M Ë D Y SH J E T

0
422
Mehmetali Rexhepi

Mehmetali Rexhepi

Ishin ngazëlluese për Zefin kur shihte t’i kishin zënë vend rreshtat e ndjenjave të ti në ndonjë kënd gazete a reviste. Ai ritëm rinor bulëzonte për t`i çelur ngjyra ëndjes… Cila sykaltër, syzezë ose sylarushe do t’ua hidhte sytë atyre rreshtave të zemrës gurgulluese? Athua do t’ua hedh fare shikimet ndonjëra sish dhe të identifikohej me vargjet? Kush mund të ishte ajo loçkë anonime? Çfarë emri do të kishte, si do të dukej?… Cilën aromë që nuk e ka maji do t`ia shtonte ajo?

Kapërcimet mbi peshore sysh dhe pasqyrash kishin peshën dhe dukjen më të shpeshtuar… A do të ishte i denjë për një zemër po aq të etur sikurse kjo e tija? Vlimet i mbante të fshehura, vaj halli për kumbimet e zemrës… Rinorja e Zefit i fshihte ato ndrydhje impulsesh, sikur të ishin tabu të shkruara, shpërfillja e të cilave e përjashtonte vetvetiu, e ndiqte nga rendi i faqebardhëve. Përmasa e llavës së epshit do ta përulte, diku do t’i zbrazej në rastin e parë… Zbrazja e rastit të parë s’mund të ishte e përzgjedhur, mund të ishte e pistë dhe t`i shkruhej e zeza në ballë!

– Merre me mend si do të më shikonin fshatarët e mi?! – Shfaqte turpin drejtë të cilit mund të binte Zefi.
Atë llavë epshi që dendësohej dita-ditës fare lehtë e cyste për ta shpërthyer një xixë e vockël e fijes së kashtës, një gacë shikimi, një buzëqeshje enigmatike, një prekje e butë dore, një gjoks i fryrë ose tundja e dy flegrave vithesh rrumbullake të bel-hollës. Në vistrën e parakëve nuk ishin zënë në gojë faqezinjtë e nderit…

Zefin e kishte mpirë epshi përderisa netët e gjata të gjumit, ia shndërronin epshin në qindra trajta të joshjes… Derisa erupsioni tërhiqej në shtresime të ftohta, botës tij avulluese i fryu një vrushkull i ftohtë, si një lloj spërkatje akullnajore dhe, mbi termometrin e temperaturës i solli esëllti:

– O Zot frenoje me Dorën Tënde të Madhërishme këtë vërshim, këtë dramë të paautorizuar, se nuk e di ku do të më katranoset kjo fytyrë imja!?
Zefit, jo një herë, i kishin dëftuar bëma baritore, si ajo për filanin, se pikërisht ai filani ia paskësh marrë virgjërinë pelës… Kënaqësia ishte përjetuar për secilin në mënyrën e vet: me pasthirrma dhe hingëllima!

* * *

Bastuni u bë këmba e tretë e Zefit. Deri te gjetja e udhës së esëllt ai kishte luhatjet e tija të ndjenjave. Jo një herë zhytej në ndodhi bëmash të forta prej të cilave nuk shkëputej lehtë. I kthjelluar kur i pushuan dhimbjet, u thellua në bëmën e incestit:
– Kënaqësia është e verbër- tha dhe priti t’ia tumirte dikush.

E thoshte sikur të ishte vetë aktori i kësaj verbërie… I verbërisë së zbrazjes në një vrimë prej muskujsh dhe tuli…Tundi kokën dhe u kredh diku, dikur në shelgjishtet e livadheve të qytetit… Pas ëndrrave me motive cullake donte ta kishte te shtrati Motin… Për një çast iu kujtua ndalesa dhe gjoba e qarkullimit jashtë orarit. Vijonin masa të shmangies nga fryma e lëngshme dhe tejet infektuese mes njerëzish afër burimit të virusit “Corona” Kishte marr qetësuesit e radhës. Ndonjë herë kur e përfillte veta e qasjes tjetër të ngjarjeve, gjësendeve, dukurive, i dilte për ballë si një korrektues i durueshëm, si qatip i fshirjes së shkarravinave për tjetër rishkrim të kohës…

Dukuria e incestit, që tashti nuk i shqitej si trajtë etike, me gjymtyrë të shkalluara, me tela në zemër, e trembi plotësisht… Mos kishte pasur një ndodhi të tillë në lozën e vazhdës tij? Kush e di?… Ai assesi t`i largohej asaj mynxyre, sikur të ishte në hullinë e saj? Kjo iu kishte bërë jo temë, porse njëra nga krye-temat tej virusit zhbirues “Covid 19”! Tema përkatëse e brente pashpjegueshëm… Ai thuajse ishte njëjtësuar me të! Dashnorja e dikurshme i dilte herë motër, herë dashnore?! Disa herë ishte matur, por në kujtesë hynte e dilte gjithçka tjetër, kur i zhdavaritej mjegullnaja e kllapisë, mëtonte t`i drejtohej vetës, arkivuesit dhe korrektuesit tij:

– Hë, si thua ti, Korrektues?
– A mos je identifikuar edhe ti me gjëmën e incestit të dikurshëm se ishim të rinj dhe të verbër atëherë?!
Derisa të mos i avullohej mjegulla e kllapisë, Korrektuesi nuk e vendoste dialogun e mirëfilltë me Zefin.

* * *

Zefi tërë jetën mbeti ithtar i çiltërisë. Ditët e frymëmarrjes i numëronte deri te çasti i frymë-dhënies. Copëza leximesh që nga antikiteti i riktheheshin si fiksime, si pleksje me të ndodhurat e lashta dhe të sotme, ku domosdo diku Ai e shihte vetën si njëri nga personazhet… Vetminë e porositur të tetëdhjetave ia solli gjëma e virusit djallëzor… Si duket dija dhe djallëzia janë pajtuar për gjëmën e heshtur, pa krisma armësh…
Atëbotë mëdyshje, tash mëdyshje për pastërtinë e lamtumirës…

Atëbotë i ishte vënë kushti qeveritar:
– Zef, ti largohesh që të izolohesh nga ndikimi infektues i të rinjve me viruset e ideve tua!..

Gjilan, prill 2020