Malsori nga Vermoshi që i dinte përmendësh të tridhjetë këngët e “lahutës së malëcis”

0
1399
Gjergj Fishta

Si u ruajt Fishta edhe pas djegjes së veprës nga regjimi komunist

“Shumë përpjekje u bënë që Fishta të shuhej nga kujtesa e kombit. Por pikërisht në kulmin e këtyre përpjekjeve unë kam njohur në Vermosh plakun Ndue Mark Biboçi që i dinte përmendësh të tridhjetë këngët e Lahutës së Malëcis. Gjithë librat e Fishtës mund të mblidheshin dhe të digjeshin. Po ç’mund të bëhej me librat e gjallë të tij, një nga të cilët ishte edhe Ndue Marku i Vermoshit”?!

Nga Nikolla Spathari

I madhërishëm, si një perendi, zbriti Fishta në Epikën Shqiptare. Atje ku rronin së bashku heronj dhe mite, u shfaq ai, Orfeu gjëmimtar i shqiptarëve. Ai që do të bënte i vetëm një epos. Eposin e dytë të kësaj toke kreshmikësh. Përpjekjet e tjera për të ngritur Epose kombëtare nuk u kurorëzuan me sukses. Madje as kollosë të tillë si Naim Frashëri e De Rada nuk mundën që bëmat e Skënderbeut t’i ngrejnë në lartësitë e eposeve. Dy epose. Një pasuri e madhe, e paçmuar. Në ndryshim me pasuri të tilla botërore, kjo pasuri shqiptare ka të veçantën e saj. Ma do mendja se është rast unikal në Botë që, një populli, Epoka e epeve t’i ketë zgjatur katërmbëdhjetë shekuj. Kaq shekuj sa, ka të ngjarë, të kenë mes tyre Eposi i Kreshnikëve dhe Eposi i Fishtës.

Ndërsa Europa kishte tre mijë vjet që, pothuajse, nuk nxirrte më Homerë, këtu, në mënyrë krejt të beftë, shfaqet Fishta – një Homer i Ri i shekullit njëzet. Dhe fenomeni Fishta ishte një fenomen që duhej të shfaqej. Trimëritë legjendare po përsëriteshin në këto Male. Poezia e zakonëshme e kohëve të reja nuk i pasqyronte dot ato. Strofat e saj të brishta, betejat e tilla legjendare, mund t’i shtypnin e t’i thërmonin. Vetëm një epos ishte i aftë të mos përkulej nga luftra të tilla kreshnikësh të rinj. Kjo dhe vetëm kjo është arësyeja që, në një qelë të varfër kishe në Hot, nisën të konturohen gjymtyrët e Eposit të dytë shqiptar. Ani se, prej kohe, edhe Shqipëria kishte hyrë në horizontet e reja të poezisë moderne. Luftrat me dimensione legjendare vazhdonin.

Epoka e lashtë dhe e tejkaluar e eposeve duhej të rihapej edhe njëherë. Në vitin 1902, Fishta po u afrohej maleve të Hotit ashtu si iu afrua dikur Homeri Trojës. Fishta pa Malësinë do të ishte si Homeri pa Trojën. Bota nuk do ta kishte Homerin po të mos kishte Trojën, por edhe Shqipëria nuk do ta kishte Fishtën po të mos kishte Malësinë. Kur ke lexuar Fishtën, në mënyrë krejt të beftë, brenda vetes të ndodh një rropamë. Një çvendosje e çuditëshme vitesh e vendesh. Askurrë nuk mund ta përfytyrosh poetin në një qelë të vetmuar fshati apo në gjysëmerrësirën e një kuvendi të përvujtur françeskan. Jo, ai mund të përfytyrohet vetëm ashtu gjëmimtar siç është, gjithmonë diku gjetk: Në Kuvendin e Berlinit, duke u përpjekur të ndalë duart gjakatare që copëtojnë Shqipërinë. Në kështjellën e Lofçenit, ku Knjaz Nikolla e Mark Milani bëjnë planin e luftës për të pushtuar tokat tona.

Në Dollma-Bahçe, ku gjeneralët gjakatarë Mehmet Ali Pashë Maxharri, Dervish Pasha e Durgut Pasha zbresin shkallët me parmakë të kristaltë, pasi kanë marrë udhëzimet e Sulltanit si t’i përçajnë e si t’i lajnë në gjak shqiptarët. Jo, nuk e përfytyron dot në një cep oborri të një kishe të varfër, duke biseduar qetë-qetë me plakun Marash Uci. Krejt ndryshe të shfaqet ai gjithmonë. Herë me Oso Kukën atje ku zbrazen koburet mbi dengat e barotit, herë në kuvendin e burrave të Hotit, ku trimat betohen se nuk do t’i lëshojnë trojet e të parëve, pa i la me gjak pëllëmbë për pëllëmbë. Të duket se përjetësisht qëndron mbi një shkëmb, diku atje, tek përleshen për jetë a vdekje dy ushtritë te Ura e Rrzhanicës. Figurën e tij vigane nuk e ndan dot nga luginat e Sutjeskës, nga shpatet e Nokshiqit, nga kreshtat e Veleçikut apo nga mrizet e Lubotinit.

