STUDIM
SHKRUAN: ILIR MUHARREMI
Në ditën e vetëvrasjes mendoj se Goghut iu desh t’ia marrë vetes jetën, ngaqë ishte prej atyre gjenive me qartësi sipërore që tejkalojnë çdo rrethanë
Njerëzimi ngulitë padrejtësi ndaj shpirtit të individit. Dhe, nuk është vetvetja ajo që ia shkul shpresat njeriut. Antotnin Artaud me të drejtë shkruan për Van Goghun, i cili nuk u vetëvra në shkulm të çmendurisë, sepse ai ia doli të mbërrinte ta zbulonte cili ishte në këtë shoqëri. Shoqëria bëri mëkat ndaj tij, ngaqë iu shkëput asaj si ndëshkim e vetëvrau. Kjo nuk ndodhi vetëm me Van Goghun, ndodh edhe me më të vetmuarit dhe kundërshtarët e shoqërisë. Shpesh kundërshtarët e shoqërisë pushtohen nga korbat e zinj dhe ata arrijnë t’i shkundin degët e brendshme të pemës së tyre. Njeriu fillon të zhytet në rënie dhe çdo ditë bie poshtë. Vetëvritet në heshtje, bëhet i dhimbshëm për veten, aspak për shoqërinë.
Van Goghu me çekiç rrahu gjithë natyrën. Peizazhet janë mish armiqësor, zemërim i shkurreve të therura. I pushtuar nga uria, shpërthimi i vullkanit, lufta me vetveten, aspak fatlum, fatkeq dhe në dijeni të plotë për këtë fatkeqësi, portretet të pikturuara të Van Goghu-t nga Van Goghu. I zhytur në thellësi të dhimbjes, ai nxori këngë, fishekzjarrë, nga një stuhi e pafund në vepër madhore. Shohim shumë korba, nuk dihet a ikin në horizont apo vijnë në drejtim tonin. Ata korba të pikturuar dy ditë para se të vdiste, nuk i sollën qetësi, por hapën shtigje pikturës tashmë të pikturuar, por edhe asaj të papikturuar. Ah, kjo derë e hapur nga ky fatkeq drejt një historie enigmatike të kobshme.
TABLOTË E TIJ MBETEN SHOQËRUESE TË VDEKJES
Kush e vrau Van Goghun? A e vrau veten? Rrallë ndodh të shohim dikë me plumbin në bark teksa zvarritet për në dhomën e tij. Ajo tablo e dhimbshme, me korba të zinj, poshtë tyre hapësirë mavi, duket shumë boshe, ndërsa ngjyra verore e tokës kacafytët me të verdhën e pistë të grurit që duket si hapësirë e pafund. Ishte Van Goghu ai që gjeti të zezën, sipas Artaudit prej zhardhoku kërpudhash për t’i pikturuar korbat. E zezë e pistë ngjashëm me jashtëqitjen. Toka ngadalë ulet nën krahët e korbave dhe askush deri atëherë s’e kishte bërë dot tokën të lerosur me gjak e verë. Korbat përse lëshohen në tablo? Janë si mikrobe të zeza që ndalojnë vetëvrasjen. Tabloja nuk është e qetë, por e pasur dhe kryelartë. Tablotë e tij mbeten shoqëruese të vdekjes, dhe ishte njeriu që pasqyroj shumë diej, dëshpërim të plotë, por nuk diti ta valëzonte gjakun që doli nga plumbi në bark e ta verë mbi ndonjë peizazh mbi të cilin toka ngjyhet me tretësira të fundme, të errëta.
Van Goghu ishte peng i pikturës nuk e tejkaloi asnjëherë, por diti të godasë dhe ishte më piktori nga piktorët. Shohë një kanape prej kashte, ca libra mbi kanape, me kënd replikon Goghu? Aty shfaqet portreti i zymtë i Pol Gogenit. Ose ndoshta ishte një fantazmë tjetër. Në karrige ka pikturuar një shandan i cili ndriçon kanapenë kashtore, këtu shoh një vijë ndarëse të dy figurave Van Goghut dhe Pol Gogenit. Gogeni dallonte nga Goghu sepse ai kërkoi simbolin, mitin dhe i patetizoi gjërat, ndërsa Goghu krijoj mitin nga gjërat e zakonshme të jetës. Ky i dyti kishte të drejtë sepse vetë realiteti është mut dhe tmerrësisht sipëror dhe mjafton bota ta ketë një gjeni për ta interpretuar atë.
Para Goghut asnjë piktor s’e bëri dot. Besoj që edhe sot asnjë artist s’do ta bëjë dot, pikërisht sot në vitin 2018. I tërë realiteti u trupëzua në pikturën e tij. Duhet të vuash, të vuash, ta nxjerrësh nga vetja shpirtin, ta shkundësh kimbalin e madh, timbrin mbinjerëzor, dhe duhet ta mbash hapur veshin për ta kuptuar hovin e dhimbjes jetësore. Në këtë tingëllon drita e atij shandani të ndriçuar mbi kanapenë prej kashte. Përballë e shoh një trup të sëmurë që dremit pran këtij shpirti ndriçues. Pastaj depërton drita, lejla që i ha shufrat e kësaj kanapeje kërcënuese dhe nuk mund ta vërejmë menjëherë. Sikur Van Goghu të mos vdiste 37 vjeç ndoshta nuk do na interesonin kryeveprat e tij. Pas tablosë “Korbat” besoj që Van Goghu do bënte tablo tjetër, por jo të fuqishme si “Korbat”. Më mirë që vdiq 37 vjeç sepse u lodh nga historia e një jete funebre e torturuar nga një shpirt i lig.
