Diskursi politik
Trajtimi i çështjeve të ndryshme shoqërore në periudhën e pluralizmit në Mal të Zi paraqet moment të veçantë për analiza për këtë periudhë kohore, sepse kemi të bëjmë me ngjarje të cilat kanë përcaktuar fatin e këtij mjedisi duke u shkëputur përfundimisht nga shteti i përbashkët më emrin ish-Jugosllavi. Por, jemi dëshmitarë se Mali i Zi veçohet si vendi më i dalluar për nga ndarjet e brendshme shoqërore, në kuadër të bashkësisë ortodokse malazezo-serbe, ku është e pranishme politika populiste me qasje klerikale dhe neofashiste serbe, e cila konteston identitetin malazez, ndërsa përçarja e opozitës vazhdon të mbesë enigma e pazgjidhur e skenës politike, ku së bashku me aferat koruptive në nivelin shtetëror përforcohët imazhi i shtetit të ndarë dhe të pakonsoliduar
Nail Draga
Duke marrë parasysh sipërfaqën e vendit dhe numrin e banorëve Mali i Zi është lider i ndarjeve shoqërore në Europën Juglindore, dukuri e cila nuk është e kohës së re por ka filluar menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në zelenash(pro malazez) e bjellash(pro serb), duke vazhduar më pas në monizëm në titist e stalinist, e pas vitit 1990 në suverenistë e unitaristë.
Ndërsa kësaj ndarje duhet shtuar edhe ate fetare e cila është duke u realizuar nën patronatin e kishës ortodokse serbe e cila është mbeshtetëse e politikës serbomadhe, e cila është duke vazhduar ndërtimet e kultit edhe aty ku n uk ka pasur kisha serbe, siç është rasti në malin e Rumisë(2005), pastaj në Martinaj të Gucisë dhe në Shas, çështje kjo irituese për popullsinë shqiptare e cila e vlerson si rrezik të mbijetesës në viset e tyre autoktone.
Në aspektin e ndarjeve politike në pluralizëm ndarja e parë ndodhi në vitin 1997, kur u nda partia shtet(DPS), në dy drejtime; promalazeze dhe proserbe, ku kemi të bëjmë me kohën e distancimit nga politika e hegjemonizmit serb dhe drejtimit të kursit politik për pavarësi të Malit të Zi nga lideshipi politik i këtij vendi.
Por, një diferencim i tillë përkatësisht ndarja e dytë u dëshmu bindshëm me rastin e mbajtjës së referendumit për pavarësinë e Malit të Zi (21 maj 2006), ku 55.5% e qytetarëve u deklaruan për pavarësi e 44.5% kundër saj. Një numër kaq i lartë i qytetarëve kundër pavarësisë, por, me qasje proserbe vazhdon të jetë aktual edhe tani, madje me një retorikë neofashiste e cila të kujton kohën e fillimit të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë në vitin 1991.
Tridhjetë vite nga rruga në pushtet (1989-2019)
Pikërisht me 11 janar të vitit 1989, në sajë të protestavë të rrugës në të ashtuquajturin Revolucionin Antibyrokratik, në pushtet në Mal të Zi, kanë ardhur kuadrat e reja komuniste, ku ndër ta ishte edhe M.Gjukanoviqi, ndërsa tash jemi në vitin 2019, pra tridhjetë vite pas, ku as optimistët më të mëdhënj nuk e kishin besuar se kaq gjatë do të ishte në pushtet, madje duke u bërë personi numër një në Mal të Zi, duke ndërruar pozitën herë si kryeministër e herë si president i vendit. Kemi të bëjmë me një pushtet i cili nuk ka ndryshuar jo vetëm për tridhjetë vite, por ka vazhdimësi nga viti 1945, që është rast i veçantë në vendet e ish kampit socialist në Europën Juglindore.
Por, tri dekada më pas, pikërisht me 11 janar 2019, Gjukanoviqi, është ballafaquar me problemin me të madh të kohës së udhëheqjës së tij. Ishte pikërisht D.Knezheviqi, biznismeni i afërt me pushtetin, i cili para hetimeve të prokurorëve malazez ka ikur në Londër, dhe ka publikuar xhirimin, ku bashkëpunëtorit të M.Gjukanoviqit, ish kryetarit të Podgoricës(S.Stjepoviqit), në prag të zgjedhjeve të vitit 2016, ia ka dorëzuar “koverten”(zarfin), me 97.500 euro, i cili ky i fundit e vendos në xhepin e setrës.