Ai është kudo ku janë shqiptarët me fatin e tyre tragjik të mbetur në grykën e pushkës. Hero i pandarë nga heronjtë, burrë i pandarë nga burrat, strateg i pandarë nga strategët, diplomat i pandarë nga diplomatët, mjeshtër jatagani i pandarë nga mjeshtrat e famshëm të jataganit shqiptar. Vetëm kështu mund ta shohësh kurdoherë Fishtën, ndryshe jo. Ai u prin vallet zanave buzë krojesh. Dragojtë i nis, përmes rrufeve, në përleshje të mëdha. Orën e Bardhë të Shqiptarisë e vë të mbledhë rozmari nepër bjeshkë, që me të t’i japë Ali Pashë Gucisë fuqi sa të shkulë lisat. Botën mitologjike shqiptare Fishta e sundon si një sovran. Ishte bota e fundit mitologjike në Europë, kjo botë, ku Fishta ngriti fronin e tij madhështor të poetit, në kufinjtë e përzier të mitit me realitetin. Lahuta e Malcis është vigma e një vigani. Ndaj figura gjigande e Fishtës hyri në çdo zemër, në çdo vatër, në çdo shtëpi.

Udhëton me tren dhe është e pamundur që në vagon të mos ndodhet dikush që e di Fishtën përmendësh. Kështu të ndodh edhe në një autobuz, edhe në një veturë. Gjithmonë dikush do të citojë diçka nga ai. Mbase është pikërisht Fishta njeriu më i cituar në Botë. Sepse ai është i vetmi që citohet nga të gjitha shtresat e popullsisë. Citohet nga akademikët dhe profesorët, ashtu siç citohet edhe nga bujqët dhe barinjtë e bjeshkëve. Nuk mund të ketë një poet tjetër që e gëzon një privilegj të tillë. Shumë përpjekje u bënë që Fishta të shuhej nga kujtesa e kombit. Por pikërisht në kulmin e këtyre përpjekjeve unë kam njohur në Vermosh plakun Ndue Mark Biboçi që i dinte përmendësh të tridhjetë këngët e Lahutës së Malëcisë. Gjithë librat e Fishtës mund të mblidheshin dhe të digjeshin.

Po ç’mund të bëhej me librat e gjallë të tij, një nga të cilët ishte edhe Ndue Marku i Vermoshit?! Gjergj Fishta ishte Malësia e Dytë. Përderisa nuk mund të shembej Malësia e Parë ( ajo realja ) nuk kishte si të shembej as e dyta. Që të rrenohej kujtimi i Fishtës duhej të rrenohej më parë kujtimi i luftrave të famshme që kishin bërë Malet tona. Duhej të shembej historia, pa të shembej edhe titani i saj. Por një rrenim i tillë praktikisht është i pamundur. Muret e kujtesës së brezave janë më të ngjeshur se sa muret e çdo kështjelle. Një burrë i tillë si Fishta nuk mund të tundej. Sepse pas tij vinin burra të tjerë të patundur. Vinin Oso Kuka, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Dedë Gjo’Luli, Ali Pashë Gucia, Marash Uci, Jakup Ferri, Curr Ula, Mar Lula i Shalës, Çun Mula, Mehmet Shpendi, Marash Vata, Dodë Preçi e shumë të tjerë.

Ai ishte në mes tyre si Homeri midis Agamemnonit, Diomedit, Akil Pelidit e heronjve të tjerë të lashtësisë helene. Ndaj froni i tij letrar ishte i patundur. Stuhitë i kaluan anash, ashtu siç do t’i kalonin edhe fronit të Homerit. Kjo do të thotë se Fishta është një shkëmb i rëndë dhe i paluajtshëm në themelet e letërsisë shqiptare. Akoma nuk e kisha njohur Malësinë reale, kur u njoha me atë që e quajta Malësi e Dytë e Fishtës. Lahuta e Malcis është kujtimi më i çmuar i fëminisë time. Atë ma pati dhuruar, në një qelë të vetmuar fshati, i nderuari nxënës dhe shok i poetit, Patër Benedikt Dema. Ishte viti 1951. Dy herë në javë nëna më merrte përdore dhe më çonte në qelën e tij. Françeskani i ditur më mësonte fshehurazi latinishten. Në njërën prej këtyre buzëmbrëmbjeve At Benedikti më tha se do të më dhuronte një thesar. Por duhej ta mbaja të fshehur se ndryshe rrezikoheshim që të dy. Dhurata ishte pikërisht Lahuta e Malcis.

