MADHËSHTI POETIKE QË DO TË JETOJË NËPËR KOHË

0
424
Visar Zhiti - Kohë e vrarë në sy

Anton Nikë Berisha Rreth poezisë së Visar Zhitit fjala.info

(Mbi poezinë e Visar Zhitit)

Interpretimi i poezisë së deritashme të Visar Zhitit,[1] sidomos i kësaj të këtij vëllimi[2], ku janë përfshirë poezitë artistikisht më të ngritura dhe kuptimisht më të pasura të shkruara deri më tash nga ky autor, nuk është punë e lehtë. Kjo ndodh për arsye se ajo është krijesë qenësísh dhe vlerash të mëdha artistike dhe ka në vete një forcë e madhështi poetike të veçantë e origjinale.

Tematika e saj ndërlidhet me realitetin konkret e me përjetimet e vetë poetit dhe është e kapshme dhe e qartë, ndërsa struktura gjuhësore shprehëse dhe mesazhet që dalin prej saj, që në vështrim të parë duken të zakonshme dhe të thjeshta, janë të nyjshme e të shumëllojshme. Këtë gjë e kushtëzon mënyra e qasjes dhe e vrojtimit të dukurive të trajtuara e sidomos e shtjellimit të tekstit. Poezia e tij ka një frymëmarrje sa të gjerë aq edhe të thellë, një lirshmëri, natyrshmëri e veçanti shprehjeje e një thellësi mendimi, që vështirë mund ta përmbledhësh brenda një formule ose ta sjellësh brenda një kornize a vlerësimi, aq më pak ta përcaktosh e ta interpretosh ashtu siç u veprua me poezinë e të ashtuquajturit soc realizëm. Kjo është krijesë e qenësive dhe krijesë artistikisht qenësore.

Poezia e Zhitit është fryt i perceptimit dhe i shqiptimit shumësor poetik të botës konkrete dhe i të pazakonshmes brenda saj, ndërthurur e përshkuar nga bota subjektive e tij. Poeti nuk e përfton poezinë mbi rregulla ose mbi dy ose tri modele. Trajtimi artistik i dukurive bëhet në mënyra të ndryshme, herë-herë krejt të ndryshme, edhe kur ato në jetë janë të përafërta ose të ngjashme. Pra, zbatohet shumësia dhe variantiteti i të trajtuarit dhe i të shprehurit, ku secila poezi përftohet si një krijesë e veçantë (Horhe Luis Borhes do të thoshte: Çdo temë më dikton teorinë e vet.).

Kjo gjë vërehet edhe kur ligjërimi poetik shpreh konkretësinë jetësore, edhe kur shprehet e krijohet e pazakonshmja brenda kësaj konkretësie, po edhe kur shqiptohen ndjesitë e botës vetjake. Temat dhe dukuritë e “mëdha” dhe të “vogla” trajtohen natyrshëm, pa ngarkesën e hierarkisë e të varësisë midis tyre; shqiptimi dhe shtjellimi artistik – arti – është përbërësi, elementi që i bën ato të mëdha ose të vogla. Strategjia e këtillë mundëson zbulimin dhe njohjen më të plotë e më të thellë të botës së brendshme dhe të jashtme dhe komunikimin më intensiv me to.

Duke pasur parasysh cilësitë që përmendëm, them se shkrimi diskursiv për këtë poezi, sado të synojë të jetë shterues, asnjëherë nuk do t’ia dalë ta shprehë krejtësisht atë; vetëm ajo e shpreh veten në plotninë e saj.

