punimeve në Deçan – pjellë e shantazhimit

I shantazhuari Hashim Thaçi, duke mos u provuar asnjëherë me votën e lirë të fshehtë demokratike zgjedhore, të partisë dhe të popullit, pushton partinë e tij, PDK-në, Parlamentin, Gjykatën Kushtetuese dhe ratifikon, ligjëson tjetërsimin e tokave, në favor të Manastirit të Deçanit dhe të devijimit të rrugës, duke pamundësuar lëvizjen normale, në rrugën ekzistuese klasike.

Shantazhimi është krim që pjellë krimin. SHIK-u, i krijuar enkas për hartimin e dosjesve, me qëllim të shantazhimit të çdokohshëm të kundërshtarëve politikë, ka përcjellur rivalët klanorë, brenda LDK-së, i ka joshur e kompromentuar, si hisedarë në biznese të pista shumëmilionshe, tendera e terminale. Disa nga të shantazhuarit, prej shumë vitësh janë vënë në shërbim të PDK-së, pavarësisht të injorimit brutal, që i ka bërë LDK-së dhe krerëve të saj.

Ndërkohë që populli i komunës së Deçanit dhe kryetari Bashkim Ramosaj e mbrojnë, me të drejtë, ndërtimin e rrugës drejt Plavës, kryeministri Hoti dhe shefi i tij, Isa Mustafa, dalin përkrah priftit Janjiç dhe të Beogradit zyrtar se, kinse, “duhet repspektuar vendimet e Kuvendit dhe të Gjykatës Kushtetuese”, të dirigjuara nga Hashim Thaçi! Pavarësisht pazareve të pista të Hashimit të shantazhuar, kryeministri Hoti dhe LDK-ja, duhej të ishte në krah të popullit, duke i bindur kishtarët dhe ndërkombëtarët se “nuk mund të ndëshkohet populli, për teket dhe pisllëqet e bëra nga Hashimi me priftin Janjiç dhe Beogradin!”

Fundja, ankesat e priftit Janjiç se rruga pranë Manastirit prishë qetësinë e mjedisit, ka zgjidhje, mjete e mekanizma, që surdinojnë zhurmimin. Ata që kanë pasur rastin të udhëtojnë në Evropë, kanë parë zhurmë-shurdhues, të ngritur pranë shtëpirave buzë auto-rrugëve dhe linjave hekurudhore. Pllaka të tilla janë praktike dhe kanë një përdorim të gjerë. Nuk e kuptoj pse askush nuk ka sugjëruar diçka të tillë.

Kryetari Ramosaj, popullata e komunës së Deçanit dhe populli i Kosovës, duhet të jenë unik e këmbëngulës, për realizimin e rrugës, në projektimin aktual të saj. Çdo tendencë, për ta devijuar auto-rrugën, me lakoret “kodra pas bregut”, me ngritjet e zbritjet e panatyrshme dhe idioteske, nuk do të ishte kurrëfarë zgjidhje praktike dhe as funksionale.

Asnjë ushtri e botës, përfshi këtu edhe KFOR-in, nuk mund ta mbrojnë kishën tonë, Manastirin e Deçanit. Atë e ka mbrojtur populli i Kosovës dje, e mbron sot dhe do ta mbrojë nesër. Përndryshe, po të mos ishte vullneti dhe përkujdesja e shqiptarëve, për mbrojtjen fanatike të këtij kulti fetar kishtar, sot, jo vetëm nuk do të ekzistonte si objekt rrezatues, por as gjurmë nuk do të kishin mbetur.

Lehtësia garantuese e shtetit, qeverisë së Kosovës, për përfaqësuesit kishtarë dhe ndërkombëtarë, është objektive dhe faktike. Auto-rruga që lidhë tri shtete, me parësinë dhe rëndësinë shumëdimensionale, obligon faktorët relevantë, të bëjnë zgjidhjen e duhur dhe përshpejtuese, për realizimin e kësaj vepre madhore e jetike, për popujt e këtyre zonave dhe më gjerë.