Duke lexuar romanin ‘MISIONI RUS‘ të Ibrahim Kadriut, edhe pse ngjarja zhvillohet para një shekulli, sikur e ndjenë deri në kockë përsëritjen e historisë pikërisht në ditët e sotme.
Autori përveç që trajton aspektin historik të ngjarjeve rreth kohës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, aty në këtë roman edhe zhvesh disa detaje interesante rreth disa figurave kyçe të historisë sonë, të cilat detaje mund edhe të krijojnë një ‘shook’ për lexuesin.
Trajtimi i modelimit të shoqërisë shqiptare përmes FESË, ku në krye të Xhamive më të mëdha të vendit gjendeshin misionarë nga Rusia, është një trajtim vërtetë interesant, ku autori bazohet në të vërteta historike. Ky trajtim i jep romanit edhe një vlerë më të madhe për kohën e sotme, ku pikërisht edhe sot shohim klerikë fetarë që pa pikë dyshimi janë misionarë të dikujt që punojnë në dëm të interesave tona kombëtare.
Gjatë leximit hasim edhe bashkëpunëtorët e vullnetshëm shqiptarë me rusët, të cilët për pak para e pak rehati familjare, dëmtojnë rëndë interesat kombëtare. Një nga pikat kulminante do e quaja në roman, është PENDESA e një shqiptarit, bashkëpunëtor i rusëve. Pendesa nënkupton vetëdije, marrje në duart tuaja fatin tënd, qëllimin tënd, të ardhmen tënde. Fatkeqësisht, kur bëhesh bashkëpunëtor, shpesh PENDESA është rrezik fatal. Por, në aksin e historisë, më mirë është të vdesësh njëherë, se sa të vdesësh çdo ditë ngapak duke shkaktuar tragjedi pafund për njerëzit e gjakut tënd.
Ibrahim Kadriut i uroj edhe shumë vite jetë dhe vepra tjera të shumta që rrisin vetëdijën tonë të përgjithshme për mirëqënien tonë të përbashkët.
Lexuesve, i’u uroj lexim të këndshëm dhe shpërndarje të të vërtetave historike tek të afërmit, te fëmijët dhe të rrethi i gjërë shoqërorë.
Driton Smakaj
Misionari rus, që për 20 vjet ishte imami i Xhamisë së Madhe të Prizrenit
Shkrimtari Ibrahim Kadriu në emisionin “Rubikon” të KTV-së ka folur për “misionarin rus”, të cilin e kishte takuar për herë të parë në Prizren derisa ai punonte si reporter i lirë.
“Takova njeriun që në atë kohë ishte 94 vjeçar”, shpjegon Kadriu në Rubikon të KTV-së për plakun, i cili për herë të parë e ballafaqoi shkrimtarin me prezencën e rusëve.
Personazhi, të cilin Kadriu e sjell përmes rrëfimit në librin “Misioni Rus”, të cilin e ka botuar grupi KOHA, ishte prezent në vitin 1912.
“Ai më tregonte qysh kur ka hy ushtria serbe, me 3 nëntor 1912, në krye me gjeneral Jankoviqin, ishte imami i Xhamisë, me përvojë 20 vjeçare si imam, doli te shkallët e thirri xhematin dhe tha ‘unë deri këtu e pata’, aty e kuptuam kush ishte dhe morëm vesh se kish qenë rus, erdhën me mision të caktuar, kështu që misioni i tij si klerik mysliman, nuk ishte i vetëm por kishte edhe misionar tjerë, misionarë ushtarakë, të cilët janë infliltruar gjithkund, rusët kanë qenë gjithkund. Atë ditë që e mora çmimin nga grupi KOHA, thashë që rusët i kemi edhe sot, varet veç qysh po i zbulojmë ata”, ka thënë Kadriu.
Pas kësaj, Kadriu shpejgon se si përdori faktografinë për të gjetur të dhëna tjera.
Publikimi i librit “Misioni rus” bëri që të lajmërohen edhe shumë të tjerë, të cilët po njëjtë si shembulli i shkrimtarit, ushtronin rolin e imamit.
Rusët kishin zgjedhur pikërisht fenë myslimane dhe imamin, duke e ditur rëndësinë dhe ndikimin që kishin atë kohë te populli.