E mora librin, e fsheha nën këmishë dhe ika sëbashku me nënën, por më i gëzuar se asnjëherë. Çdo natë ia puthja dorën fratit kur largohesha, por atë natë ia mbulova me të puthura të dyja duart. Zija çdo ditë kënde të veçuara dhe lexoja e lexoja. Duke hapur kapakët e Lahutës së Malcis hapa, për herë të parë, kanatat e artit. Padashur, këngë pas kënge, i mësoja përmendësh poemat e gjata plot ngjarje dhe heronj. Në moshën 13 vjeç isha edhe unë një nga ato Lahutat e gjalla të Fishtës, për të cilat fola më lart. I ruajta për shumë vjet në zemër këto këngë me po atë sekret që ruhet dashuria e parë. Me to kënaqja vetëm bashkëmoshatarët e mij, të cilëve ua recitoja me orë të tëra, fshehur pas ndonjë muri të lartë.

Këto çaste të gëzuara, për mua dhe për ata, tani kanë mbetur shumë larg, ashtu siç ka mbetur edhe fëminia. Ishte një ëndërr e asaj kohe që ta shihja këtë vepër, të quajtur Iliada Shqiptare, të ribotuar e të respektuar zyrtarisht. Por kurrsesi ëndërrat fëminore nuk mund të shkonin aq larg sa të mendoja, se pas dyzet vjetësh heshtjeje torturuese ndaj njeriut që i dhuroi Shqipërisë Eposin e dytë, do të ishte pikërisht gazeta që drejtoja unë ajo që do të fillonte e para ribotimin, pjesë-pjesë, të kryeveprës së Fishtës. Kjo ndodhi në verën e vitit 1991, kur ata që e kishin denigruar Fishtën për gjysëmshekulli ishin akoma në fron. Nuk mund të ketë një vepër tjetër si kjo, ku çdo moment në Malësi, të kujton poetin e Eposit të dytë të shqiptarëve. Afrohet të zbardhë drita mbi male dhe gjëja e parë që të vjen ndër mend janë vargjet e Fishtës:

“Hylli i Dritës atbotë tue lé Për me i pru dheut shpresë të re, Për me i pru s’mjerës Shqypni, Ofshe, vaj, një kob të ri…”1) Por edhe kur bie muzgu mbi male, është pikërisht ai, i vetmi që të afrohet dhe të bën ta presësh mbrëmjen në një mënyrë madhështore: “Prendoi dielli, n’qiell duel hana N’Veleçik po pingron Zana, Eh! ju malet e Shqypnisë N’t’cillat strukë shqypja e lirisë N’t’bardhat kohë që kan prendue S’lete armik, jo, m’iu afrue…”) Në një natë me shi e vetëtima, kur stuhitë trondisin malet dhe degët e drurëve thyhen me rropamë të madhe nepër pyje, përsëri mendja të shkon tek ai. Sepse të duket se pikërisht këtë natë ai e ka parapërshkruar dikur: “Lum e lum për t’madhin Zot!

Ç’ka shkrefë sande gjith ky mot, Gjith ky mot e kjo vetimë, Gjith kjo gjamë e bubullimë, Thue po shemen qiell e dhé. Ka lshue prrue, po, e ka lshue shé; Rreh shtërgata e shungllon era, Ushtojnë malet, me t’hi mndera; Kaq një mot ka shkrefë n’malci: Shka do t’jetë, vall, nuk e di”.) Nëqoftëse në një natë dimri Fishta të vjen kështu gjëmimtar si Zeusi, në një natë pranvere të shfaqet si Morfeu, perëndia e ëndërrave të ëmbla: “Bulon molla e lulzon thâna E prijnë valle Orë e Zana Nepër rreze qi lshon hana…”) Malësia e Dytë e Fishtës ishte po aq e plotë sa Malësia reale. Me kushtrimet mbi male, me kuvendet e burrave, me besëlidhjet e mëdha që ishin prologu i çdo lufte, me gjakun e derdhur për liri, me lashtësinë e saj të lavdishme dhe me burrat e përmendur:

“Po, Çun Mula mbi shpinë t’kalit, Ua çoi lajmin Krenve t’malit, Ua çoi lajmin n’derë t’konakut Për me u mbledhë n’kuvend t’bajrakut…”) Mund të jenë shkruar faqe të tëra për besëlidhjet në kuvendet e malësorëve, por një përshkrim real dhe njëkohësisht me përmasa Homerike ka ditur ta bëjë vetëm Fishta: “Kshtu tha Çuni, bajraktari, Edhe m’giuj u ngreh ma i pari: Bani bé, me lot për faqe, Për “qitape” e shtatë “melaqe”, M’Orë të bjeshkve e m’krye të fmis; E për Emën t’Perëndis, Se pa dekë e pa hi n’dhé, Me gjith’ djalë e me gjith’ re, Pa u robitë me lopë e qé E pa u djegë me stan e shpi S’i bie n’dorë kurr Malit t’Zi. Njitë mbas tij atbotë u çuen Krenët e Hotit, e u betuen Se, pa u shkimë me troje t’veta, Si bajn Knjazit t’u ngiatët jeta!”.)

1) At Gjergj Fishta: “Lahuta e Malcis”, 1937, faqe 50.

— marrë nga gazeta Nacional