PSIKIATRI E SHEH SI ARMIK ARTISTIN
Ndoshta nuk ishte kërkesa e tij, ikja nga jeta, por u desh ta braktiste jetën. “Prej trysnisë së shpirtit të keq e thirri ai dy ditë para vdekjes doktor Gashenë, psikiatrin e improvizuar dhe që ishte shkaku i drejtpërdrejtë, efikas dhe i mjaftueshëm i vdekjes së tij”, shkruan Artaud. Në letrat e Goghut, Gasheja e urrente Goghun dhe e përçmonte si piktor. Është e pamundur të jesh psikiatër pa qenë ndonjëherë në këndin e çmendurisë më ekstreme, në pamundësi për ta luftuar. Gasheja nuk e dinte se psikiatria ka lindur nga njerëzit që kanë dashur ta ruajnë e konservojnë të keqen si burim të sëmundjes duke harruar se vet gjeniu i takon kësaj origjine. Çdo i çmendur në delirë gjen dalje sepse i ikën shtrëngimeve që i sjellë jeta. Gasheja bëri mirë sepse nuk insistonte Goghut t’ia ndreqte pikturën. Ndërsa, Antonin Artaudit doktor Gaston Fardiere kishte marrë përsipër t’ia ndreqte poezinë. Gasheja e liroj Goghun në peizazh, me qëllim për t’ia hequr qafe mendimin. Në këto maja të dëshpërimit, Van Goghu ndjehej i lumtur mbi greminën e frymës së vet, ai pikturonte. Vetë qenia e tij ishte ndjeshmëria vetë.
Portreti i tij edhe sot më ndjek pas, në njërën anë më duket si magjistar, ndërsa në anën tjetër si kasap. Kasap antik shumë i mençur, i tretur në vetmi, stoik pranë dallgëve, më e keqja më ndjek ende pas. Ai dha vetveten për një numër të madh tablosh dhe drita që ndriçonte askush nuk arriti ta kuptonte shkëlqimin e saj, aty shohë gjurmimin e rrugës së tij. Këtë rrugë nuk ishte Gasheja që ia imponoi. Në fakt psikiatri e sheh si armik artistin ose çdo gjeni që i del përpara. I bindur jam që Gasheja pas vetëvrasjes së Goghut e konsideroi si mikun e fundit në këtë tokë ngaqë ishte edhe ngushëlluesi i tij. Në ditën e vetëvrasjes mendoj se Goghut iu desh t’ia marrë vetes jetën, ngaqë ishte prej atyre gjenive me qartësi sipërore që tejkalojnë çdo rrethanë. Një fat i rrezikshëm përtej reales, por më i dukshëm dhe më faktik se realja e atypëratyshme. Prapa syve prej kasapi natyrën e shikoi si një objekt, ndërsa trupin njerëzor si kullesë.
Këtu unë shoh lodhje dhe jo si pasojë e shqetësimit mjekësor, por xhelozi e ndërgjegjshme që veç ai e kuptonte. Bota yjore, urat, luledielli, bërshena, vjelat e ullinjve, bari i kositur, lëvizin prapë nuk janë të ngrira e dini pse? I gjori Van Gogh çdo ditë i drejtoj nga vlimet e brendshme të hatashme dhe nuk kishte nevojë për asnjë mjekësi t’i afrohej. Tek e fundit, psikiatri nuk ka nevojë ta shërojë artistin, por ta kuptojë. Atë çka besojnë gjenitë nuk e besojnë psikiatrët. Van Goghu ishte i sëmurë, por më shumë ndjehej i robëruar dhe Gasheja ishte i fëlliqtë, qelbanik, me një xhaketë të kaltër në pikturë të Van Goghut. Edhe në pikturë ai mundohet t’ia shkulë të gjitha idetë e shëndetshme. Edhe Teo i vëllai i Goghut pëshpëriste mbrapa kulisave me shefat e klinikave mendore: Mbajeni në survejim, hiqjani ato ide nga koka. Doktorët donin ta shkarkonin nga të gjitha idetë sepse të mendosh mbetesh pacient tërë jetën. Mendoj që ky psikiatër babaxhan e çoj gjeniun drejt vetëvrasjes.
Pas një bisede me doktor Gashenë Van Goghu u vetëvra. Por, ka artist si Artaudi, i cili nëntë vjet ka kaluar nëpër çmendina dhe asnjëherë nuk e ka zaptuar ideja e vetëvrasjes. Veçse çdo bisedë në mëngjes që e bënte Artaudi me psikiatër mendonte në heshtje të varej me litar, kjo sepse s’mund t’ia priste fytin psikiatrit. Duhet të mësojmë se në këtë hapësirë ka diçka të çrregullt e sipas Artaudit të hapërdarë në kalkulimin diferencial, në teorinë kuantike, apo në provat dëshmi fjalëturpe e aq foshnjërisht liturgjike të vërtitjeve të ekuinokseve, me anë të puplajës ngjyrë rozë karkaleci i detit që Van Goghu e nxjerr me bujë në pah në një zonë të zgjedhur të shtratit të tij, me anë të kryengritjes së vogël me jeshile veroneze, e me të kaltrën e temperuar të barkës. Unë nuk po mundohem të përshkruaj tablotë e Vang Goghut pas Van Goghut, por atë e shoh si piktor që natyrës ia ka vjel djersën dhe e ka spërkatur tufë-tufë mbi tablo