Një pamje e tillë ishte si termet politik në Mal të Zi, ndërsa numri “97.000“ është bërë emri zyrtar i grupit të qytetarëve, të cilët me parullën “Odupri se”(Rezisto) ia filluan protestave të rrugës, ku si moto kryesore kanë dorëheqjet e presidentit të shtetit, dhe të institucionëve të ndryshme, të cilët protestuesit i vlerësojnë “të robëruara”. Si rrallë kund në Europën Juglindore, Mali i Zi është bërë model i partisë-shtet(DPS), e cila mban pushtetin tash 30-vite nga koha e miratimit të pluralizmit. Aferat korruptive në nivele qeveritare si dhe afera e Atlas bankës janë bërë tema të ditës tash disa muaj në mediat e shkruara dhe elektronike në Mal të Zi.
Në këtë aspekt protesta e parë e qytetarëve është mbajtur me 2 shkurt 2019 duke vazhduar me radhë deri të e dymbëdhjeta e cila u mbajt me 1 qershor 2019, të cilat do të vazhdojnë më pas gjatë vjeshtës, pavarësisht nga numri i qytetarëve që i mbeshtesin. Organizatorët e protestës nuk kanë trilluar diçka të re por kanë thënë ate çka shkruan në dokumentët e Bashkimit Europian, se Mali i Zi është „shtet i robëruar“.
Nga protestat e organizuara deri më tash del qartë se vetëdija qytetare në Mal të Zi nuk është potente, sepse këtu edhe më parë kanë ndodhur afera të shumta, por nuk ka pasur ndonjë reagim dinamik qytetar me efekte pozitive për ndryshime cilësore.
Krizë e vazhdueshme parlamentare
Po ashtu duhet theksuar se nga zgjedhjet parlamentare të 16 tetorit 2016, opozita me 39 deputet (48.15%) vendosi të bojkotojë Kuvendin e Malit të Zi, si rezultat i aferës së “grushtit të shtetit” deri në plotësimin e kushtëve për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke krijuar një krizë parlamentare e panjohur deri më tash në pluralizëm.
Edhe pse një vendim i tillë nuk është respektuar nga e tërë opozita, kriza është e pranishme, dhe si e tillë si duket do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm.
Bojkoti i zgjedhjeve si opcion
Nëse DPS-i dëshiron të eliminoj hipotekat nga keqperdorimi në proceset zgjedhore, duhet të bëjë lëshime dhe të tregoj gadishmëri për të pranuar propozimet e opozitës për ndryshimin e ligjit zgjedhor, duke dëshmuar se janë për zgjedhje të lira dhe demokratike. Ligji zgjedhor nuk duhet të jetë pronë e shumicës parlamentare por e të gjithëve, me konsensues, madje me diskutim publik duke i mundësuar të marrë pjesë edhe opinioni i interesuar.
Opozita duhet të jetë unike se nëse nuk plotësohen kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike ajo duhet si opcion të këtë edhe bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare, edhe pse një ide e tillë mund të duket e parealizuar duke ditur mungesën e kapacitetit dhe parimeve politike të opozitës parlamentare.
Si kërkesë nga subjektet opozitare cekët edhe qeveria teknike e cila mund të jetë me misionin për të përgatitur kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike, ku roli kryesor do të ishte kontrolli i keqperdorimeve të resusrseve jo vetëm njerëzore, por, ndaj idesë së qeverisë teknike është duke e refuzuar Qeveria qendrore, çështje kjo e cila do të jetë temë për diskutim në muajt në vijim.
Përçarja e opozitës në favor të pushtetit
Duke ditur se në vitin zgjedhor nuk mund të ndryshoj ligji zgjedhor, deri në fund të vitit kanë mbetur me pak së katër muaj për të vendosur në lidhje me këtë çështje e cila është parësore për opoziten për pjesëmarrje në zgjedhje. Andaj çdo gjë mvaret nga opozita nëse dëshiron për të ndryshuar ligjin zgjedhor duhet të konsolidohen dhe të marrin pjesë në grupin punues dhe miratimin e ligjit të tillë në parlament, në të kundërtën çdo veprim i tyre është në favor të pushtetit aktual.
Por, veprimi momental i opozitës lënë për të dëshiruar sepse janë duke sulmuar njëra tjetrën së kush është më opozitar e kush bashkëpunon me pushtetin çështje kjo e cila ka irituar opinionin duke mos paraqitur një alternativë serioze, sepse kanë komplekset e atavizmit politik, për të dominuar në skenën opozitare, çështje kjo e cila shkon në favor të pushtetit aktual në Mal të Zi.
(Shtator 2019)