Njësimi i së vërtetës me të bukurën

Qenësia e objektit artistik të poezisë së Visar Zhitit është, siç thamë, e zakonshmja, që në fakt shpreh të vërtetën konkrete, përkatësisht të vërtetën jetësore dhe të vërtetën e mundshme, ku e vërteta në rrafshin thellësor të saj është e bukura. Kjo e bukur krijohet e shprehet nëpërmjet strukturës tekstore poetike, nëpërmjet fjalësh e thëniesh të zgjedhura, të përafruara, të ballafaquara e të kundërvëna, nga të cilat dalin kuptime të shumta e të ndryshme mbi botën, mbi të vërtetën jetësore e mbi subjektiven e poetit. Në qenësinë e vet kjo poezi është njësim i së vërtetës dhe i së bukurës. Alberto Moravia me të drejtë thoshte “Në artin modern është vështirë të dish se ku mbaron e vërteta e ku fillon e bukura.”

Në artin e fjalës, siç ngjet edhe në këtë poezi, e bukura nuk është e vetëdhënë, po krijohet nga mënyra e shqiptimit të së vërtetës dhe e së vërtetës së mundshme, që në thelb është e vërteta artistike. Kjo e vërtetë e krijuar është më shumë dhe më e vlefshme se e vërteta e zakonshme, se e vërteta jetësore. Ndodh kështu për arsye se brenda të vërtetës së zakonshme, perceptohet dhe shqiptohet edhe e pazakonshmja, imagjinarja. Së këndejmi, e vërteta artistike është ose rrjedhojë e perceptimit dhe e njohjes së realitetit konkret, ose krijohet mbi bazën e përfytyrimit të tij, pra është fryt krijues i botës së individit, në rastin konkret, i Zhitit. Poeti e krijon të vërtetën artistike dhe ajo është më e vlefshme dhe më e qenësishme.

Poezia e Zhitit trajton sidomos aspekte të ndryshme të jetës së njeriut tonë, në veçanti tragjiken e saj. Në rrafshin thellësor të mesazhit të saj poetik vërejmë se jeta në thelb është vuajtje, është pësim. Kjo gjë nuk del për shkak se në poezinë e këtij poeti s’ka dritë, se nuk përfillet e nuk përkrahet njerëzorja; se nuk mbëltohet e nuk gjakohet të mbillet mirësi e mirëqenie, po pse këto asnjëherë nuk janë të mjaftueshme dhe nuk i mjaftojnë jetës së njeriut.

Mirësia dhe mirëqenia janë të nevojshme për ta zbutur sado pak zhgënjimin dhe tragjiken e jetës (ato nuk mjaftojnë për arsye se nuk mund ta ndërrojnë fatin e njeriut dhe qenësinë e jetës, e cila, jeta, nuk mund të jetë ngadhënjimtare siç është vdekja). Në qenësinë e saj jeta e njeriut është mospajtim, kundërvënie, vetërrënim. Në çdo çast e në çdo ditë të gjallimit njeriu e rrënon dhe, thënë poetikisht, e vret atë – secilën herë i afrohet fundit – ngadhënjimit të vdekjes (ose lindjes së re; shkrimtari italian, Françesko Grizi do të thotë: “Kush vdes vazhdon të jetojë.”).

Meqenëse të vërtetën jetësore Zhiti e vrojton dhe e shpreh nëpërmjet botës së brendshme, poezia e tij është thellësisht e përshkuar dhe e shenjëzuar nga subjektivja (Borhes-i me të drejtë thotë: “Për veprat e mia do të thosha se janë thellësisht personale dhe jam i bindur se vetëm personalja ka forcë estetike.”). Pra, botën dhe dramatikën e saj poeti ynë e vështron nëpërmjet tundimit dhe dramatikes së botës së vet. Ky ballafaqim dhe ky përafrim kushtëzon të vërtetën artistike, që, siç u theksua, është më e pasur dhe më e vlefshme se e vërteta jetësore. Në fakt, poezia e Zhitit është një dialog, siç do të thoshte Martin Camaj, me veten dhe me të tjerët. Rrëfimi i tij poetik nuk ballafaqon botën e brendshme dhe të jashtme për të theksuar e për të nxjerrë përparësinë e njërës ndaj tjetrës, por për t’i njohur sa më mirë të dyja.

Këto, të njësuara brenda subjektives së tij, poeti ia kthen, në formën e artit, vetvetes dhe ia ofron edhe tjetrit si mundësi njohjeje dhe komunikimi, po edhe ekzistimi shpirtëror dhe mendor. Në të vërtetë, kjo poezi sa ta zbulon botën e poetit, po aq mundëson njohjen dhe zbulimin e vetvetes si qenie, botën dhe qenien vetjake. Ky përcaktim i poetit nuk është i rastësishëm: pjesët e fshehta të gjërave, të jetës së njeriut e të kuptimeve si dhe e panjohura brenda tyre, janë qenësia e artit në përgjithësi e brenda tij dhe e artit letrar. Duke trajtuar thellësinë e gjërave përplotësohet realiteti vetë dhe njohuritë për të, krijohet kështu realiteti, e vërteta artistike, e cila, e gërshetuar me dramatiken dhe tragjiken, është e zonja të nxisë e të përmbushë katarsën shpirtërore, një tjetër qëllim i madh i artit të fjalës, pra dhe i poezisë.

Pozicionet nga rrëfen poeti dhe i shpreh mendimet dhe ndjenjat e veta, janë të shumta e të ndryshme. Ai u qaset dhe rrëfen për dukuritë herë nga afër, herë nga një largësi e madhe, po shpesh ai njësohet me çështjet që i trajton dhe, thënë kushtimisht, është brenda tyre. Kjo strategji dhe ky raport i zbatuar është, si realizim, sa i qenësishëm, po aq i papritur e befasues.

Një rëndësi të veçantë në këtë rrjedhë ka gjakimi i autorit që nëpërmjet artit ta lirojë njeriun nga e keqja, nga egoizmi e sidomos të nxitet e të kultivohet tek ai mirësia e mirësjellja, vetëdija për veten e për të tjerët. Nga mesazhi poetik i poezisë së Zhitit del, qoftë nga teksti, qoftë nga nënteksti, një shpirt i pasur, një ndjenjësim thellësor njerëzor. Poeti e ndjen dhimbjen e tjetrit, fatkeqësinë, tragjiken. Këtë ndjenjë ai e shpreh edhe ndaj atyre që ia errësuan dhe ia plagosën jetën duke e burgosur e rrënuar fizikisht dhe psikikisht. Ai ka fuqi shpirtërore të falë e të marrë një pjesë të dhimbjes dhe të fatkeqësisë edhe të atyre që e martirizuan, prandaj: që loti yt të rrjedhë në faqen time ose Plaga jote në trupin tim si diellth i vogël.

Ferri fizik dhe errësira shpirtërore

Me një natyrshmëri e me një thjeshtësi të veçantë, Zhiti shqipton realitetin e rëndë konkret shqiptar, duke filluar nga mosha e tij e re ose, siç shenjëzohet nga titulli i ciklit hyrës, Syth i orës së sëmurë, për të vazhduar me jetën e rëndë në burg, përkatësisht ferrin fizik dhe errësirën shpirtërore të botës shqiptare për gati një gjysmë qindvjetshi, po edhe jetën pas rrënimit të diktaturës komuniste. Pra, poeti shpreh dramën dhe tragjiken personale, po asnjëherë nuk mbetet vetëm brenda saj. Ajo është edhe pjesë e secilit prej nesh, pjesë e botës sonë në një kohë të plagosur në sy.

Qenësia e mënyrës së këtillë të perceptimit e të shqiptimit është e shumëfishtë: brenda botës subjektive ekzistojnë e shprehen të gjitha fshehtësitë, ndjesitë, virtytet, veset; koekzistojnë e keqja (destruksioni) dhe e mira; aty çdo gjë, thënë lirshëm, shprehet në mënyrën burimore e të veçantë; ajo është çelësi për ta kuptuar e për ta njohur individualen dhe të përgjithshmen. Në këtë rrafsh poezia e Zhitit sjell një dukuri të qenësishme në poezinë shqipe (në disa pikë përafrohet me poezinë e De Radës, veçmas me “Këngë të Milosaos”).

Poezinë e Zhitit e cilëson lirizmi thellësor dhe dramatika. Në thelbin e saj ajo është shqiptim, këmbim, ndërlidhje dhe plotësim i ndërsjellë mjeshtëror i mesazheve (kumteve) dhe i imazheve (tablove) poetike, të cilat krijojnë një mozaik shumësor. Ato janë herë konkrete, herë përfytyruese, imagjinare ose herë të njësuara njëra me tjetrën. Kjo i jep kësaj poezie gjallëri (vitalitet), mëvetësi dhe fisnikërim poetik.

Mesazhet dhe imazhet poetike krijohen e shprehen në mënyra e në forma të ndryshme, sidomos nëpërmjet kontrasttit, shpesh befasues, të pazakonshëm, tronditës, po artistikisht me vlerë.

S’paska fund rruga. As rrugë nuk paska. As mëngjes.
Thonë se janë të bukur yjet përmes lotësh. Notojnë
në sytë e hapur të të vdekurve…

*

Edhe unë do të vij të rri në buzët tua,
të shëtisim bashkë nëpër flokët e tua
si në një pyll
(…) Do të vij,
i butë si zjarri, i egër si zjarri, i ngohtë si zjarri,
i marrë dhe i mençur si zjarri,
tek ty do të vdes si zjarri që nuk vdes.

*

petalet plot ngyrë të vdekjes
që kurrë s’qe gjallë

Kuptimësitë, po dhe tablotë poetike, herë dalin në plotninë e tyre nga vetë struktura e tekstit, herë lihet mundësia e plotësimit të tyre nga lexuesi mbi bazën e përbërësve dhe elementeve që jep poeti. Ato, qofshin konkrete, qofshin përfytyruese, sa të cysin, të joshin e të ngazëllejnë, po aq të lëkundin dhe të tronditin.

Jo një herë Zhiti shpreh ashpërsinë, egërsinë, dhunën, pësimet dhe tragjiken e gjallimit konkret individual, por edhe kolektiv shqiptar. Kjo del sheshazi, qoftë kur rrëfen për kohën e fëmijërisë dhe rinisë së vet, për kohën në burg, për hyrjen e galerisë (që është si gojë kuçedre) për këpucët e spiunit (me lidhëset që varen si shpifje nëpër gojë), për vagonët me bakër vuajtjesh, për të pushkatuarin me mëkatet e të tjerëve, qoftë për jetën pas daljes nga burgu: kohën e frymëmarrjes e të veprimit të lirë në atdhe ose për përjetimet (nga vizitat) në vendet e tjera kaq të ndryshme nga bota e errët e kohës së sëmurë (komuniste) shqiptare.

Zhiti është i veçantë sa në perceptimin dhe shqiptimin e dukurive e të ideve, po aq në shtjellimin e tekstit poetik. Kështu, në një perceptim burimor poeti përafron dhe ballafaqon fabrikën e tullave me fatin dhe me tragjiken e grave që punojnë aty. Ato i presin dhe i përgatisin tullat, po vetëm për shtëpitë e të tjerëve; ngjajnë në duaj të rëna nga qerrja; bashkë me reçelin, vezët, e specin si abort, hanë edhe buzëqeshjet, premtimin, vazot. Një imazh që, sa më shumë thellohesh në të, të tronditë më shumë.

U lodhën gratë,
u ulën së bashku, tufë. Si duaj gruri ngjajnë –
rënë nga qerrja rrugës.
Po hanë bukë: me gjalpë e reçel buzëqeshjesh njëra
vezë e djathë tjetra
e një premtim
pak kos e një vazo
e një spec si abort i harruar.

(Gratë e fabrikës së tullave)

I ngjashëm është edhe imazhi i rrathëve të ferrit të jetës së tij dhe të bashkatdhetarëve në burgjet e mbushur me të burgosur, ku Gjella është si çdo ditë: me copa të çizmeve të vjetra të diktaturës dhe Ne jemi funerali / që s’do të shkojmë në asnjë varr ose Edhe i vdekur s’je më i lirë. Të burgosurit ëndërrojnë edhe si ua rrahin ëndrrat; shohim me sy se si të vdekurit i varrosin me pranga dhe, në rrethana të tilla, ata e kanë zili atë që e braktis fryma.

Dhuna e jetës së këtillë, që bie edhe mbi vetë poetin, është e rëndë dhe me pasoja të pazakonshme shpirtërore; ai është i zbrazët dhe thuaja i paqenë: (Fjalët e mia kanë vdekur si bletët / nëpër lule me helm.). Mundësia që poeti të ndërmarrë diçka e ta ndërrojë gjendjen nuk ekziston. Ai bën vetëm atë që mund të bëjë: ta flakë kokën e vet në terrin e universit ose të bëhet rrugë për të shkelur të tjerët mbi të, që të kujton qenësinë e mesazhit të flijimit të Krishtit, këtu thënë me art të madh.

Çdo gjë iku prej meje, me dhunë
me copa të mëdha si copa mishi, si copa qytetesh
që përmbyten befas. As panik. As revoltë.
As brenda vetes. Dhe unë
dua të marr kokën time, ta flak mes territ të universit.

(Braktisje)

ose

Më pëlqen të eci në thellësi të natës
vetëm, as me veten time.
Të jem erë, pa erën,
që thyen urtësira pemësh
si njerëz prej gjethesh.
Të jem rrugë pa rrugën
që e shkelin të tjerët me këmbë.

(Vetëm, as me veten time)

Cilësia dhe madhështia e poezisë së Zhitit, siç thamë, shprehet sidomos kur shqiptohen të njësuara konkretja dhe imagjinarja, kur krijohet realiteti artistik i veçantë, që arrihet në disa mënyra. Jeta dhunuese e mbytëse ia zë frymën poetit (Gjithë ai myshk si mjekër mbin / nëpër fytyrat tona ose Çdo natë fle në plagët tona ose Dua një kryq / të mbështes këto dhembje / të pavdekshme); brenda vetes së zbrazët, ai ka vetëm ëndrrën; shëtit zgjimeve të tij, ndërsa bari është jeta më e pastër që hesht.

Do të marr prej dore ty, ëndërr,
dhe do të shëtis zgjimeve të mia
si një i çmendur.
…………………………….
Njihu me barin, shijoje,
me gjuhën e ecjes. Bari është
jeta që hesht, më e thjeshta
dhe më e pastra jetë.

(I zbathur dhe i çmendur)

ose

Bosh mbeti horizonti. Dhe pasqyra e moshës në dhomë.
Asnjë vajzë nuk kreh flokët kumbues të qetësisë
me krëhërin e bardhë si dhëmbëzit e një lirike.
Dhe erdhi muzgu i vdekur. I kallkanosur. Që s’lëviz.
Në skajet e tij dergjen njollat e diellit dhe hënës. Të dy
të ftohtë, të zbetë. Si pëllëmbët e përgjakura të Krishtit.

(Në moshën e kryqit)

Në realitetin e këtillë jetësor, ku është rrënuar çdo gjë, edhe ndjenja më intime, dashuria, është e burgosur, e dhunuar, e paqenë. Ajo më tepër është gjakim, projeksion, nevojë ëndërrimi dhe ikje nga realiteti ose nevoja e mbytjes së realitetit të tillë. Dashuria në poezinë e Zhitit është më tepër formë e mbijetesës përballë pësimit e tragjikes të shkaktuar nga njeriu. Poetit (të burgosur) i mbetet vetëm gjakimi i përfytyrimit të jetës dhe i së vërtetës, i hijes së vajzës, i harrimit.

Na u plasaritën sytë si xhamat…
Zbathur shkelim mbi xhamat e syve tanë
dhe s’të arrijmë që s’të arrijmë dot si nëpër ankthe.
Me dorë hapim mjegullat si perdet…

(Mirënjohje)

ose

Do të hap një rrugë mespërmes harrimit
dhe do të vij.
Do të shtyj lotët me duar
dhe do të futem në sytë e tu.

(Hap një rrugë mespërmes harrimit)

S’ka dyshim se kjo poezi është poezi e dhimbjes, e fatkeqësisë, e tragjikes së njeriut tonë, që shenjëzohet nëpërmjet ofshamës, psherëtimës, plagëve, ankthit, vdekjes, (nevojës së) harrimit, fjalëve me helm, shpellave të dhembjes, mendimit si shelgu lotues e të tjera. Sidomos lotit, që në të është mjaft i pranishëm dhe ka një simbolikë të qenësishme e shumësore.

Poezia e Zhitit cilësohet edhe me një përmasë të protestës, të ironisë, të groteskës. Poeti nuk mundi të jetë indiferent ndaj dhunës që bëri njeriu i tij ndaj bashkëkombësve, po dhe të keqes së njeriut në përgjithësi. Së këndejmi: Dua t’i këndoj çlirimit të hijes së njeriut! Për ta shprehur këtë qëndrim të tij dhe fatkeqësinë e njeriut ai ka nevojë për:

Më duhet fjala natë
dhe fjala lakuriq,
fjala i verbër më duhet
për të shprehur fatin.

(Lakuriqët e natës)

Herë-herë poeti thuajse nuk mund ta përmbajë veten, prandaj shqiptimi është i pandërmjemë; shqetësimi dhe pezmi shpërthejnë, po kthehen brenda krijuesit; edhe flijimi është i tillë, i përmbrendshëm. Në të njëjtën kohë protestë e flijim i pashembullt i vetjes që rrëfen, i poetit.

Nën këmbë
më hapet dita si një humnerë e madhe.
Me se ta mbush që të dal në ditën tjetër?
Me qindra herë hedh veten time
dhe shkel mbi veten.

(Molla e dënimit)

Vëllim që mund të lexohet edhe si një poemë

Poezitë e vëllimit Kohë e vrarë në sy mund të lexohen edhe si një poemë. Ciklet janë pjesë që ndërlidhen si mënyra perceptimi e shqiptimi, si tematikë dhe si sistem shprehës kuptimor e simbolikë. E njëjta gjë ndodh dhe me poezitë brenda cikleve. Ato ruajnë mëvetësinë si krijime, po njëherit paraqesin pjesë të mozaikut tërësor shprehës poetik.

Pa dashur të zgjatem në ndriçimin e lidhjeve dhe të kushtëzimeve të ndërsjella mes njësive të niveleve të ndryshme që e bëjnë këtë vëllim tërësor, po përmend vetëm të dhënën se cikli i parë Syth i orës së sëmurë, që mund të merret si një hyrje në botën tematike e poetike të veprës, ndërlidhet në disa aspekte me ciklet e tjera dhe me ciklin e fundit Zhgjëndërr e përëndërrt. Në të parin trajtohet konkretësia jetësore e kohës së fëmijërisë e rinisë, pasojat tragjike të individit nga diktatura; gjakimi i lirisë, i qetësisë shpirtërore dhe i qenësisë individuale; i vetëqenies dhe i vetëveprimit të lirshëm. Ajo, me të gjitha pasojat dhe tragjiken e saj, është e vetvetes, e asaj vetë; është “mëkatare” për të gjitha pësimet e rrënimet fizike e shpirtërore të individit (zë fill me individin e merr përmasa të kolektivitetit). Ajo mbipeshon në çdo gjë që i përket jetës dhe fatit të individit, pra është “vetëpërgjegjëse” dhe “vetëdrejtuese”.

Në ciklin e fundit Zhgjëndërr e përëndërrt e tashmja nuk është krejt e vetvetes. Në qenësinë e saj ajo nuk “vetëdrejtohet”, edhe pse frymëmarrja e ekzistimit të saj është e madhe, po ashtu liria individuale e të vetëqenit dhe e vetëveprimit. E tashmja është e drejtuar nga e kaluara, nga pasojat e saj. Me fjalë të tjera, e kaluara është brenda së tashmes dhe në shumë pikë e drejton atë. E tashmja është e gjykuar (nga e kaluara) të jetë e tillë. Kështu tragjika në ciklin e parë, është pjesë edhe e së tashmes në ciklin e fundit: Poeti bart në vete barrën e së kaluarës, ferrin fizik dhe terrin shpirtëror, prandaj edhe në jetën e lirë nuk është i lirë; edhe në botën (në jetën) ku janë të rrënuar muret, kufijtë, ai jeton dhe frymon nën shtypjen e kufijve, të ndalesave; me hijen e burgut, me zhurmën e zinxhirëve të të burgosurit; jeta e lirë ngjet e zhvillohet nëpërmjet reflektimit pasqyror të së kaluarës, të pësimeve, të pasojave e të dhunës së përjetuar.

Kjo ia prish poetit drejtpeshimin dhe jeta në të tashmen i shkakton dhimbje (shpirtërore), ndonjëherë tejet të rënda, në mos edhe më të rënda së ato të përjetuara nga dhuna konkrete në të kaluarën. Së këndejmi, tragjika e së kaluarës shtrihet dhe bëhet pjesë e gjallimit të së tashmes. E tashmja, thënë me gjuhën e poezisë, është kohë e burgosur në plagët e së kaluarës. Këto dy cikle, po edhe ciklet e tjera, i ndërlidh dhe i bashkon veçmas tragjika jetësore që në poezinë e Zhitit gjakon të shprehë absoluten, sidomos absoluten artistike, që shenjëzon para së gjithash katarsën shpirtërore.

Me shumëllojshmërinë e shtjellimit të teksteve dhe me natyrshmërinë e shqiptimit të çështjeve të trajtuara, me qenësinë dhe me forcën e mesazhit e të tablove poetike dhe me dramatiken e veçantë që e përshkon atë dhe me nëntekstin e nyjshëm që krijohet nga struktura tekstore, poezia e Zhitit e tejkalon rëndësinë që i takon një krijuesi, një gjenerate dhe një kohe dhe shtrihet në diakroninë e gjithë poezisë shqipe, duke u bërë pjesë e vlerave poetikisht më të ngritura të saj.

Kozencë, tetor-dhjetor 1996

[1] Ky punim është parathënie e vëllimit me poezi të zgjedhura të Visar Zhitit, Kohë e vrarë në sy. Zgjedhur e shtjelluar nga unë. Rilindja, Prishtinë 1997.

[2] Zgjedhjen e poezive të Visar Zhitit e bëra nga katër përmbledhjet “Kujtesa e ajrit” (Tiranë 1993), “Hedh një kafkë te këmbët tuaja” (Tiranë 1994), “Mbjellja e vetëtimave” (Shkup 1994), “Dyert e gjalla” (Tiranë 1995) dhe nga poezitë në dorëshkrim, të cilat autori pati mirësinë e m’i dha t’i shfrytëzoj.

Radhitjen e poezive, ndarjen në cikle dhe emërtimin e tyre e bëra në bazë të një koncepti të caktuar dhe të menduar. Kam emërtuar disa poezi që autori i ka botuar pa tituj, kam bërë shkurtimin e ndonjë titulli, përmirësimin e ndonjë gabimi shtypi, kam hequr ndonjë fjalë ose varg (me miratimin e autorit).

Në parathënie, për shkak të natyrës së punimit, janë vërë në dukje vetëm disa nga cilësitë dhe vlerat e kësaj poezie.